Urim për ditëlindjen si i ……….                    

215

Gjimnazistët e “18 Tetorit” me publicistin dhe shkrimtarin Kozma Gjini 

Shkrimtarët janë produkt i inteligjencës krijuese, pjesë e shoqërisë, e cila në mënyrë të beftë një ditë shpërthen e publikohet duke bërë që tek prurja e tyre të drejtohet vëmendja e lexuesve të moshave të ndryshme. Akti shkrimor i autorit të qytetit tonë z. Kozma Gjini, publicist, shkrimtar i njohur, na ka bërë të interesuar të nxitemi për një informacion më të hollësishëm nëpërmjet kësaj interviste që ne, gjimnazistët e  “18 Tetorit”, patëm kënaqësinë dhe fatin t’ia merrnim autorit në prag të ditëlindjes së tij.

-Si ka qenë fëmijëria juaj? A mendonit se një ditë do t’i futeshit letërsisë?

-Së pari, ju falënderoj që erdhët te unë në prag të përvjetorit të ditëlindjes. Fëmijëria ime ka qenë e mundimshme. Ju të rinjve ju duket si në filma po t’u thuash se në një cep të tepsisë, ime ‘më bënte lakra përzier me pak miell misri për të darkuar. Mungonte buka. Shkollë në fshat s’kishte. Në atë moshë as që mendohej se një ditë do të merresha me letërsi, paçka se kisha dëshirë e lexoja mjaft libra artistike.

-Cila ishte shkëndija e parë që ju nxiti t’i futeni letërsisë?

-Unë vij nga fusha e mësuesisë. Nga publicistika kam kaluar në krijimtarinë letrare. Profesioni si mësues i letërsisë dhe leximi i zellshëm i librave artistike më nxitnin për të shkruar. Mësuesja e letërsisë e shkollës së mesme Elsa Vakëflliu, (Berat-1963, firmëtare e Kongresit të Drejtshkrimit  të Gjuhës Shqipe), më vlerësonte e përgëzonte për hartimet e një skicë letrare e vendosi te “Letrari”. Si duket kjo më dha zemër e më bëri të mendoja se mund të provoja e realizoja më shumë se një hartim.

Kishte krijues shkolla pedagogjike e Beratit?

-Që aty ka dalë: Xhevahir Spahiu, Sefedin Çela, Xhevahir Lleshi, Elmaz Qerreti, Jovan Jano, Irakli Papa etj.

-Me çfarë krijimtarie jeni prezantuar përpara lexuesve?

-Ka qenë një tregim satirik me titull “Sa të bëhet inventari” i botuar në gazetën “Mësuesi” më 23 prill 1973. “Mësuesi” atëherë ishte gazetë kombëtare dhe nuk ishte e lehtë të publikoje krijimtari.

 -Thatë se e keni nisur me publicistikë?

-Po. Sërish gazeta “Mësuesi” shërbeu si “stazh” në gazetari, pastaj si kapërcyell për të kaluar në  krijimtarinë letrare. Ishin shumë shkrime metodike, portrete e reportazhe që m’i kërkonin gazetarët e “Mësuesit” si: Sadie Agolli, Bardhyl Xhama, Sofokli Afezolli, Sali Hamzai etj.

-Më tej çfarë keni botuar?

-Kam pasur fatin të jem gazetar i besuar e i kërkuar nga redaksi të ndryshme të shtypit të cilat më pas më krijuan edhe mundësinë që krahas publicistikës të botoja edhe krijimtari si në: “Hosteni” , “Ylli”, Mësuesi”, “Zëri i popullit”, “Drita” etj. Gjinia humoristike u bë më pas një hobi për mua.

-Ka ndonjë shkrimtar që preferonit në këtë nisje me humor?

