Thanas Xhani: Masakrat e ballistëve dhe pretendimet e pinjollëve të tyre

773
Kujtimet e thanas Xhanit shkojnë shumë vite larg, në kohën e LANÇ. Veprimtaria, autoriteti dhe simpatia që kishin krijuar në popull militantët komunistë, bënë që nga Piqerasi dhe bregdeti të dalin partizanë shumë djem dhe vajza. Forcat balliste të tërbuara nga zgjerimi i luftës partizane, filluan hakmarrjen ndaj familjeve dhe të afërmve të komunistëve dhe kuadrove drejtuese të LANÇ dhe popullsisë së bregdetit. Këto raprezalje erdhën dhe në Piqeras dhe dogjën shtëpinë dhe punishten e vajit të ullirit të Miho Xhanit si dhe shtëpinë e Mitro Xhanit (Hero i Popullit). “Për mua, Thanasin, thotë ai, megjithëse fëmijë rreth 7 vjeç, kjo ngjarje më ka mbetur e paharruar për tërë jetën. Këto kujtime u përforcuan më vonë edhe nga tregimet e nënës sonë dhe të afërmve të tjerë në vite duke treguar se ballistët erdhën në shtëpi, na nxorën me forcë jashtë gjyshin, mamanë dhe tre fëmijët. Për momentin u strehuam në shtëpinë e Jani e Kristofor Xhani, afër me shtëpinë tonë. Unë dola nga shtëpia dhe qëndrova përballë komandantit ballist që jepte urdhëra. Shikoja me kurreshtje veprimet e ballistëve. I kam të fiksuara në kujtesën time ato momente kur hipën ballistët mbi çati, spërkatën me benzinë dhe i vunë flakën shtëpisë. Mamaja e trembur më bërtiste që të futesha brenda dhe u detyrua të dalë dhe më futi brenda me forcë. Nga dritarja e shtëpisë së kushërinjve shikonim se si digjej shtëpia. 
Kryeballisi i masakrave
Mbas çlirimit, më i rritur, mësova se ai që jepte urdhra për djegien e shtëpisë ishte Et’hem Çakua. Mbasi dogjën shtëpinë tonë, shkuan në shtëpinë e Mitro Xhanit. Edhe këtu, pasi keqtrajtuan babanë e Mitros dhe vëllain e tij, Andrean me familjen, i vunë flakën shtëpisë, pa pyetur se brenda ishte edhe fëmija i vogël, Gogua rreth 5 vjeç që flinte. Gratë e familjes u sulën në flakë dhe rrëmbyen foshnjën nga duart e tyre. Djegia e shtëpive e tronditën shumë fshatin. Bashkëfshatarët, dëshmitarë të asajë kohe kujtojnë Mëmë Gitën, halla e Mihos, e indinjuar jashtë mase, doli përpara ballistave dhe u thotë: Digjeni!Nipi im do ta bëjë më të re kur të çlirohet Shqipëria. Mua të më rrojë nipi im (Vangjeli dhe Mihua). Por nëse jeni të zotë, merruni me burra e jo me shtëpitë e me gra e fëmijë”. Vangjelin, babanë e Mihos e goditën me kondakët e pushkëve. Pasi dogjën shtëpitë, ballistët morën disa burra nga fshati, midis tyre edhe Vangjelin, babanë e Mihos. I mblodhën në qendër të fshatit dhe i kërcënuan se nëse nuk do të mblidhnin para nga fshati, atëherë do t’i vrisnin familjarët e Mihos dhe të Mitros, por edhe duke kërcënuar se do zhduknin çdo komunist të gjallë në Piqeras dhe fisin e tyre. Et’hem Çakua kish punuar në Piqeras, në punishten e vajit të Leo Bitrit dhe njihej mirë me Leon. Ndërmjetësimi i Leos bëri që, me disa para të grumbulluara dhe sendet që kishin grabitur në fshat, liruan gratë dhe fëmijët. Burrat i morën ballistët dhe i çuan në fshatin Sasaj duke i kërcënuar për jetën. 

