Tragjeditë e mëdha të liqenit në Pogradec

1686
Pogradeci është qyteti që e ka liqenin në gjirin e tij. Shëtit nëpër rrugë dhe ndjen llokoçitjen e valëve, kërcitjen e peshkut dhe klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk si një ninullë të bukur hipnotizuese. Por s`ke si ndan nga ky liqen peshkatarët, varkat e tyre dhe mjetet e peshkimit me të cilat ata kanë jetuar në shekuj duke siguruar të ardhura për familjet e tyre. 

Por,ky liqen me bukuritë e tij të pafund prej shumë vitesh numëron shumë tragjedi që nga kohët më të lashta kur një princeshë Ilire është mbytur në këtë liqen në afërsi të Shën Naumit (vendi quhet Zaum që do të thotë për mend )

Por, tragjeditë më të mëdha ndonëse kanë kaluar shumë vite ato janë të veshur me një mister dhe shumë prej tyre kanë ngelur me shumë enigma. Por gjatë bisedës në familjen Polena, me djalin e tij Ahon Polen mbi jetën e babait të tij Kristal Polen, Ahoni u ndal edhe tek një histori shumë e rëndë makabre e xhaxhait të tij Niko Polenës i cili pasi mbaron fakultetin e mjekësisë në vitin 1924 në Athinë vjen në Korçë dhe në vitin 1926 sjell një aparat “Rontgen” i pari në vendin tonë dhe punon në Korçë së bashku me një laborante gjermane. Niko Polen fejohet me një vajzë korçare nga familja me emër Fundo me Julinë dhe në kohë që pritej dita e dasmës duke shëtitur më një motorvarkë në liqenin e Pogradecit në afërsi të rrjedhës së Drinit në Shën Naum mbyten tragjikisht me disa çifte të tjera. Këtë moment të rëndë gruaja e doktor Kristal Polenës, Pepsiori (Kori siç njihej në Korçë) thotë se kur u martova unë në atë shtëpi pas tragjedisë gjithçka nxinte edhe perdet e shtëpisë ishin të zeza, por jeta vazhdon ja si e tregon Ahon Polen tragjedinë 
Ja si u mbytën në mënyrë misterioze 9 persona në liqenin e Pogradecit 
Ahon Polen është djali i mjeshtrit të madh të kirurgjisë shqiptare doktor Kristal Polenës. Ai ngjarjen tragjike të xhaxhait të tij Niko Polenës e ka ruajtur të gjallë dhe të freskët me të gjitha detajet sipas tregimit të prindërve të tij e cila ka lënë gjurmë të thella. Ka qenë ditë e diel, më 30 mars 1930. Me katër makina të vogla janë nisur herët në mëngjes në drejtim të Pogradecit, konsulli grek në Korçë Joan Lazarou së bashku me bashkëshorten e tij,konsulli serb, doktor Aristidhi, doktor Nikollaq Polen së bashku me të fejuarën e tij Julia Fundo, sekretari i konsullatës serbe së bashku me të shoqen, dr Nikollaq Zografi së bashku me të shoqen si dhe disa nëpunës të vegjël të konsullatës greke dhe serbe në Korçë. Rreth orës 9 e 30 minuta mbërritën në Pogradec dhe prej andej u nisën për në manastirin e Shën Naumit. U futën në kishë dhe pasi shëtitën manastirin, ujin e bekuar dhe varrin e Shën Naumit duke kryer ritualet fetare dhe afër drekës u ulën për të drekuar por në çast marrin një njoftim nga qyteti i Ohrit se është nisur me një skaf prefekti i Ohrit, si dhe një kolonel i ushtrisë. Nuk vazhdoi as një orë dhe tek manastiri mbërritën nga Ohri Prefekti dhe koloneli i ushtrisë Jugosllave. Në një nga ambientet e manastirit u shtrua dreka rreth orës 13 dhe nuk zgjati shumë, e cila kaloj në mënyrë shumë të gëzueshme dhe me shumë humor. Vizitorët sapo mbaroi dreka dolën jashtë dhe dalluan të ankoruar buzë liqenit atë tip skafi që kishte ardhur prefekti i Ohrit dhe koloneli. Disa nga gratë propozuan që të bënin një shëtitje në liqen. Rreth orës 14 e 30 minuta të gjithë u vendosën tek kabina e skafit gjithsej 9 persona. U nisën drejt burimeve të Drinit dhe ishin larguar rreth 100m nga bregu kur papritur drejtuesi i skafit merr një kthesë të papritur duke hedhur në ujin e liqenit pasagjerët rreth 6 m larg skafit skafi ishte anuar dhe të parët që ranë në ujë ishin doktor Aristidhi dhe doktor Zografi dhe po ngjiteshin në skaf kur vijnë klithma nga të tjerët që mundoheshin me