Udhëtim në Pranverë në Malin e Thatë

1722
Bardhyl BERBERI

– Këtu ajri është i parfumuar nga lulet e çajit të malit, çajin e famshëm që të deh me aromën e tij. Nga një guvë dalin një tufë e madhe pëllumbash të egër dhe në lartësi fluturojnë shqiponjat.

-Gjatë pranverës dhe sidomos muajit maj pas shirave të shumta që e kanë harlisur gjelbërimin, ai ngjan me një “grua shtatzënë” që barkun e ka plot me gjelbërim.

Kushdo që vjen në Pogradec ndeshet me një mal të lartë që ngjan me një monument shkëmbor si monument kulture që gati 9 muaj të vitit mban kësulën e bardhë. Ai ngjan me krahët e një shqiponje në fluturim, ky është Mali i Thatë aty ku lind çdo ditë dielli dhe del hëna…Të udhëtosh në këto ditë pranvere në drejtim të majës së Mali i Thatë në një lartësi 2287 metër ii lartë është një kënaqësi e veçantë. Makina ecën më gjoksin e një mali në një rrugë malore por të asfaltuar. Kur kalon doganën e Tushemishtit në drejtim të kufirit maqedonas mbërrin në majën e Malit të Thatë pasi ke ecur me shumë se gjysmë orë me makinë …Gjatë pranverës dhe sidomos muajit maj pas shirave të shumta që e kanë harlisur gjelbërimin, ai ngjan me një “grua shtatzënë” që barkun e ka plot me gjelbërim. Në majën e Malit të Thatë ajo që quhet si pika më e lartë e tij e që mban emrin, “Pllaja e pusit” të mahnit me atë ndjesi që të përcjell. Duket sikur kaltërsia e qiellit është e spërkatur me jeshilen e gjetheve, luleve, aromën e çajit e malit të famshëm që mban emrin e këtij mali. Era me diellin lodron duke copëzuar lugje dhe lugina me dy sy të kaltër në të majtë liqeni i Ohrit dhe në të djathtë ai i Prespës, vjen tek sytë tanë si një kalejdoskop ngjyrash. Vetëm këtu të duket se pranvera është stina më e bukur e vitit, e cila të pushton sytë të sulmon ndjenjat të kënaq shpirtin, të shton rrahjet e zemrës dhe të rrit adrenalinën. Ngjyrat përzihen me diellin. Këtu ajri është i parfumuar nga lulet e çajit të malit, çajin e famshëm që të deh me aromën e tij. Nga një guvë dalin një tufë e madhe pëllumbash të egër dhe në lartësi fluturojnë shqiponjat. M’u kujtua Lasgush Poradeci që e ka dashur dhe e ka përkëdhelur këtë mal duke e vendosur atë në sfond të shumë poezive të tija vargjet e tija të famshme:

-Në Katund kërcet një portë…
në Liqer hesht një lopatë 
-Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë…

Zbresim një luginë të madhe me bar dhe lule shumëngjyrëshe. Çdo lule këtu ka një aromë që ngjan me një erëz gatimi. Më pas na shoqërojnë këngët e bilbilave si në një simfoni të vërtetë kur futemi në pyllin e pafund. Ai ndodhet në jug lindje të Shqipërisë dhe Jugperëndim të Maqedonisë. Ndërsa masivi malor ndodhet midis liqenit të Ohrit dhe të Prespës dhe mbikëqyr Pogradecin në perëndim. Dielli i nxehtë i verës dhe veriu i ashpër me dëborë që kalon disa metra në dimër e kanë përzhitur viganin. Ai lartësohet aty prej mijëravjeçarësh i gurtë, me bimë të rralla. Nuk i lë veriu të rriten, por edhe vapa e beharit këtu është ekstreme. I shkon për shtat emri që i kanë vënë me atë dashuri dhe shpirt që ka vënë edhe liqerin, burimet e Tushemishtit dhe vetë Poradecin, pra Mali i Thatë, është vërtet i thatë. Teksa udhëton në këmbë të Malit të Thatë të dalin përpara fshatrat me radhë: Nizhaveci, Vreshtasi, Korita, Pogoria, njëri prej fshatrave më të mëdhenj të krejt zonës. Por për të arritur te liqeni i Prespës duhet akoma rrugë, një rrugë jo fort e mire, por që të mahnit me peizazhet e shumtë të saj. Malet që e rrethojnë zonën i që i japin asaj një pamje të rrallë. Në 9 fshatra, të vendosur në gjoksin e maleve, që përbëjnë komunën e Liqenasit: Kallamas, Goricë e Madhe, Goricë e Vogël, Gollomboç, Diellas, Liqenas, Lajthizë, Zaroshkë e Cerje jetojnë afërsisht 4500 banorë. Malet e lartë të vendosura në shpatullat e Malit të Thatë të bleruar, që e kalojnë lartësinë 2000 m, lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar, krijojnë atë konfiguracion të papërsëritshëm. Kështu, i mbushur me këto kontraste bukurish, me një kulturë të lashtë, me ushqim të mirë dhe një mikpritje – dhe, mbi të gjitha, një shpirt njerëzor, ndjehesh komod në fshatrat për rreth Malit të Thatë. Këto kushte të favorshme klimatike, ujërat e pastra të burimeve, përzemërsia e banorëve janë joshëse dhe të krijojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria dhe magjia vazhdon me Prespën, sapo të zbrisësh nga Mali i Thatë Në rast se do të përshkoni zonën e Prespës, mes rrugëve të ngushta, që ju çojnë pranë drurëve të mollëve përreth liqenit, tek çerdhet e zogjve e më pas, lart në Galiçicë, ku rruga kalon nëpër livadhet e lugje të veçanta. Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël, të cilët vendasit i quajnë “cironja“. Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanët artizanalë të rakisë, të cilën vendasit e ruajnë për miqtë. Ky është Mali i Thatë me Prespa, mes bukurive të pafund, një pritjeje bujare dhe një distance që ajo ka ende me mundësitë reale ndaj turizmit bashkëkohor. Në luginat e Malit të thatë shikon qindra të huaj që kanë hapur çadrat dhe makinat me shtëpi lëvizëse që relaksohen këtu pushues të shumtë sidomos ata gjermanë …Në orët e pasdites dielli është duke perënduar në malet e Mokrës duke përflakur liqenin dhe përsëri na vjen në mëndje vargjet monumentale të Lasgushit : …. Dremit liqeri pakufi, 

Ai ndaj fundesh u përflak 
Porsi me zjarr e me flori …

Më pas përflak Malin e Thatë duke e “djegur “ gjithë faqen e tij. Pas pak pikërisht këtu nga Mali i Thatë del shoqja e diellit, hëna dhe duket se e harron rrugën e qiellit dhe shëtit mbi valëzat e liqenit duke i veshur ato me argjend …
Sigal