Hakmarrja ndaj Piqerrasit
Kjo ishte dhe njëlloj hakmarrje e tyre në Piqeras, pasi nuk mundën të depërtojnë dot në fshat. Asnjë nuk i mbështeti balliatat në Piqeras. Për këtë ngjarje të shëmtuar, Thoma Kaçi thuri një bejte: “Të diel, sahati shtatë/Na ngjau një taksirat/Na erdhi balli në fshat/Et’hem Çakua komandant/Bashkë me të ca kalasjotë/ Nga ata që s’ecin dot/Mblodh’ burrat e fshatit lart/Thanë se do bëjnë kasapn’/Po të mos mblidhim paratë/I nis’n në Sasaj me vrap/Xha Vangjelin që ish plakë/E qëlluan me kondak/Sasajt seç i gjeti gjëma/U vate e liga brenda”. Peripecitë për familjen e Miho Xhanit nuk mbaruan me djegien e shtëpisë vetëm. Na morën si familje, nënën dhe tre fëmijët e vegjël dhe na internuan në Delvinë, Qeparo dhe Tatzat. Për të na çuar në Delvinë, na mori përsipër Fani Nikolli, xhaxhai i mamasë, Niqes, ky i punësuar si shofer i një tregtari. Barba Fani njihej në fashat si njeri i ndershëm e i guximshëm. Në fshatin Shën-Vasil e kishin marrë vesh që ballistët na kishin djegur shtëpitë dhe po na largonin me familjet për në Delvinë dhe një grup fshtarësh kishin zënë pritë tek rrapi të armatosur. E ndalën makinën dhe u thanë ballistëve se nuk do ta lejonin familjen e Mihos më tutje, do ta mbanin ata në fshat, këtu në Shën-Vasil. Duke parë situatën e tensionuar, ndërhyri mamaja, Niqja dhe u thotë: Nuk duam t’u krijojmë edhe ju telashe. Ne kemi marrë këtë rrugë dhe do ta përballojmë. Përgjegjësi para tyre mori edhe barba Fani. 

Kështu që situata u qetësua me shmangje të një konflikti të mundshëm të armatosur. Në Delvinë na futën në një bodrum dhe na kërcënuan. Mua, që pasi më pyetën dhe u përgjigja se jam partizan, më qëlluan me shkelma. Mbas dy ditësh na kthyen përsëri në fshat ku gjetëm mbështetjen e të gjithë bashkëfshatarëve tanë. U strehuam tek prindërit e Niqes, pasi shtëpia ishte djeguar e tëra. E njëjta situatë u krijua edhe në Qeparo dhe Tatzat, por në Tatzat familjen tonë e strehuan fshatarët në shtëpitë e tyre. Në Tatzat dhe Sasaj, bashkë me ne, ishte edhe e shoqja e Mitros, Athinaja që përballoi të njëjtën situatë si ne deri sa doli partizane në brigatën e 6-të S përkrah Mitros që ishte zv/komisar i batalionit II të kësaj brigate. Në këto vite të trazuara dëgjojmë dhe shohim revanshin e pinjollëve të Ballit për trimëritë dhe kontributin e tyre në luftë. Por këto janë bëmat e ballistëve të para me sytë tona. A mund të krenohen me to këta pinjollë? Faktet historike mbeten dhe askush s’mund t’i ndryshojë. Ne nuk kërkuam kurrë dëmshpërblim prej tyre dhe as mëri s’u mbajtëm, pasi shumë prej tyre u penduan për këto veprime e qëndrime. Sot me bijtë e tyre pimë edhe kafe si miq. Por e vërteta mbetet dhe duhet thënë siç është edhe kur ajo është e hidhur”.

Kush ishte Miho Xhani
Miho Xhani ka lindur në fshatin Piqeras të bregdetit të poshtëm të Sarandës më 14 mars 1913. Piqerasi një fshat patriotik dhe i progresit mbështeti fuqishëm LANÇ dhe nga tre heronj të Popullit që ka Saranda, dy janë nga ky fshat. Rradhitet nga komunistët e parë në aktivitetin e qytetit të Durrësit dhe themelimi i PKSH e gjeti të organizuar në grupet komuniste. Në LANÇ mbajti detyra të rëndësishme, sidomos si komisar. Pas çlirimit përsëri me deyra të larta shtetërore duke krijuar një personalitet të spikatur, të vlerësuar e të respektuar aq shumë, sa populli e thërriti me titullin “Toto”. Kaluan vite dhe askush nuk ia dinte emrin e vërtetë, mbeti Toto. Ndershmëria e tij karakterizon edhe fëmijët, nipërit e mbesat të integruar dhe mjaft aktivistë në proçeset e kohës, sidomos ato të emancipimit të shoqërisë. I mbylli sytë në 1993, duke u përcjellur me nderime, ashtu siç e meritonte dhe sot kujtohet me respektin më të madh
Sigal