Vizita Vëllazërore e Barletasve në kontekstin e veçantë të Luginës së Preshevës

612
Për të udhëtuar nga Tirana në Luginën e Preshevës, nga tokë kreshnike në tokë kreshnike, ne na u desh të kalonim tri shtete, të shkelnim tri dogana, kësisoj, mbërritja jonë në Luginën e Preshevës u bë 2-3 orë me vonesë nga parashikimi. Për të vënë këmbë në tokë shqiptare duhet të torturohesh pakëz – është kosto e të qenit gjak shqiptar. Kështu na ndodhi edhe ne, delegacionit – një grupi studentësh dhe pedagogësh te Departamentit te Shkencave Politike nga SHLUJ Marin Barleti, ku vonesa në një prej tri doganave fqinje të kaluara mund të thuhet se ishte edhe e qëllimshme. Vizita jonë vëllazërore në këtë tokë kreshnike, vend natyrshëm i begatuar nga Zoti, ishte në kuadër të konsideratës që ne kemi për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës – përpjekjet e tyre për të ruajtur çështjet e identitetit të tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre si një simbol i jashtëzakonshëm për të gjithë kombin shqiptar. Këtë realitet na i demonstruan sidomos anëtarë të organizatës “Shpresa” kur erdhën në universitetin tonë dhe mbajtën kumtesa me të cilat frymëzuan këdo që ishte prezent!Nocioni “Lugina e Preshevës” është një term sa neutral aq edhe politikisht sugjerues. Një krijesë e vënë në përdorim të gjerë kryesisht nga bashkësia ndërkombëtare, mirëpo referenca përputhet vetëm pjesërisht me gjeografinë e rajonit, pa marrë parasysh mospërfshirjen e dy komunave të tjera: Bujanocit dhe Medvegjës. Në këtë drejtim, referenca mbetet e ngushtë, ndonëse kuptimi relativisht i përgjithshëm merret se ajo përfshin të tri komunat e banuara me shqiptarë, ndonëse me përqindje të ndryshueshme mes tyre. Në këtë mënyrë, sidoqoftë, shmangen përkufizimet e papëlqyera nga njëra apo pala tjetër: “Kosovë Lindore” ose “Serbi Jugore”. Në dimensionin më të thellë politik, sidoqoftë, nocioni “Luginë e Preshevës” i jep rajonit një veçanti identitare ose kuptim me premisa autonome. Për sa i përket pozitës gjeografike, Lugina e Preshevës është shumë e përshtatshme; ajo shtrihet në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe rrjedha ujore e Moravës dhe Vardarit. Këta dy lumenj i kanë hapur rrugën për në viset veriore dhe jugore të Ballkanit, duke i lidhur me pjesët e tjera të Evropës. Në të vërtetë Lugina paraqet korridorin më të rëndësishëm dhe më të shkurtër të daljes së shteteve të Evropës në Detin Egje. Presheva dhe Bujanoci gjenden në rrugën kryesore të Moravës. Axhenda jonë ishte dizenjuar për të vizituar të tria komunat me shumicë shqiptare, deri në 90% shqiptarë: Luginën e Preshevës, Bujanocin dhe Medvegjën, komuna e parë e famshme edhe prej këngëve patriotike. Shqiptarët janë në qeverisje në këto komuna afërsisht që prej vitit 2002, vit i përafërt edhe me kohën kur edhe në qarqet ndërkombëtare fillon të përdoret togfjalëshi Luginë e Preshevës në vend të Kosovës Lindore. Fillimisht ne zbritëm ne Luginën e Preshevës, ku disa kilometra para qytetit na priti Almin Shaqiri, koordinator për Komunën e Preshevës i organizatës “Shpresa”por edhe të gjithë bashkatdhetarët që ne kishim organizuar takime na kishin pritur pa dorëheqje, pavarësisht vonesës tone – jo për shkakun tonë sigurisht – por për shkak se për doganierët respektivë ne posedojmë pasaportë me kombësi shqiptare. Për shumicën prej nesh, në mos të gjithë, kjo ishte hera e parë që vinim këmbë në Preshevë. Kryetarja e Komunës së