Vepror Hasani/ Aktori Syrja Meço: Ja pse nëna ime u tremb, kur më film të veshur si ballist

1088
Sigal

Nga Vepror Hasani

 

Një lajm i keq kishte mbërritur te nëna ime në fshatin Kosovë të Përmetit. Dikush i kishte thënë se djali i saj po ia nxinte faqen; ose më saktë kështu e kishte kuptuar nëna ime. I kishin thënë se djalin e saj e kishin parë në qytetin e Korçës të veshur si lolo, ku të gjithë qeshnin dhe gajaseshin me të. I kishin thënë sikur unë kisha filluar të mos mbaja qëndrim të mirë politik, pasi, sipas thashethemeve, mua më pëlqente të bëhesha herë fashist, herë ballist dhe herë komunist. “Po na turpëron laneti!”, kishte thënë babai, por ajo që nuk duronin dot kishte të bënte me qenien time si lolo. Ndoshta ka mbetur pa punë, kishin menduar prindërit e mi dhe vjen vërdallë nëpër Korçë për një copë bukë. Të gjitha këto e kishin trembur nënën time, por edhe i besonte dhe nuk i besonte. E dinin që unë luaja në Teatër. Megjithatë nëna kishte filluar të ndihej e frikësuar, nuk i pëlqente kur vishesha si ballist. Të gjitha këto unë i mora vesh kohë më vonë. Kështu e nisi tregimin e jetës së tij aktori i mirënjohur, Syrja Meço, tashmë 75 vjeç.

Drejt vendlindjes

Kisha vite që jetoja në qytetin e Korçës, por kisha mjaft kohë që nuk kisha shkuar dot në vendlindjen time, në Kosovë të Përmetit, nis të rrëfejë sërish, Syrja Meço. Puna e aktorit në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, nuk po më linte të shkoja te prindërit e mi. Në të vërtetë më kishte marrë malli shumë. Së fundi, kur dhënies së shfaqjeve u dhamë fund, u nisa për në Përmet. Ishte viti 1974. Isha 30 vjeç. Doja t’i rrëfeja nënës time, Mysylesë, si më kishte ecur puna deri atëherë; si kisha nisur të ngjitesha në skenë dhe kush më kishte ndihmuar. Do t’i tregoja për Mihallaq Luarasin, Pandi Raidhin, Stavri Shkurtin, Llazi Serbon etj. Doja ta merrja disa ditë në Korçë të më shihte kur luaja si aktor, por ajo nuk mundi të më shihte asnjëherë në skenë në gjithë jetën e saj. As babai, Shefqeti, nuk pati rastin të më shihte. Nëna ime ishte shtëpiake, ndërsa babai punonte si rojtar pyjesh. Në shtëpi kthehej vetëm në mbrëmje. Gjithsesi, po shkoja në Përmet, të bisedoja me prindërit dhe t’u rrëfeja jetën time. Mbi të gjitha më kishte marrë malli shumë.

Takimi me nënën

Me këto mendime u nisa drejt fshatit tim në Kosovë të Përmetit. Përfytyroja përqafimin e nënës me shumë mall dhe e gëzimin për djalin e saj, por nuk ndodhi tamam ashtu. Në çastin kur po hyja në oborrin e shtëpisë, nëna që u ndodh aty, më pa papritur, më hodhi një vështrim të habitur, dhe mbeti si e ngrirë. Si qëndroi një çast ashtu, më tha: “Nuk të dërguam në Korçë për të na turpëruar… E ka marrë vesh gjithë njerëzia që je bërë turp i botës… Sot që erdhe këtu, na paske veshur rroba të reja!… Më thuaj, kujt ia ke marrë këtë kostum?!” Mbeta i befasuar, nuk dija çfarë t’i thosha. Përse po m’i thotë të gjitha këto nëna ime, mendova. “Je bërë lolo, më tha ajo. E di shumë mirë që ty tani në Korçë nuk të thërresin më Syrja, por “Bardhosh”, ç’janë gjithë këto që po na bën, ndonjë ditë do të thërrasin “Ziko” more ditëzi”. Të them të drejtën vetëm kur dëgjova fjalën “Bardhosh”, nisa të ndihem i qetë. Ky ishte emri i një personazhi që kisha luajtur kohët e fundit, te drama “Era e lartësive” të N. Dokles, përkrah aktores së madhe Dhimitra Plasari, ku unë isha i dashuri i saj. Do të më duhej që të gjitha këto t’ia shpjegoja nënës time dhe vetëm pas atij çasti, isha i bindur se edhe ajo do të qeshte me të madhe. Do të qeshte edhe babai, motrat e mia, Mineja dhe Kadria, por edhe vëllezërit e mi, Mustafai me Esatin, sepse vëllai i madh, Maloja punonte në Maliq dhe vinte shpesh e më shihte në teatrin “Çajupi”.


