Thanas Gjika: Mendime për librin me kujtime të Piro Milkanit

151

E kërkova me qejf librin me kujtime të regjisorit P. Milkani “E pabesueshme por e vërtetë”. Titulli më nxiti të shpresoja se brenda librit do të gjeja mendime e refleksione të sotme për jetën e autorit gjatë diktaturës komuniste, kur i shërbeu si shumëkush politikës së partisë shtet. Shpresova mos gjeja aty katarsin e tij, që do të përbënte për mua diçkanë “e pabesueshme” për këtë intelektual, që u turr me aq mëri kundër z. Agron Tufa, pasi ky kërkoi që filmat e realizmit socialist të mos shfaqen më në të gjithë stacionet tanë televizivë, por vetëm në disa prej tyre, shoqëruar me një stampë dhe një diskutim hyrës prej specialistësh për të vënë në dukje vlerat dhe antivlerat e tyre.

Për shoqërinë tonë sot është shumë e vlefshme puna për të zbuluar e dënuar krimet e kohës së komunizmit. Kjo është “e vërteta” e madhe e kohës sonë, kohë kur duhet luftuar për ta shkëputur shoqërinë shqiptare nga nostalgjia ndaj kohës dhe politikës së PKSH / PPSH-së. Mirëpo në mbarim të librit u ndjeva i zhgënjyer, sepse nuk gjeta përpjekje për katarsis, pra nuk gjeta “të papriturën” që shpresoja. Libri, si ka thënë Petrit Ruka në parathënie, lexohet shpejt, sepse është shkruar bukur, por duke i munguar mesazhet e shëndoshë, ngjan me një kokërr të bukur arre që ka pak bukë të thatë brenda, arrë fyçkë. Të vijosh të shkruash sot me mburrje për filma si “Dasma”, “Zonja nga qyteti” “Shoqja nga fshati” etj, pa shprehur një qëndrim kritik ndaj përmbajtjes së tyre tepër të politizuar, ku autorët (skenaristi, regjisori) kanë lustruar jetën e popullit tonë në kohën e diktaturës komuniste, është një qëndrim jashtë kohës, është arratisje nga e sotmja.

Një intelektual kur merr përsipër të shkruajë një libër, sidomos libër me kujtime, ka si detyrë ta ndihmojë lexuesin për t’u mirë-orientuar në kohën kur shkruhet vepra, pra ta ndihmojë lexuesin që të përfitojë nga bëmat e mira dhe nga gabimet e autorit. Mirëpo regjisori Milkani nuk ka marrë përsipër një detyrë të tillë misionare, por vetëm tregon thjesht episode të ndryshme nga jeta e tij e mbushur me përkëdheli.

Piron e pati përkëdhelur jeta: Në fillim duke u dërguar për studime universitare në Pragën e kulturës austro-hungareze, më tej duke punuar si operator e pastaj si regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, më tej duke u martuar me vajzën e bukur e të zgjuar Margarita Kristidhi, një intelektuale me formim liberal properëndimor, e më tej, duke u dërguar pas dështimit të diktaturës në Pragë si ambasador të Republikës së Shqipërisë, ku u takua disa herë me disidentin e madh Vaclav Havel, një nga intelektualët më të shquar të botës etj.

E papritur për mua ishte dhe fakti se në libër nuk gjeta shprehjen e mirënjohjes ndaj babait të tij, të cilin nuk e përmend fare. Shumë korçarë e dinë faktin se kur Pirua ishte gjimnazist 13-16 vjeçar babai i tij qante kur dëgjonte se pushteti i Enver Hoxhës “arrestonte e dënonte pa të drejtë bijtë më të mirë të Korçës”, epitete me të cilët ai cilësonte intelektualët që ishin formuar në Perëndim dhe tregtarët që e kishin krijuar pasurinë duke punuar ditë e natë me sakrifica. Të tilla skena nuk i paskan lënë përshtypje regjisorit të ardhshëm, sepse droga partiake që mori më vonë ia shleu nga kujtesa emocionet e ankesat kundër komuniste të babait të tij. Madje as mendimet e veprat disidente të V. Havelit, nuk përmenden askund, sepse duket se ato nuk kanë rëndësi për të. Ky President i Republikës Çeke, kur ambasadori i RSH u sëmur e ra në komë, u interesua drejtpërdrejt për mirëtrajtimin e tij në spital, por Pirua nuk gjen vend në libër për të shprehur falënderim të veçantë ndaj këtyre gjesteve humane të tij.

Mosmirënjohje m’u duk edhe fakti që ky kineast i përmend regjisorët Gëzim Erebara dhe Kujtim Çashku thjesht si bashkëregjisorë të filmave “Ngadhënjim mbi vdekjen” dhe “Ballë për ballë”. Këta kolegë i dhanë atij ndihmën konkrete në rrugë praktike për të zotëruar profesionin e regjisë, gjë që ai nuk pati mundësi ta merrte në shkollën e Pragës, ku studioi vetëm për operator. Ata e meritonin një mirënjohje si mjeshtër mentorë të tij, që e kthyen nga operator në regjisor, pra që i dhanë zanatin.

Aty këtu autori nuk ka nguruar të shprehë lavdërime të panevojshme për vete, madje një herë, kur tregon për xhirimet e filmit “Ballë për ballë” thotë se e ndjeu veten komandues më të madh se Napoleon Bonaparti. Nga ky delir e çliroi kamerierja e hotelit të Vlorës, kur i tha se nuk duhej të kërkonte shërbim jashtë radhe, sepse dhe ai ishte një klient si të tjerët…

I shkrova këto mendime duke pasur parasysh se autori mund të shkruajë e botojë dhe një libër të dytë me kujtime. Jeta e tij ka qenë vërtet e pasur me njohje vendesh, njerëzish, mentalitetesh të ndryshme, me lexime e përkthime veprash. Për këtë unë shpresoj se kërkesa ime për t’i shërbyer si duhet së sotmes e së ardhmes së shoqërisë shqiptare, mund ta ndihmojë gjatë krijimit të librit tjetër. Lexuesi atje është mirë të gjejë jo vetëm një formë tërheqëse, por edhe mendime dhe ide të shëndosha për të dënuar politizimin e veprave kinematografike, gjë të cilën mendoj se ai mund ta bëjë po t’ia vërë vetes detyrë.