Tifozët shqiptare, spektakli i futbollit

1496
Sigal

Nga “Ultras Guerrils” të Partizanit, te “Delegatët” e Lushnjës; nga “Tirona Fantiks”, te “Tigrat verdheblu”

Ndeshjet e futbollit luhen në fushë, atje ku yjet sfidojnë njëri-tjetrin, por në fakt një tjetër “90-minutësh” apo më shumë se aq luhet në tribuna midis tifozerive, të cilat me koreografinë, këngët, pse jo dhe sharjet ndezin atmosferën. Ashtu si në botë, edhe në Shqipëri prej kohësh janë të organizuara grupet e ultrasve, të cilët mbështesin skuadrat e tyre të zemrës, si në ndeshjet brenda ashtu dhe ato jashtë, madje në këto të fundit ndihet edhe më shumë roli i tyre, teksa udhëtojnë të organizuar apo të veçuar, me flamujt dhe simbolet e klubit që ata përfaqësojnë. Thuajse të gjitha ekipet kanë tifogrupet e tyre, madje ato të mëdhatë kanë më shumë se një grupim, të cilët bazohen në raste lagjesh apo njohjesh. Kështu, tre ekipet e kryeqytetit, Tirana, Partizani e Dinano kanë tifogrupet e tyre të njohura si: “Tirona Fanatics” (Tirana); “Ultras Guerrils” (Partizani) dhe “Blue Boys” (Dinamo). Partizani konsiderohet klubi më popullor dhe më shumë tifozë në vendin tonë, madje në çdo qytet të vendit tonë, pas ekipit vendas, të kuqtë ishin zgjedhja e dytë e preferuar. Në Shkodër, grupi më i njohur është “Vllaznit Ultras”, në Korçë, Skëndërbeu mbështetet gjerësisht ngas “Ujqërit e Dëborës”. “Flota Kuqezi” e Flamurtarit jo vetëm që e mbështet klubin, por në disa raste edhe i bën presion atij për të pranuar ose jo lojtarë që ata nuk i kanë më për zemër (rasti i fundit ishte kundërshtimi që ata bënë në lidhje me një ardhje të mundshme të Migen Memellit, deri sa sulmuesi i njohur u bashkua me Partizanin). Në Elbasan janë të njohur “Tigrat Verdheblu”, madje këta të fundit dallohen për koreografinë dhe shpalosjen e banderolave gjigante. “Armata e Veriut” që mbështet Kukësin është tepër aktive në stadiumin e tyre, teksa në ndonjë rast edhe e kanë tejkaluar me sjelljen agresive të tyre, çka e ka detyruar Komisionin e Disiplinës ta pezullojë dy herë nga katër ndeshje stadiumin e Kukësit, “Zeqir Ymeri”. “Djemtë e Detit”, tifogrupi i Teutës udhëton shpesh bashkë me ekipin edhe në ndeshjet më të largëta, dhe të njëjtën gjë bëjnë edhe “Delegatët” e Lushnjës. “Furia verdhezi” e Besës, “Ultras Kastriotët” (Kastrioti) dhe “Ultras Bylis” (Bylis) janë tifogrupet e njohura në vendin tonë.

 Tirona Fanatics (Tirana)

 Ultras Guerrils (Partizani)

 Ujqërit e Dëborës (Skënderbeu)

 Armata e Veriut (Kukësi)

 Flota Kuqezi (Flamurtari)

 Vllaznit Ultras (Vllaznia)

 Blue Boys (Dinamo)

 Tigrat Verdheblu (Elbasani)

 Delegatët (Lushnja)

 Djemtë e Detit (Teuta)

 Ultras Divas (Laçi)

 Furia Verdhezi (Besa)

 Ultras Kastriotet (Kastrioti)

 Ultras Bylis (Bylis)

 “Tifozët Kuq e Zi”

 Janë grupimi më i njohur në mbështetje të Kombëtares sonë të futbollit, por dhe sporteve të tjera. Ata dallohen për organizimin e tyre të veçantë, koreografinë tipike dhe repertorin e madh të këngëve që këndojnë. Banderola më e njohur e tyre është “O sa mirë me qenë shqiptar!”. Grupimi “Tifozët Kuq e Zi” kanë marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ata kanë qenë të pranishëm thuajse në të gjitha ndeshjet e zhvilluara jashtë nga ana e Kombëtares, ku spikasin ato të luajtura në Zvicër, Norvegji, etj..

  Rrjetet sociale

 Thuajse të gjitha tifogrupet kanë faqet e tyre në rrjetin më popullor social në planet, “Facebook”. Përmes tyre, drejtuesit publikojnë komunikata të ndryshme, lajmime për takime, fotogaleri, por shpesh ata janë dhe shpërndarës të informacionit në kohë reale.

