Vasil Premçi: Letërsia nuk bie nga qielli

772
“Enciklopedia” e letërsisë së sotme amerikane, Harold Bllom, pohon: “Nëse një punim nuk përmban shkëlqim estetik, forcë njohëse dhe origjinalitet autentik, nuk ia vlen ta lexosh”. 
Por fatin e pavdekësisë së një vepre e përcaktojnë dy faktorë: vërtetësia rrezatuese e saj dhe lënda e subjektit. Letërsia nuk bie nga qielli, por nuk vjen as nga humnerat…Ajo lind apo dëshmohet si një marrëdhënie dashurie e zjarrtë e autorit me subjektin dhe të dy së bashku, të shënjuar nga fati, ia nisin një udhëtim të mistershëm nëpër faqet e librit, fundi i të cilit shoqërohet herë me suksesin e merituar, por jo pak herë edhe me dështimin e tij. Krijimtaria e letrare e Faik Ballancës është stamposur në mendjen e lexuesve të shumtë, dukuri kjo që vërehet nga përkujtimi gjatë këtij viti në mbarë vendin. Për shkak të rrethanave jetësore të pakthyeshme, ai ka lënë për lexuesit në gjininë e romanit vetëm “Nomeja e largët”. Por, tregimet dhe novelat e shkruara nga Faik Ballanca do t’i jepnin emrin e nderuar që gëzon në letërsi, sepse me sa duket, në këtë fushë, ai ndihej si ai lulishtari në kopshtin e tij. Por pasuria më e madhe e krijimtarisë së një shkrimtari nuk janë tematika dhe motivet e veprave të tij, por sendërtimi i tyre artistik, shndërrimi i një realiteti të caktuar në procesin krijues të shkrimtarit, ashtu sikundër natyra farkëton me dëborën e dimrit tokën, apo e qëndis atë me lulet e gjethnajën e pranverës dhe të vjeshtës… Sikundër nënvizon Edgar Allen Poe, “Poeti (shkrimtari,-shënimi im) ngjason me një profet, që ka parë diku tokën e premtuar dhe që tanimë përpiqet t’i udhëheqë edhe të tjerët drejt saj”. Poetin ai e sheh si një magjistar ose shaman që përdor artin e vet për të flakur tej të tanishmen, apo si një magjistar, që përpiqet të na joshë me rrëngje mashtruese dhe harrimin e ligjeve të kësaj bote. Syri i shkrimtarit rrok me mendjemprehtësi skena dhe ngjarje jete, të cilat i pasqyron në veprat letrare, të cilat vazhdojnë jetën e tyre, njëlloj si në realitetin nga ku janë marrë. Po, a nuk i rimbjellin kështu edhe kopshtarët drurët dhe rasatet së bashku me plisin apo shukun e dheut amë, që të mos vyshken dhe të mund të zënë e të hedhin shtat? Dhe me të vërtetë, arti nëpërmjet imazheve dhe figurave letrare, jo vetëm që nuk i zbeh dhe humbet dimensionet e objekteve realë, përkundrazi, i zmadhon apo i zvogëlon ato në funksion të synimeve të veta ideoartistike. Shkrimtari përjeton të gjitha llojet e dashurisë, të vuajtjeve dhe të marrëzirave; madje ai ato i kërkon vetë; provon brenda vetes të gjitha helmet, për të ruajtur prej tyre vetëm thelbin dhe për të mbërritur tek e panjohura. Tregimi duhet të zbulojë diçka, por jo gjithçka. Duhet të ketë një farë misteri në tregim. Vepra duhet mbështetur në brumin e saj estetik, që ka për qëllim ushqyerjen e shpirtit të njeriut. Tema dhe ideja janë gjilpëra dhe peri me të cilat thuret tregimi. Fabula e tregimeve të Ballancës zbulon fshehtësitë që kanë zënë pusi në shtigjet e jetës. Ato paraqesin përvojën, vuajtjet, sakrificat e njerëzve për një jetë më të mirë.Tekstin dhe nëntekstin e tregimeve të Faik Ballancës e përshkon dashuria për njeriun. Ballanca ashtu si mjaft tregimtarë të njohur, kërkon të zhbirilojë të fshehtat e jetës njerëzore; si të thuash, t’i prekë më duar apo t’i këqyrë me shqisat e tij. Por kjo është vetëm njëra anë e mjeshtërisë së tij letrare, sepse pjesa tjetër vijon me përpunimin artistik të këtij realiteti dhe me mesazhet që dëshiron t’u përcjellë lexueseve. Këtu e ka burimin freskia e tregimeve të Ballancës; tek kombinimi apo gatimi i lëndës jetësore me përthyerjen artistike prej shkrimtari të talentuar. Një tipar tjetër i Faik Ballancës është trajtimi në mënyrë artistike i ngjarjeve nga realiteti, pa pritur të kalojë koha dhe të kthjellohet pamja… Për fat të