Theofil Haxhijani: Si frymëzohesha nga Prokop Mima, Mihal Popi, Enver Dauti, Violeta Manushi, Skënder Sallaku, Melpomeni Çobani

1033
Le ta nisim këtë bisedë lidhur me librin tuaj botuar kohët e fundit “Një mendje, hiç mendje”. Si ju lindi ideja për ta sjellë para lexuesit?
Ideja për shkrimin e këtij libri më ka lindur herët, qysh në shfaqjen e parë në vitin 1965. Fillova të vuaja nga sëmundja e koleksionistomanisë. Talenti është dhunti, është një dhuratë që ta ka falur natyra, por unë krahas kësaj kisha edhe maninë e koleksionit të fotografive dhe kujtimeve pas çdo premiere të shfaqur dhe këtë e bëja me dëshirë. Nuk hoqa dorë qysh në shfaqjen e parë më 1965 e deri sa dola në pension më 1995. Madje kam me ditë e data të caktuara edhe regjistrimet dhe transmetimet e RTSH për premierat e mia. Kam mbledhur të gjitha gazetat e kohës që kanë shkruar për mua. Kam hedhur kujtimet dhe kam formuar një album të pëlqyeshëm,që këto fotografi ilustrojnë këto kujtime dhe kuriozitete nga skena e estradës. Kështu, duke shfletuar herë-pas here albumin, më lindi ideja për librin dhe ja ku i keni në dorë sot disa prej këtyre kujtimeve, që pa frikë them se janë një pjesë e historisë së estradës, të Sarandës po se po, por edhe të Shqipërisë. Është mirë që njeriu të mbajë shënime dhe fotografi gjatë jetës, aq më shumë figurat publike, se i bëjnë një shërbim të madh, kujtesës kombëtare, artistike e çdo lloj fushe ku punon.
Si nisi rruga artistike e Theofilit?
Më udhëhoqi në jetë një fjalë e nënës “Bir, ndiz zjarrin tënd”. Dhe tek unë u ngjall shpirti artistik i Delvinës, kënga e njohur delvinjote së bashku me origjinën time si janinas. Delvina ka këngë karakteristike dhe humor të veçantë me origjinalitetin e vet: “Na bën të qeshim të dy, jo unë të qajë e të qeshësh ti”. Dhe këtë së bashku me qumështin e nënës me origjinë përmetare, u bënë ushqim i përditshëm të cilat zgjuan ëndrrën të merrte rrugëtimin për t’u bërë artist. Krijimtaria kërkon mendje të kulluar e shpirt të shqetësuar. Por njëherazi artisti duhet të ketë shpirt artistik, ndryshe… Jeta është e shkurtër, arti është i gjatë. Arti dhe veprat e artit janë të përjetshme. Arti i vërtetë është gjithmonë i gjallë midis të gjallëve, pasi emocionet, ndjenjat, mendimet, janë dukuri shpirtërore, të cilat mund të kapen drejtpërdrejtë nga shqisat, prandaj arti me mjetet e tij, me anë të fjalës, gjesteve, tingujve, lëvizjeve etj, riprodhon estetikisht ose ndërton botën e imagjinatës duke i fiksuar ato në figura artistike, të cilat nguliten para kujtdo që i shikon. Pra fëmijëria ime është brumi i parë. Siç thashë, në Delvinë të parët e mi u ngulën aty nga vitet 1800-1822 nga fshati Arinista e Janinës në kohën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës dhe Delvina qe qendër e tregtisë. Këtu ndërtuan edhe një han të madh. Nënën e kam nga fshatrat e Përmetit dhe artistin e njohur shkodran, Serafin Fanko e kam djalë teze. Kam shumë kujtime me Serafinin, por komshi kemi qenë edhe me Skënder Sallakun e miqësinë e mbajmë akoma. Në Delvinë rrinim në lagjen “Llaka”, një lagje e qytetëruar, me tradita e me kulturë, me intelektualë të shquar dhe me shtëpi të bukura e të pastra, megjithëse qe lagje qyteti, mbante edhe aromë fshati. Këndoja në shkollë e në shtëpi, këndoja bukur dhe nëna kënaqej shumë kur më dëgjonte dhe me vete thosha “O perëndi, kur kënaq nënën time, pse të mos kënaq edhe të tjerët”. Por mësuesi im, Vasil Talo nuk arriti të zbulonte talentin tim, madje në muzikë më vendosi notën katër. I bija edhe mandolinës dhe dëgjoja pllaka në gramafon. Kështu mbarova 7-vjeçaren dhe shkova në shkollën 2-vjeçare industriale në Memaliaj, ku u diplomova si elektricist. Në ushtri mora patentën e shoferit, por nisesha nga shprehja që “Njeriu kulturohet duke lexuar, shkathtësohet duke biseduar dhe saktësohet duke shkruar”. Më pas shkova në minierën e Kërrabës e cila më forcoi vullnetin për punë. Por më afroi edhe me kryeqytetin, ku kultura gëlonte me forcën e saj. Ndiqja shumë emisione dhe filma, por pashë në skenë edhe artistët e mëdhenj të humorit: Prokop Mima, Mihal Popi, Enver Dauti, Violeta Manushi, Skënder Sallaku, Melpomeni Çobani. Në minierën e Kërrabës pashë e jetova nga afër punën e vështirë e me sakrifica të minatorëve të guximshëm e të pa lodhur. Këtu mësova edhe mora dëshminë e kinomekanikut të klubit të kulturës së minatorëve tek Kinostudio, ku dhashë provat për dëshminë. Ky profesion për mua ishte saldaturë,sepse bashkoi organikisht elektromekanikën me artin. Ishte trampolinë që më hodhi në art. Kështu kaluan vitet 1956-1958.