Preshevës znj. Ardita Sinani, dhe grupi i saj i pritjes të cilët na kishin pritur përtej parashikimit të orës së mbërritjes, mbajti fjalimin e saj ku na njohu shkurtimisht me qytetin, avantazhet dhe disavantazhet e jetesës të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, por në fakt, të gjitha fjalimet dhe bashkëbisedimet me drejtues të tjerë shqiptarë do të na drejtonin më pas në konkluzionin se të gjithë shqiptarët atje kishin po të njëjtat problematika dhe pengesa. Pas kryetares e mori fjalën Zv/Rektorja e UMB-së, Prof. As. Dr Zamira Çavo ku pas falënderimeve dhe konsideratave përkatëse me superlativa, dhe pas përshkrimit të pengesave tona për të arritur në orarin e pritur, Komunës së Preshevës iu dhurua në emër të Universitetit tonë UMB-së një dhuratë simbolike në bakër. Fjalimet dhe konsideratat dypalëshe të shfaqura brenda godinës se Komunës u filmuan nga kamerat e televizionit lokal te Luginës së Preshevës dhe Komunave. Fill pas këtij takimi, ai i radhës ishte me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KNSH), z. Junuz Musliu, në godinën e këtij Këshilli në Bujanoc. Tryeza e rrumbullakët në këtë institucion zgjati rreth 50 minuta, gjithashtu filmuar nga televizioni lokal shqiptar i Komunave. Duke qenë të gjithë përballë njëri-tjetrit, edhe bashkëbisedimi për problematikat e shqiptarëve të zonës ishte më i natyrshëm dhe më pak formal, rrethuar edhe nën mikpritjen e organizuesit të tryezës. Duke diskutuar për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk u lanë pa u theksuar mundësitë e bashkëpunimit të tri Komunave shqiptare me institucionet e Shqipërisë, madje Musliu na i la këtë si amanet, duke pasur parasysh se shumë prej nesh aty, studentë apo pedagogë të shkencave politike, janë potencial të jenë përfaqësues të denjë të politikës reale në të ardhmen e afërt apo të largët. Në të ardhmen problemet e shqiptarëve në Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë duhet medoemos të zgjidhen me angazhimet e përbashkëta të qeverisë së Shqipërisë zyrtare dhe Serbisë. Në tryeza ku ndodh të bashkohen kreshnikët nuk mungon asnjëherë dhe cekja e çështjes kombëtare për bashkim mbarëshqiptar, jo domosdoshmërish nëpërmjet tokave sipas mendimit tim. Mirëpo….”Shqiptarët, para se të bëjnë tokat bashkë, duhet të bëjnë kokat bashkë” konstatoi Musliu me të drejtë. Në fakt, duke dëgjuar me vëmendje problematikat dhe luftën e përditshme të shqiptarëve në këtë zonë, dhe jo vetëm, del në pah natyrshëm pamundësia e mbrojtjes me vendosmëri të hekurt e interesit dhe çështjes sonë kombëtare nga të gjitha qeveritë shqiptare (në Tiranë, Prishtinë, si dhe komunat shqiptare brenda shteteve fqinjë etj).Takimi i fundit, si qershia mbi tortë ishte me organizatën ”Shpresa” në hollin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc, një strukturë civile, rinore që lufton përditë ne mënyrë dinamike të gjejë strategji mbështetëse mbarëshqiptare, e cila ishte edhe mysafiri kryesor i frymëzimit dhe projektimit tonë të këtij udhëtimi. Në një formë rrethi, ku të gjithë mund të shihnim njëri-tjetrin në sy, u tregua për luftën dhe përpjekjet e përditshme të rinisë se tri Komunave shqiptare. Pas marrjes së fjalës së profesoreshë Zamirës dhe profesor Reisit – Shef Departamenti i Shkencave Politike pranë UMB-së, fjalën e mori kryetari i saj Nevzad Lutfiu, paskëtaj Dionesa Ebibi zv/kryetare, Fidan Hajredini – sekretar i organizatës, Arbresha Sabedini dhe anëtarë