Vera Peci: Çelësi i suksesit në një shoqëri të mirë dhe të pastër është femra

981
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtarja dhe poetja Vera Peci

E thjeshtë, e sinqertë, kërkuese ndaj vetes. Vera ka kënduar që në vogëli. Falë motrave të saj pati fatin që nën kujdesin e tyre të jetë e pranishme në çdo koncert që bëhej në atë kohë në përmasa të vogla. Ajo vjen nga një fshat me tradita patriotike nga rrethi i Pukës. Përpos këngës ajo është dhe poete ku poezia e saj ka një ëmbëlsi të veçantë falë natyrës ku është rritur. Në skenë ka dalë që në moshën 6 vjeçe, më një vjershë faktikisht, ndërsa e rritur është paraqitur në vitin 2003 në një koncert të “Jehona e Malësisë” quhej.

Diçka për arsimimin tuaj?

– Jam arsimuar në shkollën e muzikës “Preng Jakova” në Shkodër dhe mësuesit janë të panumërt, së të gjithë kanë pjesën e bukur tyren në formimin tim si artistë dhe më gjerë. Mësuesi më special që e kujtoj shpesh më një nostalgji të madhe ka qenë Gjon Kapedani, ai ishte një mrekulli për ne, më urtësinë dhe sjelljen ë tij prej një artisti intelektual na bënte të vraponim drejt perfektes me ëndje, duke u ndier gjithmonë me vlerë.

Me cilët kompozitorë ke bashkëpunuar më shumë dhe cilat janë këngët më të preferuara?

– Kam bashkëpunuar me kompozitorin Alfred Kaçinari dhe Francesk Radi. Këngët më të preferuara janë “Pleqëria” dhe “Moj e mira bregut të Drinit”.

 Cilat janë këngët dhe albumet tuaja?

– Kam 13 këngë të kompozuara dhe të hedhura në album. Kënga hit, po ta quaj të tillë, ngelet kënga “Moj e mira bregut të Drinit”. Ajo është pëlqyer shumë dhe për ritmin në fakt, se unë jam pak melankolike në të kënduar.

 Po koncerti më dinjitoz ku keni marrë pjesë?

Prezantimi im më dinjitoz për aq sa jam marrë (se nuk kam qenë shumë aktive për vetë rrethanat e kushtet e mia familjare), ka qenë pjesëmarrja në koncertin e Nikaj-Mërturit.

Albumi më i vlerësuar?

Është ai i realizuar në vitin 2001 me dhjetë këngë të kompozuara nga Alfred Kaçinari.

Ju këndoni dhe këngë të jugut apo Shqipërisë së mesme, nuk ju pengon dialekti?

– Nuk e kam të vështirë dialektin në të kënduar dhe pse unë flas shumë gegërisht në të përditshmen time, është diçka që e dëshiroj jo se nuk mund ta përdor. I dua këngët e jugut dhe në fakt aty dalin më në pah ngjyrat e vokalit tim.

-Keni kohë që po botoni poezi dhe tashmë keni hedhur në treg dy vëllime poetike. Si erdhi dhe si bashkudhëton poezia me ju?

– Mbas emigrimit tim jashtë vendit familjarisht, rrjedha e jetës mori ngjyra të tjera, ato të mallit, dhimbjes dëshirës për të qenë afër të gjithë atyre që dua dhe janë pjesë e jetës time. Këtu lindi dëshira për të ngushëlluar veten në një farë mënyre, se poezitë e mia nuk u nisën si hobi apo ambicie për të bërë apo imituar poeten, joooo ato ishin dhe vazhdojnë të jenë ngushëllim dhe qetësim i shpirtit, për të mbajtur afër vetes me vargje çdo detaj të jetës, i ëmbël ose i hidhur qoftë ai, për të qenë e pranishme qoftë dhe me vargjet e mia në vendlindjen time.

Cila është tematika e poezive tuaja dhe ku tenton të ndalet më gjatë kjo tematikë?

– Poezitë e mia kanë tematikë shoqërore dhe sociale po të mund t’i quaja kështu, pasi aty jam unë pa komplekse që bashkëbisedoj me të gjitha periudhat e jetës e deri tani. Aty lumturohem si fëmijë, aty përmallohem dhe qaj, aty dua mrekullisht, aty kritikoj e lënduar, ndoshta dhe e ashpër në shumë vargje, por aty në asnjë strofë të hedhur nuk urrej se nuk di të urrej.