Rolet e mia

Kur nëna ime m’i kishte zbrazur të gjitha ato që kishte menduar për ditë të tëra, më tha: “Hyr Brenda!” Hyra duke qeshur me veten time. Tashmë i kisha kuptuar të gjitha. Pasi më pyeti nëse kisha qenë mirë me shëndet ose jo, më tha: “Pa më trego tani si është ajo puna e Lolos dhe e Bardhoshit?” Donte të dinte nëse ishin të vërteta, apo punë të Teatrit. Shpjegimi ishte dhe s’ishte aq i vështirë. Megjithatë u mundova t’ia tregoja të gjitha. Edhe më besonte edhe nuk më besonte. I tregoja dhe qeshja. “Mos më qesh mua, më tha nëna, sepse e di shumë mirë, të kam parë edhe në film të veshur ballist dhe doje të vrisje një grua, nuk më kujtohet si e kishte emrin…”. “Maro Mokra”, iu përgjigja unë. “Po, po, Maro, ma thanë edhe mua, por nuk e di t’i që po u bëre ballist të arrestojnë, nuk e di ti që edhe yt vëlla, Malua, ka punuar pak kohë me italianët, kurse t’i kërkon të bëhesh fashist, që po ta marrin vesh ata të qeverisë… Do të na marrësh më qafë! Nejse, pa më thuaj si është ajo puna e ballistit, Dane Brinjës, sepse m’i kanë treguar të gjitha. Ishe veshur njëlloj si ballist, edhe hundën e kishe zgjatur… apo nuk ishe ti? Më kanë gënjyer?” Nëna ime priste të merrte përgjigje nga mua. “Unë isha moj nënë, unë isha, por ishte lojë. Hundën e zgjata me një lloj brumi që ngjitet në fytyrë, i thashë. Të kujtohet kur shkonim në arë për të korrur grurin? Të kujtohet kur unë doja të ikja të luaja dhe bëra sikur preva dorën me drapër? T’i më besove dhe u shqetësove shumë? Ja kështu është puna e Dane Brinjës. Njerëzit qeshin kur më shikojnë të vishem si lolo, qeshin kur bëj si i marrë, qeshin edhe kur bëhem sikur jam mbreti”. Nxora nga çanta një palë mustaqe të mëdha dhe i vura po atë çast: “Hë si të dukem tani? – e pyeta. Nëna vuri buzën në gaz, pastaj qeshi me të madhe. Kishte shpresuar që e vërteta të ishte kështu siç ia tregova unë. Këtë histori do t’ia kujtoja herë pas here, ndërsa ajo gjithnjë do të qeshte me të madhe. “E dija që ato ishin punë të teatrit, më thoshte, por doja të sigurohesha”. Më pas, sa herë shkoja në Kosovë të Përmetit për të parë nënën time, kur ikja më thoshte: “Dhe dëgjo, bëji mirë rolet që të japin!”.

Fëmijëria ime

Në Kosova të Përmetit shkoja herë pas here, vazhdoi rrëfimin e vet, Syrja Meço. Isha rritur larg prindërve të mi dhe më merrte malli për nënën, babain, motrat dhe vëllezërit. Edhe ata kishin mall për mua. U linda në Kosovë të Përmetit, por shkollën fillore e mbarova në Kuçovë. Vëllai i madh, Maloja, më mori me vete. Ai ishte tornitori më i mirë në kohën e Italisë. Që kur isha fëmijë më pëlqente të luaja rolin e të rriturve; përpiqesha t’i imitoja. Pas mbarimit të shkollës fillore, im vëlla, Maloja, u transferua si tornitor në fabrikën e sheqerit, në Maliq të Korçës. Më mori edhe mua me vete. Shkollën 8-vjeçare e përfundova aty. Profesor pata Gaqo Veshin. Ai më aktivizoi në të gjitha spektaklet që organizonte shkolla. Më vonë mora pjesë edhe në cirkun e Maliqit, ndërsa më pas, në vitet 64-67 shkova ushtar në Repartin e Aviacionit të Urës-Vajgurore. Fatmirësisht atje gjeta një shok të mirë nga Shkodra, Hasan Vejukën. Luanim bashkë në Estradën e repartit. Nisa të ëndërroja të bëhesha aktor. Emocionohesha sa herë gjendesha përballë me aktorët shqiptarë që kishin emër të madh. Së fundi, pas mbarimit të ushtrisë u ktheva sërish në Maliq të Korçës. Për gati 3 vjet me radhë u aktivizova në Pallatin e Kulturës të kësaj qyteze dhe më pas në Teatrin profesionist të Korçës. Kam luajtur shumë role. Nëna më pyeste gjithnjë: “Hë, më thuaj tani, të kanë vënë ndonjë nofkë të re atje në Korçë”? Nëse i thosha, nuk kam një emër të ri akoma, ndjeja që ajo trishtohej shumë “Mos ke pasur ndonjë hall”?- më pyeste pastaj.

