Vladimir Muça: Romani si një dezhavy e një jete

542
Sigal

 (Mbi romanin “Ankthi i së vërtetës” të Mjeshtres së Madhe të Penës)

                                   Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

                                                                           “Gjëja më e vështire në botë

                                                                           është të shkruash një prozë të

                                                                           sinqertë e të ndershme për

                                                                           qenien njerëzore”

                                                                                                  Ernest Heminguej

1-HAPËSIRA BOTUESE PËR PROZËN BASHKËKOHORE

  Në kujdesin e poetit, analistit, përkthyesit, drejtorit ekzekutiv të Shtëpisë botuese “Nacional”, Mujë Buçpapaj, lexuesi shqiptar më së fundi po lexon vetveten, po gjykon për autentikën e jetës së tij, ngërthyer në handikapët shoqëror, problemet sociale e shpirtërore të cilat e kanë shoqëruar në vitet e diktaturës, por dhe në këto vite të një tranzicioni shoqëror.

Botimi i romanëve bashkëkohorë të krijuesve shqiptar, me një përkujdesje profesionale e një nivel të lartë cilësor të shtampës, është përgjigja më e mirë që i bëhet botimeve për bujë të çastit e komerciale, nga disa shtëpi botuese, të mbira si kërpudhat gjatë këtij recesioni të dhimbshëm që po kalon edhe letërsia shqiptare, në kërkim të vetvetes. Botimi i romanëve autoktonë të Vilhelme Vranarit (Haxhiraj), por dhe i disa autorëve të tjerë, kryesisht me përkushtim vendor, është një shuplakë që i jepet komercializmit letrar i cili po e asfikson letërsinë e vërtetë e cila duhet të lëvrohet pas shndërrimeve të mëdha shoqërore. Kjo është një betejë letrare për të vërtetat e përjetuara në luftë me letërsinë e hosanarëve, të porositur, të disa individëve që kanë veshur purpuranten e shkrimtarit, pa kurrfarë atdhetarizmi, përkushtimi patriotik për vendin amë. Koncepti i një globalizmi të sëmurë, përkujdesja për gjithçka të importuar (edhe në letërsi, ashtu kallp) jua ka errur mendjen. Shtëpia botuese “Nacional” e ka në nderin e saj, që ndezi një vatër në këtë kohë cigme dhe po ngroh me tërë mundësitë që i jep koha, autenticitetin e letërsisë shqiptare e cila promovon substancialen kohore të këtij populli, në kërkim të vërtetave dhe në letërsi. Mbështetja e promovimit të romaneve të Vilhelmes e të disa promotorëve të tjerë letrarë, vërteton gjurmimin që bën zoti Mujë Buçpapaj për një letërsi për të cilën aspiron shoqëria shqiptare: origjinale, me të vërtetat lakuriqe, siç e dikton memoria dhe imagjinata e substancës shoqërore e cila gjurmon drejt një irracionaliteti aq shumë të ëndërruar ndër vite të shndërrimeve shoqërore por, komercializmi botues nuk po e lejon që në materien librare lexuesi të shohë veten. Në librat që po promovon, në kuadrin e aktiviteteve të Institutit të saj ekselent, lexuesi, nga dita në ditë, me atë zjarrin e vatrës të sajë po ngroh shpirtin krijues. Me flakën e ngrohtësinë që përvidhet hapësirave të qiellit shqiptar, nga dita në ditë, po ringjall artin e vërtetë, bio-shqiptar, i cili padyshim do të djegë komercializmat e hosanarat sharlatane. Origjinaliteti dhe e vërteta e përjetuar do marrin cilësitë e “pasqyrave të Versajës” ku çdo njëri sheh vetveten ngado që të vërtitet, si një imitim i ngritur në art i asaj që kemi përjetuar e që ndeshim përditë e jo bredhje pindarike në “qiejt që pikojnë yje”.