keq, sot mjaft tregimtarë e kanë më të lehtë t’i ‘dorëzohen” të kaluarës dhe fëmijërisë së tyre, sepse me sa duket e ndjejnë veten të papërgatitur ndaj të sotmes të mbushur me ngjarje nga më të pasurat dhe ndoshta ky fakt u shkakton atyre edhe hutim e çorientim. Ballanca kishte aftësinë e të përjetuarit nën lëkurën e individëve të ndryshëm dhe të bëhej njësh për pak kohë me veset, dëshirat, ëndrrat e makthet e tyre, prandaj dhe heronjtë e tregimeve te tij janë bindës dhe mbeten për një kohë të gjatë në memorien e lexuesit. Ai e kishte bërë të vetën porosinë e Anton Çehovit në lidhje me formën shkurtuar të tregimit: “Të gjitha ato që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me tregimin, të gjitha duhet të hidhen pamëshirshëm. Në qoftë se në kapitullin e parë shkruani se në mur është e varur pushka, në kapitullin e dytë ajo duhet të kërcasë pa tjetër. E nëse nuk kërcet, nuk duhet as të varet aty”. Tek tregimi “Ishim shokë të një moshe” i vëllimit “Tregime të zgjedhura”, Ballanca dëshmohet “armik” i pamëshirshëm i meskinitetit, hipokrizisë njerëzore dhe i servilëve. Në letërsinë shqipe ai mban vendin e parë, në këtë hulli, “rrugë letrare artistike” të cilën Dritëro Agolli do ta çonte më tej, si një punë të filluar, me botimin e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” në vitin 1973. Tregimi “Mbama pak pallton, çun” është një tregim antikonformist, tipik në hullinë e tregimeve që mbart brenda strukturës së tij, formës dhe përmbajtjes, lirizmin; d.m.th, shprehjen në një mënyrë të thellë dhe të sinqertë të ndjenjave ndaj njerëzve si shoku Dilo, që dje, gjatë luftës çlirimtare u përleshën me bishën naziste dhe tani krejt modest dhe pa rënë në sy përjeton situata të rëndomta jete dhe pune. Tregimi “Njerka” është një tregim i “guximshëm”, sepse bëhet fjalë për një temë gati të shterur nga përrallat e të gjithë popujve të botës. Faik Ballanca na habit e step me guximin artistik dhe mjeshtërinë e të treguarit. Ndoshta ky është rasti kur nga një material “anti-tregim”, sepse bëhet fjalë për njerkën, e cila e ka të humbur si në jetë ashtu edhe në art betejën për të përfaqësuar një hero dhe njeri me dimensione të larta njerëzore, ai ia del të mbrujë një vepër të lartë artistike. Gjatë sendërtimit të tregimit, njësoj si Franc Anton Masmeri, babai i magnetizmit, për të cilin shkruan Stefan Cvajgu, Ballanca na ysht me magjinë dhe talentin e tij, duke na ftuar me mjaft përkujdesje, si të na shoqëronte drejt një shtegu që kalon mbi një humnerë shpirtërore. (Dhe vërtetë, të shkruash me kaq dashuri e dhembshuri për njerkën është si t’ia kesh dalë të kapërcesh një rrezik të vërtetë). Heroinës së tregimit, një vajzë e rritur, e mbetur pa nënë, duke marrë për dore motrën më të vogël, i pëlqente të kundronin në vetmi perëndimin e diellit, detaj ky mjaft i gjetur e domethënës psikologjik, sepse e kundërta, kundrimi i lindjes së diellit mbart dhe simbolizon shpresën, gëzimin për jetën. Por ja që peizazhit të tregimit i duhen ngjyra të trishta, të cilat i mbart perëndimi i një dielli, sikundër vetë përmbajtja e tregimit; nëna e vdekur prej disa vitesh. Apo pasazhi në vijim të këtij tregimi, kur të ulur në një tryezë dreke, babai, xhaxhai me të shoqen dhe dy motrat, pinin të gjithë verë. Por nëse të tjerët nga gëzimi, dy motrat jetime pinin nga hidhërimi. Nga cili hidhërim? Po, ja, që vendin e nënës së tyre të dashur, të bukur dhe të mirë, këtej e tutje do ta zinte një grua tjetër, krejt e panjohur dhe e huaj për ato. Pas çdo heroi dhe peizazhi në tregimet e Faik Ballancës, qëndron një zemër e madhe dhe ndjeshme që regëtin së bashku me fatin dhe jetën e heronjve, që shkëlqejnë apo shkojnë në ferr, sikundër në jetën e përditshme, duke i përçuar lexuesit një kënaqësi të veçantë artistike, plot finesë, art dhe kulturë. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal