Timo Koka:Ju them se si i njoh nga Kuvendi Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun

711
Sigal

INTERVISTA/  Flet ish- kameramani i TVSH, Timo Koka

Unë kam filluar punë në vitin 1972. Ishte nëntor. Nëpër studio zotëronin kamerat kineze  si dhe ndriçimi kinez. Por duhet të them se prodhimi ishte kinez, pasi teknologjia ishte amerikane, të marra nga RCA. Kishte dhe dy studio lëvizëse franceze “Tomson”. Për kohën ato ishin studio shumë të mira. Me ato që ishin ne bënim punë shumë të mëdha.

 Kush ishte drejtor në atë kohë?

Drejtor ishte Klimi Mishja. Ishte një burrë i qetë, i organizuar që s’të binte në qafë kurse pjesa tjetër e drejtuesve ishte Kadri Metohu, i cili kishte mbaruar studimet në Çeki. Ishte një intelektual shumë i zoti, shumë komunikues, një njeri i mrekullueshëm. Kishte dije të gjera dhe punonte shumë.

 Kur pati hov punë në TVSH?

Kur erdhi Drejtor Marash Hajati. Ai filloi të bëjë revolucion në mënyrën e sjelljes, në programet, në rubrikat. Një gjë që ra në sy menjëherë me ardhjen e tij ishte se ai i dha përparësi regjistrimeve të dramave dhe të estradave nëpër rrethe. Deri dje këto ishin në hije. Atëherë çdo teatër në rrethe prodhonte deri katër premiera në vit.

 Cilët regjisorë të asaj kohe mbani mend që solli një erë të re në televizion?

 Ishte Mevlan Shanaj, Albert Minga. Vladimir Prifti, Vladimir Kasa, etj…Por dua të shtoj edhe Ylli Pepon. Këta regjisorë bënë një punë shumë të madhe në televizion. Dua të them se atë kohë të gjithë punonin me përkushtim. TVSH ishte i vetmi televizion i asaj kohe dhe drejtuesit ishin në këmbë apo në krye të punës. Atëherë shpërblimi moral ishte i vetmi, pasi shpërblimi material ishte inegzistent. Të gjithë punonin në grup, të gjithë punonin pa hile dhe pa përtim. Kishte ca rregulla të qarta. Askush nuk mund t’i thyente ato.

 Ato kamera a ishin profesionale?

 Kamerat me sa dinim ne ishin të kohës. Ne përpiqeshim t’i mbanim si sytë e ballit. Asnjëherë nuk abuzonim me to. I shihnim si fëmijë. Me ato kamera ne kemi realizuar spektakle të mëdha, filma televiziv, kemi filmuar të gjitha dramat e Teatrit Kombëtar, por dhe estradat apo dramat apo komeditë nëpër rrethe. Kamerat janë të ndara në dy: Kamerat e filmit dhe kamerat elektronike. Elektronika ka tjetër aftësi pune. Kamerat kineze që ishin me kurdisje kishin 30 m film pastaj erdhën  kamerat që kishin 100 m film, etj.. Këto i përdorëm deri në  vitet 1980.

Mbas viteve 1980 filloi elektronika. Elektronika erdhi me kamera të ndryshme. Ishin të rënda nga 14-20 kg, por ishin më cilësore dhe kursimtare. Norma ishte 1:2 dhe 1:3. Duhej të harxhohej afërsisht 600 m film deri 1200 m film. Mbas viteve ‘80 filluam me filmin elektronik me ngjyra.

  Sa vjet punove në Tvsh?

Plot 41 vjet punë. Sa si mbaj mend. Më duket si një ëndërr që jam larguar, pra që dola në pension. Aty jam rritur dhe kam pasur gjithë jetën time me të mirat dhe të këqijat e saj.

 Po në Kuvend sa vite xhirove apo transmetove?

 Plot 20 vjet, që në vitin 1972 dhe deri në vitin 1992.Pra me kamer në dorë unë isha sa herë mblidhej në seancë plenare Kuvendi i Shqipërisë. Nga televizioni të përhershëm ishim unë dhe gazetari, apo regjisori Kujtim Meçaj.