not t`i afroheshin skafit por për fat të keq asnjëri prej tyre nuk dinte not mirë. Paniku ishte i madh klithma dhe tmerr. Njerëzit e Manastirit me telefon kërkuan ndihmë nga Pogradeci dhe nga Ohri. Nga të gjithë personat që ishin në skaf me not doli vetëm prefekti i Ohrit, i cili sapo doli në breg hoqi rrobat dhe u fut për të shpëtuar dhe konsulli serb i Korçës, i cili doli me anën e një kamerdare emergjence që kishte skafi. Ndërkohë që kambanat e manastirit binin pa pushim. Konsulli serb rifutet në liqen për të shpëtuar gruan e sekretarit të konsullatës serbe, por sapo i afrohet asaj ishte në rrezik edhe sekretari i konsullatës serbe kështu që ata ngelën të tre në fund të liqenit. Tashmë në sipërfaqen e liqenit mungonin edhe Niko Polen e fejuara e tij Julia Fundo dhe koloneli serb dhe konsulli grek. Pas 20 minutash iu vjen një barkë nga Shën Naumi, por ishte tepër vonë. Ndërkohë që nga Pogradeci vjen një skaf në ndihmë por gjithçka kishte mbaruar bilanci ishte krejt tragjik 9 persona të mbytu ;Konsulli grek Jean dhe zonja e tij Llazarou, Niko Polen dhe e fejuara e tij Julia Fundo, Zonja Margarita e Gaqo Turtulli, zonja e sekretarit të konsullatës serbe të Korçës, prefekti i Ohrit si dhe koloneli i ushtrisë serbe dhe një marinar i skafit. Rreth ngjarjes tragjike Jugosllavët nuk zhvilluan asnjë ekspertizë. Por shumë indinjuese ishte se të mbyturit shqiptarë u lanë jashtë në anën e bregut të liqenit në rërë ndërsa ata serbë dhe grekë u futën në një nga dhomat e manastirit. Nga ana tjetër autoritete jugosllave e fshehën përgjegjësinë e hoqën gjatë natës skafin e prishur nga vendngjarja. Krejt faji ka qenë i drejtuesit të skafit, i cili i hodhi në ujë pasagjerët me veprimet e tij duke e ngarë me kolpo skafin dhe duke marrë kthesa të menjëhershme. Ngjarja me të gjitha këto hollësi ka ngjallur indinjatë të madhe tek banorët e Korçës që me dhimbje të madhe përcollën për në banesën e fundit Niko Polenën dhe Julia Fundon. 
Tragjedia e shokëve të klasës
Ata ishin katër shokë klase që kishin qenë që në gjimnaz dhe kishin profesione të ndryshme. Mjeku Gjergji Topalli që në fëmijëri kishte hobi gjuetinë e peshkut dhe enkas para pak ditësh kishte ndërtuar një varkë për të gjuajtur peshk. Ai takon paraditen e 27 prillit të vitit 1993 tre shokët e klasës së gjimnazit ing e ndërtimit Koço Ruvina, doganierin Qazim Zgjani dhe ing Nuçi Icka pasi pinë një kafe Gjergji iu bën një ftesë për të parë varkën e tij, të sapo ndërtuar që e kishte ankoruar fare pranë hotel turizmit. Vendosën që të futen pasdreke në liqen për gjueti korani më tepër për t’u argëtuar. Por në orët e pasdites kur kanë qenë në drejtim të fshatit Hudënisht varka ka filluar të fusë ujë dhe me gjithë thirrjet e tyre në drejtim të bregut të janë mbytur në liqen mjeku Gjergji Topalli babai i dy vajzave të vogla atëherë ishte 30 vjeç, Koço Ruvina ing i urbanistikës së qytetit edhe Koçua kishte dy fëmijë të vegjël dhe Qazim Zgjani i pamartuar dhe të nesërmen është gjetur mbi bazamentin e varkës të kthyer përmbys ing Nuçi Icka në mes të liqenit, i cili ka qenë i traumatizuar dhe i ngrirë por pa asnjë pasojë. Ai nuk tregon asnjë fjalë rreth asaj tragjedie dhe përveç shpjegimeve që ka dhënë në prokurori të cilat nuk janë bërë publike. Me gjithë interesimin e familjarëve të personave të mbytur ai nuk ka treguar asgjë. Por tragjedia mori përpjesëtime më të mëdha pasi trupat e tyre nuk u gjendën në liqen dhe vetëm pas një muaj Baskia e qytetit organizoi një promemorie duke hedhur tufa lulesh në liqen. Ata ngelën pa një varr…vetëm pas disa muajsh në breg të liqenit u gjend një xhaketë e njërit prej të mbyturve…Dhe tragjedia vazhdon pas dy vitesh, kur një mësues historie, Kozma Burnazi kishte dalë për gjueti edhe ai u mbyt në liqen aksidentalisht edhe trupi i tij nuk u gjend 
