Thoma Nika: Dyzet vjet në perandorinë e fjalës

698
Mbyllet një vit, së bashku me një bilanc, sepse data 20 dhjetor shënon vlerësimin e gazetarit Thoma Nika, si “Publicisti i vitit 2015, vlerësim që vjen nga “PEGASI-International- Albania”. Natyrisht një vlerësim i merituar për gazetarin e mirënjohur të Sarandës, Thoma Nika. Vlerësim që në njëfarë mënyre vjen edhe për gjithë gazetarinë e Sarandës për ecurinë e saj në vite. Po kush është Thoma Nika? Thoma Nika ka lindur më 12 qershor 1953, në qytetin e Sarandës, ku dhe kreu arsimin e detyruar dhe atë të mesëm, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike të Universitetit të Tiranës, dega gazetari. Ka përvojë të gjatë pune në median e shkruar dhe vitet e fundit edhe në atë elektronike. Ndër shkrimet informative ka lëvruar editorialin, komentin dhe reportazhin, i cili është edhe zhanri i parapëlqyer i tij. Ky është përshkrimi biografik i gazetarit, Thoma Nika në faqen 308 të fjalorit të enciklopedisë, “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë”, Tiranë 2005. Por Thoma Nika ka ecur qysh prej botimit të këtij fjalori dhe vijon të eci, sepse sipas tij gazetaria ecën, ecën si kronikane e kohës dhe sistemeve, etapave dhe zhvillimeve njerëzore dhe po ngeci, ka ngecur shoqëria në evolucionin e saj, ndaj kur kjo është e pamundur të ndodhë edhe ecja e gazetarisë është në rrjedhë. Thoma Nika sot është gazetari i nderuar, duke u zgjedhur e u rizgjedhur kryetar i Unionit të Gazetarëve të Sarandës, ndaj sot kolegët e tij janë të vlerësuar me vlerësimin e tij. Të punosh me Thoma Nikën, përveç përgjegjësisë dhe kënaqësisë, merr edhe vlerësimin pa pike tolerance profesionale, aq sa është aksiomë “Të punosh me Thoma Nikën, o bëhesh gazetar, o ndryshe lere lapsin dhe bëj një punë tjetër që di ta bësh më mirë”. Duhen net dhjetori, dhjetor është, por është ditë dhe për Thomain nuk kanë kufi fjalitë. Ky është Thoma Nika, njeriu, shoku, miku, gazetari dhe mësuesi për kolegët e rinj. Thoma Nika, urime nga gazeta “Telegraf”për vlerësimin e merituar! Urime!
Pak më gjerë për aktivitetin e Thoma Nikës dhe vlerësime nga kolegët:
Thoma Nika është një emër i njohur në gazetarinë shqiptare, me një eksperiencë 35-vjeçare në këtë fushë. Gazetaria ishte dhe mbeti pasioni dhe profesioni i përjetshëm i tij. Ajo shkëndijoi si një ëndërr, ende pa qenë maturant i gjimnazit “Hasan Tahsini” të qytetit të vet të lindjes, Sarandës. Ëndrra pasionante u realizua, duke u kthyer në një të drejtë studimi që iu dha në këtë degë të fakultetit të shkencave politiko-juridike në Universitetin e Tiranës. Nën udhëheqjen e Prof Hamit Borici mbrojti temën “Informacioni në gazetari dhe titulli në gazetë”. Gazeta e formatit politik të qytetit të Sarandës, me emrin “Fitorja”, do të bëhej për të shkolla e parë e ushtrimit të gazetarisë si profesion dhe botimi, ku do të guxonte të thyente kornizat partiake, duke përdorur lirinë e të qenit jashtë radhëve të partisë së vetme PPSH, të Hoxhës. Për dy dekada ai do të ishte i pari dhe i vetmi gazetar me diplomë universitare në këtë degë, në gjithë rajonin e Sarandës dhe Delvinës. Megjithatë, përgjegjësia e tij nuk shkoi më tej, se ajo e redaktorit të thjeshtë të kësaj gazete, për shkak të mungesës së besueshmërisë partiake ndaj tij. Edhe në këtë sfond skajshmërisht të politizuar, firma