Virtuozi myzeqar Tofik Sheme dhe kulti i tij artistik

913
Sigal

Grupi i sazeve që ka drejtuar për dekada me radhë Fiko Brahim Sheme bëri që ai dhe violina e tij në Myzeqe e Mallakastër të bëheshin dy figura të dashura në ditë festash, dasmash e gëzimesh. Fiko Sheme u lind në qytetin e Roskovecit në vitin 1900 dhe në moshën 83-vjeçare u nda nga jeta duke mbetur i gjallë në kujtesën njerëzore për aftësitë e tij muzikore. Ai zotëronte disa instrumente muzikorë si klarinetën, lahutën, defin etj., por fusha ku shkëlqeu më shumë ishte pentagrami mbi telat e violinës. Familja e tij ndoshta ishte e varfër por ishte shumë artdashëse në fushën e muzikës. Prindërit e tij vunë re se tek djali i tyre spikaste talenti në përdorimin e instrumenteve muzikore. Mësimet e para në moshë të re Fikua i mori nga Abdyl e Bilbil Vlora, dy instrumentistët më të dëgjuar të kohës në krahinën e jugut të Shqipërisë. Vite më vonë, kur Fiko Brahimi ishte burrë i pjekur në moshë e në profesion drejtoi grupin e sazeve të Roakovecit. Dhe në një dasmë i ndodhi një ngjarje e pazakontë, ashtu si dikur Xhakomo Puçinit: Fikua drejtonte orkestrën në dasmën e djalit të beut në fshatin Suk. Bazuar në tregimet e bashkëmoshatarëve të tij, dasmorët po rrinin në oborrin e shtëpisë duke shijuar hijet pranverore të shelgjeve e plepave që gjelbëronin së bashku me këngët e bukura të bilbilave dhe midis këtij ambienti të këndshëm jehonin edhe tingujt e bukur të violinës që luante mjeshtri i orkestrës. Beu i bërë çakërrqejf, i rrëmbeu muzikantit defin nga dora dhe iu drejtua Fikos në kokërdhok të syrit me fjalët: “Këtë def do të ta mbush me flori, Fiko, po e zbrite dot në tokë atë bilbilin që po ligjëron aq bukur!…” Dasmorët u shtangën nga shuma marramendëse e florinjve që i afroi beu. Fikua me qetësi, si njeri fisnik e pasionant i violinës deri në vdekje iu përgjigj: “E zbres, bej, e zbres, por jo për shumën e floririt që kërkon të më japësh zotrote. Unë do ta zbres atë, sepse unë e di dhe e flas bukur gjuhën e tij me tingujt e violinës”. Dhe pasi e ngjeshi mirë violinën pas gushës, me harkun filloi të luaj fillimisht lehtë e lehtë melodinë e bilbilit dhe pak nga pak kur Fikua po luante me sytë mbyllur si një i çmendur, dasmorët dhe beu u befasuan nga skena që po shikonin. Zogu ( i hutuar plotësisht nga melodia e “shokëve”, violinës) me cërr… cërret e tij, nga një degë në tjetrën zbriti në bash të violinës. Fiko Brahimi në ato çaste ndjeu për herë të parë lumturinë e dhuntisë që i kishte falur natyra, vazhdoi me harkun t’i bjerë violinës dhe në dy burime nën vetullat e tij të trasha dasmorët shikonin rrëke lotësh pa pushim. Edhe sikur jeta e tij  të ndalte në ato çaste aq të bukura, ai do të ndihej krenar për arritjet në fushën e muzikës. Beu i afroi një qese me florinj dhe e përgëzoi para gjithë dasmorëve, por fisniku nuk ia pranoi. Lumturinë – tha Fikua, nuk e shesë dhe nuk e blej me para. Orkestra që ai drejtoi, bëri që folklori myzeqar të luaj rol domethënës në dasma e gëzime deri sa u ngjit në mënyrë dinjitoze në skenat e festivaleve folklorike në rreth e në shkallë kombëtare, ku Fiko Brahimi dhe trupa artistike e tij u nderua disa herë me çmime e vlerësime të merituara. Sot, duke vazhduar në traditën e të parëve, nga kjo familje, i biri i Fikos, kompozitori Vakthi Sheme dhe nipërit Iliri, Erjoni etj japin kontributin e tyre për lartësimin e kësaj familje me emër të mirë në Myzeqe, Fier e Mallakastër. Në shenjë nderimi për virtuozin Fiko Brahim Sheme le të kujtojmë edhe artistë të tjerë të brezit tij, si: Llazi Shënpjetra, Joti Prifti, Llazi Suku, Kiu Poro, Ilia Bele, Lefteri Sillo, Timo  Lule etj.. Ky është artisti! Kjo është ndoshta legjenda më e bukur e kësaj treve, aq sa do ta kishte zili edhe vet Nikolo Paganini. Sepse është fat që një artist të shfaqet në një popull si ky i zonës së Roskovecit që di të çmoj nëpërmjet formave të tilla krahasuese, sa të lashta aq edhe moderne, vlerat më të mira të bijve të tij. Është fat, sepse një popull i tillë i përket një qytetërimi të zhvilluar. Është pikërisht ky popull, që e ka nderuar edhe pas vdekjes këtë artist me titullin e lartë “Qytetar nderi” i qytetit të Roskovecit. Por krahas kësaj muzike Fiko Sheme na ka lënë edhe një tjetër gjurmë, talentin e tij të trashëguar tek pasardhësit e vetë. I biri, Vakthiu u bë kompozitori legjendë me këngën e famshme të festivalit 13 në Radio Televizionin Shqiptar. Më vonë, edhe mbas vdekjes së parakohshme, në një studim të kryer nga një grup autorësh vendas e të huaj, këngët e tij janë përzgjedhur si këngë me përmbajtje kombëtare më përfaqësuese.

Këshilli i Bashkisë Fier, këtë vit, në respekt të vlerave të tilla artistike i vendosi një rruge në Fier emrin Vakthi Sheme. Këtë kujtesë brezash e lidh sërish një tjetër talent i muzikës së kultivuar, Erioni, i biri i Vakthiut, drejtor aktual i Qendrës së fëmijëve, në Fier, mësues dhe kompozitor i suksesshëm i cili e çon në katër breza trashëgiminë e tyre muzikore. Por për të gjithë popullin e zonës së Roskovecit dhe brezat pasardhës të Shemajve, Fikua do të ngelet medaljon i artë i muzikës popullore që do të vezullojë përherë e përherë në konturet e shek.XX, njeriu që ngriti piramidën e tingujve, në faqet e së cilës gdhendi me aq pasion e talent kultin e tij artistik.