Vjola, një lule që nuk vyshket kurrë

773
Nga Ramazan ÇEKA

Vjoleta Zefi, pas 50 vitesh në skenë, sot “Mjeshtre e Madhe”
Vjoleta Zefi, me një vokal dhe interpretim krejtësisht të veçantë, vazhdon të elektrizojë edhe sot e kësaj dite skenën e muzikës popullore qytetare shkodrane e në mënyrë të veçantë me zërin e saj vazhdon të zbukurojë oborret e lulëzuara ku ashtu siç ka emrin, gjen edhe shoqet e veta që gjithmonë janë të freskëta e të lulëzuara. E kanë quajtur “Mbretëresha e këngës shkodrane”. Ajo lindi në Shkodër më 15.6.1960 dhe u ngjit në skenë në një moshë fëminore në mars të vitit 1968, ku e inkuadruar me trupën e Estradës Profesioniste të Qytetit, mahniti publikun me zërin dhe talentin e saj të mrekullueshëm, duke interpretuar dy këngë, “Librazhdi im sa fort të dua”, dhe “Hyjo-hyjo, kalë vrapo”. Që nga këto shfaqje ajo nuk u shkëput më nga skena. Sa mbaroj shkollën 8-vjeçare, për nevoja ekonomike u vendos në punë në Uzinën e Telave në Shkodër. Pa u rritur mirë tashmë ajo ishte bërë e njohur në të gjithë Shkodrën. Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Teatrit “Migjeni”, në këtë institucion nga ku kanë dalë me dhjetëra këngëtarë të famshëm. Këtu pra ajo u inkuadrua me trupën profesioniste të Estradës së Shkodrës, përkrah këngëtarëve të mëdhenj Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, ku për një kohë të gjatë këndoi në trio, bashkëpunim që i solli një sukses të jashtëzakonshëm si në Shkodër ashtu edhe në turne jashtë Shkodrës. Dalja e saj gjithnjë përkrah dy kolosëve të këngës shkodrane, krijuan tek ajo vetëbesimin për të kënduar në skenë, por edhe përfitoi prej tyre shumë për këngën popullore shkodrane. Ajo pati fatin e madh, që në këtë moshë të njomë të kishte pranë vetes këngëtarë, instrumentistë dhe humoristë ndër më të njohurit dhe më të aftët e artit skenik shkodran. Në kohën që punonte në Uzinën e Telave, u njoh me parodistin dhe humoristin e mrekullueshëm Gjosho Vasija, që në atë kohë drejtonte grupin artistik të kësaj ndërmarrjeje, humoristin tjetër dhe aktorin Mark Lëkunda, këngëtarët Bashkim Alibali dhe Eduard Jubani, me të cilët dha me dhjetëra shfaqje dhe fitoi sa e sa çmime ndër festivale lokale dhe kombëtare. Kur ishte ende 13 vjeçe, dhe pse në një moshë që askush s’e beson mori pjesë në Festivalin e 13-të Kombëtar të Këngës në RTSH, me këngën “Tre brezat”, e cila fitoi çmimin e tretë. I vetmi rast që në këtë moshë konkurron në festival, duke befasuar publikun e Tiranës me talentin dhe interpretimin e saj të sinqertë fëminor, të brishtë e të pasigurt ende. Gazetat e kohës, filluan të shkruanin për këngëtaren e vogël shkodrane, për Shkodrën që të befasonte gjithnjë me talentet e veta në festivalet e RTSH. Kështu Vjoleta vazhdoi të jetë pjesëmarrëse edhe në festivalin e 14-të, duke vijuar më pas me festivalin e 15-të me këngën “Dasëm në fshat”, ku përsëri u vlerësua me çmimin e tretë dhe vazhdoi të jetë pjesëmarrëse edhe në festivalin e 18-të. Vlerat e Vjoletës nuk qëndrojnë vetëm tek zëri, por edhe tek inteligjenca e saj për të plotësuar vetveten edhe me një repertor sa më të larmishëm e të dashur për publikun, me këngë shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, kosovare dhe të Jugut. Vjoleta Zefi, u aktivizua në shumë drejtime, si këngëtare, si spikere dhe si aktore; kujtojmë këtu aktivizimin