të tjerë ku një pjesë e mirë prej tyre u prezantuan nga kryetari për punën e tyre të palodhur në llogari të organizatës. Gjithë këto fytyra rinore të bukura – deri këtu cilësi mbarëshqiptare këto, ishin plot vetëbesim, energji dhe patriotizëm për të përballuar çdo pengesë. Ata janë shpresë e vërtetë për këtë vend kreshnik. Edhe studentë Barletas të përzgjedhur, frymëzuar nga çdo element që panë e dëgjuan, morën fjalën si Armend Krasniqi, Ohrida Jacelli, Jonida Isaku, Bledar Çikaj etj. Në sfondin e zhvillimeve rajonale por edhe më gjerë – ndërkombëtare, ka një pasivitet në relacion me çështjen e Luginës së Preshevës, ndërsa nga ana e qeverive Serbe, Lugina e Preshevës është lënë – aspak aksidentalisht – me aq shumë problem të pazgjidhura. Populli shqiptar në përgjithësi e ka shumë të zhvilluar popullsinë rinore, dhe në fakt është një fatkeqësi e madhe për këtë komb kaq të madh patriotik shpërndarë në disa shtete të vogla, që të vetme rrugëzgjidhje logjike të ketë migracionin, largimin prej vendlindjes. Demografikisht popullata ne Komunat shqiptare është tkurrur dhe ka mbetur vetëm gjysma e popullsisë po të krahasojmë popullsinë e tanishme me atë para viteve ’90. Unë kurrë nuk kisha dëgjuar përqindje papunësie deri në 75%, përveçse në Preshevë apo Komunat shqiptare në Serbi. Çfarë do të bëjë një popullsi aq rinore nga mosha me një papunësi të kësaj përmase përveçse të emigrojë? Dhe në fakt një pjesë e mirë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka emigruar. Mirëpo defaktorizimi i projektuar për shqiptarët e Luginës nuk është lejuar të ndodhë sipas planeve politike Serbe pasi shqiptarët e emigruar Preshevarë dhe më gjerë bëjnë shumë bamirësi nëpërmjet remitancave. Ata dhurojnë mjaft të ardhura për njerëzit, familjet dhe shoqatat humanitare në nevojë për Komunat shqiptare. Po, shqiptarët e kanë zemrën e madhe! Vuajtja e përbashkët, e vazhdueshme, dhe e trashëguar nga historia dhe politika ka krijuar solidaritet ndër shqiptarët patriotë në këto treva! Kjo është forca e popullsisë civile kur ajo është e bashkuar dhe jo e përçarë! Mënyra e trajtimit të shtetit Serb ndaj Komunave shqiptare të bën të kuptosh qartë se i vetmi synim ndaj etnisë shqiptare është defaktorizimi i tyre kryesisht nëpërmjet faktorit ekonomik dhe politik por qëllimi në finale është padyshim – defaktorizim nacional. Problemet e Luginës së Preshevës por edhe të dy Komunave të tjera shqiptare atje, janë nga më ekzistencialet duke filluar nga ato arsimore, ekonomike, papunësi mjaft e lartë, statusi politik i saj – pasuar nga problemet politike, korrupsioni, nepotizmi, sigurisë, drejtësi-gjyqësi, historiko-kulturore etj. Sikur të zgjidhej statusi politik i Luginës së Preshevës, të gjitha problemet e mëpasme do zgjidheshin automatikisht, por kjo është larg realitetit politik të rajonit. Problemi është se Serbia ia del ta mbajë me sukses status quo-në defaktorizuese të Komunave shqiptare. Diskriminimi i bërë kundrejt shqiptarëve atje është krejtësisht i hapur. Shqiptarët në të tria Komunat shqiptare nuk gëzojnë as të drejtat më minimale e jo më të flasësh pastaj për të drejta kolektive etnike. Shqiptarëve atje ju mungon madje edhe e drejta të përdorin flamurin kombëtar. Përpos kësaj, ata janë të rrethuar kudo nga forcat e sigurisë Serbe, një prani e shtuar forcash këto, krahasuar edhe me numrin e forcave siguruese në kohën e Milosheviçit, gjë që ka krijuar psikozën e frikës – e ka përmbushur