Vlerat unikale të Prespës dhe mungesës së turizmit!

3054
Prespa ose Liqeni i Prespës, , është njëri ndër liqenet me ujëra të freskëta në Evropë që u takon tre shteteve Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë me një sipërfaqe të përgjithshme prej 318.9 km2 nga të cilat 190 km² i takojnë Maqedonisë, 84.8 km² Greqisë dhe 38.8 km² Shqipërisë. Ky liqen është cilësuar si liqeni me i ndotur ne Ballkan. Prespa është liqeni më i lartë tektonik në Ballkan me 853 metra mbi nivelin e detit. Prespa si tërësi ndahet në dy liqene: Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël.

Prespa e Madhe 
Ndahet në mes tre shteteve (të sipërfaqes së Shqipërisë Etnike): Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë.

Prespa e vogël 
Ka shtrirje të përgjithshme prej 138 km² ndahet vetëm në mes Greqia së cilës i takojnë 51 km² dhe Shqipëria së cilës i takojnë 3.9 km². Në liqen derdhen disa përrenj të vegjël, ndërsa ai vetë nuk ka rrjedhje sipërfaqësore. Liqeni rrethohet me male të larta mbi 2000 m lartësi. Me sipërfaqe 318.9 km2 për nga madhësia llogaritet menjëherë pas Liqenit të Shkodrës dhe atij të Ohrit, por me 853 m lartësi mbidetare ai është liqeni më i lartë në trojet shqiptare. Liqeni i Prespës, është një nga zonat tërheqëse turistike të Ballkanit, përveç bukurive të jashtëzakonshme natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft të pasur. Aty ka rreth 1500 lloje bimësh, më shumë se 40 lloje gjitarësh, ndër to ujku, ariu i murrmë, lundra, 11 lloje amfibësh, 22 lloje zvarranikësh, 261 lloje zogjsh dhe 23 lloje peshqish. Në Prespë jeton edhe pelikani dalmat me përqendrimin kryesor në Prespën e vogël si dhe shtatë lloje ravacafkash. Prespa ka gjithashtu edhe 30 monumente të kulturës bizantine si dhe një numër mjaft të madh të veprave të antikitetit.
Vetëm kur e viziton Prespën e ndien thellë mahnitjen nga peizazhet e shumta të saj ,liqenet malet që e rrethojnë zonën i japin asaj një pamje të rrallë .

Prespa me rrugë të ngushta plot me fllad të freskët pemë të shumta me strofull zogjsh luadhe të bukur mes malesh dhe syrin e kaltër të liqeneve që i japin një pamje magjike këtij mjedisi .

Me 9 fshatra të vendosur në gjoksin e maleve që përbëjnë komunën e Liqenasit: Me Kallamasin, Goricën e Madhe, Gorica e Vogël, Gollomboçin, Diellasin, Liqenasin,, Lajthiza, Zaroshka dhe Cerja ku jetojnë afërsisht rreth 5 mijë e 500 banorë .Malet e lartë të bleruar që e kalojnë lartësinë mbi 2000m lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar krijojnë atë konfiguracion të papërsëritshëm .Kështu i mbushur me këto kontraste bukurish me një kulturë të lashtë me ushqim të mirë dhe një mikpritje bujare. Këto kushte të favorshme klimatike ,ujërat e pastra të burimeve përzemërsia e banorëve janë joshëse dhe të krijojnë relaks në çdo stinë të vitit .Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij katër ishujt në dy liqenet e Prespës. Një i moshuar nga Gollomboçi na tregon legjendën e rrallë për këtë dy liqene 

