“Vdiq mbreti, rroftë mbreti!”, një komedi befasuese dhe intriguese

1111
Albert Z. ZHOLI
Intervista/ Flet Dramaturgu Ferdinand Hysi: Ne besojmë tek e ardhmja dhe tek njerëzit që duan të na e sjellin atë
“Vdiq mbreti, rroftë mbreti!”. është një ndër komeditë shqiptare më të bukuar të të gjitha kohërave. E shkruar me një gjuhë elegante, me një nivel artistik të lartë me një mënyrë estetike lakonike, ajo hyn ndër veprat më të arrira të humorit shqiptar. Për vënien me sukses të saj një meritë ka dhe regjisorja Elma Doresi. Duke zgjedhur disa aktorë tepër korrektë, intuitiv, që dinë të realizojnë një dialog mbërthye, që dinë të koordinojnë në skenë, dinë të mbulojnë dhe të aktivizojnë harmonishëm njeri-tjetrin ka bërë që kjo komedi të jetë një ndër komeditë më të shikuara shqiptare. Një skenografi e thjeshtë por tepër funksionale, një lojë plot temperament e aktorëve ka bërë që komedia të tërheqë vëmendjen e dashamirësve të artit duke bërë që sa herë shfaqet salla e teatrit të jetë e mbushur plot.
“Vdiq mbreti, rroftë mbreti”. në interpretimin e aktorëve: Sokol Angjeli, Bujar Asqeriu, Gladiola Harizaj, Dritan Boriçi, Rajmonda Bulku, Klod Hoxha, Devis Muka, Klea Huta. Me autor Ferdinand Hysin dhe me regji nga Elma Doresi.është një prurje interesante, befasuese, plot surpriza dhe një kënaqësi për publikun shqiptar për shikuesin elitar kryeqytetas.
-Si lindi ideja për këtë komedi? 
Komedia është shkruar pas viteve ’90, ku i frymëzuar nga ndryshimet që ndodhën me ardhjen e demokracisë dhe zhgënjimin në disa pika të pritshmërive tona, u ndërtua kjo komedi, e cila në variantin e parë ishte e titulluar: “Mjeshtri i Cirkut” . Po në ato vite ajo u vlerësua me një çmim të dytë në një Konkurs Kombëtar të Dramaturgjisë i organizuar nga Ministria e Kulturës e asaj kohe! Pas kësaj ajo ka qenë disa herë e aprovuar në Bordin e Teatrit të Vlorës për t’u vënë në skenë, por për arsye teknike (Kishte shumë personazhe) nuk e pa dritën e skenës! Pavarësisht kësaj ajo ka qenë gjithmonë një nga veprat e mia të dashura që e shikoja dhe në vite dhe e përpunoja, deri sa për ta paraqitur në Leximin Nr. 2 të dramës shqipe, organizuar nga Tetari Kombëtar, unë e rishkrova gati nga e para, duke hequr disa personazhe, e ngjeshur në veprim dhe dialog dhe duke e prurë në kohë me elemente të rinj e paraqita në këtë konkurs me titullin; ‘Kompleksi Edipit” ku dhe fitoi të drejtën për t’u vënë në skenën e Teatrit Kombëtar!

Pse ia besuat regjinë një femre dhe ku ishte kyçi i besimit?
Natyrisht me një bashkëpunim shumë të ngushte me Elmën dhe në këtë prag vënie, por dhe një konsultim të afërt me Përparim Kabon, u bënë disa ndryshime, si p.sh: Titulli u ndryshua në: “Vdiq mbreti, rroftë mbreti!” por dhe në elemente të tjerë, si p.sh, u hoq një personazh, u shtua një tjetër etj, gjëra këto që janë normale kur punon ngushtë me regjisorin dhe me dëshirën e përbashkët për një punë të mirë dhe me nivel. Sinqerisht këtë nuk e kam menduar asnjëherë! Për mua nuk ka regjisore femër apo mashkull, por thjesht regjisor me të cilin më lidh besimi dhe mundësitë reale për një bashkëpunim të frytshëm dhe me vlera. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, duhet të them që e para ky ishte i dyti bashkëpunim me Elmën, pas “Tri mendje në ankand”, bashkëpunim që është i njohur për rezultatet që dha dhe përfaqësimin me shumë dinjitet me këtë shfaqe jo vetëm brenda vendit por dhe jashtë deri në Vjenë! Por Elma tashmë është një regjisore e suksesshme në shumë vënie të tjera në skenë dhe natyrisht, isha i bindur dhe për këtë bashkëpunim të dytë tonin.
Ku ishte vështirësia në realizimin e saj?
Thelbi i kësaj komedi që në lindjen e idesë së saj por dhe në zhvillim ka qenë gjithmonë, prania e një personazhi që ka vdekur, i cili është i gjallë vetëm për njërin, ndërsa të tjerët nuk e shikonin. Pra me pak fjalë, në një institucion të rëndësishëm që unë e quaj institucion shkencor, por nuk është e thënë, drejtori që ka qenë para ka vdekur dhe në vend të tij ka ardhur i riu, i cili ka ardhur me premisën që të bëjë ndryshime dhe të mos bëjë gabimet e të parit! Por pikërisht shefi i parë, i shfaqet realisht në skenë, duke i shpjeguar që ai, nëse për të tjerët ka vdekur, për atë jo! Dhe ne e shohim gjatë gjithë kohës aty në skenë, ku ai vepron, ai drejton, ai udhëzon duke dhënë idenë, që dhe ky i riu, edhe pse me një vizion të ri (Si e thotë vetë ai) nuk bën asgjë më shumë se sa ka bërë i pari. Pikërisht këtu qëndron dhe vështirësia e dramës (Duke iu përgjigjur pyetjes suaj), si në ndërtimin e saj, situatave dhe dialogëve, duke marrë parasysh që qenia e një personazhi të vdekur në skenë, që vetëm një e sheh të tjerët jo, përbënte vështirësi në ndërtimin e dialogëve, në plane treshe, në skenat dhe situatat, vështirësi këto që ishin akoma më të mëdha dhe për regjinë dhe për aktorët!

