Vëllezrit Mio, si vëllezërit Frashëri

856
Sigal

Asdreni- Tasi Pika, letërkëmbimi

Në vitin 1940, Kapa, humoristi i njohur korçar përgatiste peshqeshet e Vitit të  Ri për një gazetë  që botohej atëherë në Korçë. Midis  figurave të njohura, intelektualë të shquar të Korçës,  ai përgatiti  një “peshqesh” edhe për Tasi Pikën. Ja ç’thuhej në të:  Tasi Pikës i kanë sjellë një thes pika/ Edhe 2-3 gramatika/ Te Xhuvanit më të mirë/ Edhe një dem për brirë/e. Pra, Tasi Pikën, ai e radhiste ndër njerëzit më të njohur të Korçës për të cilën ai kishte dhënë një kontribut  të shënuar  me veprimtarinë patriotike dhe sidomos në fushën e  krijimtarisë letrare. Tasi Pika është pseudonim  i Anastas Mios që ishte vëllai i piktorit të  shquar Vangjush Mio dhe regjisorit po aq të shquar  Sokrat Mio. Ashtu si dhe  vëllezërit Frashëri, vëllezërit Qiriazi edhe vëllezërit Mio, secili në fushën e vet, dhanë gjithçka për  lirinë, pavarësinë dhe  zhvillimin e përparimin e vendit. Familja Mio  kishte vite që kishte zbritur  në Korçë nga fshati Vithkuq. Në Korçë lindi edhe Tasi në vitin  1878. Siç ishte bërë zakon për mjaft familje korçare në atë kohë, edhe Tasi, që në moshën 13 vjeçare emigroi në Rumani (Bukuresht) pranë të afërmve të familjes së tij.  Në fillim kreu disa punë  të ndryshme pastaj u mor  me tregtinë e druve të zjarrit, derisa njëra prej kushërirave të tij, Thomaidha, pas vdekjes së të shoqit,  e mori për të punuar në restorantin e saj, fillimisht si punëtor dhe më vonë u bënë bashkëpronarë. Restoranti ndodhej në një vend klimaterik në Kalimanesht dhe kishte një personal prej 25 punonjësish. Punohej vetëm në verë dhe në dimër ktheheshin në Bukuresht dhe Tasi merrej  më tepër me studime dhe shkrime të ndryshme publicistike.

       Gjatë kohës që qëndroi në  Rumani ai bashkëpunoi ngushtë me shqiptarët që ndodheshin  atje për ngjalljen e ndjenjës  kombëtare  dhe dashurinë për atdheun.  Ai ishte shumë aktiv dhe  studiues  dhe arriti të përvetësonte disa gjuhë të huaja. Veç  rumanishtes dhe greqishtes, ai përvetësoi dhe frëngjishten  e gjermanishten. Me iniciativën e  tij dhe mbështetjen e disa shqiptarëve patriotë boton në Rumani gazetën ‘’ Tribuna e  mendimeve të lira’’ më 1927 dhe  Tasi u caktua drejtor i saj. Në të gjitha shkrimet  ai  firmoste me pseudonimin “Pika”.  Gazeta vazhdoi dy vjet  dhe kishte karakter  të theksuar kombëtar, patriotik e kulturor.  Shkrimet e Tasi Pikës tërhoqën vëmendjen e  lexuesve shqiptarë për idetë e qarta që shprehnin dhe gjuhën e rrjedhshme.  Ai tërhoqi edhe vëmendjen e  poetit tonë të shquar Asdreni, që  ishte në atë kohë në Rumani. Ata u bënë miq të  ngushtë dhe Asdreni e vlerësonte shumë Tasi Pikën për mendimet dhe njohuritë e tij në fushën e krijimtarisë letrare. Kjo ishte arsyeja që patën një letërkëmbim të gjatë edhe aty në Rumani, edhe kur Tasi erdhi  në Shqipëri nga fundi i vitit 1929. Asdreni për disa nga veprat e tij merrte më parë  mendimin e  vlerësimin e Tasi Pikës, tek i cili kishte shumë besim. Në vitin 1931 Asdreni i dërgoi Tasi Pikës vëllimin “Psallmet e Murgut” dhe në letrën përcjellëse shtonte: -‘’ Lexoje dhe pastaj gjyko’’! Dhe Tasi Pika këtë punë e bënte me korrektësi dhe përgjegjësi duke i shprehur mendimet  drejt, në mënyrë të paanshme, qoftë për anët pozitive, qoftë për ato negative të veprës. Dhe në letrën tjetër që mban datën  12 prill 1932 nga Bukureshti, Asdreni përsëri shkruante: – “I pashë dhe  i lexova mendimet tuaja  që ke bërë për “Psallmet e Murgut” dhe  të them  të drejtën kisha frikë nga ty  se e di që je skrupuloz në gërmimin e ideve të shfaqura….. Se ti i analizon si në shprehje dhe në ide  dhe pas kësaj mënyre bën  gjykimin tënd për  të nxjerrë në shesh cilësitë apo të metat e tyre”.

