“Unë këndoj dhe dashuroj me shpirt”

843
Sigal

 INTERVISTA/ Flet këngëtarja e këngës popullore, Mimoza Gjoni

Vitet e fundit ajo është gjithnjë e më shumë aktive. Këngët e reja kanë ndjekur njëra-tjetrën dhe ajo nuk është dehur nga sukseset por vazhdon rrugën e bukur të aktiviteteve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kërkesat janë në rritje dhe ajo lëviz nga kontinenti në kontinent për të çuar tek emigrantët këngën e bukur popullore… Repertori i saj përmban këngë popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë ku mbizotërojnë këngët popullore të Shqipërisë së jugut, dhe Shqipërisë së mesme. Por fillimet e saj të të kënduarit ajo i ka me këngët polifonike kur këndonin në shtëpi familjarisht. I pëlqen shumë lëvizjet, por nuk e tepron as me pijet as me ushqimet duke ruajtur linja të rregullta.

 Ju kohët e fundit keni hedhur në treg disa këngë të reja, të cilat kanë pasur sukses, jeni dehur nga sukseset?

 Aspak. Asnjëherë nuk dehem nga sukseset. Eci gjithnjë me kujdes në rrugën e bukur po të vështirë të këngës popullore. Spektatori është delikat. Ai kur sheh që  e tepron të largohet. Asnjëherë nuk kam rendur pas sasisë por pas cilësisë.  Kënga mbetet nëse pëlqehet. N.q.s dështove në një këngë si zor ta kapësh më veten. Kam qenë dhe jam e kujdesshme sepse dua nga kënga në këngë të kem vetëm ngjitje. Nuk këndoj për Shou, por për të respektuar fansat dhe veten time. Një këngë  që nis se nxjerr me të gjithë fuqinë e shpirtit nuk e vazhdoj. Dua të jem korrekte me çdo gjë.

Mund të na thoni këngët e reja që nga intervista jonë e fundit?

Po. Një prej tyre është “Edhe ilaç edhe helm” , “Puthmë shpirt”, “Shumë e për lumë” etj…Rroka tri këngë mbasi mendoj se që të tria janë pëlqyer mjaft nga publiku dhe suksesi me to ka ardhur në rritje. Me këto këngë më janë hapur shumë dyer dhe me thënë të drejtën jam ndjerë mirë.

 Përse këndoni më shumë këngë popullore jugore?

Pasi me origjinë jam nga jugu. Në shtëpinë time këndohej gjithmonë polifoni. Më merrte babi dhe më thoshte këndo dhe ti. Hyra mes tyre si pa u ndjerë. Për çdo ditë këndoja polifoninë labe. Këngët e para ishin “Bejke bardhë”, por dhe këngët korçare dhe përmetare. Mbaj mënd që këndoja dhe këngën “Kur më shkoje në ato varre, me fustanin zvarrë, zvarrë”, etj…apo këngën “Çupëzë ç’mu bëre ftua”.

Çdo këngëtare  e re në fillimet e saj ka pëlqyer një këngëtare më të vjetër.  Cila ka qenë ajo për Mozën?
Sigurisht që kam pasur dhe për mua ka qenë Fitnete Rexha. Nëna ime e pëlqente shumë dhe në mëngjes para se të ikte në punë hapte radion me ton të ulët dhe dëgjonte këngët e saj. Edhe unë i dëgjoja dhe u rrita me to. Ishin këngë që dhe sot i dëgjoj, por dhe i këndoj me ëndje.

Fillimet e para si këngëtare i keni pasur në Gjermani…

 Është e vërtetë… Gjermania, ashtu si për shumë këngëtarë të tjerë shqiptarë ishte vendi, ku gjeta hapësirën dhe kushtet për të kënduar. Aty këngëtarja vlerësohet dhe respektohet. Shumë këngëtarë aty japin koncerte dhe pse jetojnë në Shqipëri. Edhe sot  shkoj vazhdimisht aty pasi kam fansat e mi. Emigrantët shqiptarë në Gjermani janë shumë të dhënë pas këngës popullore. Por aktiviteti im aktualisht më shumë është përqendruar në Maqedoni dhe në Kosovë. Janë dy treva, ku pëlqehet shumë kënga popullore shqiptare sidomos ato epike. Këto treva sidomos janë të dashuruara me këngët patriotike. Këngët më të dashura janë “A vritet pafajësia” dhe të gjitha këngët trimërore për UÇK-në. Unë i këndoj të gjitha këngët popullore shqiptare të çdo treve, ndaj jam e ftuar nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim.

Si titullohet albumi juaj i parë dhe me kë bashkëpunuat?

Titullohet “Duajeni Tiranën”. Si ta duan? Tirana po ndryshon, por bashkë me ndryshimin bëhen ndërtime pa kriter, ndërtime që kanë humbur shumë monumente historike, ndërtesa të vjetra që identifikoheshin me Tiranën. Unë kam lindur në Tiranë dhe e dua shumë qytetin tim. Tirana është zemra ime. Disa gjëra të rralla të Tiranës që janë pjesë e historisë së saj duhet t’i ruajmë. Unë në këtë album bashkëpunova me poetin Mynyr Hoxha dhe kompozitorin Adem Berati.

Mund të flasim pak për dashurinë?

Nuk e fsheh, unë kam dashuruar. Dashuria ime e parë ka qenë dhe mbetet një ëndërr e bukur. Një kujtim që sa herë e kujtoj më sëmbon në zemër. Fjalët për këtë rast janë të tepërta, zemra e ndjen më mirë se ç’duhet. Por ja që zemra s’mund të flasë. Ajo është një peshore farmacie që e mban sekret njësinë dhe sasinë e matjes së dashurisë. Kur dashuron, duket sikur një erë e fshehtë dhe e bukur të ndjek pas dhe të mbush me aromë lumturie dhe të jep forcë më shumë se ke.

Si i mbani lidhjet me kolegët?

Unë kam shumë kolegë, por pak miq të afërt. Unë flas, shkëmbej mendime, pi kafe, por nuk jam shumë e hapur. Në jetë unë dua të më respektojnë, jo të më duan. Respekti të çon edhe tek dashuria njerëzore.

Mund të flasim për flirt?

Ah…Mos e vazhdo. Më duket pa bukuri. S’e di…Sinqerisht nuk gënjej…

Marrëdhëniet me librin?

Lexoj kur kam kohë.  Studioj libra psikologjik. Ato më heqin streset e ditës. Tashmë kam blerë dhe po lexoj disa libra të tillë “Si të krijojmë miq”, “Dëshira dhe siguria në jetë” etj… Pëlqej dhe romane me këto tema.

Shoh se i kushton shumë kohë lukut..
Jo shumë, normal. Aq sa i duhet një femre të duket e rregullt. Dal e veshur mirë dhe me një tualet konstant. Me veshjen time respektoj veten, spektatorët, miqësinë.

Rrobat i blini firmato?

S’kam një preferencë të veçantë. Shikoj vitrinat dhe ato që më pëlqejnë i blej mjafton që të më rrinë mirë në trup.

Minifundet i përdorni?

Po. I rrinë mirë trupit tim. (qesh)

Hobet?

Kërcimi dhe kënga

Pushimet ku i bëni?

Jashtë, në Turqi ose në Itali.

Ushqimi preferuar?

Frutat, sallatat, peshku.