Thoma Nika në faqet e gazetës “Fitorja”, do të bëhej e kërkuar për reportazhet, që sillnin jetë dhe karaktere njerëzore, si dhe për trajtimin me argument e kompetencë të temave të artit, kulturës e ato me karakter social. Kështu do të vazhdonte deri në kufirin e ndryshimit të sistemit politik. Besnikërisht i dashuruar me profesionin e gazetarit, ai nuk e braktisi e nuk e ndërroi atë me asnjë tjetër edhe pasi ndërruan sistemet dhe kur shkolla sovjetike e gazetarisë duhej përmbysur e zëvendësuar nga gazetaria perëndimore, në shërbim të publikut dhe jo si shërbëtore politike. Gazetës “Fitorja” i ndryshoi jo vetëm emri, që u kthye në “Saranda”, por edhe varësia e ngjyrimi thellësisht partiak që kishte, për t’u zyrtarizuar si gazetë e pushtetit vendor të viteve të para pas 1990. Por formatimi i saj, si e tillë, do të ishte një proces i vështirë dhe me jo pak zig-zage. Nuk do të ishte e lehtë të kthehej ajo në një hapësirë lirie e profesionalizmi dhe bashkë me fytyrën, t’i jepej edhe një përmbajtje e re gazetës “Saranda”, për t’u bërë ajo tribunë e fjalës së lirë të gazetarit dhe qytetarit. Këto tipare erdhën në një shkallë të re, kur drejtimin e saj e mori Thoma Nika, në cilësinë e kryeredaktorit të saj, tashmë i certifikuar nga Komisioni Shtetëror si “Gazetar i Kategorisë së Parë”. Por zhvillimet demokratike kishin brishtësi. Mentaliteti i vjetër dhe e kaluara ende kishte pushtet, pa qenë në pushtet. Korrentet politike, në kakofoni me njëra-tjetrën, përplaseshin egërsisht. Ato kërkonin të bënin kurban edhe gazetën “Saranda”, në cilësinë e saj më të qenësishme: paanësia dhe kontrolli i balancave, pasi kjo nuk pëlqehej prej tyre. Kjo situatë e vështirë, për të bërë gazetari në Shqipërinë e viteve pas 1994, bëri që edhe redaksia të ndahej në dy grupime: në misionarë të fjalës së lirë dhe në të thyeshëm, ndaj presioneve e ofertave që vinin nga revanshistë të politikës. Rrugëdalja nga ky rrethim prej mentalitetit bolshevik dhe nacionalist, me veshje pluraliste, nuk mund të ishte tjetër, përveçse një gazetë e re, pa asnjë pikëtakimi me të parën dhe me historinë e saj. Kështu ndodhi që pa dritën e botimit gazeta “Joni”, me kryeredaktor, gazetarin Thoma Nika. Por gazetaria u rikthye në një hobi, pasi puna të përditshme dhe burim të ardhurash për jetesë, Thomai do të kishte fotografinë, duke u bërë pjesë e një studioje profesionale fotografike në qendër të Sarandës. “Joni” vetëm sa do të lindte e do të dilte në disa numra të tij. Trazirat e vitit 1997, nuk mund të kursenin bazën modeste kompjuterike, që ishte ngritur me kontributet vetjake financiare të tre bashkëthemeluesve të gazetës. Edhe studios fotografike iu hodh çelësi në ato kushte, kur digjej Jugu shqiptar, me të njëjtën lehtësi që ndodh të digjet filmi fotografik. Komunikimi u bë nevoja më jetike në ato rrethana. Ishte nevojë dhe merak, që emigrantët të mësonin ç’po bëhej me familjet e tyre në Sarandë e në periferi. Ishin kohëra, kur shtet nuk kishte dhe kur njerëz të këqij, të përfshirë në të quajturit “komitet shpëtimi”, i shpëtonin çdo ndëshkimi për vjedhjet, grabitjet, dhunimet e përdhunimet e deri dhe vrasjet që bënin, kur gjenin rezistencë. Ndodhi të besueshme e të pabesueshme, të ngjara e të pangjara, përhapeshin gojë më gojë dhe të lodhnin psiqikisht, të boshatisnin shpirtërisht. Në vend