Po më tej si vijuat?
Dukej se vendet e artit dhe kulturës nuk do më ndaheshin. Në 1958 mobilizohem ushtar dhe shkoj në Korçë, që si trevë kulturore më fali diçka nga qytetërimi i saj. Qëndrova tre vjet, dy nga të cilat si shofer në shërbim të detyruar. Jeta ushtarake ishte shumë e bukur dhe e larmishme. Pra u bëra me tre zanate në xhep me idenë që “Mëso zanat e lere, po t’u desh merre”. Kështu në 1961 u lirova nga ushtria dhe u ktheva në Delvinë ku punova si elektricist dhe mirëmbajtës i rrjetit elektrik, por krahas punës ndoqa sistematikisht edhe gjimnazin natën. Shkonim në shtëpinë e kulturës dhe këndonim për qejf, por këtu na lindi ideja për të përgatitur një numër estrade. Delvina aso kohe kish shumë amatorë të apasionuar. Patëm sukses,kështu rrjeti ynë i amatorëve u zgjerua me figura të njohura si Jasin Berberi e Kasjani Koça (këngëtarë), Dragush Hako, Llambi Soko, Neriman Zejnati, Faik Demaj, Merqez Lame, Dilaver Bajko (aktorë), Roni Bogdo, Pirro Stefanidhi, Selfo Zejnati, Tomorr Çuni, Sedat Shahini, Lica Memo, Kristaq Zangalli, Taip Muço si orkestrantë. Dhe kështu më 1963 arritëm të krijonim numrin e parë, ku unë u paraqita me këngën spanjolle “Karmeniçita” dhe me kupletin “Lipe, more Lipe, ç’janë këto tertipe” dhe këtu afirmova veten publikisht si këngëtar dhe si parodist. Në 1964 përgatitëm numrin tjetër ku këndova këngën “Margjelo” dhe kupletin “Shoku Thanas” ku duartrokitjet më detyruan ta përsërisja kupletin. Ajo u ngul në shpirtin tim dhe u ngjit në buzët e mia. Por kësaj here edhe në formën e kupleteve dhe parodive. Kështu, në qershor 1965, duke parë interpretimet e mia, më propozuan si aktor profesionist në estradën e Sarandës. Ky ishte gëzim i madh i jetës sime. Pra, zbrita me këmbalecë nga shtylla e tensionit dhe qëndrova i sigurt në skenë para mikrofonit. Saranda më deshi dhe e desha, ashtu si më deshën dhe i desha aktorët e Sarandës. Në estradë gjeta artisë të mirënjohur si Lekë Mosi, Jorgo Nano, Polikseni Hajdhi, Myfit Braja, Ilo Martiko, Dhimitraq Lepuri, por edhe këngëtarin e talentuar Mazar Tahiri. Regjisorin e mirënjohur Thoma Milai të cilit i dedikohem shumë. U përballëm me vështirësi të mëdha, si me skenën edhe me udhëtimin, shpesh na është dashur të shkojmë me këmbë në Delvinë. Në takimin e estradave profesioniste të 1965 fitova konkursin për titullin “Aktor profesionist”. Në këtë kohë isha vetëm 25 vjeç. Kudo ku shkuam në takimet e estradave profesioniste nuk na munguan çmimet dhe sukseset, se duartrokitjet duhen vite t’i numërosh. Turnetë na lodhnin, por çlodheshim kur kënaqeshin spektatorët, sidomos kur shkonim tek masat punonjëse, aty në fushë ku punonin. Çdo premierë, përveç roleve të shumta e të suksesshme si në dialogë, skeçe, pjesë me një akt etj, kishte patjetër edhe kuplet e parodi. Po mos të harrojmë se për suksesin tonë kanë meritë penat e humorit. Ishte një kohë me kërkesa të larta, si nga autoritetet,ashtu edhe nga spektatori.
