Testamenti i Yllka Mujos dhe Viktor Zhustit

684
Sigal

Besoji testamentit të jetës dhe do të jesh i lumtur deri në vdekje!

Nga Vepror Hasani

Dritat u fikën. Spektatori në sallë mbeti në errësirë të plotë. Një grimë më pas, skena u ndriçua nga një dritë e zbehtë. Kishte shumë errësirë, zor se dallohej gjë. Befas drita u bë më e plotë. Në skenë u shfaq figura e aktorit Viktor Zhusti. Luante rolin e doktorit të quajtur Zhan. Nuk donte ta thërrisnin doktor, i pëlqente emri i vet. Ndaj dhe ne do ta quajmë vazhdimisht Zhan. Ishte vetëm, duke ngrënë darkë. Ngriti kokën, vështroi nga salla dhe goditi me pirun gotën prej qelqi, sikur kërkonte të na tërhiqte vëmendjen. Miku im që ishte ulur përkrah meje, më vështroi paksa i çuditur sikur donte të më thoshte: “Me ne shikuesit e ka?” Nuk dija si t’i përgjigjesha, edhe mua ashtu m’u duk, sikur donte të na thoshte: “Më ndiqni, kam një histori për t’ju treguar, e kam quajtur Testament i Ri”. Ishte kaq mbresëlënës sa të habiste. Ishte hera e parë që bashkëpunonte me teatrin e Korçës. Njerëzit kishin shumë kërshëri. Dhe ja, ende nuk kishte thënë asgjë dhe në të njëjtën kohë kishte thënë shumë gjëra. Nuk e kishte me ne spektatorët, kërkonte shërbëtorin e tij. Deri atëherë kishte pasur një shërbëtor tjetër, por tashmë e kishte zëvendësuar, kishte marrë një tjetër.

Shërbëtori

Shërbëtori i ri, i luajtur nga aktori Sotiraq Bratko, hyri në skenë. Si hyri ashtu! Ç’magji bëri, që njerëzit vunë buzën në gaz, qeshën dhe nisën ta ndiqnin me kërshëri. Kur Zhani e pyeti si quhej. Ai u përgjigj: “Theofil”. Por jo, Zhani donte që ai të kishte një emër tjetër. Po pse një emër tjetër vallë”? Spektatori ishte bërë sy e veshë, përgjonte çdo fjalë që thuhej. Ah, të kuptosh është gjëja më e rëndësishme në këtë botë. Mos vallë Zhani donte të thoshte që njerëzit duhet të kenë dy emra, sepse ndryshe hiqen e ndryshe janë në të vërtetë? Ranë dakord, që shërbëtori të quhej, Andrea. Edhe Sotiraq Bratkon tani e tutje do ta quajmë Andrea. Roli i tij të krijonte idenë e një njeriu të lehtë, të padjallëzuar, por në të vërtetë ai ishte krejt ndryshe. Dinte gjithçka që ndodhte në atë shtëpi. I njihte njerëzit edhe nga mënyra si i binin ziles. Ua dinte huqet dhe sillej siç e dëshironin ata. Vetëm kur largohej prej tyre pëshpëriste me zë të ulët gjithçka që atij s’i pëlqente. Kjo mënyrë komunikimi sillte humor si me magji. Një shërbëtor i di të gjitha, ndaj duhet ndërruar ndonjëherë. Vënia në zbatim e planit “Testamenti i Ri” kishte filluar.

Zhani zbulon tradhtinë e bashkëshortes

Ndërsa shërbëtori vazhdonte të qëndronte para tij, e porositi: “Kur të vijë zonja Lysi, thuaji që po e pres”. Zonjën Lysi, (bashkëshorten e Zhanit) e luante aktorja Yllka Mujo. “Ajo sapo ka ardhur”, iu përgjigj shërbëtori. “Shumë mirë atëherë, po e pres”, ishte pak a shumë përgjigjja e tij. Sigurisht, ajo nuk erdhi që në çastin e parë, u vonua disi, ndoshta për ta bërë të shoqin të priste. Kishin një jetë të tërë bashkë. Mirëpo atë ditë Zhani kishte zbuluar se ajo e tradhtonte me një djalë të ri, shumë më të ri nga mosha e saj. I dashuri i bashkëshortes ishte djali i mikut të tij. Edhe ajo dyshonte se i shoqi e kishte kuptuar, por nuk ishte e bindur, ende shpresonte që ai të mos dinte gjë Zhani i kishte ndjekur me makinë, mundet të kishte qenë edhe rastësi. Diku automjetet e tyre ishin këmbyer. Ata e kishin parë njëri-tjetrin. Ishte një çast shumë i shkurtër. Ajo ishte përpjekur të mbulonte fytyrën me duar, për t’iu fshehur syve të të shoqit, uronte që ai të mos e kishte parë. Po a mund të fshihet njeriu vetëm pse mbyll sytë? Pas pak ajo u gjend para të shoqit. Përpiqej të ishte e qetë, e sigurt për të treguar se çdo gjë ishte ashtu si më parë. Lysit i duhej të luante të pavërtetën, kurse atij njeriun që nuk di gjë. E pyeti edhe për djalin e mikut të tij. Ata që ishin të pranishëm në shfaqje mbetën të mahnitur nga dialogu i tyre. Batutat ishin magjepsëse: Këmbehej ironia me humorin, e vërteta me gënjeshtrën, provokimi me qetësinë, nervi me durimin, mençuria me naivitetin. Ajo hiqej sikur s’kishte asgjë me djalin e mikut të tij, e çmonte vetëm për inteligjencën. S’mund të qëndroje dot pa qeshur. Ishte një e qeshur me shpirt. Rrallë të qëllon të shohësh skena kaq të bukura nga dy aktorë të mëdhenj si Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti.

