Vepror Hasani: Poezia e Pullumb Ahmetit, bukuri e shpirtit Delvinjot

852
Sigal

Rrufetë pres që lëshon syrit, thellë në gji; si më mban lidhur zinxhirit, nuk e di!

 

Poezia e poetit Pullumb Ahmetit, bukuri e shpirtit delvinjot

Nga Vepror Hasani

Pëllumb Ahmeti është poet i veçantë, i pangjashëm me dikë tjetër, vështirësisht i krahasueshëm me të tjerët. Di ta sjellë botën ashtu siç është, përmes emocionit, sinqeritetit, gëzimit, dhimbjes, brengës dhe mallit, pa iu larguar së vërtetës. Nuk vihet në vështirësi për ndërtimin e vargut, nuk e lodh gjetja e fjalës, nuk e kërkon rimën me pahir. Kur i duhet diçka e veçantë e krijon vetiu, aty për aty, me mjeshtëri; është poet i lindur. Tek ai gjithçka rrjedh natyrshëm si uji që buron burimeve. I pëlqejnë rubairat e Omer Kajamit, poezitë e Lasgush Poradecit e të poetëve të tjerë të njohur, por nuk bëhet kopje e tyre, sepse nuk e braktis dot shpirtin e tij; dëshiron ta sjellë dhimbjen ashtu siç i dhemb atij. Në poezinë e Pullumb Ahmetit, atje ku ka dhimbje ndihet pika e lotit, ku ka gëzim shihet buzëqeshja e çiltër, ku ka pritje, spikat malli, ku ka gëzim rrëzëllon hareja; poezia e tij është e prekshme. Poezia e tij është një udhëtim ndjesish të këndshme. Gjatë leximit të saj ju ndodhin ndjesi të pabesueshme: do të gjeni të dashuruarin që sa më shumë prêt aq më shumë mallohet; njeriu që shuan mërzinë me gotën e verës përpara; trokitjet e Omer Kajamit në portën e poetit; përshkrime lumturie sikur të gjendet në parajsë; të pamundurën që bëjnë të dashuruarit për njëri-tjetrin. Ja disa vargje:

Shtratin buzë detit deshe e ta shtrova,

Hoqa shumë mund, t’ju gjeja mbulesë,

Çarçaf-shkumëbardhën, detin, me këmbë brodha,

Dhe nën kokë të vura jastëk me pendë.

Sigurisht, nuk do të ndalemi te të gjitha poezitë, sepse nuk dëshirojmë t’ju heqim kureshjtjen. Nëse lexoni një prej poezive të tij nuk do të rrini pa lexuar edhe poezinë e fundit. Poeti Ahmeti mbetet i veçantë edhe në diçka tjetër: vargu i tij nxit përfytyrimin e forte; personazhet të dalin para syve sikur të jenë realë, madje të duket sikur i ke takuar dikur. Diku do të gjeni vërtet ti-taket e ecjes së një vajze në rrugë, do ta shihni atë me sytë e mendjes, të përshkruar ashtu siç di poet Ahmeti:

Cigaret njëra pas tjetrës tymos,

Tik-taket e takave pres të ndjej në rrugë…

E vini re ndërtimin e vargut? Tik-Takun e takave, shqetësimin e të dashuruarit që është në pritje të saj? Poet Ahmetit i mjaftojnë vetëm dy vargje për të përshkruar një peizazh me gjetje fjalësh befasuese. Para poezive të tilla, gjithkush pyet veten, po unë so do ta përshkruaja një çast dashurie buzë detit, ku edhe deti u bën shoqëri të dashuruarve e ndihet i lumturuar njëlloj si ata? Si do ta përshkruaja zjarrin përvëlues të të dashuruarve që djeg edhe lexuesin?! Sekrete të tilla mund t’i mësojmë vetëm nga poet Ahmeti, duhet të zbulon shpirtin delvinjot.

Deti niste valën, puthte trupat tanë,

Unë valë-deti, puthja buzë-prushen.

Ose

Ti perëndeshë hyjnore, kthyer s’m’i ke sytë.

Pëlhurë-mjegulla-përhapur, zbulon gjirin dardhor.

Zjarre-përflakur, ndeze epshet e trupave mishtake,

Eh, në valë-detin-shkumëbardhë, më lër të notoj.

Te krijimtaria e tij do të gjesh poezi të thurura bukur, ku spikat elegance e fjalës, që s’e gjen dot në asnjë poet tjetër. Poetit tonë të rubairave gjithçka i buron prej shpirtit, është i kuptueshëm në çdo shkronjë; madhështia e tij buron prej thjeshtësisë. Mes poezish do të gjesh edhe një ngjarje të dhimbshme, ku dhëndri i rrëzuar prej kalit mes pyjesh, nuk mbërrin dot te nusja. Lajmi i zi vjen edhe nusja heq vellon e bardhë, vesh fustanin më të zi që ka në sepete. Trokthi i kalit shfrenuar mes pyllit përshkruhet rrëqethshëm, heshtin zogjtë e pyllit që kanë parë gjithçka:

Kalëron t’i kal’- shfrenuar me një trëndafil,

Rrugës pyllit zogjtë harbuar, hipur s’ka njeri,

Jelet-krehur-marrë era, lidhur një shami,

Nusja po e pret te dera, pranë s’ka krushqi.

Të tilla ndërtime metaforike gjen vetëm te poezia e Pullum Ahmetit, është drita e shpirtit të tij. Ndërsa në një përkushtim për bijën e tij, poet Ahmeti shkruan:

Krahët e engjëjve të fali

Të fluturosh e lirë hapësirave të jetës.

Si laureshë këndofsh, pyllit të gjelbëruar,

Ku rrezet përkëdhelin pikën e vesës,

Ku mjellmat bardhore, notojnë qetuar,

Ku zoti derdh dritën e së vërtetës!

Te poezia e Pullumb Ahmetit do të gjeni edhe një cikël poezish të titulluara “lasgushiane”, por të sjella në mënyrën Ahmetiane – delvinjote me figuracion të larmishëm:

Pëllumbesha pendëbardhë,

Ngrihej ulej nëpër duar,

Kurmi saj përplasej dallgë,

Buzë-epshuar e zjarmuar.

Ose

Digjem zjarr i prushëruar

Veç për ty.

Rrufetë pres që lëshon syri

Thelle në gji.

Si më mban lidhur zinxhirit

Nuk e di!

Në gjithë poezinë e tij, poeti Pullumb Ahmeti është njerëzor, i kuptueshëm, e njeh dhimbjen, mallin, pikën e lotit, mungesën e prindërve që nuk janë më, por që ai e di se ata ndodhen diku lart në qiell, vështrojnë që së larti, ndaj bashkëbisedon me ta sikur t’i kishte pranë:

Mos m’u mërzit baba,

Unë biri yt, po t’i shkruaj këto rradhë

kur të vij, do t’i lexoj

Aty, shtrat-ftohtit, mermer-bardhit.

Eh, e di o At im që do më dëgjosh

Sepse shpirti yt më ndjek së larti.

Tashmë ju urojmë t’i gjeni vetë poezitë e bukura të këtij poeti që shpirti nuk i shter.