“Veting”-u të nisë me dosjet e tenderëve dhe koncesioneve 600 milionë euro në shëndetësi

549
Përparim HALILI
Me sa kuptojmë ligjin, “Veting”-u nuk është bërë për të “dekriminalizuar” gjyshen time, por për të pastruar politikën dhe shtetin nga autorët e krimeve, nga ndihmësit dhe urdhëruesit e tyre dhe për t’i çuar ata përpara drejtësisë siç e detyron ky proces dekriminalizimi, si start i vendosjes së Shtetit Ligjor, pa shtetarë krimi në këtë vend me tranzicion të tejzgjatur “xhungël” krimesh me autorë shtetarët. 
Pazari i mbyllur tashmë mes dy partive PS-PD që akuzonin “egërsisht” njëra-tjetrën për korrupsion, drogë, koncesione mafioze, krime, trafiqe, varfëri, papunësi, rekorde kriminale shtetarësh, u mbyll me zhbllokimin e ligjit të “Veting”-ut prej këtyre dy partive (ar)mike, të cilat edhe e votuan atë duke u përqafuar e bërë humor në parlament. Tashmë ky ligj, duhet zbatuar. Mirëpo, duket se “Veting”-u po synohet të “kornizohet” vetëm tek verifikimi dhe “goditja” punonjësve të drejtësisë që kanë si objekt pune goditjen e krimeve, duke tentuar të lënë jashtë “rrethit të kuq”, krimet që kanë bërë shtetarët e çdo niveli gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre drejtuese e zbatuese me pasuritë, financat, shërbimet dhe ekonominë kombëtare e ato lokale nëpër bashki dhe qarqe, pa lënë mënjanë mjetet, skemat dhe rrugët kriminale që ata kanë përdorur. Hapja e dosjeve të koncesioneve është starti prej nga duhet të nis pastrimi i politikës dhe shtetit, si një detyrim ligjor jo vetëm për të zbuluar por edhe për të ndëshkuar ata që kanë firmosur koncesionet me miliardat e buxhetit të shtetit. Nëse deri dje pengonte opozita me mosbotimin e “veting”-ut, tashmë mazhoranca “rilindëse” që ulërinte për drejtësi e gjeti “gjuhën” me opozitën dhe se bashku e votuan këtë ligj. Drejtësi nuk është vetëm “Veting”-u mbi punonjësit dhe zyrtarët e drejtësisë, por mbi të gjitha ata shtetarë të çdo niveli, të cilët kanë cenuar drejtësinë me pasojë vjedhjen, përfitimin, favorizimin, pasurimin personal e deri fisnor, me pasojë shpërdorimin e pasurive kombëtare financiare e fizike. “Veting”-u duhet të nis pikërisht me koncesionet, të cilat vetëm në 3 vitet e fundit i kanë zhvatur financave kombëtare afro 500 milionë euro dhe bashkë me tenderët e përditshëm deri në mbi 600 milionë euro! 

Nëse ka një krim financiar e shtetëror që duhet të jetë objekt i “Veting”-ut, ky është koncesioni i “Check-up”-it, sajuar, propozuar, firmosur e vulosur nga ish-ministri Ilir Beqja, duke ia dhënë Vilma Nushit, klientes së “oborrit kryeministror”. Gjithë procedura dhe përmbajtja e koncesionit të “Check-up”-it, po mbahet sekret nga ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe nga vetë Kryeministria, të cilat janë “duart” që e kanë firmosur e vulosur këtë koncesion hajdutëror, duke mos dhënë asnjë informacion siç e detyron ligji mbi transparencën publike për qytetarët dhe mediat. Kjo është dosja e parë, me të cilën nisen krimet koncesionare ekonomike-financiare në shëndetësi me vlerë 120 milionë euro për 10 vite, koncesion i cili po realizohet fiktivisht edhe me letra false, ndërkohë që miliardat i arkëtohen Vilma Nushit edhe para afatit, me firmë e vulë të bashkë-ortakut të saj, ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Me hapjen e kësaj dosjeje, duhet të nis “Veting”-u në financat kombëtare! Dhe duhet të vazhdoj me koncesionin 80 milionë dollarë të Hemoldializës që iu dha po Vilma Nushit, nëpërmjet emrit të një shitësi kukurecësh në Berat. Duhet të vazhdoj me koncesionin 105 milionë euro të laboratorëve mjekësorë, me koncesionet e regjistrit elektronik mjekësor, me koncesionin recetës mjekësore elektronike, me koncesionin e ushqimit dhe lavanderisë në spitale, me koncesionin e evadimit të mbetjeve spitalore, me koncesionin e parkingut në QSUT, me koncesionin e protezave ortopedike, me koncesionin e rimbursimit të TVSH për ilaçet e diabetit. Janë 500 milionë euro koncesione mjekësore, të dhëna në mënyrë abuzive me shkelje të plotë të ligjit të prokurimeve publike, të sajuar e të realizuar vetëm nga një prototip korrupsioni të quajtur Ilir Beqja, me detyrë ish-ministër shëndetësie, me mandat deputeti dhe aktivitet si b(p)iznesmen me fondet shtetërore, të cilin pas emërimit ministër… ia shiti biznesin gruas! “Veting”-u për këtë koncesion, duhet të përfshijë si objekt verifikimi e hetimi edhe Vilma Nushin, përfituesen dhe abuzuesen me falsitete, të zbatimit të koncesionit të “Check-up”-it. E jo vetëm kaq por edhe të koncesionit të marrë nën maskën e firmave të tjera për protezat ortopedike, për evadimin e mbetjeve spitalore, për kontrollin doganor të importit të cigareve dhe për shumë koncesione të tjera në miliarda lekë, të mbajtur “sekret” por që do të publikohen nga “Telegraf” në ditët në vijim. 