misionin e saj të projektuar. Ekonomikisht, Komunat shqiptare mbahen vetëm nëpërmjet remitancave të emigracionit; sektori publik – ngritur mbi parime etnike ku shqiptarët nuk kanë qasje, është shkatërruar nga privatizimiet. Ndërsa tregu lokal i Komunave shqiptare ka mbetur i pazhvilluar sepse duke mos u lejuar të bashkëpunojë as me Serbinë as me Kosovën, ai është një treg krejt i izoluar. Komunat shqiptare janë gati një ’geto e pashpallur’. Problemet në arsim, të mediatizuara sidomos: çështja e abetareve dhe e librave të ardhur nga Kosova; çështja e diplomave të Republikës së Kosovës; çështja e mësimit-besimit fetar në shkollë (që më shumë shtyhet nga Serbia); politizimi i personelit mësimor dhe përzgjedhja në bazë preferencash e referencash politike; mos lejimi i hapjes së Universitetit të pavarur të Luginës – me keqardhje konstatoj se në Komunat shqiptare nuk ka ende një Universitet shqiptar në gjuhën shqipe, por ka një gjimnaz me mësues e pedagogë titullarë shqiptarë të shkëlqyer. Komuna e Bujanovcit u fol se ka investuar shume në shkollimin dhe edukimin e popullit. Mungesa e teksteve mësimore dhe planeve mësimore me dijeninë e qeverisë Serbe është ulëritëse; ku nxënësit shqiptarë i marrin leksionet e ditës ende me shkrim dore dhe ku përdoren tekste mësimore të cilat reflektojnë ende “in statu quo ante” (mënyrën siç ishin gjërat më parë) – Serbinë e vjetër “fashiste” të Milosheviçit. Kaq fakte mjaftojnë për të kuptuar situatën konkrete dhe për të gjykuar se të kërkosh cilësi në arsim apo një reformim total arsimor në Serbi i cili duhet të kishte ndodhur tashmë me ndryshimet politike, do të konsiderohej luks në realitetin e tanishëm. A nuk është ”krim social” për gjithë atë investim 3-4 vjeçar që një student shqiptar i Komunave shqiptare bën në UP – Universitetin e Prishtinës dhe më pas ai/ajo student të mos mundet të marrë diplomë? Nuk mund të marrë diplomë, sepse shteti Serb nuk e njeh shtetin e Kosovës e aq më pak Universitetet e tyre për legjitime. Ana tjetër e medaljes është se as Universitet shqiptar nuk është hapur ende në Komunat shqiptare në Serbi, por që shpresohet…. Ja pra se si mund të të lënë fare kollaj pa të ardhme! Të gjitha këto ishin disa nga problematikat më madhore që ne komunikuam me pjesëtarë të organizatës Shpresa në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë preshevarë dhe të komunave. P.sh. Sead Bislimi pjesëtar i organizatës Shpresa ka studiuar Histori ne UP mirëpo edhe pse i ka përfunduar studimet, ai nuk ka marrë diplomë, ndërsa shokët dhe shoqet e tij nga Kosova po. I njëjti fat pret edhe zv/kryetaren e organizatës Shpresa Dionesa Ebibi, e cila është drejt përfundimit të studimeve të saj në Gazetari në UP, një gazetare mjaft e zonja, me vullnet rinor dhe talent të spikatur, mirëpo si Dionesa dhe Seadi kishte dhe shumë të tjerë të rinj shqiptarë të këtyre trevave dhe të gjithë, pavarësisht talentit, i pret i njëjti fat nëse kjo problematikë esenciale, urgjente e arsimimit nuk kurohet politikisht. Problemet politike, pas çështjes së statusit politik, mjaft defaktorizuese për shqiptarët e Luginës së Preshevës, radhiten një varg si: mospërfaqësimi real në nivel lokal dhe specifikisht në nivel qendror. Përfaqësimi në nivel lokal bëhet nga klane politike që kanë interes më shumë vetëpunësimin dhe punësimin nepotik e politik se sa interesin e qytetarëve që përfaqësojnë, ndërsa në nivel qendror situata shkon akoma më vështirë. 

