Trahanaja shqiptare nga tradita në ditët e sotme

1168
Trahanaja është një pjesë e pandashme e traditës së Shqipërisë ndonëse origjina e saj është në vendet e Lindjes. Trahanaja konsumohet kryesisht për mëngjes ose në darkë.
Trahanaja në formën e pluhurit ose të brumit që tretet në ujë të ngrohtë mund të kombinohet me një sërë perimesh, erëzash dhe kos. Kohë më parë, përpara se të shpikeshin frigoriferët, trahanaja përdorej për të ruajtur ushqimet, më pas ajo u kthye në një gatim të veçantë.
Trahanaja mund të blihet në markete ose të përgatitet në shtëpi, ndonëse fermentimi kërkon pak kohë. Proçesi i përgatitjes së trahanasë në shumë vende nis me përzgjedhjen e e erëzave siç janë: trumza, nenexhiku, rigoni, kopra dhe piperi i kuq.
Në përgatitje përdoret edhe majaja dhe kosi që ndihmojnë në fermentimin e trahanasë dhe parandalojnë lulëzimin e baktereve. Më pas shtohet mielli që ndihmon në formimin e brumit që vendoset në një enë dhe mbahet i mbuluar për disa ditë. Brumi shtypet dhe përpunohet një herë në ditë. Ai mund të thahet në diell për disa ditë të tjera, ose të ruhet në ngrirje. Trahanaja mund të qëndrojë në ngrirje për muaj të tërë.
Në variantin e pluhurit, trahanaja duhet ruajtur në një vend të thatë dhe të izoluar mirë. Nëse doni të përgatisni trahana si supë, atëherë mjafton pak nga brumi i ruajtur, ujë të ngrohtë dhe lëng pule. Zierja e këtyre produkteve së bashku duhet të vazhdojë deri sa lëngu të jetë i trashë mjaftueshëm.
Trahanaja është e pasur me minerale dhe ushqyes të tjerë që i japin asaj shumë vlera për njeriun.
Trahanaja përmban fibra që ndihmojnë në mbajtjen e kolesterolit në nivel të ulët. Në këtë mënyrë ju nuk do të prekeni nga obeziteti apo tensioni i lartë i gjakut.
Trahanaja ju mbron nga radikalet e lira, duke qenë se është e pasuruar me vitamina A, B1, B2 dhe me përbërësin që parandalon qelizat kancerogjene, i cili njihet si likopen.
Si të gatuani trahananë:
Përbërësit:
1 litër lëng të mishit të pulës ose perimeve
200 gramë djathë
400 gramë trahana
30 gramë gjalpë ose vaj ulliri
Gjysëm limoni 
Erëza
Përgatitja:
Hidheni brumin e trahanasë në një enë me ujë të ftohtë dhe mbajeni për një orë. Kullojeni mirë dhe më pas hidheni në një tenxhere së bashku me lëngun e pulës. Trazojeni mirë për një orë në zjarr mesatar. Në një tigan hidhni gjalpin. Kur trahanaja të jetë përgatitur hidhni djathin, lëngun e limonit dhe erëzat. Përzijeni mirë dhe shërbejeni të ngrohtë.
Sigal