2-NJË ROMAN DHE SI KUJTESË HISTORIKE

  Është nderim i anasjelltë, si për shumë të tjerë, për shkrimtaren Vilhelme Vranari (Haxhiraj) që boton romanin “Ankthi i së vërtetës” pas botimit të një seti botimesh të suksesshme. “Si lak në fyt do të qëndrojë e vërteta dhe nuk do të lërë të marrësh frymë lirisht edhe pse dukesh shpërfillës, përsëri ai lak-litar do të torturojë dhe në orën e fundit të gjykimit.”  Një apoteozë e një të vërtete që përcjell mesazhe jo vetëm për individualitetet e lidhjeve gjaknore, por me hapësira idesh e mendimesh për të vërtetat në jetën shoqërore, politike, krijuese, të cilat reflektojnë në këtë roman, me dukuritë e atyre shtresave diamantike, të nxjerra nga palimsestet e jetës së autores. Një roman i cili tej strukturës narrative moderne, mozaike, vjen i mbrujtur me majanë shoqërore, e tejardhur nga dramaciteti intrigues liriko-shoqëror, i cili të fut në fiksion, të imponon ta shfletosh me ëndje e për të kuptuar braktisjen enigmë që çuditërisht është sa e hidhur por aq dhe e bukur.

  Një estetikë kjo e letrarizuar në prozën romaneske sipas estetit Umberto Eko i cili perifrazon: “Një karakteristikë e të ashtuquajturës postmoderne është të japë vepra që tërheqin një publik të gjerë, megjithëse kanë referime të ngritura dhe zgjedhje stilistike të “lëvruar”. (Për letërsinë, fq. 208, botim Dituria, 2007). Intriga dhe dramaciteti liriko-shoqëror, në këtë rekurs estetik të Ekos, e hap siparin në aeroportin e Rinasit, mbas njëzet viteve, ku kjo dramë ka evoluar nën mjegullën e një agravimi të fshehtë të ndjesive njerëzore.Në romanin “Ankthi i së vërtetës” ai vjen me dukuritë e një dramaciteti klasik shekspirian, realisto ekzistencial, në dialogun mes nënë Norës dhe Andreas në kryeqendrën e veriut, djepit të kulturës, Shkodër. Jo rastësisht autorja e vendos zhvillimin e ngjarjeve në skenën urbane të këtij qyteti e rrethina.Në këtë qytet ku kultura e familja u godit më shumë se në çdo vend, zhvillohen me ashpërsi gjer në limitet më të skajshme, të gjitha ngjarjet e fenomenet që kanë ndjekur familjet shqiptare në persekutimin material, moral e shoqëror. Romani në këtë skenë qytetëse, vjen si një univers njerëzor duke përfshirë në vorbullën e saj fabulare mendjet, shpirtrat e njerëzve që jetojnë në këtë qytet, gjatë një diktature e cila nuk ka lënë gjë pa provokuar në jetën e botën shpirtërore të këtyre njerëzve që frymonin në këtë habitat e më gjerë. Ata veç frymonin e nuk jetësonin nën atë diktaturë. Nga zhvillimi i intrigave shoqërore e morale, në ato zgripet e thella shoqërore, dukej se qyteti i tërë jetonte si në ato ethet e shekujve më parë në kështjellat e Danimarkës, në universin e tragjedive shekspiriane. Familja e Nikolinit dhe e gjithë atyre me “cene” po përjetonin tragjedinë shpërbërëse të familjes, po goditej për vdekje ajo bërthamë mbi të cilën ngrihet e militon shoqëria njerëzore. Romani, “fatkeqësisht” u botua në 2013, vonë, kur familja shqiptare, me depresionin e madh, me ndërrimin e sistemeve u godit dhe nga emigracioni galopant. Braktisja e shumë familjeve, për një jetë më të mirë, në një periudhë krizash morale, shoqërore, ekonomike, u bë indi patogjen në mushkërinë e familjes. Le të jetë ky roman i mjeshtres Vranari, një kujtesë historike, bartës i mesazheve e recetave pedagogjiko-didaktike, kalorës templarë në gjetjen e kodeve të reja që janë thellë në shpirtin e mendjet e njerëzve.