-Kanë qenë shkrimtarët Dritero Agolli, Hyskë Borobojka, Qamil Buxheli. Kisha blerë librin “Adashi im i bie borisë” dhe e lexoja e qeshja me humorin e tij. Më pas do të shkruaja në “Hosteni” dhe do të bëheshim miq me redaktorët e tij. Shkrova së pari një fejton. Mbaj mend se atëherë më kanë ardhur në shkollën e Këmishtajt: Niko Nikolla, Dionis  Bubani,  Zef Bumçi, Hyskë Borobojka.

-Kush është Hyskë Borobojka?

-Është emri letrar i shkrimtarit Gaqo Veshi. Me pseudonim shkruanin edhe: Ismail Kadare (Gent Arbana), Dritero  Agolli (Bamkë Çomanga), Shevqet Musaraj (Mato Labi,) etj.

-Humori si duket ju ka rrëmbyer më shumë?

-Më pëlqen dhe gjithkush duhet të kapet pas humorit,  sepse kjo lidhet me jetën e përditshme. Mërzia, mërzi sjell. “E qeshura i takon njeriut… dhe ajo ka virtytin të pastrojë pasionet e shpirtrave njerëzore”, ka thënë Aristoteli. Dhe Migjeni ynë… “Qeshu, rini, qeshu/bota është jotja!” Shihni njeri-tjetrin, sa të bukur dukeni ju kur buzëqeshni.

-Kur u prezantuat në publik me librin e parë?

-Ishte  një përmbledhje e krijimtarisë me titull “Vendosa të shkoj në Amerikë”, pas vitit ‘90. Libri, i redaktuar nga Hyskë Borobojka, më dha krahë, sepse 2000 kopje u shitën shpejt, u kërkua në internet e shkoi edhe në bibliotekën e qytetit Sollothurn (Zvicër) , në bibliotekën e emigracionit në Danimarkë dhe në bibliotekën Qendrore, Nju Jork.

-Ekziston një vepër të cilën autori e ka më për zemër?

-Librat i mbuloj me të njëjtën dashuri, pavarësisht vlerave që u jep lexuesi. Gjithsesi vëllimi me tregime “Mos luaj me jetën” në promovimin e të cilit mori pjese edhe shkrimtari Vath Koreshi, përbën për mua një “fryt” të shijshëm.

-Pse? Çfarë ka thënë shkrimtari Vath Korreshi për librin tuaj?

-Fjalët më të mira. Më bëri përshtypje se nga diskutimi i tij kuptova se ai e kishte lexuar krejt librin dhe kjo më solli kënaqësi. Sepse në promovime sot shkohet edhe pa lexuar fare librin dhe formulohen ca fjalë të përgjithshme për të qenë brenda. Futja kot sa me u gjend në takim. E kam të incizuar, kur Vathi tha mes të tjerash: “…Do të dëshiroja të kisha një mësues si Kozmai…Ty nuk të pëlqen ta nxjerrësh një krijim nga dora pa e pjekur mirë artistikisht. Për të tillë krijime kemi nevojë, sado nazik që jemi për prurjet e reja. Prandaj unë them me bindje se qyteti ynë po e zgjeron perimetrin letrar me krijues interesantë, dinjitozë dhe disa herë cilësorë, pa frikë të nivelit kombëtar”.12.12.2005.

-Në ç’gjini letrare është përqendruar më së shumti krijimtaria juaj?

-Kryesisht proza ka qenë gjinia me të cilën jam ndierë më komod, pavarësisht se kam botuar edhe poezi, fabula, komedi, apo monografi dokumentare.

-Mund të na përmendni disa nga botimet tuaja?

-Disa nga librat janë: “Vendosa të shkoj në Amerikë” tregime, “Mos luaj me jetën” tregime,   “Ethet e doktor Bëzhdilës” komedi, “Nusja kordele” komedi,  “Edukatore Arusha” fabula , “Doktor Kaprolli” fabula, “Aleks Dani-personalitet i shquar i arsimit dhe Leksikologjisë shqipe” monografi, “Koli Allkanjari-figurë e ndritur e mësuesisë në Myzeqe” monografi, “Gjeje emrin tënd”, publicistikë… Këto ditë del nga shtypi romani rinor “Mariza” dhe së shpejti vëllimi me tregime “E dashura e Eseninit” si dhe  kam disa të tjerë, krejt të gatshëm për të ardhmen etj.