të atyre njerëzve të mallkuar, nxitoje të quaje “këtë vend të mallkuar”. Situata përcillej edhe më dramatike nga ç’ishte me kronikat e televizioneve greke, që kishin të dërguarit e tyre në Sarandë. Gazetarë, që nuk u ngjanin aspak gazetarëve të luftës, të të gjitha kohërave. Përtej kronikanit, në emër të sensacionit dhe fitimit, ata bënin edhe organizatorin edhe regjisorin e sa, e sa prej tubimeve, plaçkitjeve, zjarrvënieve. Filmonin sipas skenarit të ndërtuar prej atyre vetë disa orë përpara. Dhe ato i shisnin si kronika, që transmetoheshin “në kohë reale” nga Saranda. Mësohej e flitej për ngjarje të rënda, makabre e monstruoze. Për vrasje dhe djegie, për përdhunim të gruas në sy të burrit, për heqje të unazave të dorës së bashku me gishtin, në se e zgjatje. Për ekzekutim të taksistit, që nuk u bind të dorëzonte çelësat e makinës tek maskat e armatosura; për marrje zvarrë të kasafortës së Bankës së shtetit që kishte rënë dhe pastaj hapjen e saj, diku larg me blindë shpuese. Në gjithë këtë vorbull lajmesh të frikshme, ishte i madh meraku i njerëzve që gjendeshin larg të dashurve, sidomos të moshuarve të tyre në Sarandë. Kujt t’i besonin? Po sikur të mundej nga goja e tyre, me zërin e tyre, të dëgjonin se çfarë ndodhte në të vërtetë? Sa afër dhe sa larg rreziqeve të tilla ishin? Dhe, në mundeshin të bënin diçka, për t’i hequr nga rreziku, nga Shqipëria ‘97?! Po si mund të bëhej kjo? Telefonia fikse kishte dalë jashtë pune, ajo celulare nuk kishte lindur. Dhe u gjet e vetmja mundësi. Saranda, si asnjë qytet tjetër shqiptar në ato vite, kishte shansin ta kompensonte këtë mungesë. Valët e telefonisë imobilare, që mundësonin të flisje me botën, sikur të ishe në Korfuz, vinin të pastra e të fuqishme që andej. E kjo ishte si një dritë për t’i ikur territ dhe tmerrit të 1997-ës. Pa pyetur për mentalitetin e uljes së “statusit intelektual” dhe as, se ajo punë ishte me rrezik, Thomai ishte ndër ata që iu bashkua njerëzve që lidhnin njerëzit. Shkohej deri në familjet e prindërve që donin të qetësonin fëmijët e tronditur në emigracion. Kjo bëhej përmes shitjes së impulseve të telefonit celular, me numër grek.
1997-a u la pas. Erdhi një tjetër vit dhe retë e “luftës” u shpërndanë. Jeta do të hynte në rrjedhën e saj normale. Pjesë e këtij normaliteti do të ishte edhe rikthimi tek komunikimi përmes gazetave. Një ditë të vitit 1999 Jugu shqiptar do të bëhej me gazetën e vet rajonale “Dita Jug”. Një zë i sinqertë, që gjeti jo pak lexues, nga Përmeti në Borsh, njerëz të interesuar për të prekur rimëkëmbjen e për t’iu bashkuar mesazhit të përtëritjes së jetës. Thoma Nika ishte korrespondent i saj për Sarandën e Delvinën, prej numrit të saj të parë, deri në vitin 2006, kur doli numri i saj i fundit. Ndërkaq, rikthehet më 2002 gazeta “Joni”, tashmë krejtësisht si sipërmarrje private e Thoma Nikës në fushën e medias. Ai u bë botuesi i gazetës së formatit turistik, që botohej në dy gjuhë (shqip/anglisht), që promovonte asetet turistike e kulturore të Sarandës. “Joni” në format guide, u mbështet nga Fondacioni holandez “Press Now” dhe shpërndahej falas për lexuesit, sipas praktikës më të mirë europiane, që promovonte asetet turistike e kulturore të Sarandës. Thoma Nika do ta përcillte jetën dhe problematikën e Sarandës, duke punuar prej vitit 2002 korrespondent