        Po, në letrat e tyre,  midis njëri- tjetrit, ata, si miq të vjetër,  nuk shprehin  vetëm mendime për veprat  e shkruara,  por edhe për  probleme të tjera personale  të jetës së përditshme, për ëndrrat e dëshirat e tyre si dhe për  problemet që kishte Shqipëria  e atëhershme.  Interesante është letra e 22 dhjetorit 1922 që Asdreni i dërgoi Tasi Pikës që kishte shkruar në Paris. Ai nuk kishte qenë ndonjëherë në Paris dhe kishte qejf që ta vizitonte këtë qytet të famshëm, por halli që banka rumune nuk  jepte të holla.  Në letër përshkruante ëndrrën që  kishte parë sikur  ishte në Paris dhe më poshtë shtonte se  sikur ta sjellë rasti që  ëndrra të bëhet realitet “Do të të gjej ty, ku banon edhe me  sy mbyllur”.

Po kështu edhe Tasi Pika i shkruan atij  për problemet e tij. Më 24 janar 1934, Tasi Pika i shkruante Asdrenit: -“Dergjem në shtypshkronjën e Pepos për 4 muaj sa më  vjen të vras veten.” Dhe më 28 maj 1934 përsëri: -“Po  shkruaj  një studim mbi ‘‘halle e  librit shqip” që  po i boton gazeta e Korçës në 4 artikuj njëri pas tjetrit. Fillojnë me shkollat tona qytetëse dhe mbarojnë me titullin “Problemet e mëdha të arsimit tonë.” Dhe më poshtë e informon Asdrenin se ka shtypur vetëm 1/3 e  librit “Lulet e Shpirtit”  vetëm për mungesë të hollash. Këto letra dhe materiale të tjera të Tasi Pikës ndodhen sot tek e mbesa e tij, Rozeta Mio, në Korçë. Kur ishte  në Rumani, Tasi Pika botoi shkrime kritike për gjuhën më 1912, si dhe broshurën “Mbi trajtimin e fjalëve të reja”. Në këto punime ai jepte mendime  të reja dhe bën mjaft vërejtje për gjuhën e shkruar shqipe. ‘’ Unifikimi dhe letrarizimi i gjuhës shqipe , thotë ai, nuk po bëhen  si duhet nga ata që u është lënë në dorë kjo detyrë.’’

Siç theksuam  edhe më lart Tasi Pika nga fundi i vitit 1929 u kthye në Korçë. Nga viti 1937  derisa vdiq në vitin 1941, ai ka qenë drejtor i  Bibliotekës “Thoma Turtulli” në Korçë. Gjatë kësaj kohe ai ka punuar shumë dhe ka botuar një sërë broshura dhe shkrime të ndryshme.

Ndër broshurat kryesore dhe  botime të tjera të tij, kur erdhi në Shqipëri,  duhen përmendur  “Demi për brirësh” në vitin 1935, ku ka një polemikë të hapur për klerin. Po kështu përsëri në vitin 1935 botoi “Gogomelët”, ku bën një kritikë të hapur  për ata që gjuhën shqipe e shkruajnë me të meta. Me rëndësi për idetë dhe mendimet e tij është  dhe shkrimi që bën fjalë për  një ndërtesë qeveritare që do të ngrihej në Korçë. Është për të theksuar që mjaft ide që kishte Tasi Pika për gjuhën e njësuar  shqipe dhe për përdorimin pa vend  të fjalëve të huaja, shume njerëz që merreshin në atë kohë me gjuhën  nuk i vlerësuan si duhet. Mitrush Kuteli në veprën “ Shënime letrare të vitit 1944” në  shkrimin “ Viti letrar 1943” thotë: “Përsa i përket  gjuhësisë dhe polemikës duhet të kujtohet emri i Tasi Mios (Pika), shumë nga pikëpamjet e të cilit u  luftuan sa rronte, por pastaj u imponuan dalëngadalë në gjuhësinë shqiptare.”

Veç  broshurave dhe artikujve të  ndryshëm, krijime  të mirëfillta letrare , Tasi Pika u mor  dhe me përkthime të cilat e pasuruan dukshëm letërsinë shqipe. Të tilla janë “Përralla të Vogla” nga gjermanishtja dhe “Lulet e Shpirtit” botuar më 1933 në shtypshkronjën e Dhori Kotit në Korçë.

Për punën që kishte bërë,  për veprat  e botuara dhe shkrimet publicistike,Tasi Pika gëzonte respektin dhe dashurinë e lexuesve. Atë e vlerësonin tepër  dhe merrnin mendime  e kërkonin ndihmë   prej tij edhe  krijues e shkrimtarë të tjerë të kohës, sidomos  të rinjtë. Kuptimplotë është fakti që  Dhimitër Shuteriqi  në vitin 1936 boton librin “Kangët e rinisë  se parë” dhe një kopje ja dhuron Tasi Pikës.  Në përkushtimin përkatës thuhet ;’’ Z. Pika si kujtim. Me shumë nderime. Dh. Shuteriqi.  Në vitin 1992 Tasi Pika  është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medalje për veprimtari patriotike për  lirinë dhe pavarësinë e atdheut.

Ky ishte Tasi Mio (Pika) shkrimtar, publicist dhe përkthyes  i shquar që këtë  vit mbush 71 vjet që është ndarë nga jeta. Mjaft çështje dhe probleme që ka ngritur ai, sidomos për shkrimin e gjuhës, janë aktuale edhe sot.