Timo Mërkuri/ Një shkrim i dëshpëruar…

530
Artikulli “Respektojmë krijimtarinë popullore dhe jo Iso-polifoninë”, me autor Fitim Çaushin, botuar te Gazeta “Telegraf” e datës 21 nëntor 2015, ngjason më shumë me një klithmë dëshpërimi, sesa me një analizë kritike vizionare. Ky shkrim, po ta shohësh hollësisht është thjesht ripërtëritje e tezave të hedhura në shumë shkrime të tjera të këtij autori, si dhe të trajtuara gjerësisht në librin e tij “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, ku në çdo rast ka marrë dhe përgjigjen e duhur. Por ajo që është e re në këtë shkrim, është doza e madhe e dëshpërimit, me të cilën është shkruar, dëshpërim që e ka çuar autorin në ripërsëritje akuzash, ngatërrim tezash si dhe epitete jashtë çdo etike qytetare. Ky dëshpërim e ka burimin te afrimi dhe organizimi festiv i 10- vjetorit të njohjes nga UNESCO të Iso-polifonisë, si kryevepër e njerëzimit dhe certifikimin e Akademikut Vaso Tole, si “Qytetar Nderi” i qytetit të Gjirokastrës në datën 25 nëntor 2015. 
Të dyja këto evenimente janë burim frymëzimi dhe angazhimi për njerëzit e fushës së artit popullor dhe miq të Vaso Toles dhe si të tilla priten me gëzim. Artikullshkruesi, duke mos qenë dakord me asnjë nga këto vente dhe duke parë te këto festime për 10-vjetorin e njohjes nga UNESCO të Iso-polifonisë, si kryevepër e njerëzimit dhe te vlerësimi i Vaso Toles me titull qytetar, pikërisht nga një qytet elitar në sferën intelektuale, në përgjithësi dhe të artit popullor, në veçanti, pra duke parë te këto dy evente një përgjigje për sulmet e vazhdueshme të tij, ndaj Iso-polifonisë dhe Akademikut Vaso Tole, në vend që të respektojë, duke heshtur, gëzimin kombëtar për 10-vjetorin e Iso-polifonisë dhe gëzimin e një pjese të madhe artdashësish e lëvruesish të folkartit popullor shqiptar, i dëshpëruar kalon në deklarime jo etike, kur shkruan….Futja në UNESCO e këtij tjetërsimi (Iso-polifoni në vend të polifoni) fetishizohet nga disa …laro të Toles. E pyesim artikullshkruesin se kush është…laro…? 
a-UNESCO…., që e shpalli Iso-polifoninë si kryevepër të njerëzimit, duke fetishizuar (në fakt vlerësuar) krijimtarinë popullore shqiptare
b-Këshilli Bashkiak i Qytetit të Gjirokastrës…., që i akordon Akademikut titullin e lartë “Qytetar Nderi”, duke fetishizuar (në fakt vlerësuar objektivisht) kontributin e tij.
c-Populli shqiptar…., që me të drejtë krenohet se ka katër kryevepra të njerëzimit, një nga të cilat është Iso-polifonia dhe me birin e tij Vaso Tolen.
ç-Ata dhjetëra mijëra artdashës e artlëvrues…., që u gëzohen të dy këtyre eventeve dhe e festojnë 25 nëntorin si datë të shenjtë.
Mjafton ta shikojë në këtë këndvështrim problemin artikullshkruesi dhe ja jep vetë, vetes përgjigjen, duke u kërkuar edhe një ndjesë publike lexuesve. Ndërsa unë do ta ftoja të bëhej pjesë e këtij gëzimi mbarëpopullor, në jubileun e Iso-polifonisë dhe qytetarisht të uronte Akademikun e nderuar për titullin e lartë, të akorduar nga qyteti i Gjirokastrës. Dhe unë e siguroj, se qyteti i Gjirokastrës, të peshon e të mat mirë para se të të japë edhe një…fjalë lavdërimi, e jo më një titull “Qytetar Nderi”. Këtë titull Vaso Tole e ka merituar. Duke e marrë nga qyteti i Gjirokastrës, ai është i nderuar dhe vlerësuar dhe bashkë me të, ndjehen të vlerësuar e të nderuar edhe ata dhjetëra mijëra artdashës e artlëvrues të artit gojor popullor. Qyteti i Gjirokastrës tregoi edhe njëherë, se është vërtet kryeqyteti (i pashpallur) i kulturës, dijes dhe qytetarisë. 
Sarandë, më 22 nëntor 2015
Sigal