Vangjush Saro, fabulist me shikim ndryshe

1089
Vangjush Saro është shkrimtar dhe publicist me karrierë të gjatë e të suksesshme. Krijimet e para i ka botuar kur ishte ende nxënës në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë. Më pas, botoi librat e parë satirikë, për të rritur e për fëmijë, duke sjellë ndihmesa në këto fusha. Krijimtaria letrare e shkrimtarit është e gjerë; ai ka botuar disa libra me tregime për të rritur, ku mund të veçohen “Dy orë dramaturg” dhe “Biri i ambasadorit”; njëkohësisht, është autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”. Ka shkruar gjithashtu skenarë për dokumentarë dhe vizatimorë etj. Pjesa më e veçantë e krijimtarisë së tij është proza për të vegjëlit, tregimet dhe novelat gazmore. Në këtë fushë, janë të njohur sidomos librat: “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”.
Vangjush Saro ka marrë çmime kombëtare për vëllimin me tregime satirike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”. Pjesë nga krijimtaria e tij, të përkthyera në anglisht, kanë filluar të botohen edhe në Kanada e SHBA.

Një pjesë e mirë e krijimtarisë së V.Saro, i përket publicistikës. Ai është marrë me gazetari nga fillimi i viteve ‘90 e në vazhdim, duke punuar dhe bashkëpunuar në disa gazeta, revista e portale, si “Republika”, “Alternativa SD”, “Sindikalisti”, më pas në “Metropol”, “Telegraf”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Shqip”, “Zemra Shqiptare”, “Dituria”, etj. Në qindra artikuj të tij, spikat fryma debatuese, shpesh kritike, si dhe dëshira për për demokratizimin dhe emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare. 
Ndër krijimet e tij publicistike, bën pjesë edhe reportazhi i njohur “Shënime për Korçën” – me dy pjesë – ku autori vlerëson ndryshimet e bëra në qytetin e tij të lindjes dhe sugjeron për më shumë vëmendje ndaj traditës dhe trashëgimisë së vyer të atij qarku. Po në këtë reportazh të gjatë, ai analizon disa nga figurat e njohura të kulturës së Qarkut të Korçës, si Mihal Grameno, Vangjush Mio, Dritëro Agolli, Sotir Andoni, Dhori Qirjazi, Vangjush Ziko, Teodor Laço.  Ashtu si në gjithë krijimtarinë e vet, edhe në dy librat “Dhelpra shpërblen Lepurin” e “Trumcaku ftillon Ferrën” me fabula në vargje për fëmijë, Vangjush Saro vjen me profilin e vet krijues krahas autorëve të tjerë si Gjikë Kurtiqi, Ferit Lamaj, Fatmir Gjestila etj., të cilët po e mençurojnë fabulën, po e bëjnë më të mprehtë (pa përjashtuar elementet e humorit e të satirës), duke synuar të prekin ndjeshmëritë e lexuesve në ato dukuri e probleme jetike aktuale që ata përjetojnë si individ e si shoqëri. V.Saro në këto fabula trajton tema bashkëkohore dhe përcjell mesazhe të rëndësishme. Ai u referohet kryesisht kafshëve, siç shprehet La Fonteni, për të mësuar njerëzit.