Legjenda e liqeneve të Prespës 
Sipas një plaku të moshuar nga Gollomboçi na thotë, se këtu ku ndodhet liqeni i Prespës, ka qenë një qytet shumë i madh. Një ditë djali i mbretit që drejtonte qytetin kishte dalë nëpër pyll dhe aty rastësisht takon një Zanë pylli shumë të bukur të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t`u martuar me të. Por Nereida refuzon duke i thënë djalit të mbretit se, nëse ata martoheshin do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Por djali i mbretit i verbuar nga dashuria e mori për nuse zanën e bukur Nereida. Por shumë shpejt pas martesës u hap qielli nga bubullimat dhe ra një shi shumë i madh dhe i rrëmbyer që mbyti të gjithë qytetin duke krijuar një liqen të madh, ku ndodhet sot liqeni i Prespës dhe lulet që ndodhen sipër sipërfaqes së liqenit, sipas legjendës, janë shpirtrat e njerëzve të mbytur. Por kjo është vetëm legjenda që qarkullon tek të moshuarit. Në lartësinë mbi 850 m mbi nivelin e detit gjenden dy liqene të ndarë nga një brez i ngushtë tokë. Më i madhi i quajtur Prespa e Madhe dhe ka një sipërfaqe prej 285 km2 dhe thellësi maksimale 54 m. Ky liqen është i ndarë nga tre shtete ku pjesën më të madhe e ka Maqedonia, kurse Shqipëria dhe Greqia kanë nga 40 km2 secila, ndërsa liqeni tjetër, ai Prespës së Vogël që ka një sipërfaqe prej 47 km2 dhe një thellësi prej vetëm 12 m i takon pothuajse i gjithi Greqisë me përjashtim të një pjese të vogël që ka Shqipëria .
Turizmi dhe parku i Prespës 
Më 2 shkurt të vitit 2000 kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë kanë shpallur Prespë si zonën e parë të mbrojtur në Ballkan. Por me gjithë ndonjë financim nga qeveria gjermane apo edhe të ndonjë OJQ-je Prespa dhe zona e saj përreth është larg atyre kërkesave që ka koha për të zhvilluar turizmin. Së pari, vihet re që parku shfrytëzohet nga banorët për dru zjarri për ngrohje dhe gjithë parku është masakruar. Banorët merren me peshkim, blegtori dhe me bujqësi. Rruga që të çon nga Korça deri në Goricë më së fundi u rregullua. Për zhvillimin e turizmit është i domosdoshëm infrastruktura e komunikacionit .

Nga zona e Prespës ka filluar një emigrim pas viteve të tranzicionit duke e ulur ndjeshëm popullsinë e kësaj zone .

Një banor nga Prespa, Niko Dume na thotë, se peshkimi dhe turizmi mbeten prioritet për këta banorë, por çuditërisht një pjesë prej banorëve mbajnë ende bagëti ne katet e para të shtëpive duke e ndotur ambientin përreth dhe duke e prishur imazhin e mirë të Prespës si vend turistik .

Në Prespë janë bërë rreth 50 shtëpi model që mund të presin turistë, por kjo shifër është shumë e vogël me mundësitë reale që ka Prespa. Banorët të thonë se janë bërë shumë studime dhe janë premtuar shumë gjëra për një turizëm elitar në Prespë, por fjalët me veprat janë larg. Ato që ne pamë këto ditë në Prespë ishin larg asaj që kërkon koha dhe turizmi bashkëkohor. Ka ardhur koha që Prespa të presë vizitorë, t`u tregojë atyre mitet, legjendat dhe historitë e saj të lashta të civilizimit, t`u tregojë atyre që ka qenë qendra e mbretërisë së Samuilit, në degëzimin e rrugës Egnatia dhe kryqëzimet e rëndësishme të qytetërimeve, si dhe kullat mesjetare përgjatë rrugës, kishat e shumta të shekullit XII dhe XIV, ku ndodhen themelet e qendrave të banuara nën ujërat e liqenit afër fshatit Kallamas.

Aty ndodhet kisha e Eremitit e periudhës bizantine,Shpella e trenit, Kështjella e Trojanit e periudhës së bronzit e ndërtuar në shekullin e tetë para Krishtit .

Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël që vendasit iu thonë “tsironia” Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanët artizanalë të rakisë që vendasit e ruajnë për miqtë. 

Në Prespë gjen relaksin e munguar, çlodhje totale, peshkim sportive me grepa. Ka bimë të shumta medicinale, gjueti në pyll apo ecje sportive në mal. Përgjatë bregut të liqenit ka taverna të shumta ku gatuhet veçanërisht tava e krapit, që në këtë liqen është peshku kryesor…dhe palsicat e liqenit të Prespës që vendasit t’i servirin të thara në formën e pastërmasë, të cilat kanë një shije të jashtëzakonshme. 

…Kjo ishte Prespa mes bukurive të pafund, e dalluar për një pritje bujare dhe vendndodhje të afërt në distancë me rrugët kryesore të vendit, që ka ende mundësi reale të pa shfrytëzuara dhe potenciale për rritjen e nivelit të zhvillimit të turizmit bashkohor .
Bie niveli i liqenit 8 m alarmohen banorët e Prespës 
Banorët e Prespës i ka kapur paniku. Kryebiseda e ditës është anomalia natyrore që po ndodh me liqenin e tyre, të cilit i ka rënë niveli në 8m nga 54 m që është thellësia maksimale. Një peshkatar i vjetër thotë. se na duket sikur liqeni po jep shpirt dhe po e vuajmë të gjithë këtë agoni, sepse është vërtet një katastrofë natyrore që na prish krejt cilësinë e jetës sonë… Vazhdojnë te kryhen studime nga studiuesit, madje qeveria gjermane ka akorduar një shumë të konsiderueshme për të ndalur fenomenin, pasi siç dihet liqeni i Ohrit 70 % të ujit e merr nga burimet nëntokësoreë të liqenit të Prespës. …
Bardhyl Berberi
Sigal