Tonin Tërshana: Nuk harroj, Tonin Arapin, Qemal Kërtushën dhe  Nikola Zoraqin

988
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur “Mjeshtri i Madh” Tonin Tërshana:  Festivali u dënua për tendencën e modernizimit

E takoj vazhdimisht tek TKOB, ku ai, lë takimet me shokët. Gjithmonë i dashur dhe me humor. Këngën s’e lë për asnjë çast, ashtu sikundër mundohet të jetë në korrent të gjitha ngjarjeve muzikore. Në vitin 1993 shkon emigrant në Greqi. Para disa kohësh Presidenti Topi i jep titullin e lartë “Mjeshtri i Madh”, titull të cilin ai e ka merituar me kohë.

 Si i realizove njohjet me kompozitorët e mëdhenj?

Eh, kujtime të bukura. Një natë tek bar “Sahati” më thirrën në një tavolinë. Ishte gusht. Burrat në tavolinë më thanë:- “Sa bukur këndon ti. Do të provojmë njëherë në radio, do vish nesër”. Për moshën unë nuk isha shumë koshient se çfarë po bëja. Shkova në Radio dhe aty njoha se kush ishin Tonin Arapi, Nikola Zoraqi etj.. Pasi më prezantuan me ‘ta më thanë këndo ndonjë këngë. Unë këndova një këngë të Tonin Arapit. Unë duke parë reagimet e tyre mendoj se ata u habitën. Edhe një këngë tjetër. Në shtator më thanë do të marrim tek anketa e parë e Radio- Tiranës. Në atë vit filloi anketa për herë të parë. Këndova një këngë me titull “Gjeologët”. Unë tekstin dhe muzikën e mësova jo më shumë se dy orë. E inçizova këngën në radio dhe të nesërmen do të dilte kënga tek anketa e parë që ishte ditë e diel. Në këtë anketë fitoi Vaçe Zela këngën e gjyshes të Agim Krajkës. Por dhe unë debutova me shumë sukses, u pëlqeva. Kam ndenjur dhe një javë në Tiranë dhe pastaj ika në Shkodër se fillova punë. Për kë këngëtar ke pasur simpati në atë kohë? Kam pasur një simpati të veçantë për Qemal Kërtushën. Unë e kisha ëndërr të bëhesha si Qemal Kërtusha. Edhe këngët italiane më pëlqenin shumë.

 Si i mbajtët lidhjet me Tiranën?

Para se të ikja më morën adresën ku jetoj. U futa përsëri në punë dhe u stabilizova mirë. Më ndihmuan shumë si kompozitori i këngës “Lumturia nuk harrohet”. Ky më ka ndihmuar në ndërtimin e vokalit. Në Shkodër punova një vit, kur më bëjnë telegram në shtëpi që të paraqitem në Tiranë se jeni i caktuar të merrni pjesë në festival. Ka qenë viti 1965. Ky ishte Festivali i 4-rt në Radio. Paraqitem në radio dhe takohem me Tonin Arapin. Më sistemuan në hotel. Tonini ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme me mua. Më jepte udhëzime për çdo gjë. Ishte shumë i duruar. Ai ishte nën ethet e Festivalit, ndërsa unë s’i jepja dhe aq rëndësi. Isha vetëm 16 vjeç. Tonini më udhëzonte për mënyrën e të kënduarit, vokalin qëndrimin. Pasi e mësova këngën më dukej vetja si i tepërt dhe unë ika në Shkodër. Tonini më kërkonte në Tiranë unë isha në Shkodër. Ishin ditët e përgatitjes.

 Ju u ngjitët në skenën e Festivalit të 4-rt në Radio- Tirana, cili ishte suksesi?

Dua të them se ishte festivali i parë për mua. Fillova të kem emocion. Në atë festival unë kisha tre këngë si “Qesh vogëlushi im”, këngën që fitova “Të dua o det” dhe një këngë tjetër. Një këngë u hoq dhe unë këndova dy këngë. Të dyja janë pritur shumë mirë. Me këngët kam dalë mbi 7 herë me duartrokitjet e spektatorit. “Të dua o det” fitoi çmim të parë. Pra ishte festivali i parë, ku unë mora pjesë dhe fitova Çmimin e Parë në atë festival. Kënga ka qenë “Të dua o det” e kompozitorit Tonin Arapi. Marie Kraja ka thënë se doli një gjigant i madh i këngës në moshë të vogël. Këtë ma kanë thënë se, unë nuk e kam dëgjuar. Favori im ka qenë se unë kam qenë bashkëpunues i muzikantëve dhe kompozitorëve shumë të mirë si: Kujtim Laro, Limoz Dizdarit dhe këngëtarëve si Fatmira Buka, Qemal Kërtusha e shumë të tjerë.

 Të bëjmë krahasimet…Si do t’i krahasonit festivalet e atëhershme me ato të sotmet? Po për Festivalin e 11-të çfarë do na thoni?

Ka shumë ndryshime. Unë dëgjoj shumë këngë, por nuk më ngjit asnjëra në këto kohët e sotme. Në festivalet e mëparshëm të paktën 4-5 këngë mbeteshin dhe këndoheshin nga të gjithë edhe më mbrapa. Ndërsa Festivali i 11-të është zhvilluar në vitin 1972 dhe për mua mbetet një ndër festivalet më të mirë. Një festival me frymë tjetër. Unë kam kënduar një këngë të kompozitorit Pjetër Gaci. Edhe në këtë Festival të 11-të unë fitova Çmimin e Parë. Për mua ishte hera e tretë që fitoja Çmimin e Parë. Titulli i këngës ishte “Kur vjen pranvera”.Teksti ishte i Fatos Arapit. Çmimet e para i kam marrë në festivalin e 4, 10, 11-të. Ky Festival përbënte një risi në mënyrën e ideimit të skenës, të skenarit të orkestrës. Një festival që përbënte një avancim pak më të madh për muzikën shqiptare. Pas tij pati shumë diskutime. Pati shumë debate. Unë që fitova Çmim të Parë nuk pata asnjë problem.

 Sipas jush, cila ishte pika më delikate e kritikës që ju bë Festivalit të 11-të?

Festivali u dënua për tendencën e modernizimit. Edhe tekstet ishin më të avancuara në krahasim me të mëparshmet. Ishin pa ideologji, larg klisheve dhe përmbajtjes së theksuar partiake, kishin më shumë frymë perëndimore. Partia e dënoi festivalin komplet dhe dënoi edhe disa organizues të saj. U dënuan Mihallaq Luarasi, Todi Lubonja që ishte drejtor i përgjithshëm dhe këngëtarë të tjerë. Të gjithë përgjegjësinë e kanë mbajtur realizuesit. Në atë kohë për festivalet nuk gjeje bileta. Ne merrnim nga dy ftesa. Kërkesat ishin të mëdha. Kur vinim në sallën e Operës ishin policët me radhë. Turma të mëdha ishin jashtë.

Albert Zholi