Mister i dy djemve të Linit 
Erio Bice student në ekonomik në Elbasan dhe gjimnazisti Klarent Qyshko mbytjen e tyre e kanë të veshur vërtet me një mister që i kalon përmasat e një tragjedie. Erion Bice kishte epitetin si “Ujku i liqenit “dhe varka e tij me jastëkë anash ajri dhe motorë të fuqishëm dhe konstruksion metalik kishte dhënë prova se nuk mund të mbytej. Vetëm disa muaj para aksidentit në vjeshtën e vitit 2000 kur ata u deklaruan nga policia se janë mbytur, Erion Bicja në ujërat territoriale ndiqet nga një skaf i policisë maqedonase që patrullonte në liqen madje edhe i hapin zjarr në muajin prill të vitit 2000 por Erioni ia lidh timonin varkës në drejtim të bregut të fshatit Lin dhe e lëshon me motor të ndezur ndërsa vetë hidhet në liqen dhe del me not duke notuar në një distancë të gjatë ndonëse uji i liqenit në muajin prill ishte shumë i ftohtë. Ky person Erion Bice vetëm pas pak muaj në vjeshtën e po atij viti së bashku me gjimnazistin Klarent Qyshko zhduket në mesnatë në liqen duke gjuajtur peshk. Atë natë thonë banorët e fshatit Lin kishte të shtëna në liqen dhe është mbytur në drejtim të fshatit Lin një maqedonas Mile quhej ai iu merrte në liqen vendasve peshk koran takimi bëhej natën në ujërat territoriale tek shenja e kufirit midis dy shteteve. Mile sapo mori peshkun në varkën e tij ka marrë një sasi shumë të madhe rreth 3 kv, thonë peshkatarët e Linit, e zë një dallgë dhe ai njofton për ndihmë në Strugë miqtë e tij se po mbytem, pas pak vjen skafi i policisë maqedonase, por ai ishte mbytur, ndërkohë që atë natë pranë maqedonasit Mile ka qenë duke gjuajtur peshk Erion Bice dhe Klarent Qyshko. Banorët kanë dëgjuar të shtëna. Babai i Klarent Qyshkos, Gaqua thotë se e ka kërkuar djalin e tij përgjatë gjithë bregut por nuk ka parë asnjë shenjë të dyshimtë apo ndonjë send, madje edhe nga policia maqedonase nuk ka pasur një përgjigje zyrtare. Ndonëse po kalojnë 7 vjet prindërit e tyre nuk binden se fëmijët e tyre janë mbytur në liqen. 
Një kafkë njeriu në rrjetat e peshkatarëve 
Në 24 shtator të vitit 2003 disa peshkatarë pogradecarë gjatë mbledhjes së rrjetave të peshkimit në liqen midis peshqve të kapur u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila kishte vetëm pak flokë në pjesën e prapme dhe i mungonte nofulla e sipërme e krahut të djathtë. Tek të gjitha familjet që kishin humbur të afërmit në liqen u krijua një ankth i paparë madje një pjesë prej tyre kërkuan me ngulm identifikimin e saj dhe të paktën ai që e kishte të kishte një shenjë prej të afërmit apo një varr ku të qante. Por policia kriminale nuk mund të identifikojë kafkën me anën e fotove në kompjuter pasi mungonin nofullat dhe ADN-ja nëpërmjet flokëve nuk iu bë pasi kushtonte shumë dhe kështu kafka ngeli në frigoriferët e kriminalistikës në Tiranë. Por përveç personave të mbytur aksidentalisht në liqen ka pasur në vitet 1980 që liqeni ka nxjerrë pjesë trupi të dy personave njëri nga fshati Potgorie, i cili punonte në Pogradec dhe një i ri nga qyteti i Pogradecit, që ende nuk janë zbuluar …Megjithatë kafka solli shumë pështjellime në familjet që kanë pasur tragjedi në liqenin e Pogradecit. Vetëm në vitin 2006 nuk ka pasur asnjë të mbytur në liqen. Është një fakt i hidhur që, në liqen përveç të mbyturve aksidentalisht, aty janë mbytur edhe shumë persona me depresion dhe janë hedhur edhe shumë foshnja të padëshiruara të nga nëna të reja apo ato që nuk kishin mundësi ekonomike për t’i mbajtur …Nuk mbahet mend asnjë verë pa aksidente në liqen që kanë përfunduar me humbje të jetës. Vetëm vera 2016 që sapo kaloj nuk ka pasur asnjë mbytje në liqen ….. Në vitin 2009 në afërsi të fshatit Piskupat është gjetur një kokë njeriu e prerë nga një peshkatar, i cili sapo e ka parë në rrjetën e peshkimit e ka hedhur përsëri në liqen i tmerruar…
Bardhyl Berberi
Sigal