3-NË KËRKIM TË KODEVE TË REJA FAMILJARE

 Shkatërrimi i familjes është një nga tragjeditë sociale me të dhimbshmet në persekutimin shoqëror që e ndiqte njeriun në sistemin totalitar. Autorja, me mjeshtëri narrative. na shpjegon rrugët dhe opsionet dramatiko-shoqërore që e ndiqnin këtë fenomen shkatërrimtar të familjes e cila si bazë kishte moralin e ulët. Vilhelmja analizon në kuadrin e gjykimit të personalitetit duke letrarizuar me artin e fjalës teoritë frojdiste në rrugnajën e diversitetit të dypersonalitetit që krijohet në këtë kontekst. Gjithçka vjen si një DEZHAVY e një kohe të shkuar. Individi dhe familja, dy nyje lidhëse, përbërëset ftilluese të bërthamës në shoqërinë njerëzore, janë shqetësimi maksimal që përcjell shpirtin e autores dhe të lexuesit në këtë rrugnajë romaneske. Disharmonia mes tyre e fut familjen në krizë identiteti. Askush nuk merr frenat e shpërbërjes rrënjësore, në rolin e atij indi kanceroz që gllabëron qelizat jetësore, gjer në vdekjen e plotë të kësaj shoqërie. Kjo- evidenton autorja – ishte më e keqe sesa torturat në birucat e Spaçit e të Burrelit, sepse gjithçka në familje: “Ngjante me brishtësinë e enës së qelqit, që nuk është më e tillë pasi ka pësuar krisje”.

Shkatërrohej diçka që nuk mund ti rikthehej më njeriut, i shkatërrohej familja, sepse siç mëton autorja në dialogun  e mama Norës me të birin Andrean: “Familja quhet e bukur, e mirëfilltë, kur përgjegjësitë ndahen mes bashkëshortëve” në të kundërtën, jeta në familje kthehet në një ankth të vërtetë, një krizë që vuhet në çdo çast, çdo ditë e çdo natë nga familjarët. Në kuadrin e lëvizjes feminile, të kontributeve të njëjta, të femrës dhe të mashkullit në shoqëri, shkrimtarja, duke e parë fenomenin në këndvështrimin e përjetuar, aspak në mënyrë sipërfaqësore siç ndodh ngaherë, në botimet e sotme “aventurore” është përpjekur dhe ka arritur me sukses të na japë hapësirat e reja që kërkon kjo lëvizje e shumëpeshuar në drejtpeshimin që duhet të marrë familja e re shqiptare. Qëndrimi indiferent, mbyllja në atë guaskën e vetvetes, jashtë kuadrit shoqëror, me metamorfozën e re leksikore të kohës substanciale në të cilën kërkojmë të aspirojmë, sot mund të quhet mëkat shoqëror (si i Nikolinit i mbytur në të).Gjithçka – mëton autorja – në dialogun me të birin, vjen si derivat i ndjenjave, si shpërthim dufi shpirti i të cilit nuk burgoset në atë “Kështjellën” e Franc Kafkës, por kërkon hapësirat e mohuara shoqërore, duke dridhmuar çdo qelizë të trupit. Si rezultat i një psikoanalize të tillë të marrëdhënieve në familje, autorja me të drejtë, në këtë këndvështrim konkludon: “Tu mohosh të drejtën dhe gëzimin fëmijëve, është njëlloj sikur të vrasësh xhentilecën në emër të virtytit” dhe me besimin e një lidereje në luftën për të drejtat e grave, të rritjes e fuqizimit të lëvizjes feminile në kontekstin pedagogjiko-didaktik nëpërmjet Norës, Vilhelmja predikton prerazi: “Të jesh nënë, duhet të jesh diçka më shumë se grua, duhet të jesh mbinjeri”. Shembull i një “Poeme Pedagogjike” të tillë makarenkiane është Andrea. Në dialogun në “Hotel Turizëm”, me të ardhurin përtej Atlantikut dhe Andresë. Autorja, nëpërmjet prototipit Andrea të rritur “jetim”, evidenton rolin e babait në familje si dhe pasojat sociale, sepse: “I larguari pa shkak, pa adresë, pa dijeninë e familjes dhe i vdekuri janë njëlloj”. Pa babanë je gjithmonë në kokë të presë, njerëzit e tu të dashur kthehen në “askushi” brenda guaskës së tyre e subkoshienca në çdo hap pohon: “Mosekzistencën, si dënim që u jep jeta e tyre, duke u shndërruar në një hije e sajuar, dikush pa identitet”. Epilogu është kreshendoja e gjithçkaje që përshkon romanin si një lumë malor me rrapëllima shpirtërore, me atë vrullin e kësaj lëvizjeje bazale në rigjenerimin e marrëdhënieve ndërfamiljare, si një domosdoshmëri në mbajtjen në bedenat e së drejtës familjen aq shumë e tronditur nga absurdi që e ka shoqëruar si në regjimin totalitar, si dhe në këto vite tranzicioni shumë represiv për shoqërinë e marrëdhëniet, që aspirojmë për ndërtimin e një familjeje të shëndoshë. Familja sot është objekti social më i viktimizuar, ku “stina e divorceve” ka nisur me hapa galopante drejt një kalbëzimi të skajshëm shoqëror, ku në bazë të dhënave zyrtare 60% të lidhjeve familjare rezultojnë divorce të pakthyeshme, ku prindërit me pendesë të vonuar bëhen: “gjykatës i ndërgjegjes së tij të ndotur.”