Do të marr një sekretare të bukur!

Batutat me nënkuptime mes tij dhe bashkëshortes vazhdonin. I tha të shoqes që e kishte ndërruar sekretaren. Ajo që kishte pasur deri tani ishte një vajzë e re, e sjellshme dhe e përmbajtur. E respektonte Zhanin. Edhe ai ishte sjellë mirë me të dhe e paguante mjaftueshëm. E shoqja kishte besim tek ajo. Rolin e sekretares e luante Lola Meta, ishte një rol i vogël, por regjisori Gëzim Kame ishte kujdesur që gjithçka të mbetej në mendjen e spektatorit. “Pse do ta ndërrosh sekretaren”? – pyeti e shoqja. “Do të marr një më të re, por edhe më të bukur,-ishte përgjigjja e tij,-që tua prezantoj edhe miqve të mi; kështu bëjnë në kohët e sotme me sekretaret e tyre.” Çuditërisht, Lysi, bashkëshortja e Zhanit, nuk e priti mirë ndërrimin e sekretares. Mënyra si i foli për sekretaren e re, kuptoi se ai kishte ndërmend ta tradhtonte me të, por ajo nuk dëshironte të ishte e tradhtuar. Si mund ta tradhtonte me një sekretare të re. Nëse kjo do të ndodhte ajo do të ndihej e poshtëruar dhe e pavlerë. Ata ishin betuar t’i qëndronin besnik njëri-tjetrit deri në vdekje. Ky është testament i çdo martese. Kurse ajo ia lejonte vetes të shkonte me një djalë të ri, madje me djalin e mikut të bashkëshortit, me Fernandin. Të qenit e pëlqyer edhe nga djemtë e rinj, e shihte si vlerësim për vetveten. Madje tentoi ta dëbonte sekretaren, por ajo nuk iu bind. Kishte një arsye të fortë për të qëndruar. Të vërtetën do ta mësoni në fund të këtij shkrimi.

Të gjitha këto ndiheshin te loja e mrekullueshme e Yllka Mujos. Madje pati edhe një skenë mes saj dhe të dashurit. Kishte shumë zjarr dhe pasion. Nuk kuptohej mirë në ishte dashuri apo aventurë. Edhe pse rrethanat ishin të pafavorshme, pasi mund t’i kapnin në flagrancë, ai i lutej të bënin seks edhe të fshehur pas një perdeje, përpiqej ta bindte se mund ta bënin edhe për disa sekonda. Dhe Lysi, nën lutjet e tij të shumta, shpërthente si të ishte një vajzë e re. Të qeshurat e spektatorit ishin të papërmbajtshme. Rolin e të dashurit të saj e luante Kristian Koroveshi, fitues i çmimit Aktori më i Mirë, në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Tiranë. “Jam me fat që pata rastin të luaj përkrah, aktores së mirënjohur Yllka Mujo”, deklaroi ai pas përfundimit të shfaqjes.

 Loja “Testamenti” në zbatim

Dikush trokiti në derë. Shërbëtori shkoi të shihte kush ishte. U kthye pas pak me xhaketën e Zhanit në dorë. Tha se e kishte harruar te rrobaqepësi dhe ai e dërgoi me dikë këtu. Në shtëpinë e Zhanit ndodheshin të gjithë: E shoqja, Lysi; i dashuri i saj, Fernandi; miku i tij, Adrieni, që luhej nga aktori Guri Koço, bashkë me gruan e vet, Margaret, që shkurt e thërrisnin Geri, luajtur nga Zamira Kita. Fillimisht e shoqja e Zhanit mendoi për ndonjë tradhti, por kur kontrolluan xhepat e xhaketës panë se nuk i mungonte asgjë, as portofoli dhe të hollat. Atëherë e shoqja mendoi se ai ishte mbytur. Por pse duhej të mbytej vallë?! Nuk duroi dot tradhtinë e së shoqes apo nga që e kishte dashur shumë? E shoqja u ndje e pikëlluar, ishte gati të shpërthente në lot. Shtirej apo ishte e vërtetë? Të gjithë ishin të dëshpëruar, madje edhe i dashuri i Lysit, Fernandi. Spektatori që dinte tradhtinë e saj, nuk përmbahej dot së qeshuri. Kontrolluan edhe një herë xhepat e xhaketës. Te xhepi i brendshëm gjetën një zarf. E hapen nxitimthi, të nxitur nga kureshtja çfarë shkruhej aty. Ishte një testament i ri, që anulonte testamentin e vjetër, firmosur dikur nga ai dhe e shoqja, Lysi. Testamenti ishte shkruar për avokatin e tij. Aty rrëfente se kishte edhe një vajzë, fryt i një dashurie të hershme në rininë e tij; rrëfente që kishte qenë i dashuruar edhe me Margaritën, me gruan e mikut të tij Adrien, ose me nënën e të dashurit të gruas së tij, Lysit. Adrieni, që e dëgjonte për herë të parë këtë të vërtetë, mbeti i befasuar. Të gjithë ishin të tradhtuar. Për ata, situata ishte dramatike, kurse për spektatorin, një komedi e vërtetë.