e saj tek drama “Përmbytja e Madhe”, ku ajo luajti përkrah aktores së njohur të Teatrit “Migjeni”, Vitore Nino, dhe ku ajo në një aktivitet kombëtar të teatrove fitoi çmimin e parë si aktore amatore. Natyra e saj e gëzuar, optimiste dhe plot humor, përfaqësohet edhe në repertorin e zgjedhur për interpretim, këngë të gjalla dhe të gëzuara, plot dinamizëm të brendshëm e me shtrirje që i përgjigjen edhe natyrës së saj vokale, tematikë e larmishme, nga ato lirike dashurore, tek ato të trimërisë, të kurbetit, nga këngët e vjetra tek ato më të rejat. Talentin e saj ajo e ka demonstruar edhe në marrëdhënie me zërat e tjerë si në duete, ansamble vokale etj. Vjoleta që nga koha kur ka dalë për të parën herë në skenë, ka fituar respektin dhe dashurinë e spektatorit, i cili e ka duartrokitur dhe mirëpritur në çdo shfaqje. Këtë respekt e mirëpritje Violeta e ka patur jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë, e në të gjitha skenat ku ka përformuar jashtë shtetit. Në të gjitha aktivitetet artistike kombëtare dhe ndërkombëtare Vjoleta ashtë vlerësuar maksimalisht me diploma, certifikata dhe medalje. Kështu vlerësohet me Certifikatën e Çmimit të Parë, në konkursin e këngëtarëve dhe instrumentistëve solistë zhvilluar në Tiranë nga data 25 deri me 28 Mars 1971. Festivali i Estradave i zhvilluar në Tiranë prej datës 21 korrik deri me 2 gusht 1971 e vlerësoi punën e Vjoletës me Fletë Lavdërimi. Po kësaj kohe i takon edhe një Festival i Estradave që u zhvillua nga data 4 e deri me 6 gusht të vitit 1971, i cili e vlerësoi me Medaljen e shkallës së parë, për interpretim shumë të mirë. Në Festivalin kombëtar të Shtëpive të Kulturës, zhvilluar në vitin 1975, në Durrës, nderohet me Çmimin e Parë, si këngëtarja më e mire. Me 22 Shkurt 1975, i jepet Certifikata dhe medalja me motivacionin “Për punë të dalluar në përhapjen e kulturës në masat e gjëra”. Në vitin 1976 Vjoleta Zefi dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullorë me urdhrin “Naim Frashëri i Klasit të dytë”. Vitet ’80, kur Ansambli i Radio Shkodrës shkoi në Kosovë për të bërë një turne në qytetet kryesore, ajo këndoi me bashkëkombësit e saj. Ky kujtim do të mbetet i pashlyer në gjithë karrierën e saj artistike. Në takimin ndërkombëtar të Turqisë (1981), Vjoleta u nderua nga juria me çmimin më të lartë duke i dhënë titullin “Mbretëresha e Festivalit”. Vjoletën sukseset e ndoqën kudo. Në vitin 1993, kur shkoi në Amerikë, pritet shumë mirë, pastaj vijnë turnetë e tjera si: Zvicër 1994, Gjermani 1995, Mal të Zi 1996 e Maqedoni 1998. Më 2 qershor 2005, nderohet nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin “Mirënjohja e qytetit”, me motivacion: “Për merita të veçanta në fushën e interpretimit të këngës popullore dhe për kontributin e madh të saj në këtë gjini”. Ka kënduar nën shoqërimin e brezave instrumentistë si: Abdullah Salabegu, Mark Kaftalli, Nazmi Lishi, Luan Barova etj. Pas një karriere kaq të gjatë artistike, pas një suksesi 50-vjeçar në skenat shqiptare, por edhe ato në gjithë hapësirën shqiptare dhe në Diasporë, puna e kësaj këngëtareje, u vlerësua me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, një titull ky që i shkon përshtat kontributit të saj, talentit si një petk që këtë lule e mban gjithmonë të freskët, ashtu siç janë të gjitha lulet në bahçet shkodrane.
Sigal