  Kjo ndodh ngaqë marrëdhëniet e dashurisë prindërore lindin, lidhen e forcohen nga përditësia, mëson lexuesi kur lexon këto konceptime filozofike të stisura në art, mbi familjen, në këtë roman me atributet e një pedagogjie-didaktike.

4-UNIVERSI SHEKSPIRIAN NË NJË DIVERSITET TË RI

Në kompleksitetin prozadorik, narracioni i Vilhelmes mbarështrohet në shtratin e një realizmi me dukuri ekzistenciale, ku natyra mozaike e rrefimtarisë strumbullohet rreth një social-prozaizmi, ndërmjet një racionaliteti të përjetuar, drejt një irracionaleje të ëndërruar. Ndonëse kanë kaluar njëzet e katër vite që kanë filluar shndërrimet e thella sociale e kulturore e si rezultat ka një hapje letrare me një ekspansion dhe pluralizmi krijues tashmë është bërë binjaku i “njëqind luleve” kineze, komercializmi në shkencën humane të letërsisë është bërë “normë”, ka krijuese si Vilhelmja që modernen e importuar në estetikë e stilistikë, me gjuhën drejtshkrimore, zhargonin e artë krahinor, mjetet artistike, poetikën narrative, i mbrujnë me magjen e vendit të tyre, me majanë e përftuar nga jeta përditore, me ngjarjet e fenomenet që përjetohen. Ajo sjell para lexuesit në këtë roman dramacitetin liriko-shoqëror, i cili në shikim të parë duket si i largët, një realitet fiktiv tej imagjinatës i cili metamorfozohet si në kështjellat e Elsiorit, magjik e herë-herë si një ardhje misterioze. Në fakt, sapo gjithçka në ato rrugicat e qytetit, brigjet e Bunës, kalasë së Rozafës, brigjeve të Velipojës merr jetë, lexuesi gjen fijet dekoduese të boshtit rrëfyes e jetësohet me personazhet, përfshihet në ankthin e madh mbarë shqiptarë.çdo njeri lehtas identifikohet, çdo shqiptar bëhet një shkodran. Të gjithë bëhemi një cikë Hamletë, e një çikë Danko apo Jago, nga sekretari i Parë, kryetari i Degës, gjer tek ai punonjësi më i thjeshtë, ajo përgjegjësja e lavanderisë, sekretares së Organizatës bazë të Partisë. Kushdo qofshin këto mbi krye, thellë në shpirt me atë komunikim përditor të shkodranëve si “gurë pendimi” u rri “Ankthi i së vërtetës”, i cili kokoleps fushat e jetës e të ekzistencës njerëzore. Shpaloset një botë në “Shkallën e të Humburve” e shtrirë në hapësirë e kohë përmes këtij dramaciteti në një kontekst të ri kohor, me një subkoshiencë të re, në kërkim të një irracionaliteti të ri.