Turqia kremton 92-vjetorin e shpalljes së Republikës

3530
Turqia feston një datë të shënuar në historinë e saj shumë shekullore, 92 -vjetorin e shpalljes së Republikës. Më 29 tetor 1923 u shpall Republika e Turqisë dhe Mustafa Qemali u zgjodh Presidenti i parë i saj. Republika e Turqisë u lind pas rrëzimit dhe denoncimit të sulltanatit osman 6 shekullor më 1 nëntor 1921. Më 3 mars 1924 u shfuqizua Kalifati Islamik, që vazhdonte qysh nga viti 1517, cili u zëvendësua me sistemin shkollor publik shtetëror laik. Më 20 janar deri më 20 prill 1924 u miratua Kushtetuta e Republikës me vendim të Parlamentit, më 17 shkurt 1925 parlamenti shfuqizoi tatimin mbi “Të dhjetat”, që vilej nga prodhimet bujqësore, më 26 dhjetor 1925 u vendos Kalendari i Ri Ndërkombëtar dhe e diela u vendos ditë pushimi, u ndaluan sereket, qylahet, kallpakët e vjetër dhe u vendos të mbahen kapelat, kasketat moderne, republikat, u modernizuan veshjet e burrave dhe të grave. Më 1926 u miratua nga Parlamenti Kodi Civil modern, i bazuar në drejtësinë demokratike humanitare. Më 3 nëntor 1926 u hoq nga përdorimi alfabeti osman dhe u zëvendësua ma alfabetin turk me germa latine. Më 1930-n, u vendos e drejta e punës për gratë si dhe e drejta e zgjedhjes së grave në organet e pushtetit lokal dhe bashkiak. Më 1934 gratë fituan me ligj të drejtën të zgjidhen deputete në Parlament, në një kohë që këtë të drejtë nuk e kishin fituar ende gratë në Francë. Më 1932 u themelua Instituti i Gjuhës Turke, për të pastruar turqishten nga fjalët dhe elementet arabo-persiane, u themelua Instituti i Historisë,që hartoi historinë kombëtare të Turqisë dhe më 1933 u themelua universiteti laik. Më 1937 parimi i laicizmit u fiksua në Kushtetutë si nen i veçantë.
Heroizmi i popullit turk
Shpallja e Republikës së Turqisë moderne u arrit në saj të luftës së popullit vëlla dhe trim turk kundër sulltanatit osman dhe koalicionit të agresorëve grekë, italianë, francezë dhe anglezë në betejat e Ariburunit dhe Anafartës në Canak -Kale më 1915. Lufta nacionalçlirimtare e popullit turk filloi në Anadoll më 19 maj 1919. Për të organizuar Luftën Nacionalçlirimtare më 23 prill 1920 u mblodh Kuvendi Popullor Kombëtar i Turqisë në Ankara dhe me vendim të Asamblesë së Përgjithshme, u shpall Qeveria Kombëtare e Turqisë, e cila zgjodhi Mustafa Qemalin kryetar të Asamblesë Kombëtare dhe më 5 gusht 1921 Asambleja Kombëtare e emëroi Mustafa Qemalin kryekomandant të Ushtrisë NÇ. Ushtria e Turqisë i theu grekët në betejën e famshme të Sakarjes, që vazhdoi 22 ditë dhe net, ku u zhvilluan dhe luftime trup me trup. Pas fitores së betejës tjetër të përgjakshme të Afion-Karahisarit , ushtria turke i hodhi grekët në det përpara Izmirit më 9 shtator 1922. Pas këtyre fitoreve ushtria NÇ e Turqisë vazhdoi mësymjen dhe çliroi edhe Stambollin nga forcat imperialiste. Me marrjen e Stambollit u arrit çlirimi i vendit. Në luftën e popullit turk dhanë ndihmesën e tyre me mijëra e mijëra shqiptarë, që jetonin dhe jetojnë në Turqi prej kohësh, ata luftuan në të gjitha frontet si ushtarë dhe komandantë trima, ata luftuan krah për krah me turqit dhe derdhën gjakun e tyre në Canak-Kale, Sakarja, Afion-Karahisar dhe kudo që u zhvilluan betejat më të përgjakshme.