Në ç’kuptim kjo, po ta krahasosh me sot?
Në të gjitha kuptimet. Unë jam shumë i kënaqur. Merre që nga organizimi, prej të cilit varen të gjitha, që nga disiplina, aq e domosdoshme në art, madje më shumë se në ushtri, që nga rregulli e deri tek vlerësimet. Një funksionim zinxhir. Atëherë thoshin që estrada është gazeta e partisë dhe nëpërmjet humorit kritikonim dhe korrigjonim, bënin efektin e tyre më shumë se një mbledhje organizate apo kolektivi, ishte kudo e mirëpritur. Estrada e parë u hap në Tiranë, më 1962 dhe më pas lulëzuan në gjithë vendin dhe kishte kërkesa nga spektatori. Shumë shpejt arritën nja 15 të tilla të nivelit profesionist. Dhe mos harroni që këta artistë dolën nga jeta, pa arsimin e duhur dhe bënë epokë, korrën suksese të paarritshme. Janë elementë të papërsëritshëm të humorit shqiptar. Të tillë artistë kanë qenë edhe në Greqi, pa shkollën përkatëse dhe i thoshin “Shekulli i artë i filmit”, filma që shikohen me ëndje edhe sot. Këta janë edhe brezi që krijuan estradën. Janë aktorë që nuk i vijnë më artit shqiptar. Sot, po ta shikosh ka një braktisje, jo vetëm se mungon ky element që përmendëm, por edhe organizimi që thamë më lart. Njeriu është si fëmija i vogël, i vete mendja në zarare. Kur i thonë “Mos”, atje vete. Pra ka shumë liri dhe unë nuk jam kundër zhvillimit dhe jo të justifikohemi se kemi qenë të mbyllur, por bukuria e artit qëndron tek tradita. Këgëtarin nuk e nderon kënga, por vokali. Po arti i estradës është art kolektiv. Edhe sot ka elementë, por duhet t’u krijosh kushte, si t’i motivosh. Them se atëherë duhej më shumë liri, po edhe kjo liri që është sot deri në banalitete sikur nuk shkon. Humori është humor, kur bëhet i shëndoshë. Skena është tjetër e jeta reale tjetër. Nga jeta duhet të marrësh e jo ta baltosësh. Duhet larg imitimit të kolegut. Mos të kopjosh se gjithkush ka individualitetin e vet dhe kjo të bën të vlefshëm e krenar. Imitimi është i rrezikshëm. Aktori është i të gjithëve. Po mua më ka ndihmuar shumë edhe gruaja. Është një shembull i rrallë ta kesh bashkëshorten edhe kolege.
Do t’u krijojmë hapësira të shpreheni edhe për bashkëshorten tuaj, artisten Violeta Haxhijani, po më parë na përmendni ndonjë rast gëzimi të madh dhe a jeni takuar me Enver Hoxhën?
Faleminderit! Thamë për ato kushte të këqija pune. Ndaj dhurata më e madhe për artin e Sarandës nga PPSH dhe qeveria e saj, është kinoteatri “Butrinti”, vepër e arkitektit të njohur Koço Çomo. Një gëzim i paparë. Me kushte të shkëlqyera e bashkëkohore. Ta kishte qejfi të punoje e shpesh nuk shkonim edhe në shtëpi, po rrinim me orë të gjata në studiot tona. Në këtë skenë këndoi edhe këngëtarja kosovare Nexhmije Pagarusha. Gëzim tjetër i madh për mua dhe Violetën qe edhe marrja e titullit “Artist i Merituar” më 23 korrik 1979 dhe Violetës Urdhëri “Naim Frashëri” i kalsit III dhe më 1987 i klasit II, por gëzimi më i madh artistik kulmon më 15 Dhjetor 2014, kur Presidenti Nishani më dorëzoi titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ndërsa Enver Hoxhën nuk e kam takuar, por kam interpretuar para tij. Ishim përgatitur shumë për këtë koncert, kuptohej tematika e partisë dhe personalisht Enver Hoxhës. Papritmas me urdhër të Sekretarit të Parë, Jashar Menzelxhiut, më heqin nga programi. U mërzita, por në këtë mërzi më vijnë disa inspektorë dhe më thonë që, me urdhër të shoqes Nexhmije duhet të vini në koncert. Mora vesh se më kishte kërkuar vet shoku Enver dhe Jashari nuk kishte nga t’ia mbante.
