Vasil Bozo:Agolli: “ Takimet letrare në Lushnje më kujtojnë sallonet luksoze të Parisit dhe të Moskës”

168

INTERVISTA/  Flet Vasil Bozo, poeti ish -sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Lushnjës, Vasil Bozo

Për 23 vjet Vasil Bozo, ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Lushnjës, duke u bërë kështu, poeti më jetëgjatë në këtë post. Ka botuar dy vëllime poetikë, por sipas tij në regjimin komunist ishte e vështirë të botoje libra pasi ato kalonin në vrimë të gjilpërës. Iljaz Reka dhe Sulejman Bushati ishin dy sekretarët e Parë që ishin më të lidhur me shkrimtarët, madje u krijonin lehtësira. Kadareja ka vlerësuar shumë poezinë e Faslli Halitit, ndërsa Agolli i ka quajtur ambientet ku zhvillonin takimet shkrimtarët Lushnjarë si godinat e Rusisë apo të Parisit.

 Mund të na e përshkruani sadopak “Lidhjen e Shkrimtarëve” të Lushnjës?

Lidhja e Shkrimtarëve të Lushnjës ka pasur histori të çuditshme. Unë në vitet e komunizmit  më shuam kam qenë simpatizant si inxhinier kimist dhe krijues, por në radhët e saj u futa pikërisht në vitin 1990, kur kryetar ishte poeti dhe shkrimtari i talentuar Faslli Haliti.  Pikërisht në këtë kohë unë u zgjodha Sekretar i kësaj lidhjeje duke vazhduar deri më sot.  Në regjimin komunist unë bëja botime sporadike në shtypin letrar dhe nuk arrita të botoja libër të mirëfilltë, ndaj isha më shumë simpatizant i kësaj Lidhjeje dhe shkoja në të gjitha aktivitetet që zhvillonin.

 Në atë periudhë sigurisht kishte kërkesa për t’u anëtarësuar?

Është e vërtetë, kishte shumë kërkesa. Një prej tyre ishte që të kishe botuar të paktën dy vëllime, pra dy libra. Botimi i tyre bëhej nga shtëpitë botuese dhe vetëm kur miratohej nga Kolegjiumi i redaksisë. Nuk botonte atëherë çdo kush si sot që kush ka lekë boton. Atëherë çdo gjë, cilësinë, korrektësinë, aprovimin, shtypjen e bënin organet përkatëse dhe s’kishte vlera, as bëhej fjalë për botim as si libër as dhe në gazetat letrare. Ato vite kisha shumë dëshirë për të botuar, por të them të drejtën nuk ja arrita qëllimit. Lexoja shumë libra. Mund të them se kam lexuar rreth 3 mijë tituj sidomos poetët dhe shkrimtarët rus, francezë,  anglez dhe italian. Një pjesë të rrogës e bëja libra, por dua të them se isha i përditshëm në bibliotekën e qytetit.

Po libra të verdhë a ke lexuar në atë kohë?

Me shumë vështirësi. Unë kisha një mik që kishte në bibliotekë nënën. Ai më sillte me shumë frikë. Kur ja ktheja më shikonte me habi, s’e priste ta spiunoja. Atë kohë spiunimet ishin të përditshme. Më shumë më shtinte kurioziteti, por e dija që vija dhe veten dhe mikun në rrezik. E në fund të fundit çfarë kishin ato?

 Kur e keni botuar librin e parë?

Libri i parë imi ka dalë në qarkullim në vitin 1993. Ishte një vëllim me poezi që kritika e mirëpriti. Ky vëllim përfshinte një punë 7- vjeçare të poezisë sime. Tematika është e larmishme, ku më shumë jam ndalur tek problemet sociale. Në fakt sot i këndohet më shumë dashurisë, mirë bëhet por nuk duhet lënë pas dore dhe problemet sociale. Shumë poet të mëdhenj kanë ngelë unik, kanë ngel me përmasat e miteve pasi kanë ngritur në art ato probleme që politikanët i kanë në harresë me vetëdije. Pas dy vjetësh kam botuar dhe një libër të dytë me poezi dhe jam përfshirë në dy libra antologjie.

