Vilhelme Vranari Haxhiraj: “Më vjen keq që nuk i dhashë vlerat në kohën e duhur”

1407
Sigal

Intervistë me shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj (Mjeshtër i Madh)

U lind në Kaninë (Vlorë) më 8 /12/1944, pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. Lufta e klasave e ka ndjekur qysh fëmijë. Me burgosjen e babait, internohen 1952-55, ku kreu arsimin fillor. Atë shtatëvjeçar e kreu në shkollën “28 Nëntori”, Vlorë. Pasi kreu shkollën pedagogjike “Jani Minga “Vlorë , 1962- 66, punoi mësuese në fshat dhe vazhdoi studimet e larta me korrespodencë në U T (Histori-Gjuhësi). Më1965 kryen kursin për Ekonomi Shtëpiake pranë Ministrisë së Arsimit Tiranë. Në vitin 1966 e pushojnë nga arsimi dhe i ndalojnë diplomimin për arsye politike. Rinis studimet në (Histori-Gjeografi) diplomohet më 1975, pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Përsëri internim1966-90. Më 1991 rikthehet në profesion. Nga 1992- 97 zv/drejtore në shkollën “I. Qemali” Vlorë. Që nga 1991 u mor me publicistikë dhe me krijimtari letrare.

Jeta juaj në regjimin komunist. Si janë trajtuar prindërit dhe vetë ju në atë kohë?

Familja Vrana nga Kanina, bijë e së cilës jam unë, pësoi tragjedi. Xhaxhai im, Skënder Vrana (arsimuar në Teknikumin “Harry Fulltz” & Universiteti Siena (Firence) u internua nga gjermanët dhe e ekzekutuan më 9 maj 1945. Në vend që të ishte simbol i rënies së nazizmit, u quajt viktimë lufte, vetëm pse mbante një mbiemër të lashtë sa vet njerëzimi (Uran). Kurse të vëllanë, Batjar Vrana, (student i Tregtares Vlorë) e ekzekutoi Sigurimi i Shtetit me mënyrën më makabre, ku nënës në shtëpi i shkoi vetëm një këmbë e djalit dhe trupin ia mblodhën copa -copa. Vëllanë tjetër, Mynyr Vrana, e burgosën për agjitacion e propagandë se nuk piu dollinë për mustaqet e Stalinit. Babai im, Veip Vrana u dënua me burgim të përjetshëm si antipushtet (sabotator) dhe provoi tmerret e burgut të Tiranës, Bulqizës dhe kanaleve të kolerës komuniste. Tre kushërinjtë e parë të babait, vëllezërit Sharra; Abdyl , Shyqyri dhe Lekmi i vranë dhe dy vëllezërit e tyre jashtë shtetit u dënuan në mungesë. Si mund të ndihej një fëmijë jetim me baba gjallë si puna ime?!

Biografia, një gur i rëndë në atë regjim sa ka ndikuar në jetën e Vilhelmes?

Lufta e klasave në Shqipëri ishte si kronika e një vdekjeje të paralajmëruar. Peshën e rëndë të saj e kam ndjerë qysh e vogël, veçanërisht kur burgosën babanë, isha 6 vjeçe. Apo kur sekuestruan shtëpinë dhe gjithçka. Nuk mund ta shqit nga kujtesa atë ditë kur shtëpisë sonë të bukur i vunë shiritin “Pasuri Shtetërore” dhe na vërvitën pa mëshirë në rrugën e madhe e të vështirë të kasolles së internimit apo bodrumit, 90 cm nën nivelin e rrugës, pa dritare e gjithë lagështi.

Cilat ishin prirjet tuaja në moshën e adoleshencës dhe a mundët t’i realizoni ato?

Pa e tepruar unë kam pas prirje për muzikë, pikturë, punë dore. Studioja sistematikisht në të gjitha lëndët, ndaj nuk mund të veçoj asnjë nga shkencat. Kam adhuruar mësimdhënien. Përsa i përket prirjeve të mija, shoku im i Pedagogjikes “Jani Minga”, Xhevahir Spahiu është shprehur: “Hartimet e Vilhelmes shkonin klasë më klasë, kurse ne u bëmë poet dhe shkrimtarë. Për Vilhelmen , si mbiemri i saj, qielli ishte i vranët dhe duhej kohë që qielli të hapej dhe ajo ta thoshte fjalën e saj. Tani ajo vjen si Antigona për të mjekuar dhe shëruar shpirtrat e lënduar dhe të sakatosur të shqiptarëve…”

Cila ka qenë dita më e vështirë në vitet e shkollës?

Meqë më jepet rasti dua të falënderoj mësuesit e mi, dhe kujtoj me nderim ata që nuk jetojnë, që kurrë nuk më panë me syrin e të deklasuarës apo si bijën e një të burgosuri, si: Ptoleme Bega, Skënder Hamiti, Bubulina Arapi, Harilla Kuçuli, Nina Nepravishta, Epaminonda Papakroni, Kristaq Suli. Dita më e vështirë ka qenë kur më ndaluan të hyja në provim 12 gusht 1966, pasi më ishte ndaluar diplomimi. Kurse dita më e hidhur ka qenë fillim shtatori i 1975, kur Zv/Kryetari i Kom. Ekzekutiv Vlorë, Eqerem Kallfa, kishte refuzuar kërkesën e Dekanatës që unë të rinisja punë në arsim. Më thirri për të më përcjellë këto fjalë: “Ti nuk mund të japësh histori sepse nuk je në gjendje të bësh luftën e klasave.”

Në këndvështrimin tuaj cilat janë problemet më të mëdha të letërsisë sot?

Ka një prurje të madhe në letërsi, por për të rritur nivelin e letërsisë shqipe në parametrat botëror, ka nevojë për seleksionim. Nuk mund të quhen letërsi bejtet apo monografia e gjyshit “Kryetar Këshilli, Kryetar Kooperative, apo kryetar i Frontit. Ato janë kujtime familjare. Do ta quaja studim të vyer autobiografinë e një personaliteti si p.sh. të Akademikut Shaban Demiraj, prej të cilit ke çfarë mëson.  Shkrimtarët shqiptarë kanë frikë nga pasqyrimi i së vërtetës, gjë që i ndan nga letërsia bashkëkohore e vendeve të zhvilluara. Mungon menaxhimi institucional i librit, detyra imediate e Ministrisë së Kulturës dhe të Arsimit. Nuk jam dakord me Pandeli Koçin se tek ne mungon kritika. Ne kemi pasur një nga kritikët më të mirë, të ndjerin Prof.Dr. Adriatik Kallulli, Agron Tufa, Prof.Ali Aliu, Prof. Dr.Xheladin Mjeku, Sejdi Berisha, Mexhid Prençi (kritik arti), Fisnik Sina, Mujo Buçpapa, Gjek Marinaj etj. Është fat që kemi kritikun Dr. Fatmir Terziu-Londër, vlerësuar nga Oxford-i një nga 3 kritikët botëror postmodern të së tashmes, që me shumë profesionalizëm ka bërë kritika mbi 220 autorë, në dy botime, Kritika Ndryshe 1 dhe 2. Me të gjithë duhet organizuar një simpozium, ku të jepen orientime rreth kritereve të një letërsie të re moderne. Pra mungon kritika letrare si institucion. Institucioni mbi “Të drejtat e autorit “duhet të mbrojë shkrimtarin dhe librin sepse deri tani janë favorizuar Shtëpitë Botuese.

Librat tuaja?

Kam botuar 30 libra në 16 vite, në disa gjini: poezi, prozë e shkurtër (skicë, tregim, novelë), ku 15 janë romane si dhe fabula, gjëegjëza, përralla dhe ese-publicistikë. Tematikën e marrë nga realiteti shqiptar, ku pasqyroj dramat që kemi përjetuar, problemet sociale që më mundojnë mua si femër, si nënë e bashkëshorte dhe si krijuese. Në qendër të krijimtarisë është femra në pozita, profesione dhe mosha të ndryshme. Kam gati për botim 6 libra. Mendoj se çdo libër ka vlerën e vet që dallon nga këndvështrimi dhe mesazhi që përcjell. Libri i fundit “Çmimi i Dualizmit”që del këto ditë nga botimi, ose “Rikthimi i I. Qemalit” i sapobotuar, janë më të dashur për mua, derisa të dalë tjetri nga botimi Do të veçoja trilogjinë “Vështroni Meduzën” që ka shtrirje si në hapësirë dhe kohë, ku kam bërë autopsinë e shoqërisë shqiptare.

Si jeni ndjerë kur keni marrë titullin “Mjeshtër i Madh”?

E nderuar dhe privilegjuar për shumë arsye. Shpërblimin e një pune voluminoze dhe të vonuar, e mora në Vlorën time; për 100 -vjetorin e Pavarësisë; isha një femër, për mos të thënë mes 100 burrave, U vlerësuan Vlora, Ismail Qemali, gjithë firmëtarët e aktit madhor të Pavarësisë dhe 16 personalitete nga të gjitha fushat. Duke falënderuar Presidentin e Republikës, Prof.Dr. Bamir Topi për çmimin , i cili i takon Kaninës sime, Vlorës, Kryetarit të Bashkisë, Z. Sh. Gjika, Shoqatave të të Persekutuarëve, “Ali Asllani” dhe “Kanina”; djemve të Vlorës , Aleksandër Flloko dhe Bujar Leskaj. U takon Shtëpive Botuese “Toena,” Nacional”, redaktorëve, kritikëve dhe analistëve. Çmimi Mjeshtër i Madh është meritë e familjes sime, bashkëshortit Fitim, si dhe fëmijëve, pa të cilët sa përmenda unë do të isha asgjë.

Keni ndonjë peng në jetë?

Nuk i dhashë vlerat në kohën e duhur. Nuk paraqita një sfilatë mode, sepse mbajta familjen dhe rrita fëmijët me gjilpërë. Më pëlqen të shkruaj një dramë shkëputur nga trilogjia, me personazhin më të dashur për lexuesin dhe kritikën. Ndoshta e arrij, ku i dihet?!…