Jo pa qëllim nuk e përmendëm deri tani Violetën, çfarë do thoni?
Jeta ime ka një suprizë: Kam lindur më 14 nëntor 1939 dhe jam martuar më 14 nëntor 1968. Jeta e njeriut merr kuptim atëherë kur krijon familje. Dhe jeta kuptohet kur, vajza bëhet nënë e djali bëhet baba. Kemi dy fëmijë, vajzë e djalë. Pra kështu ka ndodhur edhe me familjen Violeta-Theofil. Mosha e rinisë dhe e adoleshencës, nuk llogaritet jetë e ndërgjegjshme, as psikologjikisht dhe as ligjërisht. Nga 20-40 vjeç ke mundësi ta çmosh e vlerësosh jetën. Dhe mua kur mu krijuan kushtet dhe syri im i nguli sytë Violetës, kur dora ime preku dorën e saj, kur zemra ime rrahu njësoj si zemra e saj, vetëm atëherë ne krijuam familjen tonë. Dhe nëse unë u bëra artist, nëse lashë gjurmë në artin e humorit dhe estradës, formova familje të mirë dhe u bëra njeri për së mbari, meritën kryesore e ka pasur Violeta, e cila, përveç të tjerash, më mbështeti e frymëzoi për t’iu përkushtuar artit. Njëherazi Violeta m’u bë fizikisht e shpirtërisht shoqe jete, nënë e mirë për dy fëmijët tanë. E jo vetëm kaq, por me shërbimin që u bëri dy prindërve të mi, më dha mua qetësinë shpirtërore për t’ju përkushtuar artit. Pa Violetën, grua dhe artiste nuk di nëse do isha bërë ky që jam.
Mjeshtër, po sikur ta mbyllim me pak humor?
Po, pse jo! Është një klub që ne e quajmë “Klub –sehiri”. Ka freski dhe pikë dominuese për sehir. Nga miqtë e mi të ngushtë është edhe Kozmai, ish-oficer tek marina. E mbante veten mirë, jo vetëm si ushtarak, por edhe civil. Sa herë vija në Sarandë e takoja dhe shkonim tek ky klub, po tashmë shumë i ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar krejt Saranda. Ulemi, marrim nga një gotë birrë dhe e pyes: 
– Ç’kemi, komandant Kozmai? 
– Lere, pash zotin, komandantin. Kozmai nxjerr qeskën prej meshini dhe duke dredhur cigaren, më pyet: 
– Po, hë ç’kemi, si kalon nga Athina? 
– Mirë, mos të qahemi. 
– Pash zotin, të merr malli për estradën? E kur dilje ti me shokë në skenë, kishte lezet vendi.
– Tani ka plotë të tjerë që dalin, ia ktheva. Janë talentet e reja.
– Ç’talente? Humori i asaj kohe të kënaqte, të edukonte… Tani sa hap televizorin, shikon e dëgjon budallallëqe e banalitete nga më të ndryshmet. Të neveriten.
– Po e reja, rinia do ta gjejë rrugën e saj.
– Çfarë rruge pashë zotin. Këta po bien në greminë. 
– Je mësuar në ushtri ti qetësohu-gatitu! S’ka më ashtu, i them me të qeshur.
– Jo,po bëjmë shaka. Në atë kohë njëherë t’i fryje bilbilit, mblidheshin 200 vetë brenda minutës. Tani t’u frysh 200 bilbilave s’duket njeri. Askush s’e tund “menderen”. 
– Njeriu, i them, duhet të jetë i lirë. Të veprojë i lirë, por deri atje ku nuk pengohet liria e tjetrit. 
– Lere, pashë zotin, rini kemi qenë edhe ne, po kishim uniformë të mirë në plazh. Tani duhet kënduar: Më përpara, të doje “bythë” të shikoje.Duhej mbathjet t’i mënjanoje.Tanimë të duash mbathje të shikosh.Duhet të dy mullaqet t’i mënjanosh!
– Po mirë, i them, më përpara thoshe për ideal të partisë, tani e ke ndërruar në pashë zotin. Më pëlqen karakteri yt i fortë Kozma, po këtë pse e ke ndërruar?
– Lëre pashë zotin idealin, hajde gëzuar!
Sigal