Sigal

Nga Vangjush Saro

(Nga shënimi në proces “Sekretet e individualiteti krijues”)

Kam shkruar me nderim për filmat më të mirë të autorëve K. Dhamo, Dh. Anagnosti, P. Milkani, F. Hoshafi, I. Muçaj dhe K. Mitro, V. Prifti, Xh. Keko, E. Mysliu, S. Pecani, S. Kumbaro dhe më pas Gj. Xhuvani, etj. Po “rishoh” sot, në këtë shënim filmat e tre kinoregjisorëve gjithashtu të ndryshëm nga njëri-tjetri. Mënyra se si krijuesi vështron temën ku do të qaset, se si ai ndërton subjektin dhe si realizon zgjidhjet në punët artistike që ka marrë përsipër, është pa dyshim një mundësi për të shprehur individualitetin artistik.
Viktor GJIKA: Ka parapëlqyer gjithnjë dramat e forta, temat e “rënda”, tablotë masive, epizëm; (“Nëntori i dytë” “Përballimi” “Yjet e netëve të gjata”).

Por në krijimtarinë e tij, nuk kanë munguar edhe qasjet lirike; (“Në çdo stinë” “Rrugë të bardha”) Ishte mjeshtër i ekranit dhe i veçantë e kërkues në skalitjen e karaktereve. Kujtim ÇASHKU: Ka synuar të shtojë notat filozofike në kinema dhe të gjejë një dimension më shprehës, duke lundruar në ekzistencializëm, një term pak “armiqësor” për kohën. (Ekzistencializmi, siç e gjejmë në nënvizime të ekspertëve, e vë theksin tek individualizimi dhe vetërealizimi.) Kjo prirje u duk që në njërin nga filmat e parë të tij, “Pas vdekjes”, mbështetur mbi komedinë e Çajupit, film që shpejt u ndalua.

Por trendi kërkues u pasqyrua edhe në filmat e tjerë të tij: “Të paftuarit”, “Kolonel Bunker”, etj. Albert XHOLI: Zgjedh, me paramendim pothuaj, temën sociale dhe atë të familjes, duke bërë çmos t’i ikë politikës dhe demagogjisë së kohës. Në të gjithë filmat e tij, ka thjeshtësi dhe shumë jetë. Po ashtu, në secilin prej tyre, kemi një “ikje”: nga realiteti, nga trazirat, nga pamundësia për të bërë pazar, etj. Te “Fillim i vështirë”, një nga personazhet kryesore, në një moment delikat të marrëdhënieve në çift, largohet. Po ashtu bën Teto Kalina në filmin “Familja ime”. Heroi i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm” në fund zgjedh largimin nga çfarë kishte ndërtuar me sakrifica, por në mënyrë abuzive.

Një ikje edhe më e bukur është ajo e Anës në filmin “Jeta në duart e tjetrit”.