Fuqia ndërkombëtare e Turqisë
Sot turqit shikojnë nga lartësia e viteve përparimet e arritura në atdheun e tyre në fushën ekonomike dhe social-kulturore dhe shqiptarët gëzohen pa masë për këto fitore të tyre dhe i urojnë nga zemra përparime të mëtejshme. Sot Turqia është një shtet i fuqishëm në Ballkan dhe më gjerë, është një fuqi rajonale. Ajo ndjek një politikë të jashtme: Paqe në vend Paqe në botë, e orientuar drejt zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor me fqinjët. Turqia me politikën e saj ka qenë dhe është faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit, shpesh i trazuar. Kohët e fundit një nga parimet e saj në politikën e jashtme është: Probleme zero me fqinjët dhe në këtë kuadër po operon me mjaft sukses edhe për kapërcimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë. Turqia, duke mbajtur parasysh lidhjet historike por dhe zhvillimin e dukshëm të saj ekonomik në dekadat e fundit, në një farë mënyre, kjo i jep të drejtën, që pa cenuar sovranitetin e vendeve të tjera, të kërkojë një vend më aktiv në Ballkan dhe më gjerë. Marrim vetëm transportin, Turqia është shumë e interesuar, ashtu siç jemi dhe ne, për një lidhje midis Stambollit dhe Adriatikut ose Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm në realizimin e projektit TAP se kalon nëpër territorin e saj. Rritja ekonomike e Turqisë, nën udhëheqjen e Rexhep Taip Erdogan, ka bërë të mundur që shumë shoqëri turke të shtrinë investimet e kapitaleve të tyre në Ballkan, Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera. Në Shqipëri ka shumë kompani turke. Qeveria turke në rrafshin ekonomik është e interesuar për shtrirjen e investimeve turke në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit, ato i ke sot në Kosovë, Serbi, Bullgari etj. Turqia siç, dihet është një nga shtetet më të rëndësishme anëtare të NATO-s. 

Edhe në këtë kuadër, vetë potenciali i saj ushtarak, shkalla e modernizimit të ushtrisë së saj, i jep mundësinë, për të parur një rol si fuqi ushtarake në rajon dhe më gjerë. Po të shikosh shtrirjen e investimeve te kapitaleve të saj jashtë vendit në planin gjeografik, ato i kapërcejnë dukshëm kufijtë e ish-perandorisë osmane. Në këtë vështrim Turqia në fushën ekonomike po punon për të qenë një ekonomi me influencë rajonale, këtë e tregon më së miri fakti se Turqia me rezultatet e dekadave të fundit po i reziston me sukses recesionit botëror, kjo e bën një partner të nevojshëm për ne. Në planin kulturor historia dhe bashkëjetesa pesë shekullore i krijon mundësi kulturës turke, muzikës, letërsisë, folklorit, kinematografisë deri te kuzhina, që të jenë të mirëpritura, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Në Turqi ka sot miliona qytetarë turq me origjinë dhe rrënjë shqiptare të ikur nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Turgut Ozalli, ish-kryeministër dhe ish-president i Turqisë, ka thënë se sot në Turqi ka shqiptarë më shumë se çka sot Shqipëria dhe Kosova të mara së bashku. Jeta e përbashkët me turqit për 500 vjet me radhë duhet njohur mirë dhe shkencërisht sepse vetëm atëherë ne do të jemi në gjendje të vlerësojmë drejt politikën që ndjek sot shteti turk, e cila është krejtësisht jashtë dhe larg politikës që ndiqte shteti otoman. Turqia na ka mbështetur dhe na është gjendur në krah në disa situata. Në Marrëveshjen Miqësore të nënshkruar në Ankara më 15 dhjetor 1923, që vazhdon të jetë në fuqi, në Nenin e parë thuhet: “Midis Republikës së Turqisë dhe shtetit shqiptar, në mes të nënshtetasve shqiptarë dhe turq, do të sundojë paqja, miqësia dhe vëllazëria e përhershme dhe kjo miqësi nuk do të prishet kurrë”.
Sigal