Urim për ditëlindjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

1733
Sot, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbush 58 vjeç. Si tradicionalisht, në mjediset e Selisë së Shenjtë në Tiranë, Ai pret sot urimet e personaliteteve të larta shtetërore, shoqërore dhe besimtarëve të shumtë. Përtej një mesazhi njerëzor “Gëzuar ditëlindjen!”, ky urim është dhe shprehje e dëshirave të zemrave të miliona bektashinjve në botë për kontributin e Tij për bektashizmin, besimin në Zot, paqen dhe mirësinë…. 

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve
Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka lindur në Tiranë, më 19 maj 1959. Është me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak dhe juridik. Më 2 janar 1992, fillon jetën si klerik, me bekimin e udhëheqësit të tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit dhe Baba Bajram Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin Dervish dhe menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane të Turanit, në Korçë. Më 13 prill të vitit 1997 dekretohet me titullin ‘Baba’. Po në vitin 1997 caktohet Zëvendës i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Më 21.02.2006, emërohet edhe si drejtues i Bektashizmit në Maqedoni, me qendër në Tetovë, duke mbajtur njëkohësisht postin e Zëvendës-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Më 11.06.2011, me Vendim të Këshillit të Lartë Gjyshëror të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj u zgjodh në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Haxhi Dede Edmond Brahimaj është një nga klerikët e hierarkisë së lartë Bektashiane që ka dhënë kontribut të veçantë për ringritjen e strukturave dhe të infrastrukturës së Bektashizmit, në Shqipëri dhe në Botë. 

Përkushtimi ndaj bektashizmit
Që nga viti 1992 e në vazhdim, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human, social, ku edhe ka referuar, duke çuar në to zërin dhe përvojat e bashkësive bektashiane në Botë. Më 1996 referoi në Teheran lidhur me tolerancën bektashiane në trevat e Ballkanit. Më 14 qershor 2003, në Konferencën Ndërkombëtare “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e Ri”, referoi rreth sfidave të Bektashizmit në të ardhmen. Në qershor 2004, si një ndër përfaqësuesit e bashkësive fetare tradicionale shqiptare, vizitoi Shtëpinë e Bardhë në ShBA. Ka shkuar në ShBA nëpërmjet Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së ShBA-ve në Shqipëri, për njohjen e diversitetit fetar në ShBA. Ka mbajtur marrëdhënie të veçanta me Gjyshatën Bektashiane në Detroit, ShBA, në Teqenë e Baba Rexhepit, qendër e rëndësishme e Bektashizmit, e cila u shndërrua në qendrën kryesore të Bektashizmit gjatë kohës së ndalimit të fesë në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme në këtë Gjyshatë. Mban titullin “Ambasador i Paqes”. Ka marrë pjesë disa herë në festimet e 16 gushtit në Haxhi Bektash të Turqisë, ku ka qenë pritur nga drejtues të lartë të shtetit turk dhe të Institutit “Haxhi Bektash Veliu”, pranë Universitetit të Gazit në Turqi. Ka qenë i pranishëm dhe ka kontribuar me ligjërata e tij në veprimtari të ndryshme në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Ohër, Stamboll, Ankara, Afiyon, Stutgart, Keln etj… Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka marrë shumë falënderime dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë, shoqërisë civile etj. Trupi diplomatik i akredituar në Shkup e ka vlerësuar lart Haxhi Dede Edmond Brahimajn, si një klerik me kontribut të ndjeshëm, veçanërisht në fushat e marrëdhënieve e bashkëjetesës ndërfetare dhe të harmonisë fetare dhe si promovues të vlerave të Shqipërisë si vend model në botë në këto fusha.