  Tifogrupet e të gjitha vendeve të gadishullit provokojnë gjithmonë me djegie flamurësh

 Tifozët e Ballkanit, një histori urrejtjeje dhe dhune

 Ballkani mbetet një vatër e trazuar, jo vetëm për shkak të tendencave të theksuara nacionaliste me sfond politik, por dhe qëndrimeve të tifozëve në shkallët e stadiumeve, ku agresiviteti  tejkalohet nga ultrasit, e ku nuk mungojnë djegiet e flamujve, sherre midis grupimeve kundërshtare, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe me vdekjen e tifozëve të ekipeve kundërshtare. Historia e grupeve ultras dhe tendencës së sjelljeve të tyre – këtu përjashtohet koreografia spektakolare e tifozëve gjatë ndeshjeve  – është e njohur për rivalitetin ndaj tifozëve kundërshtarë, me synimin për t’i poshtëruar apo dominuar mbi ta. Edhe pse gjerësisht qëndrimet e ultrasve janë apolitike, në raste të caktuara ato janë të lidhura me politikë, qoftë të krahut të majtë apo të djathtë. Çështja të tilla si racizmi, anti-racizmi, nacionalizmi apo dhe anti-kapitalizmi kanë qenë të pranishme në stadiume. Nga ana tjetër, grupet ultras kanë qenë tradicionalisht kundër komercializimit të futbollit. Veçanërisht në vendet e Europës Qendrore, Lindore apo dhe Jugore, nacionalizmi ka qenë një element thelbësor në qëndrimet e grupeve ultrase. Ultrasit shpesh shfaqin flamuj, banderola dhe këndojnë këngë duke treguar lidhjen e tyre me rajonin apo vendin e tyre. Nacionalizmi etnik është gjerësisht në shtetet e Ballkanit, ku ultrasit ndihmojnë të mobilizojnë e nxisin ndjenjat e tyre, e që reflektojnë ndasitë e thella midis këtyre vendeve, sidomos të atyre që janë përshirë në luftërat e fundit të Ballkanit. Në Serbi, fansat e “Crevena Zvezdës, “Delija”, dhe ata kroatë të Dinamos së Zagrebit (Bad Blue Boys – Djemtë e Këqij Blu) janë më të famshmit në këtë aspekt. Krenaria rajonale është e dukshme në grupe të ndryshme ultras rreth e qark Europës Qendrore dhe Lindore. Tifozët e klubit qipriot, APOEl, gjithmonë shfaqin flamuj grekë dhe këndojnë këngë për të treguar nacionalitetin e tyre grek. Fansat e klubeve polake nga Silesia (GKS Katovice, Ruch Chorzov, Polonia Bytom, Gornik Zabrze) e shfaqin në mënyrë krenare lidhjen e tyre me rajonin. E njëjta gjë ndodh edhe me klubet nga Çekia, Prague–Sparta e Pragës, Silesia, Banik Ostrava dhe Opava. Në librin e tij, “Si futbolli shpjegon botën”, Franklin Foer, përshkruan rivalitetin midis serbëve dhe kroatëve, si një “armiqësi të re, apo të vjetër, një armiqësi që mund të shihet dukshëm në stadiumet e futbollit”. Fansat e futbollit këndojnë këngë që kujtojnë ngjarje apo evokojnë momente të caktuara, e sidomos “kasaphanat” midis dy vendeve gjatë Luftës në Jugosllavi. Ultrasit e Crevena Zvezdës së Beogradit, “Delije” (Heronjtë), formojnë bazën e “Tigrave” të Arkanit, një grupimi serb paraushtarak, i cili është implikuar në shumë akte terrori gjatë Luftës në Jugosllavi. Ndeshjet derbi midis skuadrave të të njëjtit qytet shfrytëzohen në mënyrë maksimale nga ana e ultrasve. Ky tip tifozi, i organizuar në grupe fansash të identifikuar, u shfaq fuqishëm në Itali gjatë viteve 1960, kur klubet e futbollit reduktuan çmimet e biletave në disa zona të caktuara të stadiumeve. Përpara ndeshjeve të mëdha, shumica e grupeve ultra përgatisin koreografi me përmasa të mëdha, kur ekipet hyjnë në fushë. Në varësi të madhësisë, bazuar dhe në kapacitetin financiar të grupit, shfaqja koreografike e ultrasve paraqitet pikërisht në seksionin që është ulur grupi. Shpesh pjesë të vogla letre apo plastike mbahen në duar për të krijuar një imazh të paracaktuar, në të cilën ka figura apo mesazh. Materiale të tjera janë balonat, tullumbacet, banerat e mëdhenj, fishekzjarrët, bomba tymuese, madje dhe kukullat gjigante. Paraqitjet për ndeshjet e mëdha, shpesh nisin disa muaj më parë. Janë nga më të çuditshmet përsa u përket mesazheve që përmbajnë dhe përcjellin. Ka thirrje motivuese për skuadrën e zemrës, por dhe fyerje ironike për kundërshtarin. Grupet ultras këndojnë më zë të lartë gjatë gjithë ndeshjes, dhe çdo grup ka disa këngë tipike të tyre që këndon. Meloditë janë nga këngët më popullore. Në shumicën e rasteve, lideri i grupit përdor një megafon, duke koordinuar të gjithë aktivitetin e grupit, përfshirë këngët, sharjet dhe banerat që ekspozohen. Faqet e internetit luajnë një rol të madh në lëvizjet e ultrasve.