Nëse “Veting”-u nuk bëhet së pari në pasuritë kombëtare të zhvatura nëpërmjet koncesioneve, atëherë gjithçka është një demagogji që nuk i zbulon, por i mbulon krimet e shtetarëve aktualë që po tundin flamurin e “Veting”-ut. Kjo duhet bërë, mbasi “Veting”-u nuk u miratua për të vendosur fletërrufe ndaj shtetarëve hajdutë dhe urdhëruesve të hajdutërive. Në këtë kundërt, rrezikon që “Veting”-u, të përfundojë si ligji i vitit 1992, për verifikimin e pasurive të ish-kooperativave, të cilat u grabitën prej ish-kryetarëve, që me ato pasuri të konvertuara në miliona e biznese, u bënë deputetë, ministra, ambasadorë, drejtorë, disa prej të cilëve janë ende në parlament dhe në zyrat e larta të shtetit si drejtues dhe dalin e ulërijnë për “Veting”! Me sa kuptojmë ligjin, “Veting”-u nuk është bërë për të “dekriminalizuar” gjyshen time, por për të pastruar politikën dhe shtetin nga autorët e krimeve, nga ndihmësit dhe urdhëruesit e tyre dhe për t’i çuar ata përpara drejtësisë siç e detyron ky proces dekriminalizimi, si start i vendosjes së Shtetit Ligjor, pa shtetarë krimi në këtë vend me tranzicion të tej-zgjatur “xhungël” krimesh me autorë, shtetarët. 

Tenderë që anulohen për shkelje… pazaresh

UJËSJELLËS KANALIZIME SHA POGRADEC 
Autoriteti Kontraktor Ujësjellës Kanalizime sha Pogradec, duke u nisur edhe nga ankesat e operatoreve te ndryshëm ekonomik për mos futje ne sistem te dokumenteve te tenderit anulon procedurën e prokurimit “Shërbimi i Ruajtjes Fizike te Objekteve te Ujësjellës Kanalizime sha Pogradec me fond limit 15.393.862.92 lek pa TVSH Për shkak te mospërputhjes se datës se pranimit te ofertave me datën e zhvillimit te tenderit 
AGJENCIA KOMBETARE E TURIZMIT 
Në mbështetje të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin Publik” i ndryshuar, për shkak të llogaritjes gabim te fondit limit. Urdhëroj: Anulimin e procedurës së prokurimit“Shërbimin e Ruajtjes dhe i Sigurisë Fizike për Agjencinë Kombëtare të Turizmit” me fondi limit prej 1.530.000 (një milion e pesëqind e tridhjetë mijë) lekë pa TVSH. 
AGJENCIA E PARQEVE DHE REKREACIONIT 
Autoriteti Kontraktor, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, Bashkia e Tiranës, mbështetur në Ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” të ndryshuar, nenin 24, pika 1, germa “ç”; VKM -në Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik” e ndryshuar, njofton se procedura e prokurimit me objekt: “Blerje Karburant dhe Vaj”, me fond limit: 14 545 086 (katërmbëdhjetë milion e pesëqind e dyzet e pesë mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekë Pa TVSH, zhvilluar më datë 24/04/2017, ora 10:00, anulohet për arsye se asnjë nga operatorët ekonomik pjesëmarrës nuk përmbush kriteret për kualifikim të përcaktuara në Dokumentet Standardë të Tenderit.
Sigal