Violeta Allmuça/ Krijimi i veprës së ndjeshme

1198
Sigal

Një vështrim cilësor i krijimeve të reja të piktorit Igli Qoshja

 Kur përpiqesh të gjesh një vepër të ndjeshme në lëmin e artit është e njëjta gjë si ta shijosh estetikisht atë vepër, qoftë ajo letrare, muzikore apo në pikturë ose më thjeshtësisht në artin pamor, aty ku secili artist i ri fillon me mënyrën e tij të hyjë në shtëpinë e hapur të krijimit të vlerave.

Më duhet të jem e vetëdijshme kur nis të shkruaj diçka për brezin e të rinjve, të cilët edhe për shkakun se hulumtimet për ta janë të vakëta, por edhe pse ata duhet të përkrahen në mënyrën më të mundur për çka duan të gjejnë në dritësinë e ngërthimit të vlerave të reja.

Ndodh që fryjmë si erërat në median e shkruar dhe vizive duke promovuar gjithfarësoj ekspozitash ku përveç pak veprave të arrira, kritika e munguar nuk bën asgjë tjetër vetëm ul admirimin e artdashësve. Përjetimet e vërteta rrallë mund të takohen me tablotë, grafikët ose vetë personazhet  imagjitativë që shëtisin në mendjen e shikuesit dhe përsiatjen e tij në murin e jetës së pikturave.

          Mënyra se si shpirti krijues i një piktori të ri paraqitet me veprën e tij është, si t’i hedhësh në telajo ato tablo ngjyrat që interpretojnë në vetvete shembullin e çdo krijuesi të lirë.

Po aq e vërtetë është kjo ide edhe për piktorin e ri të artit pamor Igli Qoshja, i cili në veprën e kësaj kohe sjell sa të kaluarën, po aq të sotmen dhe shndërrimin e së ardhmes. Personazhet e artit të këtij piktori vijnë sot në një formë paraqitjeje të re materializuar nga e njohura ose e panjohura me një përqasje krijuese artistike. Esenca e pamjeve, pafundësia e hapësirës, ku gjithçka prek ngjyrat, shfaqet para dhe pas dritës, në një pikë të qiellit, thelluar nga ngjyra si një qartësim nga koha e përditshme.

Vizioni jetësor i veprës së ngjyrave vjen, jo nëpërmjet ëndërrimit të së shkuarës por pafundësisë së kohës së krijuesit ku skalitet çdo vepër që përngjan me të renë e piktorit Qoshja. Ai sjell në pikturë po aq imagjinatën sa dhe të vërtetën e artit, në figurat e hedhura me gjuhën e ngjyrave. Trazimi i ndjenjave të tij në një botë të ndjeshme, lëviz nga veprat e së shkuarës me një formë ku arti pamor si vlerë, sjell në ngrehinën e pikturës faza krijuese të pandara ku lidhen tre kohë.

Jo pa qëllim, tek ky piktor ndërsa i shikon veprat e tij gjen frymëzim kur të shfaqet historia e hershme e shqiptarëve, simbolet dhe mitet e tyre, ku dëgjohet zëri i lirisë, qëndresa e të parëve, ura e bashkimit me të sotmen nëpërmjet dashurisë për jetën. Origjinaliteti, ngjyrat e hedhura mbi pikturat përbëjnë thelbin, lëvizjen dhe meritën artistike të autorit në fjalë. Brendia e tyre nga jetësorja në të prekshmen është një sfidë për çdo piktor ku duhet të mbizotërojë njerëzorja, trupi i jetës, thelbi i saj.

      Në fokus të së bukurës brenda pikturës, Igli Qoshja zgjedh sfondin e hapësirës së ngjyrave. Ai e quan mirëfilli shtjellimin e një vepre në telajo si diçka, e cila shfaqet frymëzuese edhe për shikuesin e koleksioneve të tij. Ideja për të ngjyrosur në këto piktura jetën, natyrën dhe historinë, arrin atë që shpesh quhet shije estetike. Piktura është si drita thotë piktori i ri. Ajo shfaqet si krijimi i saj dhe shihet si art pamor, fati i të cilës përcaktohet nga kahjet e përjetimit. Vepra ime, nuk është “zbukurim” apo “përqasje”, por është origjinale, ndjenjë e përhershme e pikturës.

Komunikimi me një vepër pamore përcjell tek admiruesi momente përsiatje kur arti i ngjyrave krijohet deri në pafundësi për njeriun. Roli i krijuesit edhe pse flasim për një piktor të talentuar, në krijimtarinë e tij zënë vend tablotë, portretet, grafikët, punimet e drurit etj.. Fazat e krijimtarisë lidhen me misionin e veprës së vërtetë artistike. Mënyra për të përdorur ngjyrat mbi tablotë abstraksioniste, ku mbizotëron ngjyra blu dhe kafe na sjell dimensionin bashkëkohor që frymëzon mendimin artistik dhe studiuesin e artit. A mos këto ngjyra që simbolizojnë qiellin dhe tokën janë një preference e brezit të ri të piktorëve që metafizikën e shohin si zbulim të thellë të thelbit artistik? Vizioni cilësor i krijimeve të reja pa rënë në një përsëritje apo ndikime nga vepra të njohura e bën piktorin Igli Qoshja po aq kreativ,  të lidhur me natyrën, jetën e njeriun.

E pabesueshmja në krijimet e këtij piktori nuk ekziston. Duke jetuar të sotmen brenda së ardhmes ai sjell ndjenja optimiste nëpërmjet figurave të krijuara si udhëtar i kohës së vet. Përmbajtja e thellë e çdo vepre dhe filozofia e saj mbetet edhe trend të kohës. Secila vepër e tij shfaqet e veshur me jetë me përmbajtje dhe gjendje të krijuar në mjedisin e atdheut ku jeton. Sendërtimi i imazheve jepet po aq në pamje sa syri dallon të bukurën në punimet e këtij piktori dhe kronologjia e tyre është në ecje. Hapësira e jashtme dhe ajo e brendshme përbëjnë dimensionin e ngjyrave nëpër dritën e tejdukshme.

Ky piktor synon të depërtojë në dialektikën e ngjyrave, ideve të shenjta si dashuria, arti, mitet etj. Duke krijuar portretet me një mjeshtri për tu adhuruar si të gjithë krijuesit piktorë ai ndjek një vazhdimësi, e cila paraqet edhe karakteristikën e tij. Tradita dhe qytetërimi e ekzalton këtë të ri që hyn deri në botën e brendshme të portreteve. Arti i përjetimit të veprës, kompozimi dhe ngjyrat shpalosin jetën, ndjenjën, formën abstrakte që të sjellin në mend vlerën artistike të veprës.

       Do të ishte sfidë nëse jeta e ngjyrave do të ishte e ndarë nga jeta e njeriut në veprën e çdo artisti të pikturës. Kompozimi i ngjyrave mbetet në artin pamor një mënyrë për shkëlqimin dhe lëvizjen e mesazheve që na përçon. Gjithsesi, e ardhmja e Igli Qoshes duket një paralajmërim që na ofron punime sa me fantazi aq edhe me humanizëm të së kaluarës, drejt lëvizjes së të tashmes dhe së të ardhmes. Janë këto tri kohë si tri shenja në udhën e ëndrrave dhe kujtesës së këtij arti të vërtetë.