Theksi satirik vë në në lojë dhe stigmatizon të metat, veset dhe domethënia morale grish për më shumë drejtësi dhe për një jetë më të mirë për të gjithë. Pasuria problemore e tematike e këtyre fabulave është e dukshme. Te “Lumi” e ”Fshati e Korija” trajtohet problemi madhor i ruajtjes së mjedisit. Autori rreh t’i kujtojë lexuesit të vërtetën e padiskutueshme se shkatërimi i pasurive natyrore nga njeriu, në radhë të parë është në dëm të vetë njeriut. Vlerësimi i gjërave e dukurive që vuan nga subjektivizmi i skajshëm, është baza e grindjeve, mosmarrëveshjeve e konflikteve. Këtë ide autori e shtjellon nëpërmjet tri përemrave “unë, ti, ai” te fabula “Sheri”. Te “Ketri ndryshe” aludohet për prirjen e disa njerëzve që nuk e duan punën dhe, për të jetuar, gjejnë rrugë të paligjshme e të pamoralshme, po që shpejt a von e pësojnë. Dhe në fabulat ”Kuleta” e “Pas gjuetisë“ goditet përvetësimi i asaj që nuk të përket, vesi i njerëzve grabitqar që synojnë të pasurohen në mënyra të pandershme. Gjithashtu, po kjo ide te ”Në pyllin rrëmujë“ goditen politikat korruptive që zbatojnë ligjin në mënyrë të njëanshme, duke mbyllur sytë përpara të fuqishmve e të pasurve. Po kjo ide gjen shprehjen te “Dhelpra shpërblen Lepurin”, ku humanizmi e bamirësia e pësojnë nga mosmirënjohja, arroganca e vandalizmi. Dhe te “Druri i shtrëmbër dhe zjarri” autori realizon artistikisht përvojën popullore të ndëshkimit të së keqes, të paligjshmes, elementin që sajon konflikte të kota. Ideja morale e respektimit të tjetrit, pavarësisht se ai nuk është i ngjashëm me ty, trajtohet te “Patat e pulat”. Mburrja e mëndjemadhësia bëhen qesharake përpara të vërtetave të jetës në marrëdhëniet shoqërore si te fabulat “Kungulli lëvdohet”, “Pishina dhe deti”,”Kostumi dhe kopsat”. Mësimi “Mos e fyej atë që të shërben” mishërohet te “Balta” dhe “Gomari”.

Gjetjet artistike të fabulave të V.Saro, situatat dhe subjektet e tyre, janë të kapshme dhe origjinale. Një tipar interesant i këtyre krijimeve është sinkronizimi me kohën dhe me këndvështrimin bashkëkohor.  Nga pikëpamja e ndërtimit, fabulat e V. Saros kanë gjithmonë në thelb një ngjarje konkrete dhe shpesh ndërtojnë një përplasje midis dy karaktereve të kundërta, kështu që morali i tyre vjen natyrshëm, jo si një sllogan. Autori gjithnjë krijon atmosferë jetësore, përplasje etike dhe mbi të gjitha, morali vjen aq natyrshëm dhe “i pazgjidhur”, por plotësisht i nënkuptuar. Në fabulat e V.Saro, bie në sy, gjithashtu, dialogu intensiv dhe fjalori i pasur dhe i gjallë, por gjithnjë i thjeshtë e në funksion të rrëfimeve të tij. Mënyra se si zbulohet thelbi i çdo ngjarjeje a përplasjeje është e tillë që lë hapur kureshtjen e fëmijëve pa përfundimin e episodit fabulesk. Thjeshtësia në konceptim dhe shtjellimi aventuroz, argëtues, i jep lexuesit mundësinë që të jetojë me personazhet dhe të përsiasë rreth përfundimit a përfundimeve të fabulës. Struktura e këtyre fabulave ka një masë të mesme, as tepër të gjatë, as tepër të koncoze. Metrikisht autori përdor vargjet e thyera, ku nuk mungojnë rimat e asonancat, por me kursim për të mos i bejtizuar vargjet. Në disa fabula autori ka përtërirë traditën e epiforës, vargjeve aforistike në fund të tekstit, si domethënie ose si përfundim etiko-moral. Këtë mënyrë stilistike e ka përdorur edhe La Fonteni, po te ne edhe N.Frshëri, Çajupi, L.Gurakuqi etj. Te V.Saro ato nuk janë thjesht moralizuese, por kanë edhe humor, edhe shprehje mençurake. Njohja alegorike e problemeve të shoqërisë është e pandashme me karakterin etiko-moral që përshkon fabulën si e tillë, duke nisur nga Esopi, Fedri e La Fonteni e deri në ditët tona. Dhe me kalimin e viteve “mësimet” e fabulës janë përdorur si shprehje aforistike e frazeologjike në funksione të tjera utilitare, në fusha të tjera të dijes e të komunikimit. “Dhelpra shpërblen lepurin” dhe “Trumcaku ftillon Ferrën” janë dy libra që e pasuron fabulistikën shqiptare. 
Sigal