TripAdvisor çmim Muzeut Kombëtar “Simbol i Ekselencës në Mikëpritje”

89
Kompania amerikane online TripAdvisor, e njohur në fushën e udhëtimeve i ka akorduar Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë çmimin “Simbol i Ekselencës në Mikëpritje”.
Ky është një çmim prestigjioz që mund të fitohet vetëm nëpërmjet vlerësimeve të vazhdueshme që vizitorë të ndryshëm i kanë bërë Muzeut Historik Kombëtar në faqen zyrtare të kompanisë së mirënjohur.
Për rreth pesë vjet TripAdvisor i ka akorduar këtë çmim institucioneve dhe bizneseve të ndryshme ndërkombëtare, duke u nisur nga përshtypjet e vizitorëve rreth botës dhe sot ne jemi krenarë të shohim se, këtë çmim e meriton edhe Muzeu Historik Kombëtar.
TripAdvisor është një kompani online në fushën e udhëtimeve, që ofron komente të vizitorëve të vendeve të ndryshme të botës. Ai gjithashtu përfshin edhe forume interaktive udhëtimesh. TripAdvisor është gratis për përdoruesit dhe ai mbështetet nga një model biznesi reklamues. TripAdvisor Media Group operon me 25 brande përfshirë TripAdvisor. Qendra e TripAdvisor është në Neëton, Masacusets (Amerikë). TripAdvisor pretendon se është uebsaiti më i madh në botë me më shumë se 60 milionë anëtarë dhe mbi 170 milionë komente dhe opinione rreth hoteleve, restoranteve, bukurive natyrore dhe bizneseve të tjera të lidhura me udhëtimet.
Muzeu Historik Kombëtar
Muzeu Historik Komëbtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit ”Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë (shek. IV e.s); këto janë ekspozuar brenda Pavionit të Arkelogjisë, që numëron në vetvete mbi 400 objekte.
Ndër koleksionet më me vlerë të këtij seksioni janë ato që evidentojnë periudhën arkaike dhe periudhën protourbane ilire të kulturës shqiptare. Në pavionin e Periudhës Mesjetare, me më shumë se 300 objekte, realizohet dokumentimi i procesit historik të vijëmësisë iliro-shqiptare. Koleksioni i objekteve të periudhës Mesjetare përfshin: emblema heraldike të princërve shqiptarë, kolona të katedraleve të shkatërruara, relieve dhe ikona të ikonografëve më të mëdhenj shqiptarë si Onufri (Shek. XVI), David Selenica dhe Kostandin Shpataraku i shek. XIII.
Një objekt tepër i çmuar është epitafi i Glavenicës, punuar me ar nga një princ Shqiptar i shek. XIV, Gjergj Arianiti. Koleksionit të kësaj periudhe i është shtuar dhe pavioni i ri i ikonave qe ka në përmbajtjen e vet një ikonostas nga Elbasani dhe 50 ikona të marra nga koleksioni i Institutit të Monumenteve të Kulturës e të mbledhura nga objekte e kultit gjatë 50 vjetëve të fundit në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Pavionet e tjera përmbajnë dokumenta e dëshmi të periudhave të tjera si p.sh. të rezistencës kombëtare shqiptare, të Pavarësisë dhe themelimit të shtetit Shqiptar, etj.
Marrë nga ATSH