Udhëtimi në SHBA, fillon zbatimi i masave të reja

572
Kompanitë ajrore turke dhe të Emirateve të Bashkuara njoftuan dje, se po fillojnë zbatimin e masave të reja të sigurisë, që u jep mundësi atyre të përjashtohen nga ndalimi që u bëhej laptopëve në fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara. Një vendim të ngjashëm mori më parë dhe një kompani ajrore me qendër në Abu Dhabi, e cila përmbushi masat e reja të propozuara nga Shtetet e Bashkuara. Udhëtarët në të tria këto linja ajrore mund të mbajnë tani laptopë me vete gjatë fluturimit për në Amerikë. Shtatë aeroporte të tjera në Lindjen e Mesme dhe Afrikës Veriore ende nuk i përmbushin kriteret e reja të sigurisë.

Ndalimi i pajisjeve të mëdha elektronikë, si laptopët, në fluturime u vendos për shkak të shqetësimeve se bateritë e tyre mund të konvertoheshin në bomba. Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi se të gjitha linjave ajrore që fluturojnë direkt drejt Shteteve të Bashkuara do t’u jepej të zgjidhnin: ose të zbatonin teknologji të sofistikuar të skanimit për paisjet elektronike që mbahen në dorë, ose të ndalonin udhëtarët që të mbanin me vete pajisje të tilla. Një ndalim i tillë për laptopët ka qenë në fuqi që nga muaji mars, por zbatimi i masave të reja të sigurisë mundëson heqjen e tij. Ndalimi ende zbatohet për fluturimet direkt për në SHBA, nga aeroportet e Jordanisë, Kuvajtit, Egjiptit, Arabisë Saudite, Marokut dhe Katarit.
Sigal