Valbona Peraj:S’kam bërë operacion plastik, po s’e përjashtoj mundësinë

672
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja Valbona Peraj: Patjetër bashkëjetesë, para martesës

Bën një jetë intensive, por ende s’e ka gjetur mashkullin e zemrës. “Pas divorcit, duhet diçka shumë e fuqishme që të trokasë në zemër dhe ta dashurosh”, shprehet Bona. Madje, ajo jep një këshillë për çiftet e reja, të bëjnë bashkëjetesë. Plazhin pëlqen ta bëjë në Velipojë dhe në Budva, por këtë të fundit e thekson në mënyrë të veçantë. Thashethemet për një ndërhyrje kirurgjikale i mohon, dhe pse, sipas saj, në një të ardhme dhe mund të bëjë.

 Cila është kënga e radhës që ju keni ndërmend të hidhni në tregun muzikor?

 -Do të jetë një përpunim i këngës shkodrane “Oh, a ke gishtin, vajzë o, për unazë”. Kjo këngë do të jetë një bashkëpunim me këngëtarin   nga Malësia e Madhe, Arben Delaj.

 Pse zgjodhët këtë këngë për duet?

Për shumë arsye, por kryesorja është, se këngët shkodrane vitet e fundit, po pëlqehen shumë në Veri, në Kosovë, Mal të Zi, por edhe në diasporë. Kjo këngë është ndër më të bukurat dhe do të vijë në një interpretim dhe në një përpunim interesant që besoj se do të ketë sukses. Të gjitha këngët shkodrane kanë të veçanta dhe të japin një ndjesi të çuditshme, pasi vetë shkodranët janë shumë të apasionuar pas këngës.

 Kur do të hidhet në treg kjo këngë?

Besoj se në fund të shtatorit. Atëherë është koha më e përshtatshme. Ky muaj të gjen më të freskët, më të rigjeneruar, më të plotësuar.

 Ku do i bëni pushimet?

Pushimet i kam planifikuar saktë. Do kaloj pak ditë në Velipojë dhe pastaj në Budva. Ky qytet është për mua një ndër qytet dhe plazhet më të bukur, që ndihem krejt e lirë, e sigurt dhe relaksohem. Madje, dua të them se këtë qytet nuk e braktis as në ato pak ditë pushimi në dimër.

–Cila është ngjyra e rrobave të plazhit?

Janë dy, ngjyra e verdhë dhe ngjyra lejla. Janë dy ngjyra të ndezura që më qetësojnë shumë. Më japin ndjesi çlodhjeje dhe argëtimi.

 -Sa kohë i kushton djalit?

Djalit tim i kushtoj gjithë pasditen dhe të gjithë fundjavën. Pra kohën e lirë e kam në dispozicion të tij. Ky lloj interesimi më bën që ai të lidhet çdo ditë e më tepër me mua, po ashtu dhe unë të lidhem çdo ditë e më tepër me të. Është një fëmijë inteligjent, i dashur dhe shumë kurioz.

 -Rrobat e plazhit i preferoni firmato, apo rroba që pëlqeni ngjyrën?

Ndihem mirë me ato rroba plazhi që kanë ngjyrën që unë pëlqej dhe pse mund të jenë, apo jo firmato.

 A ka të dashur momentalisht Bona?

Jo. E them me bindje. S’kam pse e fsheh. Për momnetin nuk kam të dashur. Duhet diçka e fortë të bëjë zemrën time të tronditet. Eh, dashuria do forcë, do kujdes, do diçka magjepsëse. Nëse do të përjetosh dashuri, nëse do të bësh flirte, punë tjetër. S’i pëlqej këto lloj lidhjesh, sepse zhgënjimi të lodh, të mpin, të bën kokën dyst. Por kjo, nuk do të thotë se nuk do të lidhem me dikë, nëse vjen ai i duhuri. Me këtë gjuhë flas për herë të parë, pas asaj ndjesie të divorcit.

 Pse si ishte ndjesia e divorcit?

Në fillim mendova, se e gjithë bota ime u shua. Çdo gjë më dukej e errët, pa dritë, pa perspektivë. Thashë që mora një vendim të nxituar. Por jo. U ngrita shpejt në këmbë. Ishte një ndarje e detyruar për shumë arsye, të mënyrës se si ish-bashkshorti e konceptonte jetën. Tashmë jam e gatshme për çdo sfidë të jetës.

 Sipas mendimit tuaj, a ka mashkull ideal?

Për mua nuk ka mashkull të tillë, ashtu si nuk ka njeri iedal. Idealja përjashtohet tek çdo njeri, apo shoqëri. Unë kërkoj një mashkull që të më respektojë dhe të më bëjë të lumtur, që t’u japë jetë ëndrrave të mia, që i ndërpreva, për të bërë një martesë të bukur që dështoi.

 -Thonë se Bona kohët e fundit ka bërë një operacion plastik?

Ahaaaaaaaaaaaaaaaa.. Unë nuk jam kundër operacioneve plastike, madje në një të ardhme edhe mund të bëj një, por deri tani, nuk e kam parë të arsyeshme. Nëse do kisha bërë, nuk kam pse ta mohoj. Nuk vuaj nga asnjë kompleks. Madje them, përderisa i bëjnë shumë femra me famë, s’ka arsye të mos i bëjnë femrat shqiptare. Madje, thonë që operacione të tilla sot janë në modë.

 -Cila është stina më e preferuar për Bonën?

Nuk është një, por janë dy. Konkretisht janë Pranvera dhe Vjeshta.

 -E ke menduar ndonjëherë se mund ta puthësh të dashurin në mes të bulevardit të Tiranës mbushur me njerëz?

Ndonjëherë do ta puthja, pse jo. Në një moment gëzimi, emocioni të veçantë. Pra, ka gjendje emocionale që njeriu nuk e përmban veten dhe me njeriun e afërm bën ndonjë veprim të tillë, që mua më duket i guximshëm dhe që nuk ka asnjë të keqe.

 -I kushtoni shumë kohë lukut?

 Unë kam një kohë të caktuar për çdo gjë. Me lukun merrem aq sa i duhet një femre normale për pak tualet, një grim të lehtë para se të nisem në punë, që nuk i kalon 20 minuta. Me atë grim kaloj tetë orë në punë. Vetëm në raste të veçanta dasmash, darkash mes miqsh, apo koncerte, lukut i kushtoj kohën e duhur. Pra, sipas rastit.

-Cilat janë frutat e preferuara?

Frutat janë ushqimi im i preferuar. Por qershitë dhe rrushi janë më të preferuarat. Kur bie në to, harroj të çohem. Sikur të kisha ca kokrra tani….? -ahaaaaaaaaaa

 –        Cili është parfumi i preferuar?

Nga parfumet pëlqej ata që kanë aromë të fortë, por momentalisht përdor  “Cartier”, të cilin e mora para pak ditësh gjatë një udhëtimi në Paris. Me të sikur jam rehatuar dhe nuk dua ta ndërroj.

-Në plazh keni menduar që të lexoni dhe çfarë konkretisht?

Më duhet të lexoj, por ende nuk kam përcaktuar se çfarë.  I jam larguar pa dashje leximit. Koha ka qenë shumë e kufizuar. Puna, djali, udhëtimet e punës, ndonjë drekë me të afërm, më kanë reduktuar kohën për librin.

 Keni menduar për bashkëjetesë?

Ah, atë duhej ta mendoja përpara se të martohesha, që të mos rropatesha nëpër gjykatë tre vjet për të marrë divorcin. Bashkëjetesën do t’ua rekomandoja çdo çifti të ri, është i domosdoshëm. Krijimi i një familjeje është një përgjegjësi e madhe, ku çdo njeri duhet të jetë përgjegjës për hapin që hedh. Nuk është një unazë në gisht, apo një betim në kishë, apo xhami që mban të lidhur dikë, por është ajo unaza e zemrës që mban lidhur çdokënd. Dashuria nuk ka nevojë për formalitete.

 Çfarë të mungon në këto çaste?

Asgjë për të më bërë të lumtur, thjesht ndihem pa gjëra luksi të tepruara.

 Dukesh ende shumë e freskët, mbani dietë apo ndonjë sekret tjetër?

Ha ushqim të mirë, pa e tepruar, dhe bëj rregullisht palestër.