Disa nga vlerësimet
Për kontributin e dhënë për bektashizmin në botë, paqen e harmoninë në Shqipëri e më gjerë, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimajt, i janë dhënë shumë mirënjohje zyrtare e organizma shoqëror. Ndër ‘to mund të përmendim: “Ambasador i Paqes” në vitin 2004, “Nderi i Qarkut të Korçës” në vitin 2004, “Qytetar Nderi” i Komunës Zerqan-Bulqizë në qershor 2014, “Qytetar Nderi” i Komunës Martanesh-Bulqizë në qershor 2014, “Qytetar Nderi” i Komunës Bogovë-Skrapar në gusht 2014, “Qytetar Nderi” i Komunës Frashër-Përmet, në maj 2014, “Personalitet i shquar i Labërisë” në shkurt 2015, “Qytetar Nderi” i Qarkut të Fierit në mars 2015, “Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit” në maj 2015, “Qytetar Nderi i Bulqizës”, Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në shator 2015 etj…

Evenimente me vlerë
Mes kontributit e vlerave evidente të lartë, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, mund të veçohen dy nga më të rëndësishmet: Mesazhet që Ai bashkë me përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare dhanë gjatë parakalimit në Paris pas tragjedisë së rëndë në Francë dhe pritja miqësore dhe shumë e suksesshme që i bëri Papa në Vatikan më 11 maj 2016. Këto dy evenimente kanë tërhequr vlerësimin maksimal të medies e faktorëve të tjerë të komunitetit botëror, për personalitetin e këtij kleriku të lartë dhe rolin që ka luajtur Ai për njohjen e përhapjen e bektashizmit në botë, në funksion të dashurisë, paqes e mirësisë. Ky vlerësim, nuk është thjeshtë vlerësim për Haxhi Dede Edmond Brahimaj, por dhe një vlerësim për bashkëjetesën tradicionale fetare në Shqipëri, ku bektashizmi, ka dhënë e vazhdon të japë jo vetëm në vend, por dhe në kontinente të tjera në të mirë të njerëzimit. Ndaj, urimi i sotshëm për ‘Të, nga personalitete të shumë fushave etj, është dhe një shprehje e mirënjohjes për ata faktorë evidentë që me besimin tek Zoti, japin të gjithë kontributet e mundshme për paqen e mirësinë e njerëzimit.
Përgatiti faqen: K. BORIÇI
“Mesazhet që Haxhi Baba Edmond Brahimaj bashkë me përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare dhanë gjatë parakalimit në Paris pas tragjedisë së rëndë dhe pritja miqësore që i bëri Papa në Vatikan më 11 maj të këtij viti. Këto dy evenimente kanë tërhequr vlerësimin maksimal të medies e faktorëve të tjerë të komunitetit botëror, për personalitetin e këtij kleriku të lartë dhe rolin që ka luajtur Ai për njohjen e përhapjen e bektashizmit në botë. Ky vlerësim, nuk është thjeshtë vlerësim për Kryegjyshin Botëror, por dhe një vlerësim për bashkëjetesën tradicionale fetare në Shqipëri, ku bektashizmi, ka dhënë e vazhdon të japë jo vetëm në vend, por dhe në kontinente të tjera në të mirë të njerëzimit”

Kryegjyshata Botërore Bektashiane, 
ndihma për jetimët e Qarkut të Fierit
Një akt bamirës e simbolik ka ndërmarrë Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në ditën e jetimëve. Nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në këtë ditë, janë shpërndarë ndihma për jetimët e Qarkut të Fierit, përkatësisht të Lushnjes, Fierit dhe Mallakastrës. Sipas drejtorit administrative Jetmir Bodini, dhënia e ndihmave për jetimët dhe shtresat në nevojë, është një praktikë e vazhdueshme e Selisë së Shenjtë Bektashiane, që synon angazhimin për shpresë e një jetë më të mirë të këtyre shtresave të shoqërisë. “Këtë radhë, ndihmat për jetimët që bëhen me porosi e nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror, konstistojnë në 100 pako 10 kilogramëshe që përmbajnë oriz, sheqer, vaj, mish, dertegjentë etj. Ato do iu dhuruan jetimëve të Qarkut të Fierit, me qëllim të një ndihme simbolike në përballimin e jetesës, por mbi të gjitha, si shembull mbështetje për këtë shtresë të brishtë të shoqërisë. Akte të tilla ndihme e bamirësie, ne kemi ndërmarrë vazhdimisht dhe do të bëjmë dhe në të ardhmen, në përputhje me mundësitë tona.”- shton Bodini. Nu.Çu.
Sigal