Mos vallë emigrimi ju nxiti më shumë drejt poezisë. Ka lënë gjurmë tej ju emigrimi?

– Mbas emigrimit jashtë për vetë arsyet dhe rrethanat në të cilat u largova, ishte e vetmja rrugë që më la mendjen në kokë, ishte rruga që të shkruaj. Në fillim nisa më ditarë darkash vonë ku vajtoja babin që më vdiq një muaj mbas largimit tim. Pastaj kështu me radhë shumë gjëra që pasonin njëra-tjetrën saqë ngarkesa dhe pesha e dhembjes në shpirtin tim nuk mund të strehoheshin vetëm në mendjen time, duhej ti shkarkoja diku, përndryshe nuk kisha shpëtim dhe gjeta rrugën. Ky ishte ilaçi që më kuroi plagët e emigrimit dhe vazhdon akoma.

 E ndjen mungesën e atdheut?

Jam larguar në vitin 2009 nga Shqipëria, pra afro 6 vite më parë. Asnjë vend në bote nuk bëhet si i yti për sa kohë merr frymë. Më mungon vendi im çdo vit, muaj, javë, ditë, orë dhe sekondë. E dua, e adhuroj vendin tim dhe vendasit e mi. Kjo është një plagë që më dhemb shumë por që më duhet ta mbaj për një kohë të gjatë. Kemi emigruar për të vetmen arsye, të shpëtoj jetën e vajzës time pasi luftoi me vdekjen për katër vite me radhë. Jemi me fat që ajo është mirë. Për kthim nuk mund të flas por në jetë ndodhin mrekulli dhe unë besoj, dhe sikur….. atëherë përgjigja ime do ishte “guri i rëndë peshon në vend të vet”, këtë fjalë të urtë mund ta ndiejnë sa peshë ka vetëm ata që provojnë emigrimin.

-Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

Unë si armën më të fortë të femrës konsideroj, këmbënguljen dhe durimin.

A është shoqëria shqiptare maskiliste?

Besoj se po, për vetë faktin se kemi të trashëguara shumë vese të traditës së vjetër që sot nuk i përkasin shoqërisë as emancipimit të kohës. Ndodh që femra të ndihet e shtypur jo vetëm fizikisht por  ndodh rëndomtë psikologjikisht. Kjo e dyta dhemb më shumë se shkon direkt e në tru dhe dhembja mund të mos pushojë për kohë të gjatë. Femra Shqiptare do liri mendimi dhe veprimi si në të gjitha vendet e emancipuara. Kjo liri po të jetë e pakushtëzuar do jepte rezultate të mrekullueshme në shoqërinë shqiptare.

Të mos harrojmë se çelësi i suksesit në një shoqëri të mirë dhe të pastër është femra. 

Ne shqiptaret pëlqejmë të imitojmë të tjerët dhe harrojmë sa brumë të mirë kemi brenda vetes. Jemi një popull i vuajtur por me një kulturë të pashoqe, pra mos të endemi nëpër dyert e botës për te bashkuar grimca kulture, por të mbledhim e kultivojmë atë hambar që për shkak të “modernizimit” e kemi lënë në harresë dhe për këtë do na bien mallkimet e brezave që do vinë.

A vlerësohet femra shqiptare nga politika e sotme?

 Unë jetoj jashtë ka vite dhe e kam të vështirë të flas për qeveri, por po them një gjë: Ka ardhur koha ti gjejmë vetë hapësirat dhe mundësitë për të ecur dhe jo të presim urdhra e ligje nga lart. Gjithësecili brenda vetes ka mundësinë dhe aftësinë të mund të shohë dhe konceptojë se si një shoqëri duhet te ece përpara dhe kjo do jo vetëm një ligj por një paketë e tërë që fillon nga ne personalisht dhe gjen vend më lart pastaj. Femra shqiptare i ka mundësitë dhe hapësirat si kurrë më parë për të gjetur veten dhe te drejtën e saj, dhe unë e besoj këtë, prandaj ju drejtohem si motër dhe bije e këtij vendi, duke vrapuar drejt suksesit dhe të ardhmes tuaj mos harroni përgjegjësitë e mëdha që keni ndaj familjes se jeni çelësi i saj që veç ju mund ta mbani të pandryshkur.

 Albert Z. ZHOLI