Dhe për ta mbyllur…
Lugina e Preshevës pashmangshëm duhet parë prej prizmit të dy konsideratave themelore: së pari, Lugina e Preshevës si çështje e standardeve ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grupeve jo-shumicë; së dyti, Lugina e Preshevës si çështje e marrëdhënieve më të gjera shqiptare – serbe. Kjo e fundit e parë në kontekstin total të historisë, gjeografisë, ekonomisë dhe variablave të tjerë të rëndësishëm. Në dimensionin me të ngushtë praktik, marrëdhëniet më të gjera ndërmjet Shqipërisë zyrtare dhe Serbisë janë fondamentale në të ardhmen për të prodhuar strategji në mënyrë që shqiptarët si një kontekst i veçantë grup etnik-shumicë në këto treva të gëzojnë më shumë të drejta reale. Një prej zhvillimeve të shekullit të kaluar të karakterit gati të pamatshëm sa i përket rëndësisë dhe efekteve është lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose “revolucioni i respektit”, siç ngandonjëherë njihet ndryshe në terma doktrinar. Nëse në Perëndimin demokratik ishte revolucion i shekullit të kaluar dhe prioritet ishin grupet e diskriminuara jo-etnike, në tokat tona ka ardhur koha ta promovojmë këtë “revolucion respekti” sepse të drejtat e etnive shqiptare nëpër rajon janë lejuar të nëpërkëmben së tepërmi. Republika e Shqipërisë duhet të jetë më e interesuar dhe e angazhuar për të ndjekur me shumë vëmendje realizimin e të gjitha të drejtave që i takojnë pakicës shqiptare në Serbi, të gjithë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, atyre në komunën e Bujanocit dhe Medvegjës, dhe jo vetëm sigurisht. Të drejtat për arsimim në gjuhën e tyre, të drejtat për respektimin e simboleve kombëtare, të drejtat për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të infrastrukturës, të cilat thuhet se tashmë janë çështje të diskutimit të programit mes dy qeverive, të Serbisë dhe të Shqipërisë, duhet të konsiderohen realisht dhe jo vetëm nëpërmjet retorikës politike sikurse ka ndodhur gjithmonë. Kjo thirrje bëhet në kuadër të dëshmive të jetesës dhe trajtimit të tyre që ne si delegacion pamë edhe nga afër. Qeveritë respektive të rrisin vëmendjen ndaj tyre për qasje në arsim, punësim, integrim apo edhe përfshirje në vendimmarrje. Çdo autoritet i qeverisë së Tiranës (kryeministër apo president) ka për detyrë të respektojë kushtetutën e vendit të tij/saj, e cila e obligon atë që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve pavarësisht se ku ata jetojnë. Për këtë obligim kushtetues, dhe jo vetëm, ne duhet t’ju kërkojmë edhe llogari. Duhen gjetur me urgjencë zgjidhje për të mos u larguar rinia shqiptare kaq masivisht prej trojeve te tyre. 

Xhuljeta Krasta, Drnt
Pedagoge Komunikimi dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Marin Barleti
Sigal