terreni i gazetave kombëtare “Shekulli”, i ATSH (Agjencisë Telegrafike Shqiptare), i gazetës “Shqip” e i Televizionit “Top Channel” e në vijim korrespondent i “Gazeta Shqiptare”. Paralelisht, ka dhënë kontribute profesionale në ngritjen dhe rritjen e shikueshmërisë së televizioneve lokale (Tele “Joni”, “Saranda” e “Riviera”), në të cilët ka drejtuar departamentin e informacionit, si dhe ka moderuar për vite me radhë emisione të rëndësishme si: “Intervista VIP”, “Tendencë” etj. Ai ka kontribute edhe në përgatitjen e gazetarëve të rinj, përmes projekteve të ndryshme, duke udhëhequr botimin e gazetës “Stërkala”, ku debutues ishin pjesëmarrësit në këto kurse trajnimi. Thoma Nika është zgjedhur në krye të komunitetit të gazetarëve të Sarandës, duke u kthyer në faktor afrimi, bashkëpunimi dhe sindikalizmi për kolegët, në përmbushje të votëbesimit të tyre, si kryetar i degës së Unionit të Gazetarëve në Sarandë, detyrë që e kryen prej vitit 2008 e në vijim. Prej fillimit të vitit 2012 mban detyrën e zëdhënësit të Bashkisë së Sarandës. Ka në proces botimi librin “Tetë a tetë”, me publicistike, me 100 intervista në 10-vjet.
Si uron shkrimtarja Vojsava Nelo, nga Milano 
Është çmimi i Shoqatës Ndërkombëtare “PEGASI”, “Publicisti i vitit 2015”, që thotë të tërën.Urime Thoma! I fituar prej teje ky çmim, prestigjioz do të thosha, është një çmim sa për ty dhe familjen tende, aq dhe për miqtë, koleget, ku unë modestisht rreshtoj veten; për të gjithë ata që të kanë mbështetur, që kanë bashkëpunuar me ty, që të kanë nxitur dhe frymëzuar. Dhe sot jemi në një ditë speciale. Në një event special për ty, një gazetar i dimensioneve kombëtare, me një kontribut prej afro 40 vjetësh. Urime! Gazetaria jote, një gazetari e suksesshme, tiparet e së cilës u evidentuan gjithmonë e më shumë duke të profilizuar si një gazetar e si një intelektual elite, nuk ishte e vështire t’i dalloje qysh atëherë, në fillimet e tua. Nuk ishte e vështirë të dalloje njeriun e virtytshëm dhe gazetarin me të ardhme. Si mike, si kolege, jam e gëzuar për vlerësimin që po të bëhet; për çmimin që po të jepet. Për gazetarinë tënde. Për profesionalizmin, devocionin dhe arritjen. Fillesat e kësaj arritjeje, kësaj karriere, që unë dhe besoj jo vetëm e quaj të shkëlqyer, janë aty ku unë të kam njohur për së pari, në mjediset e asaj redaksie që ka lënë gjurmë në jetën tonë. Edhe në timen. I papërtuar për të gjithë, i denjë për të gjithë, i respektuar dhe i vlerësuar nga të gjithë, Thomai është sot një vlerë e çmuar e këtij qyteti të çmuar, e banorëve të tij. E miqve dhe shokëve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, e mbi të gjitha e familjes së tij. Çmimi për të është çmim për punën, talentin, suksesin. Për njeriun që di të bëj më të mirën e mundshme. Më të bukurën. I virtytshëm, me kulturë dhe qytetari, tek Thomai shkëlqen njeriu, pika e artë nga nisin të gjitha vlerat, arritjet, sukseset. Thoma Nika di të jetë njeri i mirë e i respektuar, po aq sa di te jetë një gazetar virtuoz e i vlerësuar. I kudogjendur, vazhdimisht i angazhuar, kontributi i tij ridimensionohet, duke të impresionuar. Ta gëzosh Thoma çmimin, “Publicisti i vitit 2015”! Suksese, shëndet e punë të palodhur si deri sot! Gëzime për të gjithë ju!
E juaja, Vojsava Nelo

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal