Valbona Halili: Djali im Dean, një jetë që më lumturon pafundësisht!

1429
Pas një kohe shumë të gjatë e takova përsëri Bonën, por kësaj radhe për të biseduar për ndryshimet e reja dhe më të bukura që kanë ndodhur në jetën e saj. Ka gati 6 muaj që është bërë nënë për herë të parë. Është e pafund lumturia që i ka falur Deani asaj, aq sa do t’i kushtojë edhe një këngë, titulli i të cilës do të mbajë emrin e tij… Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Bona Halili vjen në këtë intervistë me një rrëfim ndryshe, rrëfimin e eksperiencës më të bukur që mund të përjetojë një femër, atë të mëmësisë. Me sinqeritetin më të plotë që kam parë ndonjëherë, ajo më tregon për shtatzëninë dhe të bërit nënë. 
– Bona, si fillim urime për djalin. Na trego pak emocionet që ndjeve kur more në krahë Deanin për here të pare?
Është e pashpjegueshme ajo që ndjeva kur mora në krah engjëllin tim, atë që Zoti ma fali për të më bërë të lumtur. Gjatë gjithë shtatzënisë mendoja se si do ishte ai dhe ja ku erdhi momenti që më në fund ta shikoja. Pasi dëgjova të qarat e tij, disa pika lot përshkuan sytë e mi dhe thashë “Faleminderit Zot që ma solle Deanin në jetë shëndoshë e mirë”. 
– Na trego për ditën e lindjes…
Ç’të të them! Një lëmsh ndjenjash! Isha kaq e lumtur që, po mbaja në krahë engjëllin tim të vogël e që lindi shëndoshë e mirë. 
– Më pas ?
E shokuar, një ndjenjë e mrekullueshme. Nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. E mora në krahë dhe vetëm qeshja nga lumturia. Lindja ishte e mrekullueshme, shumë e lehtë. Kam lindur vetë, pasi thonë që është ndryshe ndjesia që merr kur lind vetë, nga lindja me operacion. 
– Po ato javët e para pas lindjes, si i ke përjetuar ?
Ishte e vështirë, pasi isha e vetme, pa ndihmën e mamit. Por, gjithsesi, edhe pse ishte e vështirë nuk ishte e pamundur. Ndërkohë, kur kisha ndonjë angazhim pune kam marrë një “babysitter” që është kujdesur për djalin. 
– Cila ka qenë vështirësia më e madhe në rritjen e tij gjatë muajve të parë? 
Tre muajt e parë ishin shumë të vështirë, pasi Deani qante shumë – kjo gjë më stresoi pa masë, duke ma bërë këtë periudhë shumë të vështirë, pasi duke qenë një nënë e re nuk dija si të veproja, çfarë të bëja, cila ishte më e mira për të?! Por vetëm përkushtimi dhe sakrifica e ndihmojnë një nënë të re t’i bëjë ballë çdo vështirësie.
– Çfarë dëshire ke që të bëhet Dean kur të rritet ? 
Nuk e di se sa e saktë mund të jem, por unë e shoh që Deani ka një zë shumë kumbues, qysh në momentin kur ka lindur. Shpresoj të bëhet një këngëtar i famshëm. Njëkohësisht do t’i japim edhe shkollim, që ta ketë një profesion tjetër, ndërkohë që muzikën ta ketë më shumë si hobi. 
– Çfarë do të thotë të jesh nënë? 
Nënë, një fjalë e shenjtë dhe kuptimplotë, në të njëjtën kohë nënkupton seriozitet, përkushtim dhe sakrificë. Kur bëhesh nënë e sheh veten në një tjetër pikëpamje, je më e përgjegjshme në atë që thua dhe në atë që bën. Unë që kur jam bërë nënë kam një këndvështrim shumë largpamës dhe një karakter shumë të fortë, jam shumë e vendosur në atë që bëj dhe që shikoj në te ardhmen.
– A të ndryshon lindja e një fëmije?
Patjetër qe po. Mund të them se ndjesia e mëmësisë më ka ndryshuar totalisht këndvështrimin për jetën, veten dhe të ardhmen. Ardhja ne jetë e Roshelit më bëri të ndihem e plotësuar. Çdo ndikim që solli lindja e tij në jetën time ishte për mirë. 
– Na trego për babain e djalit, si jeni njohur dhe çfarë prindi është ai? 
Kemi gati 10 vjet që jetojmë bashkë, jemi njohur në mënyrë spontane, por që në fillim lidhja jonë krijoi baza të forta. E ndihmojmë njëri-tjetrin për çdo gjë, mbi të gjitha për rritjen e birit tonë. 
– Po përsa i përket edukimit të tij, çfarë nëne do jesh ? 
Unë do jem një nënë që do ti kem pak nga të gjitha. Tërhiq e mos këput kur i thonë, se kështu e do edhe fëmija besoj. Duhet të jesh tolerante dhe në momente të caktuara, kur duhet shtrënguese e kontrolluese. Do jem një shoqe e mirë për Deanin, do kujdesem duke u munduar të jem mikja e tij që ai të më tregojë gjithçka. 
– Tani flasim pak për anën tënde profesionale. Të ka penguar një fëmijë i vogël në punën tënde, pasi dihet që të duhet të udhëtosh, të punosh me orare të zgjatura, ndonjëherë deri natën vonë…?
Fjalën pengesë nuk do ta përmendja. Për mua ky ishte një hap i menduar mirë. M’u desh vetëm një riorganizim i jetës, duke i krijuar vetes mundësinë për të punuar, por edhe për të shijuar rritjen e fëmijës tim. Deani është gjeja më e mirë që kam bërë, ai tani është një shtysë pozitive dhe kuptimplotë, aspak pengesë. Pas lindjes së tij bëra një periudhe pushimi nga koncertet e dasmat. Tani kam kapur ritmin e punës dhe gjatë gjithë verës jam e zënë me evenimente brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sigal