Valbona Ponari/ Jam e dashuruar me familjen dhe ëndrrën e modelimit

1229
Rruga e saj drejt modelimit filloi para disa muajsh, por kërkesat erdhën rrufe. Gjithçka filloi nga një përzgjedhje që u bë në shkollat e mesme të Durrësit për “Miss dhe Mister Durrësi 2015”. U zgjodh nga persona, të cilët spikasnin konkurrentët për më të bukurën e të bukurin e Durrësit. Gjatë kësaj kohe ka qenë tepër e angazhuar me foto sesione të ndryshme dhe padyshim me shkollën që është një rutinë e përditshme për të 
– Tashmë është rritur numri i modeleve shqiptare, ndihet konkurrenca?
Jam shumë e lumtur që Shqipëria konsiderohet si një vend me femra të bukura dhe për mendimin tim të zgjuara njëkohësisht. Numri nuk me shqetëson dhe nuk mendoj të përbëjë ndonjë rrezik në pozicionin,që uroj të kem në këtë fushë. 

– Përse tregu shqiptar i modelingut ende është shumë i ngushtë?
Jemi një vend i vogël e sigurisht që çdo ndryshim e bëjmë me hapa te vegjël e kjo për shumë arsye. E njëjta gjë ndodh edhe me modelingun, nuk mund të thuhet që nuk ka përmirësime, por ka nevojë për më shumë punë dhe investim për krijimin e një tregu të mirëfilltë modelesh. 

– Kush ju ftoi për konkurrim për Miss, në cilin vit dhe çfarë vendi zutë?
Gjithçka filloi nga një përzgjedhje që u bë në shkollat e mesme të Durrësit për “Miss dhe Mister Durrësi 2015”. U zgjodha nga persona të cilët spikasnin konkurrentët për më të bukurën e të bukurin e Durrësit. 

– Familja a doli pengesë në këtë nismë?
Përkundrazi, familja është mbështetësja ime kryesore në pasionin tim. Fusha e modelingut është sa e bukur, aq edhe e vështirë, familja ime është pikërisht ajo që më inkurajon në çdo hap të ri, më jep forcë në çdo vështirësi dhe gëzon me mua në çdo realizim timin. 

– Kush ju përkrahu më shumë nga familja?
E gjithë familja është treguar shume e kuptueshme ndaj kësaj nisme e cila deri tani po rezulton mirë, veçanërisht mami, që është pranë meje në çdo moment e që i jam shume mirënjohëse. Një mbështetje të pakushtëzuar jo vetëm në këtë fushë por në çdo aspekt të jetës marr nga tezet e mia të dashura të cilave u falënderohem shumë. 

– Si u ndjetë kur morët kurorën?
Ishte një moment shumë i bukur dhe që do mbetet gjatë në kujtesën time. Për mua ishte një nismë e mbarë dhe uroj e shpresoj t’u ketë paraprirë sukseseve të ardhshme. 

-Pas atij momenti si ju shikonin në shkollë shoqet, mësuesit dhe shokët?
Përveç urimeve dhe fjalëve të mira, asgjë nuk ka ndryshuar. Shquhem si një vajzë e thjeshtë në familje ashtu si dhe në shoqëri. Në marrëdhënie me shoqet, shokët dhe mësueset do vazhdoj të jem Valbona e dashur dhe e shoqërueshme që kam qenë gjithmonë, pavarësisht ngjarjeve në jetën time profesionale. 

– Si reagon ndaj ngacmimeve të meshkujve në rrugë?
Ngacmimet në rrugë nuk më bëjnë përshtypje fare, por thjesht vazhdoj rrugën time.

– Nga miss si modele, si e nisët këtë rrugë?
I gjithë ky rrugëtim nisi me “Miss dhe Mister Durrësi 2015” ku pas këtij kompeticioni mu ofrua mundësia të merrja pjesë dhe në konkurse të tjera bukurie. Kështu mu hapën dyert edhe drejt fushës së modelingut ku kam realizuar disa photoShooting me disa fotografë të njohur ku mund të përmend një ndër më të mirët në Shqipëri, Sonny K. Elson. 

-Cila ishte sfilata e parë dhe ku?
Sfilita ime e parë ka qenë në “Miss Durresi 2015”, një emocion shumë i veçantë dhe i paharrueshëm dhe nga i cili dola shumë e lumtur. Në atë sfilatë unë kuptova që duhet të vazhdoj ëndrrën. 

– Në sa sfilata keni marrë pjesë?
Deri me tani, kam qenë pjesëmarrëse në “Miss Durrësi 2015” nga i cili siç e përmenda u kurorëzova me çmimin Miss Fotozhenia. Më vonë, në korrik të këtij viti kam marr pjesë në Miss Turizmi ku mora po ashtu çmimin e Miss Fotozhenia. Një muaj më vonë, në gusht mora pjesë në “Miss World Beauty Queen 2015” nga i cili dola me çmimin Miss World Beauty Queen Kosovo 2015. 

-Cila është sfilata më e rëndësishme?
Secila ka rëndësinë dhe veçantinë e vet, më kane mësuar gjëra të reja dhe që besoj se do më shërbejnë në të ardhmen. Mjaft e rëndësishme është pjesëmarrja në “Miss World Beauty Queen 2015” nga e cila mora shumë. U ndjeva shumë me fat qe mora pjese në një eveniment të organizuar aq mirë dhe mora një çmim kaq prestigjioz në sajë të së cilit do të prezantoj Kosovën në një konkurs ndërkombëtar. 

– Po për shkollimin cila është rruga që po ndiqni?
Shkollimi për mua është një pjesë mjaft e rëndësishme e cila meriton vëmendjen dhe kohën e nevojshme. Për momentin jam në vitin e dytë të shkollës së mesme.

– Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni e bukur apo e zgjuar?
Komplimentet janë gjithmonë të dëshirueshme nga gjithsecili prej nesh dhe mua patjetër që më përkëdhel çdo fjalë e bukur që mund të më thonë por nëse duhet të veçoj njërën, sigurisht që do ishte zgjuarsia. Gjithsesi, një femër e zgjuar di të jetë edhe e bukur e tërheqëse. 

– A e praktikoni plazhin nudo?
Nuk është dhe nuk mendoj se ka për të qenë ndonjëherë në preferencat e mia. 

-Cila është veshja e preferuar, sportive apo klasike?
Jam një person që pretendoj se di të vishem në varësi të rastit, kohës dhe vendit në të cilin ndodhem, gjë që për mua ka shumë rëndësi. Në përditshmërinë time preferoj të jem sportive ndërsa në raste organizimesh festive jam për veshjet klasike. E rëndësishme është që të ndihem mirë me ato që vesh, një veshje sado e bukur të jetë nëse nuk të bën të ndihesh rehat nuk të duket bukur. 
– Po minifundi a është pjesë e veshjes së përditshme?
E përdor, por do të thosha shumë rrallë, pasi preferoj që gjithmonë të kem një veshje komode dhe praktike. 
-Cilat janë synimet tuaja?
Çdo njeri dëshiron që të arrijë majat dhe të ketë një rrugë të gjatë në profesionin që ka zgjedhur. Të realizoj ëndrrën e të qënit modele e suksesshme, të prek skenat më prestigjioze të sfilatave dhe të bashkëpunoj me fotografët më të mirë.
-A jeni e dashuruar dhe cili është mendimi juaj për dashurinë?
Jam e dashuruar me familjen dhe ëndrrën e modelimit. Dashuria të bën më të bukur dhe më njerëzor. 

– Ku i preferoni pushimet e verës? Më mirë ne dimër apo në verë?
Pushimet e verës i preferoj në det. Jam rritur pranë detit dhe nuk e zëvendësoj me asgjë. Deti ka hapësirë, ka ajër, ka ngjyrë të bukur frymëzues. Stina ime e preferuar është vera, një periudhë e vitit shumë e bukur dhe e gjallë. 

-Ushqimi i preferuar?
Ushqimi i preferuar është ushqimi i mamasë sime. Jam një adhuruese e ushqimit të shëndetshëm. 

-A ndihet e vlerësuar sot femra shqiptare?
Po, mendoj se çdo ditë e më shumë femra shqiptare po merr statusin që meriton në shoqërinë tonë, gjë për të cilën jam shumë e lumtur pasi mendoj se roli që femra luan në shoqëri, familje apo kudo ku ajo merr pjesë është thelbësore dhe që vlen për tu vlerësuar edhe më tepër se sa po vlerësohet. 

-A është ende maskiliste shoqëria shqiptare?
Mendoj se veprime individuale maskiliste ka pasur, ka dhe do vazhdojë të ketë në shoqërinë shqiptare, por gjithashtu jam e mendimit që hija e maskilizmit po vjen duke u zbehur. Femra shqiptare po bëhet gjithnjë e më kërkuese e guximshme dhe e arsimuar. Me punë dhe me dinjitet po fiton disa të drejta të mohuara. 
Sigal