Përballja

Të gjithë gjendeshin në pozicion të vështirë. Në shtëpi u kthye edhe Zhani. Ai i shikon miqtë e tij në sy, nuk ka droje. Zamira Kita, (Margarita) gruaja e Guri Koços (Adrienit), përmes lojës së saj, të një personazhi të veçantë, solli për spektatorin një grua që ka mënyrën e saj të të jetuarit, disi të hutuar, paksa të mefshtë, që përpiqet të flasë në çdo kohë, pa kuptuar që situata s’është në favor të saj; ajo flet edhe kur nuk ia kërkon kush mendimin, shpesh nuk e kupton as vetë çfarë është duke thënë. Situatat që krijoheshin prej saj e bënin spektatorin të shpërthente në të qeshura. Madje kur i shoqi, Adrieni, e kishte pyetur, a kishte pasur marrëdhënie me Zhanin, ajo ndërsa kishte nisur t’ia pohonte, harroi që gjendej para të shoqit dhe e rrëfeu gjithçka me aq pasion detaje dhe imtësi, sa edhe vetë mbeti e çuditur, kur kuptoi se çfarë po bënte. “Paske hequr shumë!”, – i tha Zhani. “Jo, i tha ajo, ai që hoqi shumë nga ato që dëgjoi, ishte im shoq.”

Sërish të qeshura pa fund. Komedia “Testamenti ri” është komedi franceze, e shkruar shumë-shumë vite më parë, por që tingëllon aktuale edhe sot. Është komedi me humor shumë elegant, therës, por shumë të bukur. Humori është i pranishëm edhe në situata edhe në batuta, kurse karakteret janë mjaft të spikatur.

Finalja

“Njerëzit, u tha Zhani të pranishmëve, edhe kur e marrin vesh tradhtinë e grave të tyre, nuk ndahen. Por nëse në një marrëdhënie bashkëshortore nuk ka më dashuri, nuk i pengon kush të ndahen, që të mos jenë modeli i keq për fëmijët (ndoshta kishte parasysh djalin e mikut të tij). Ai e prezantoi rolin e tij me shumë finesë dhe me shumë elegancë, simpatik nga fillimi në fund. U bë i dashur për spektatorin me rolin që krijoi. Dhe ndërsa batutat vazhdonin, ai vuri në dijeni miqtë e tij, se të nesërmen, me ftesë të një Universiteti të dëgjuar, do të nisej në një turne ku do të vizitonin shumë vende të botës. Do të qëndronte për një kohë të gjatë. “Do ta marrësh edhe sekretaren”?- pyeti e shoqja. “Sigurisht”, ishte përgjigjja e tij. “Zhyljet”, thirri ai, sekretaren e tij. Në skenë u duk një vajzë e re, simpatike, luajtur nga aktorja Ilda Pepi. Atë çast dukej sikur gjithë miqtë e tij mendonin: “Pra edhe ky njeri që deri pak më parë na bënte moral, po shkon në turne bashkë me sekretaren e tij, ky njeri që edhe në rininë e tij paska pasur edhe një fëmijë, ky njeri që para se të martohej me Lysin, paska dashur edhe një grua tjetër, Margaritën, bashkëshorten e mikut të vet. Ky njeri… Nisemi i tha, ai Zhyljetës. “Jo”! – ishte ndërhyrja e të shoqes. “Je gati, Zhyljetë”?- e pyeti sërish ai.
Po BABA, ishte përgjigjja e saj.

Në udhën e jetës

Mjaftoi fjala “baba” që gjithçka të bëhej e qartë. Nuk ishte ai që kishte tradhtuar nënën e së bijës, ndaj e bija ishte me të atin. Ndoshta ajo e kishte tradhtuar, ndoshta kishte vdekur, kjo pak rëndësi ka, ai vazhdonte të ishte babai i vajzës së tij. Por ai kishte dashuruar edhe Margaritën! Nuk ka dyshim, që edhe ajo grua e hutuar, që nuk kuptonte as vetë ato që thoshte, nuk e kishte të vështirë të gjendej në gabim, ashtu siç i ndodhi kur i rrëfente të shoqit dashuritë e saj të rinisë.

Pas pak ata të dy, atë e bijë, u nisën për udhë. Duartrokitje pa fund nga spektatorët.