Tropoja “e harruar”, falënderon Gjergj Lekën që e riktheu atë në kujtesën e të gjithëve

693
Sigal

Një histori mirënjohje, që ndoshta mund të kishte mbetur edhe personale, por që tashmë ka marrë jehonë nga kënga e Gjergj Lekës, “Jam tropojan”, është kthyer në simbolin e vlerave të një krahine me traditë, të lënë ndër vite nën pluhurin e harresës dhe përçmimit. Artisti i njohur, që jetën i’a detyron një biri të Tropojës, nuk ka fjalë tjetër falënderimi, veç asaj të dokumentuar në “Letër Malësisë”, një homazh për veriun shqiptar, për tokën krenare të Tropojës së ashpër, por të bukur. Të varfër, por të respektueshme. Një vend me lugina madhështore, me Bjeshkët e famshme dhe Valbonën e mrekullueshme, e ku njerëzit e thjeshtë kanë veç fjalë respekti, falënderimi, e bese. “Tu rritë ndera” ashtu siç duket sikur thotë edhe busti i Bajram Currit, në qendër të qytetit. E pikërisht, mikpritja, bujaria dhe ato buzëqeshje të sinqerta që sheh në fytyrat e njerëzve janë jehona e tupanës që për miqtë bie gjithnjë fort. Një mik i vërtetë dhe i çmuar është edhe Gjergj Leka, dera për të cilin mbetet gjithmonë e hapur. Ka mjaftuar ajo këngë dhe ky dokumentar, për të kujtuar se malësorët janë ata njerëz të brumosur me karakter të fortë, por bujar dhe të ndershëm, njerëz të besës, tek, të cilët mund të mbështetesh fort. Të njohësh këta malësorë është krejt ndryshe nga çdo paragjykim i ngulitur në mendjet e njerëzve. “Kërkoj falje që ju njoha kaq vonë, por edhe për të gjithë ata që s’ju njohën kurrë”, shprehet Leka me mirënjohje. Sepse vlen për t’ u përmendur, pavarësisht çdo vështirësie, harrese  dhe gënjeshtrash politikanësh, se këta njerëz mbajnë kokën lart, me krenari, si pasurinë e tyre më të madhe. Tropojanët janë këta, të prekshëm, të vërtetë, miq për kokë. Njerëz të fortë, që e kanë ruajtur traditën ndër shekuj. Në të gjithë rrugëtimin e Lekës, që nga Miloti deri në Tropojë, por që në fakt vlen për çdo vizitor që dëshiron të shohë bukuritë e këtij vendi dhe të provojë miqësinë e këtyre njerëzve, shfaqet qartë imazhi që kjo këngë e ky dokumentar sjell në vëmendje. Jemi një vend e duhet të jemi te bashkuar, për të ngritur sa me lart virtytet e përmendura bukur në fund të “Letër Malësisë” me vargjet e At’ Gjergj Fishtës; “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, po shqiptarinë e kemi bashkë”. Ndoshta nuk e ka marrë me mend Leka se, vargjet e  këngës së tij, apo fjalët e dala prej zemre, të ndjera në çdo tingull zëri të dokumentarit, do të kishin pasur një rëndësi kaq të madhe për Tropojën, për vetë tropojanët. Ky homazh për veriun e Shqipërisë e ka kthyer vëmendjen e të gjithëve në këtë zonë të braktisur, sepse mikpritja dhe bujaria kanë qenë ulur gjithnjë këmbëkryq në sofrat malësore. Duhej vetëm dikush t’i kujtonte se në histori malësorët janë më të respektuarit. Një nder i pasuar, për të cilin tropojanët i janë mirënjohës dhe falënderojnë, ashtu si malësorët me dorë në zemër, Gjergj Lekën.

Pranvera Vatoci