Mihallaq Luarasi

Regjisor i teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë ishte Mihallaq Luarasi, kujton Syrja Meço. Që të gjithë ne që aktivizoheshim në estradën e Maliqit, ëndërronim sikur të vinte ndonjë ditë që edhe ne të punonim me Mihallaq Luarasin. Kjo gjë dukej e pamundur, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Ai erdhi për të ndihmuar estradën e qytezës sonë. Fillimisht u njoh me aktorët, me lojën tonë dhe pastaj bëri një listë se kë do të merrte në grupin e estradës që do të ngrihej nga vetë ai. Unë dridhesha i tëri. A do të ishte edhe emri im në atë listë apo jo? Shpëtova nga ankthi vetëm kur Luarasi përmendi edhe emrin tim. Pas përgatitjeve të shumta, shfaqja u vu në skenë. Sigurisht u prit shumë mirë. Atë shfaqje e dhamë edhe në Tiranë. Përveç roleve që kisha, unë këndoja duet me Jorgaq Nanon dhe profesoren time të rusishtes, Lirika Treska. Ishte viti 1968. Regjisori mbeti i kënaqur, por unë ende kisha frikë se çfarë përshtypjesh i kisha lënë Mihallaq Luarasit. Kur ai do të largohej sërish për në Korçë më tha: “Syrja, ti je aktor i mirë. Do të të marr në trupën profesioniste të Korçës”. Lajm më të mirë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për veten time. Të them se u bëra me krahë, ishte pak. Vështrova nga Drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Sotir Andoni dhe prita çfarë do të thoshte dhe ai, por edhe drejtori mbështeti fjalën e Luarasit. Doja t’u thosha se kjo kishte qenë një ëndërr e imja, por nuk munda. Di që e thashë me mijëra herë në heshtje, ndërsa nxora nga buzët një “faleminderit”, që mezi u dëgjua. Një muaj më vonë u bëra pjesë e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Ëndrra ime kishte filluar të realizohej.

“Njerëzit e minierës”, drama ime e parë

Regjisori Mihallaq Luarasi më dha rolin e Llambros, te drama “Njerëzit e Minierës”, që ishte shkruar nga ai vet. Do të luaja me Pandi Raidhin, Dhimitër Trajçen, Vangjush Furxhiun etj. Nuk e besoja. Më dukej sikur isha në një ëndërr dhe nuk zogjohesha dot. Të them të drejtën në ato çaste pyesja vetën: A është e vërtet që unë do të luaj me aktorë kaq të mëdhenj?. Kur të shkoj në Kosovë, mendova, do t’ia tregoj të gjitha nënës. Me siguri që ajo do të gëzohet. Megjithatë një ndjenjë frike më kishte pushtuar të gjithin. A do të mundesha t’ia dilja dot mbanë, apo do të më thoshin: “Syrja ti duhet të kthehesh prapë në Maliq”. Kjo ndjesi më ndoqi deri ditën e parë kur dhamë shfaqjen. Në përfundim të saj prita se çdo të thoshte Mihallaq Luarasi. “Punove me përkushtim, më tha ai, kjo është gjë e mirë, artisti duhet të jetë këmbëngulës”. Pas këtyre fjalëve, tashmë e kisha marrë fletëhyrjen për në teatrin e ëndërruar të “Çajupit”, por ende nuk më linte të qetë mendimi, nëse do të isha i suksesshëm sërish apo, ajo që kishte ndodhur kishte qenë vetëm një rastësi. Pas dramës së parë, Luarasi më dha një rol tjetër te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit. Kisha rolin e një inxhinieri. Sërish do të luaja me aktorë të tillë si, Llazi Serbo, Minella Borova, Zhani Ziçishti dhe Dhorkë Orgocka. Kjo e fundit do të luante rolin e madam Hihi. Nuk di çfarë magjie fshihej te ajo grua, por edhe sot e kësaj dite mbaj mend që Dhorka përmes rolit të saj sillte një atmosferë të mrekullueshme humori, që e bënte sallën të ngrihej në këmbë dhe të duartrokiste pa reshtur.

