Thyhen heshtjen – Bob Dylan pas 5 muajsh pranon Çmimin Nobel për Letërsinë

525
Bob Dylan ka vendosur më në fund të thyejë heshtjen dhe të pranojë Çmimin Nobel për Letërsinë, 5 muaj pas akordimit nga Akademia Suedeze. Kantautori do të takohet këtë fundjavë me përfaqësues të Akademisë, për të zhvilluar një ceremoni private për pranimin e çmimit. Dylan gjithashtu do t’i dërgojë Akademisë një version të regjistruar të një leksioni, kusht ky që fituesit e çmimit Nobel të përfitojnë edhe shpërblimin në para.

Pas 5 muajsh, Bob Dylan do të pranojë Çmimin Nobel për Letërsinë. Lajmi është bërë i ditur nga Akademia Suedeze, përgjegjëse për zgjedhjen e Laureatëve të Nobelit në Letërsi. Kantautori amerikan u shpërblye me këtë çmim tetorin e kaluar për krijimin e shprehjeve të reja poetike në traditën e këngëve amerikane, por ai zgjodhi të mos prononcohej e as të mos merrte pjesë në ceremoninë formale për pranimin e çmimit. Akademia konfirmoi se përfaqësues të saj do të takohen në mënyrë private me Dylan, në kryeqytetin suedez, ku 75-vjeçari do të performojë në dy koncerte këtë fundjavë.

Sidoqoftë, Dylan nuk do të mbajë një leksion personalisht, kusht ky për të marrë shpërblimin prej 910.000 dollarësh që akordohet bashkë me çmimin. Pritet që ai të dërgojë një version të regjistruar më parë.

Profesoreshë Sara Danius, sekretare e përhershme e Akademisë Suedeze konfirmoi se Dylan do të pranojë çmimin në një ceremoni të vogël dhe intime, pa prezencën e medias, sipas dëshirës së vetë kantautorit. Më herët gjatë kësaj jave, profesoresha Danius ishte shprehur se Akademia nuk kishte patur asnjë bisedë telefonike me 75-vjeçarin dhe data 10 qershor do të ishte edhe afati i tij i fundit për të dhënë leksionin, për të marrë paratë e shpërblimit. Por Danius shpjegon se leksione të regjistruara janë dërguar edhe nga fitues të tjerë në të shkuarën, përfshi edhe rastin e Alice Munro në 2013.
Sigal