Jam i vazhdueshëm në shtypin letrar dhe njëkohësisht kam dy libra të tjerë në proces.

 Si do ta cilësonit Lushnjën në drejtim të letërsisë?

Është një qytet i dashuruar me librin, ku unë e dashuroj shpirtërisht Lushnjën poetike. Unë jam një qelizë e saj.

 Cilat nga korifenjtë e letrave shqipe ka bërë vizitë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Lushnjës?

Mbaj mend një takim me Kadarenë. E kishte ftuar një grup intelektualësh të Savrës së Lushnjës.  Dua të them se nuk e prisnim se do të vinte. Pyetjet ishin nga më të ndryshmet dhe ai pa kurrfarë mëdyshje nuk mbajti rezerva. Më bëri përshtypje kthjelltësia e tij, më bëri përshtypje njohja e realitetit shqiptar, pasi shumë herë kisha dëgjuar se ai ishte shkëputur nga realiteti. Kisha kundërshtuar shumë letrarë në Lushnje për këtë konstatim. U pata thënë se nuk mund të shkruaj një shkrimtar aq bukur nis është i shkëputur nga realiteti. Ato librat e tij janë kaq realistë, ku duket sikur personazhet frymojnë në çdo moment, pacaka se stili i tij është pak i pakapshëm.  Më ka bërë përshtypje një pyetje për marrëdhëniet me Enverin, ku ai tha që s’kishte komunikim të vazhdueshëm dhe ato pak herë që e kish takuar ishin takime rutinë. Nuk e pranoj që Kadareja i ka thurur himne diktatorit. I tillë ishte regjimi, që po të dilja nga korsia të pritej koka. Mandej ai ka ardhur në Lushnje dhe në mënyrë private si një mik i Faslli Halitit dhe Halil Jaçellarit, dy krijuesve më të mirë të qytetit tonë. Ai ka bërë një nder të madh Lushnjës, duke thënë se, “poezia e Faslli Halitit duket  e thjeshtë, por do shumë kulturë ta kuptosh”.  Ne si Lushnjë e kemi dashur dhe e duam Ismailin.

 Po për ju si është poezia e Faslli Halitit?

Ne e kemi pasur mësuesin tonë shpirtëror, një poet sa modern po aq dhe bashkëkohor, i një lloji të veçantë. Ai ka qenë mësues i Visar Zhitit, i Bujar Xhaferrit, mësuesi im, një njeri tolerant dhe me shumë bonses. Poezia e tij është një poezi virtuoze, plot figura dhe realiste, pa butafori. Ai mbetet ambasador i letrave për qytetin tonë. E dënuan në mënyrë të çuditshme, nga njerëz shpirtngushtë, ku punoi 10 vjet në orizore, asi se mposhtën si talent, por e mposhtën me thashetheme. Pas tij vjen Halil Jaçellari i cili në parathënien  që ka shkruar Ismail Kadare dhe Nasho Jorgaqi, e kanë cilësuar një prozaist të veçantë me stilin e Eminguejit. Unë kam pasur shansin t’i lexoj disa vepra të tij dhe krenohem për arritjet e tij sepse i përkasin qytetit tonë.  Shkrimtarët janë si yjet, secili ka rëndësinë e vet, por kryesorja është se këta yje janë ndriçues, japin dritë gjithmonë dhe kanë lënë një vepër që komentohet kurdoherë në qytet. Pastaj vjen dhe Bujar Xhaferri i cili me krijimtarinë e tij na ka lidhur me Edi Ramën, na ka lidh me Besnik Mustafain, Rudolf Markun.

 Po e kanë mbrojtur Faslliun dhe Ramiz Alia me Xhelil Gjonin?