Bardhoshi

Drama “Era e Lartësive” më dha emrin e personazhit, Bardhoshi. Me këtë emër do të më thërrisnin shumë gjatë, kujton jo pa nostalgji aktori i mirënjohur Syrja Meço. Si gjithnjë luaja me Pandi Raidhin, Dhimitra Plasarin, Spanja Pipa, Sotiraq Bratkon etj. Mihallaq Luarasi kishte shkuar në Tiranë, ndërsa drama u vu në skenë nga regjisori Dhimitër Orgocka. Ishte një dramë që pati mjaft sukses dhe që mua më dha emrin e personazhit. Vetëm atëherë ndjeva se edhe unë mund të luaja përkrah aktorëve me emër të madh. Pas saj do të luaja te drama e Skënder Luarasit, “Stuhi në prill”, te “Otello”, “Tartufi”, “Nata e fundit”, “Djemtë e Bato Gorës”, “E bukura ime”, “Shi në Plazh”, ku kisha rolin e Çomes, ndërsa partnere, të paharruarën Dhorkë Orgocka. Që të gjitha u vunë në skenë nga Taqkë Orgocka. Më pas do të vinte edhe roli im, i Dane Brinjës te drama “Maro Mokra”, për të cilin nëna më pyeste më frikë pse kisha dashur të bëhesha ballist. Luaja sërish me Pandi Raidhin, Dhorkë Orgockën, Stavri Shkurtin, Taqkë Orgockën dhe Dhimitra Plasarin. Të gjithë ishin të mrekullueshëm, por nuk mund të harroj dot lojën e Dhimitra Plasarit në rolin e arixhofkës. Aty, te Dhimitra Plasari, vura re si një aktor niste dhe e mbushte ngadalë jetën e personazhit aq sa e kthente atë në një njeri të gjallë që të bënte të besojë se ai njëri kishte jetuar diku, por tashmë po e shihje të ngjitur realisht në skenë. Dramat kalonin njëra pas tjetrës, ndërsa neve na mbetej emri i personazheve. Në raste të tilla, kënaqësia nuk kishte të mbaruar, të nxiste gjithnjë e më shumë për të fituar një emër të ri. Kisha luajtur në shumë pjesë klasike dhe shqiptare, por te “Kopraci” pamë vërtet fuqinë e aktorit. Rolin e Harpagonit e kishte Koço Qëndro, ndërsa unë të Shigjetës, por mund të them se me atë shfaqje mundëm të linim të mrekulluar gjithë spektatorët në të gjitha qytet e Shqipërisë, kudo që shkuam. Ajo shfaqje u dha 320 herë.

Familja

Tashmë, që nga fillimet e mia e deri më sot, ka rrjedhur shumë ujë. Ajo çfarë ka mbetur në kujtesën time, janë ëndrrat e mia, emrat e personazheve që më ndoqën pas, ime shoqe, Afërdita, që për mua do të mbetet një grua ideale, sepse më mbështeti në çdo çast të jetës dhe dy fëmijët e mi, Nikolini që jeton në Greqi dhe Oriola në Amerikë. Gjithnjë na merr malli që ata të vijnë një ditë në shtëpi. Në raste të tilla më kujtohet nëna ime që gjithnjë priste të shkoja në Kosovë të Përmetit, por gjithnjë do të më kujtohet edhe trishtimi i saj nga që kishte marrë vesh se në Korçë nuk po më thërrisnin me emrin që më kishte vënë vetë ajo, por me një emër tjetër që asaj nuk i kishte pëlqyer. Më pas, i pëlqente të dëgjonte gjithçka për punën time. Nga gjithë puna ime kuptova diçka: nëse aktori nuk i jep shpirt rolit, personazhi vdes pa lindur mirë. Që të gjitha këto edhe sot e kësaj dite më ngrohin e më japin shpirt për gjithë punën e bërë me kolegët e mi, – përfundoi rrëfimin e jetës së tij, aktori i mirënjohur Syrja Meço.

 

Disa nga rolet e interpretuara nga Syrja Meço

 

Fatja në dramën “Mosha e bardhë” e D. Agollit

Neziri në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit

Shigjeta në komedinë “Kopraci” e Molierit

Demka në dramën “Me gjuhën e pushkës”, e H. Minarollit

Boli në dramën “Ëngjëjt e skëterrës” e Kanten

Franku në dramën “Gjithë bijt e mi” e A. Milerit

Selami në dramën “Zeko Shkoza” e R. Pulahës

Bardhi në dramën “Era e lartësive” e Namik Dokles

Dane Brinja në dramën “Maro Mokra” e R. Pulahës

Senatori në dramën e “Otello” të Shekspirit

Gjergji në dramën “Stina e kuqe” e F. Gjatës

Oficeri në komedinë “Tartufi” e Molierit

 

Për rolin e Shigjetës, interpretuar nga Syrja Meço, kritiku Josif Papagjoni ndër të tjera shkruante:

“Ky shigjeta, me atë këmbën e çalë, bollka të gjera, dhe xhepat e gjatë (kaq e gjetur komike nga koreografi), me të qeshurën e tij, therrëse, tallëse, Syrja Meço, paraqiti aktorin e zot me realizimin e rolit të Shigjetës”. Të tilla vlerësime aktori i mirënjohur, Syrja Meço, mori edhe për për role të tjera