– Mendon se si regjia dhe aktorët e justifikuan qëllimin e komedisë?
Po! Dhe e pohoj me bindje këtë, kjo dhe pas kam ndjekur shfaqet e këtyre ditëve si dhe shumë mendime dhe opinione të marra si realisht, nga njërës që e njohin teatrin dhe letërsinë në përgjithësi, por dhe nga shumë perceptime të panjohura të cilat unë i marr kështu, i ulur si një spektator i thjeshtë në një nga radhët e teatrit. Në mendimin tim si regjia por dhe aktoret, kanë punuar me shumë dashuri (Kjo dhe për vështirësitë që thamë pak më parë) dhe kanë arritur që të çojnë në ato nivele që unë e kam dëshiruar këtë pjesë! Elma me stilin e saj,e palodhur në detaje deri në imtësi, me një dashuri të veçantë për pjesën që ka nisur që në leximet e para, për mendimin tim personal (Jo si autor tani) ka ndërtuar një shfaqe plot ritëm, me një perceptim të drejtë të dialogëve mes atyre që e nuk e shikojnë shefin e vdekur me shefin e ri , me situata që e kanë çuar shfaqen të jetë në ato nivele që prisja, me një punë të veçantë me çdo aktor, duke vizatuar deri në detaje personazhet dhe veçoritë e tyre! Aty qeshet por dhe të bën të dalësh i menduar nga salla! Ky ishte dhe qëllimi im. Dhe kjo është arritur nga të gjithë. Natyrisht nuk do lija pa përmendur këtu Drinin, skenografin e talentuar, plot fantazi, që i dha një ndihmë komedisë me zgjidhjen skenografike të tij, aq sa e bukur por aq dhe domethënëse! Laedia me kostumet e saj, në logjikën e frymës së gjithë komedisë, por Elgiti me muzikën që shpesh thotë shumë ne funksion të veprës! Dhe natyrisht fjalët më të mira për Kolin, vërtetësinë dhe sinqeritetin e rolit që pruri, Bujarit të palodhur, në një rol aq sa të vështirë aq dhe magjik, treshes së administratës: Oles, për frymën dhe energjinë që i dha rolit, Tanit, në një përsosmëri të atij që perceptonte roli i tij, Klodi, Çesku që nuk flet, por që di shumë gjëra të vërteta, Mondës, që i dha një kolorit rolit të saj në përputhej me atë që përfaqësonte, Devit, me nuancat e tija, duke prurë atë Veli që e kemi nëpër këmbë dhe në fund Klea e bukur, në rolin e një gazetareje aq sa e ngjitur, aq dhe determinuese në atë që bënte. Por nuk dua të lë pa përmendur Lanin, Mishen,e të gjithë të tjerët (të më falin që nuk po i përmend më emra) që me mjeshtërinë dhe profesionalizmin e tyre i dhanë shfaqjes atë që i duhej! Teatri është një ndërtesë e madhe, ku çdo pjesë e tij, e mban në këmbë! Së fundi, jo për konformizëm apo për ti bërë qejfin dikujt (nuk është në natyrën time) kam një falënderim të veçantë për Hervin Çulin, pasi që në fillim, që në leximin e parë besoj te vepra ime dhe me korrektësi dhe mbështetje e çoj deri në fund realizimin e saj!

– Mesazhi që jepni?
Mesazhi është i qartë! Pak a shumë e thash dhe në fillim të kësaj interviste. Ne presim ndryshimin, ne besojmë tek e ardhmja dhe tek njerëzit që duan të na e sjellin atë, por zhgënjehemi shumë kur shohim se në realitet nuk bëhet asgjë më shumë se sa kanë bërë paraardhësit! Ideja se duke ja veshur të gjitha fajet e vështirësive që të dalin para atij që ka qenë para teje, mund ta shtyje për ca kohë jetën e zarfit të parë (Sepse është në themel të komedisë një barsoletë e njohur e tre zarfeve), por kjo nuk mund të zgjasë shumë se shpejt vjen koha e zarfit të tretë (I cili thotë: Përgatit tre zarfe për atë që do të zëvendësoj, pra lëre detyrën. Natyrisht komedia është përqendruar vetëm në zarfin e parë) E veshur kjo dhe me ide të tjera, si lëpirja e disa elementeve të administratës nga eprorit, servilizmi, mediokriteti i atyre që vihen në ndonjë rast në poste drejtuese, fjalët boshe thjesht për konsum qytetar etj, bëjnë që nga kjo komedi nuk del vetëm duke qeshur, por dhe duke e menduar veten dhe pozicionin e atyre me të cilët je duke punuar, në atë perceptim prej gati dy orësh të kësaj shfaqjeje! 
Sigal