-Mund ta mësojmë fabulën e romanit “Mariza”

-Është me një fabul për moshën rinore, për ju. Qëndresa e njeriut nisur nga dashuria është shtylla e jetës. Çdo dashuri duhet të kalojë përmes provash që të vërtetohet si e tillë. Vajza e mençur di ta zgjedhë shokun e jetës…Të mos humbim kureshtjen e lexuesve. Pasi ta lexoni, do më thoni mendimet tuaja.

-Ka lidhje puna juaj si gazetar i një medie audiovizive me letërsinë?

-Heminguej, por edhe Dritëroi ynë,  është shprehur se ai që dëshiron të bëhet shkrimtar duhet të kalojë 5 vjet “stazh” si gazetar. Për fat unë e kam pasur këtë privilegj. Ndihmojnë njëra-tjetrën.

-Dhe kështu, jeni bërë shkrimtar?

-Shkrimtar? Kjo fjalë s’është si një mollë që zgjatesh nëpër degë, e kap, e këput dhe e fut në xhep. Nuk bëhet njeriu shkrimtar me një apo dy-tre libra. Është emër i madh, i rëndë e do këllqe të mbahet.

-Sot botohet shumë në krijimtari? Ka cilësi? Është përgjegjësi të krijosh?

-Po. Përgjegjësi. Secili duhet të matet mirë para se të nisë në një organ botues një punë krijuese në poezi a prozë, sepse do të ballafaqohet me elitën e njerëzve që shkruajnë. Duhet të synojmë te cilësia dhe të jemi të kursyer në publikim. Gjithsesi edhe shkrimtaria është “profesion” dhe si i tillë mësohet duke ecur e s’do të thotë të preferohesh që në fillim.

-A ka shkrimtarë të mirëfilltë Lushnja?

-Shumë. Unë i klasifikoj në tre grupe. Ata që jetojnë jashtë atdheut si: Gëzim Hajdari, Ilir Levonja, Shpend Sollaku, Bajami Çeliku, Kledia Sheme, Zabit Sulo, Bexhet Jacellari, Alma Kërcuku; ata që jetojnë në Tiranë si: Faslli Haliti, Visar Zhiti, Loni Papa, Miranda Haxhia, Luan Kurti,  Hyqmet Hasko, Bujar Xhaferri, Vasil Bozo etj… dhe ata që jetojnë e punojnë në Lushnjë si: Fatbardh Rustemi, Anila Toni, Sherif Bali, Elmaz Qerreti, Miltiadh Davidhi, Valter Dauti, Ollga Selmani, A.Gjeka, E.Myzeqari, A.Koci, A.Bakushi, D.Stasa, L.Sulko, E.Gorreja, S.Ndrecka, B.Neza, I.Papa, P.Gorreja, E.Sina, etj., apo të rinjtë si: K.Kullolli, E.Gjini, F.Dervishi etj. Dhe një homazh për Vath Korreshin, Izet Shehun, Halil Jacellarin etj.

-Jeni edhe kryeredaktor i gazetës së vetme të qytetit tonë- “News Plus”?

-Hyjmë në vitin e tretë që e botojmë këtë gazetë. Ju falënderoj edhe juve për shkrimet tuaja. Kjo është meritë e stafit dhe botuesit z. Gëzim Koçiu. Duke jetuar me shtypin, ju jetoni me aktualitetin, me artin, letërsinë, shkencën, kulturën…

-A duhet të ketë libri një redaktor?

-Po. Duhet të ketë. Ka shumë arsye. Dikur s’kishte libër pa redaktor. Redaktori mban përgjegjësi për librin. Është si puna e dajës suaj, që e doni dhe e besoni pa edhe e pyesni, madje…edhe para se të lidheni me shokun e jetës, apo jo?

-Jeni marrë edhe me tekste këngësh në Festivalet e qytetit?

