Viola Taçi: Porta e zemrës nuk mund të hapet për këdo

657
Një këngëtare e re, por që me famën e saj duket se e ka dekada në treg. Me valixhen si mike të ngushtë ajo shëtit tërë Europën për të kënaqur emigrantët kudo që janë. Korrekte dhe shumë e lidhur me punën, ajo këngën e quan profesion dhe jo biznes. 

– Një këngë e re që po diskutohet mes të rinjsh, si po shkon promovimi i këngës “Djalë Mirdite”?

-Di të them se po eci me ritmin e saj. Promovimi i këngës po shkon shumë mirë. Po ndiqet shumë, gjë që e tregojnë edhe klikimet në youtube. Plus që shumë urime në faqet tona në internet edhe shumë urime nga njerëz të afërt, po na vijnë çdo ditë. Kjo tregon se kënga është pëlqyer në masë nga të gjitha moshat pa dallim.
-Tashmë një profesioniste në tregun muzikor. Nqs do hedhim sytë tej, pas kaq vitesh eksperiencë në treg, si ka ndryshuar karriera jote profesionale?

– Saktë, tashmë nuk jam më e re në këtë treg. U bënë 10 vite që unë këndoj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. Normalisht karriera ndryshon nga fillimi e deri tani çdo vit ke një eksperiencë të re, ke një këngë më të bukur e koncerte më të shumta. Mund të them me bindje se karriera ime ka ndryshuar për mirë, me po të njëjtin sukses të mëparshëm. 

– Bashkë me këngën sigurisht keni dhe jetën tuaj personale. Pra si do ta përcillni jetën tuaj personale? 

– Sigurisht që nuk ka këngëtarë apo këngëtare pa jetë personale. Mund të them se jeta personale shkon shumë mirë. Kam një familje të mrekullueshme që I dua edhe bëj gjithçka për ta. Por personalisht jam single. Kam shumë detyra përpara të cilat duhet ti rregulloj pa pasur detyrime të tjera që më humbin përkushtimin ndaj profesionit. 
– Duke pasur parasysh këtë fakt, single, ndoshta kjo bën që fansat e tu meshkuj mund të kenë shpresa?

– Unë jam e hapur, respektoj çdo mashkull dhe përcjell çka duhet tek çdo kush. Trokitjet janë të shumta, por jo për çdo person hapet dera. Këto janë jo vetëm ligjësi të natyrës, por dhe ndjenja të brendshme që nuk mund të mbyllen dhe të hapen për këdo. (Qesh) 

– Sot flitet se shumë këngëtare kanë pasuri, jetojmë mirë, harxhojnë shumë pra kanë jetë luksi, a përfshihesh ndër to?

Nuk mund të them se bëj jetë luksi, por di të them se kënga të sjell të ardhura, por po kaq ka dhe harxhime. Shpenzimet pa kriter të falimentojnë në çdo biznes dhe jo vetëm në muzikë. Duhet shumë sakrificë për të mbajtur një sukses të tillë. 
– Çfarë është muzika për ty, profesion apo biznes, besoj se ka një ndarje?

– Dua të jem konkrete dhe e besueshme, muzika për mua është pasion e profesion, që kurrsesi nuk mund ta përfshij në biznes. Për të bërë biznes ka të tjera mënyra të komunikimit me publikun, kënga është e drejtpërdrejtë, është zëri, ai që të sjell rezultatin dhe jo forca, këmbëngulja, aferat, apo allishverishet. 

Kë nga cilësitë tuaja do ta bëni prezent për publikun?

Ajo që më karakterizon është se jam një femër me durim të admirueshëm por edhe e kuptueshme. Kudo që shkel dhe këndoj dua të jap dhe të marr Dua vetëm buzëqeshje.

– Jeni e ftuar kudo në koncerte, ku janë koncertet tuaja më të suksesshme brenda, apo jashtë Shqipërisë? 

Puna është punë, serioziteti duhet të jetë kudo njëlloj. Për mua janë të suksesshme njësoj, por jashtë Shqipërisë janë njerëzit i merr shumë malli edhe mezi presin një këngëtarë të këndojë shqip. Kuptohet se ato janë pritje me shumë emocione edhe të falin kënaqësi të papërshkrueshme. Megjithatë edhe në koncertet në vend pritemi mjaft mirë nga fansat. 

– Nuk mund të kuptohet një këngëtare pa udhëtimet. Si është raporti yt me to? 

– Udhëtoj shumë për shkak të profesionit, por mund të them se udhëtimi është një kënaqësi më vete. Gjithmonë duhet të jem më valixhe gati sepse koncerti i radhës më prêt aty ku nuk e mendoj. 

– Sakrificat që duhet të bësh për muzikën?

– Përveç jetës së natës të gjithë të tjerat janë kënaqësi. Jeta e natës të mundon sepse do punosh, do pish pak alkool e do rrish pa gjumë, por tashmë edhe me të jemi mësuar. Diçka tjetër që sakrifikon është edhe qëndrimi larg familjes, por mundohem ti shkurtoj distancat. 

– Keni një trup perfekt, pra i ruani linjat, keni ndonjë pjatë të preferuar?

 Supëzat në përgjithësi si dhe frutat e detit. Nuk e teproj në ushqim. 
Sigal