Po me sa kam marrë vesh e kanë brojt duke ditur kulturën dhe krijimtarinë e tij. Madje, ata thanë se nuk kemi pse t’i japim armikut të klasës njeriun tonë, pasi ai vinte nga një familje e thjeshtë.

 Si Sekretar i Lidhjes, a e ke ftuar ndonjëherë Dritëro Agollin në Lushnje?

Qysh nga viti 1991, Dritëroi është bërë mik i lushnjarëve, pasi  ne e kemi ftuar në shumë veprimtari. Ai është shprehur për Lushnjën me këto fjalë “Takimet letrare që bëhen në Lushnje më kujtojnë sallonet luksoze të Parisit dhe të Moskës”. Këto lloj veprimtarish kanë një magji brenda. Edhe diskutimet këtu janë ndryshe ka thënë Dritëroi.

 Pse ku i bëni takimet ju si lidhje?

Në një lokal me hapësirë, shumë i bukur që kur ne zhvillonim takimet, askush nuk hynte aty. Krijonim një atmosferë të tillë që kushdo e gjente veten komod për tu shprehur dhe për të diskutuar.

Po nga krijuesit e rinj në Lushnje kë do veçoje?

Gëzim Hajdarin që tashmë jeton në Itali. Aty ai ka marrë disa çmime në Itali dhe është ndër krijuesit e letërsisë emigratore ku ka marrë pjesë në disa juri kur flitet për letërsi të tillë. Kritika italiane e ka vlerësuar shumë.

 Ju folët për Visar Zhitin, sa ka qenë i lidhur Visari me Lushnjën?

Pavarësisht se ai pas mbarimit të studimeve në Shkodër u vendos në Krujë, mund të quhet lushnjar se aty lindi dhe ishte nxënës i Faslli Halitit. Promovimin e parë ja kemi bërë ne, ashtu siç i kemi dhuruar buqeta me lule për arritjet në letërsi në fillimet e vështira të viteve 1990. Ai sot mund të thotë se është nga Skrapari, por qumështin e parë e ka pirë në Lushnje. Dënimi i tij ishte i padrejtë për kohën dhe unë them se të paaftët dhe servilët ishin ata që e denoncuan, pasi lufta brenda llojit është e madhe dhe e ashpër.

 A janë vlerësuar krijuesit lushnjarë ?

Sot mund të them se janë vlerësuar. Faslli Haliti i ka marrë ato ndere që i kanë munguar. Them që me kohën ata kanë hequr pluhurin e harresës dhe të ngjiten në majat që u takojnë. Gëzim Hajdari ka marrë çmimin “Eugen Montale” në Itali, etj… Ka një poezi sociale, tepër sarkastik, të kujton prozën e Teodor Kekos.

 Ju harruat dhe tregimtarin më të shquar, Vath Koreshi?

Jo më kot e lashë ën fund, jo se e harrova. Koreshi mbetet ndër të veçantët e tregimtarëve shqiptarë. Stili i tij, fabulat e gjetura, metaforat në tregimet e kanë bërë atë të spikas dhe të ngelet emblemë e krijuesve tregimtarë.

 Kush nga sekretarët e parë të Lushnjës ka qenë më i afruar me shkrimtarët?

Do të veçoja Iljaz Rekën dhe Sulejman Bushati që kanë qenë tolerant dhe të dashuruar me librin. Ata u krijonin lehtësira shkrimtarëve dhe poetëve dhe i përkrahnin shumë.

Mendimi juaj për zaptimin që i ka bërë shteti godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve?

Është goditja më e rëndë që i bëhet krijuesve. As në regjimin e Hoxhës nuk është marrë një veprim i tillë. “Prangosja” e Godinës së Lidhjes është “vrasje” që i bëhet krijuesve si  njerëz të dijes, përparimit, pjesa më e theksuar e ndërgjegjes së kombit.