-Është një bashkëpunim me kompozitorin nga Divjaka, z. Stavri Zaka. Kemi marrë pjesë e jemi fitues në disa Festivale të Këngës për Fëmijë. Një këngë të vlerësuar me çmim të parë e ka kënduar Ilda që kemi këtu, bashkë me Rai Koraqen.

-Më shumë për fëmijë apo dhe për të rritur shkruani?

-Edhe pse e kam nisur me të rritur, si mësues e njoh mirë jetën e shkollarëve të vegjël dhe s’ka pse rri indiferent kur frymëzimi troket për këtë moshë. Kam shkruar e kam projekte edhe për të rinj e të vegjël. Edhe si sekretar i Shoqatës  së Shkrimtarëve për të Rinj e Fëmijë të qytetit ndjej përgjegjësi e kemi detyrime ndaj moshës shkollore. Kam disa fabula e tregime për fëmijë.

-A është vlerësuar me çmime puna juaj si shkrimtar?

-Është kënaqësi e vlerësim për mua që jam përfshirë në vëllime përmbledhëse me autorë të zgjedhur kombëtarë si: Dritero Agolli, Qamil Buxheli, Dhimitër Shuteriqi, Gaqo Veshi, Dionis Bubani, Tasim Aliaj, Filip Cakuli etj. Këto vëllime mbajnë titullin “Në majë të Hostenit”. Atëherë në “Hosteni” kisha botuar një tregim, “Merr qerrata, merr”,  me fabulën: “kush i bën dëm shoqërisë, i bën dëm vetes” dhe ky tregim u vlerësua me çmim të dytë në konkursin kombëtar të humorit. Diplomën dhe disa dhurata simbolike i kam marrë prej dorës së shkrimtarit, z. Dritero Agolli, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në dt. 23 tetor 1976. Por jam pjesëmarrës, bashkautor edhe në vëllime me “Tregime të zgjedhura” të revistës “Obelisk”, Antologjinë poetike  të mbledhura nga “Muzgu”, si dhe këto ditë në “Antologjia e Letërsisë Shqipe për të Rinj e Fëmijë-2000-2014”, (ku nga Lushnja janë F. Haliti, E. Qerreti e K. Gjini), botuar nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës e të shkrimtarit Pandeli Koçi (Kr. i SHMLRF).Jam vlerësuar tri herë me çmime letrare. Përgëzoj dhe falënderoj gazetën “Telegraf” që me anën e rubrikës “Pena Shqiptare”, na ka nxitur në krijimtari dhe më ka vlerësuar me çmim në fund të vitit të kaluar. Jo vetëm mua, por edhe Faslliun, Miltiadhin, Valterin. Mbaj medaljen “Naim Frashëri”.

-Çfarë u këshilloni të rinjve që duan të shkruajnë letërsi?

-Kësaj pyetjeje unë do i përgjigjesha duke ju referuar shkrimtares Anne Rice e cila kur u pyet: “Një këshillë për shkrimtarët?’ tha: “Mos iu ndaj kësaj pune pavarësisht se çfarë thonë, i murrëm a i currëm. Beso tek vetja nëse vendos të bëhesh shkrimtar. Njerëzit do të rreken me të përgjunjë. Shpërfilli. Duhet kurajë. Mos i beso njerëzit që thonë se të shkruarit nuk mund të mësohet. Mund të mësosh shumë për të shkruarit nga shkrimtarët e tjerë, thjesht  nga të lexuarit e tyre me kujdes…Mua më ndihmoi shumë leximi dhe rileximi  i fillimit të romanit  “David Koperfild” dhe studimi i faktit se si Dikensi  i shkruan kapitujt dhe shfaq jetën e Davidit”. Pra, lexo shumë herë e tento të shkruash një herë”.   -Ju faleminderit!

Intervistuan: Xhesi Çela, Franceska Pepa, Ledi Bico, Nedison Bezati, Renci Bani, Adelina Sinani, Ilda Gjozi