  Si zhvillohej një seancë plenare në atë kohë?

Me rregull disiplinë. Asgjë nuk pipëtinte. Rregulli ishte i padiskutueshëm. As mund të krahasohet me këtë sot. Ku kishte atëherë fjalë fyese, apo shkelma, thyerje  karrigesh, aq më tepër pistoleta në Parlament. As i merrje me mend. Sot çuditesh. Sot Parlamenti është një zhurmnajë pa din e pa iman.

 Kur hynte Enver Hoxha në Kuvend?

Enveri hynte i fundit. Sa hynte ai, gjithë salla ngrihej në këmbë dhe duartrokiste. Deri sa ai ulej të gjithë ishin në këmbë duke duartrokitur. I pari çohej Mehmet Shehu, pasi e shihte që larg që ai po afrohej. Gjithë seanca zhvillohej në rregull dhe në qetësi të plotë. As miza nuk dëgjohej pa le më karrigia.

 Çfarë bënte Enveri gjatë gjithë kohës?

Dëgjonte me vëmendje dhe mbante shënime. Vinte i veshur bukur dhe me sqimë. Çdo gjë tek ai ishte korrekte. Edhe kameran e përpinte. Kur mbaronte seanca ai dilte para sallës dhe takonte të gjithë të rreshtit të parë. Pastaj afroheshin të gjithë deputetët që t’i jepnin dorën

  Po Mehmeti si reagonte?

Dukej hapur se ai kishte një respekt të madh për Enverin. Të paktën unë shpreh impresionet e mia me sa e kam parë. Gjithmonë ai çohej pas Enverit dhe e shoqëronte kudo. Gjatë gjithë kohës ai vetëm shkruante dhe hidhte herë pas herë një sy nga Enveri.

 Ka pasur raste që ka pas debate të ashpra në Kuvend?

Ka pasur raste kur Enveri e ngrinte zërin për ndonjë mosrealizim. Por nuk kishte debate. Fjala e Enverit ishte ligj. Unë sot e kuptoj që ai kishte autoritarizëm të tepruar. Kur shoh sot se si zihen deputetët qesh me vete. Kujt ja mbante atëherë të zihej me Enverin apo me Mehmetin.

 Ka pasur raste që Enveri nuk vinte në Kuvend?

Po, ka pasur. Atëherë të gjitha i merrte përsipër Mehmeti. Por në këto raste nuk ishin ato ovacione si kur vinte Enveri. Kishte një tulatje tek deputetët kur mungonte ai. Edhe në fund të seancës kur duartrokisnin nuk ishte ajo atmosferë edhe pse sërishmi thërrisnin “Parti-Enver”

 Ke ndonjë kujtim të veçantë me Ramiz Alinë?

 Një ditë në TVSH kishte ardhur për një takim me kuadrin ish- udhëheqësi Ramiz Alia.  Në takim u diskutuan shumë probleme, ku midis të tjerave edhe modernizimi i TVSH-së. Ramizi dha fjalën se, do të ndihmonte. Kur do dilnin unë isha duke qëndruar tek dera e televizionit. Sapo del Ramizi i shoqëruar nga Marash Hajati, tek dera polici roje dhe një civil që ishte roja i dytë për personelin që kontrollonte mos dilnin nga puna, e nderuan ushtarakisht.

Ramizi pyet Marashin, mirë polici po ai civili që nderon si polic, çfarë është kontrolli i personelit. Ata që dalin duhet të lënë adresë ose të paraqesin fletë lejen që u jep eprori, S’më duket e drejtë tha Ramizi, njeriu që do të punojë punon, s’ka nevojë për kontrolle të dyfishta. Pas asaj dite Marashi e hoqi kontrolluesin.

 Çfarë episodesh ke pasur tjetër me Drejtor Marashin?

Marashi kishte një vullnet të çuditshëm. Kishte iniciativë. Gjithmonë bënte diçka të re. Kur shkuam njëherë në Gjirokastër për Festivalin, ai i thoshte kameramanëve se ku të vendoseshin. Një prej tyre i tha që është rrezik në atë pozicion. Atëherë Marashi e mori vetë kamerën dhe u ngjit aty. Pas këtij veprimi ne s’bëmë zë. Kështu na e bëri dhe njëherë në Lezhë, ku do të zhvillohej një Konferencë shkencore për Skënderbeun. Dikush hezitoi të ngjitej në një pozicion të vështirë, atëherë Marashi u ngjit sërishmi vetë.

 Cili ishte mendimi juaj për Marash Hajatin?

Marashi ishte shumë punëtor dhe të krijonte hapësira. Ishte masovik, dhe me mendim. Në sajë të tij televizioni pati shumë emisione të reja. Vishej bukur. Ishte vetë në krye të detyrës. Nuk mbante inat. Ai merrte shumë barrë mbi vete dhe nuk të hidhte kurrë poshtë.

  Po Thanas Nano?

Ishte shumë autoritar. Rrallëherë fliste. Kërkonte një disiplinë shumë, shumë të madhe. Tek ne çdo gjë ishte si në farmaci. Ai vinte nga lufta dhe kishte ato ide për rregullin dhe disiplinën. Nuk afrohej shumë me punonjësit, por ishte shumë i ndershëm dhe korrekt. Nuk të binte në qafë, por në punë s’të falte. Ishte vetë korrektësia. Ai ishte si një udhëheqës i vogël ku në atë kohë televizioni mori pamje të plotë.

 Po nga drejtorët e televizionit kë do të veçoje?

Do të veçoja Virgjil Kulen. Ai ishte shumë i zgjuar, shumë  i pasionuar pas gjuhëve të huaja. Kishte një kulturë të madhe. Kurrë nuk merrte njeri në gojë. Ishte një spiker i shkëlqyer. Por ndryshe nga Marashi, nuk ishte shumë i shoqërueshëm, por dinte të sillej. Nuk harxhonte kohë me të gjithë vend e pa vend, por krijonte ambient të mirë kur qaje hall. Mbante pak distancë që për mua ja jepte vendi i punës. Ai hyri 17 vjeç në televizion dhe u rrit në televizion.

 Ku ishin vështirësitë e fillimeve të asaj kohe?

Ajo që na e bënte të vështirë punën ishte se filmimi nuk lahej tek ne, por në Kinostudio ose në laboratorin e universitetit. Në atë kohë të bëje një dokumentar në një muaj apo 2 muaj ishte një ngjarje shumë e shënuar. Kishte shumë pak aparatura dhe ato ishin tepër të rënda. Kishin vështirësi në manovrim.

 Stacioni i parë në Dajt

Stacioni i parë ishte polak, i cili përfundoi së ndërtuari në vitin 1968. Në vitin 1968 pas ndërtimit të stacionit polak erdhën specialistë francezë sepse mendohej të bëhesh një stacion i fuqishëm që të kalonte kufijtë e Shqipërisë. Me këtë stacion polak mbulohej vetëm Shqipëria e Mesme.

U vendos që të bëhej stacioni i madh në majë të malit të Dajtit që është edhe sot. Marrëveshja me Francën u prish dhe ne më vonë u lidhëm me kinezët dhe stacioni i Dajtit është teknologji kineze. Ata punuam  shumë  duke studiuar Dajtin. Pastaj me  aparaturat filluan të  shkonin mal më mal të Shqipërisë. Sipas kinezëve në kalatë që ishin ndërtuar në kohën e lashtë siç ishte Petrela e me radhë do viheshin antenat lidhëse. Të gjitha këto do lidheshin me Dajtin, Dajti lidhej me Lezhën dhe Lezha lidhej me grykën e Komanit e kështu me radhë me Shkodrën. Ne me fushëmatësin bëmë shumë matje. Kështu filloi ndërtimi i stacionit në malin e Dajtit në vitin 1971.