Teqeja e Rabijes, Qerbelaja e Shqipërisë

2779
Sigal

Naim Dëra

Në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, është e njohur masakra në teqenë e Rabijes, në operacionet luftarake që u zhvilluan gjatë muajve qershor-korrik  të vitit 1943, në Mallakastër dhe Tepelenë. Teqeja e Rabijes me baba Abazin në krye gjatë luftës antifashiste e ktheu  teqenë, në një vatër atdhedashurie dhe mbështetje të fuqishme në mobilizimin e popullit dhe rinisë në luftën kundër fashizmit Italian. Kjo ishte furnizuese kryesore me ushqime dhe armatim formacioneve të batalioneve vullnetare dhe çetave partizane… Baba Abazi organizoi punën për furnizimin me ushqime në frontin e luftës në këto ditë për luftëtarët e lirisë. Në këtë situatë në teqe ishin grumbulluar 300-400 muhaxhirë, gra e fëmijë të ardhur nga Mallakastra, por kur iu kërkua nga Abaz Shehu ta merrnin me vete babanë nga rreziku fashist, babai iu përgjigj nuk mund të largohej dhe të linte njerëzit vetëm. Por e keqja erdhi shumë shpejt. Koloneli italian i informuar për rezistencën në teqe e rrethoi natën e 24 korrikut 1943, fshehurazi dhe në të gdhirë, fashistët pushkatuan 30 burra në krye baba Abazin dhe pesë dervishët e tij. Në raportin e Kuesturës Gjirokastrës drejtuar mbi barbarizmat e ushtrisë fashiste në këtë  operacion në zonën e Buzit shkruhet: “…. Prej 24 të këtij muaji e gjer 27.7.1943 janë vrarë e vdekur atë Abazi, varfë Feimi, varfë Barjami, varfë Xhaferi, varfë Barjami dhe varfë Lamja, të gjithë të teqesë Rabijes. Qemal Isufi vjeç 35, kryeplak i katundit të Rabijes, Reshat Brahimi vjeç 30, roje i katundit Rabie, si dhe djegur krejt teqeja dhe të gjithë plaçkat e teqesë”.Disa muaj më parë, në vijim të punës për evidentimin dhe promovimin e vlerave kulturore dhe traditave patriotike nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në përkujtim të martirëve të kësaj teqeje masakruar 75 vjet më parë nga fashistët italianë. Kjo veprimtari e rëndësishme u udhëhoq nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve,  Haxhi Dede Edmond Brahimaj i cili  rreth dy muaj më parë, shkoi vetë në teqenë e Rabijes dhe në Tepelenë. Në vijim takoi kryetarët e bashkive dhe ngarkoi me detyra njerëzit kryesorë të Kryegjyshatës për të bashkërenduar punën me pushtetin vendor. Ky organizim i dha rëndësinë që i takonte punës përgatitore për këtë ngjarje .

Në atë masakër u vranë Baba Abazi bashkë me dervishët e teqesë dhe shumë bektashinj patriotë mbështetës të teqesë dhe të luftës për liri. Vetëm pak  ditë pas masakrës më 10 Gusht 1943 emri i Baba Abazit u përjetësua në bataljonin “Baba Abaz” që u krijua në Donije të Kalivaçit. Kështu martirët e teqesë së Rabijes u bënë burim frymëzimi në çdo hap për luftëtarët e lirisë. Fshatrat dhe krahina ku ishte teqeja në ato vite ishin shndërruar në fushë betejë të luftimeve dhe teqeja ishte kthyer në një bazë  të fuqishme për luftëtarët e lirisë. Vetë Baba Abazi ishte bërë shumë i njohur dhe i dashur për luftëtarët dhe popullin që po sakrifikonte çdo gjë për të hequr zgjedhën fashiste. Kjo veprimtari më ngjalli emocione të fuqishme dhe njëherazi më bëri të mendoj që sejcili prej nesh, sipas mundësive, duhej të bënim maksimumin. Gjithë ato ditë me kumbonte në vesh jehona e një prej këngëve polifonike më të dashura  të anëve tona :

“…Dëgjoni o shqiptarë, në Rabie seç u bë/Vranë Babanë dhe dervishët, si në Qerbela u bë!…”

Viktimat janë:Baba Abaz Memushit, dervish Bajram Lamajt, dervish Feim Mahmutaj, dervish Bardho Bardhit, dhe myhibët dhe dashamirësve të udhës bektashiane: Qamil Isuf Lamaj, Reshat Brahim Memushaj, Dino Xhemal Memlikaj, Selman Galip Memlikaj, Qani Myftar Kapllani, Qazim Kamber Kapllani, Selfo Haxhi Kapllani, Sulo Xhelo Kapllani, Muharrem Rushit Kapllani, Sheme Muhamet  Xhemalaj, Shefit  Barjam Xhemalaj, Mehmet Ismail Xhamalaj, Haxhi Jashar Xhemalaj, Bektash Halim Xhemalaj, Ismail Feta Malaj, Riza Hysen Malaj, Luto Lame Jaupaj.

VLERËSIMI

…Drejtuesit e bashkisë Memaliaj,  kryetari Durim Roshi, nënkryetari Feta Hoxha dhe sekretarja Liljana Salaj kontaktuan me njerëzit dhe kjo bëri të mundur të realizohej pjesmarrje shumë e mirë. Kryetari i bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi mori përsipër punën më të vështirë; rregullimin e rrugës automibilistike Allkomemaj-Rabije dhe e realizoi me sukses. Grupi i punës për ekspozitën Nuri Çuni, Enver Kushi, Sotirulla Hoxha punuan me përkushtim dhe realizuan përgatitjen e materialeve cilësorë për memorialin e martirëve dhe dërgimin në Rabije… U realizua më së miri ekspozita fotografike me 19 stenda për këtë event të veçantë. Punimet në vend për lapidarin dhe varrezat i drejtoi sekretari i Gjyshatës Gjirokastër Hamit Alikaj… Në takime e biseda me njerëzit nga Rabija, Allkomemaj, Levani, Fratari, Gllava, Buzi dhe trevat rreth këtyre vendbanimeve u punua përditë në mënyrë që të plotësohej tabloja e kësaj ngjarje të pa harruar. Njerëzit e afërt të Baba Abazit dhe të dervishëve që ranë bashkë me Babanë, me përkushtimin …Gatishmëri dhe përkushtim të admirueshëm manifestuan edhe Fetah Hoxha, Abaz Memushaj, Lulzim Bardhi, Përparim Zotaj, Medin Çaushi etj. Te këta njerëz janë ruajtur të freskëta dëshmitë, kujtimet, të dhënat konkrete, fotografitë e gjithçka njerëzore të marra nga bashkëkohësit.

AKTIVITETI

Festa do të bëhej ditën e diel, por ne u nisëm nga Tirana një ditë para; të shtunën që pa u gdhirë. “Duhet të jemi atje sa më parë; janë edhe disa punë që s’presin për nesër” ,-tha Nuriu dhe kishte të drejtë. Pa u afruar në Fratar na telefonoi dhe na priste në Ninësh Përparim Zotaj; nipi i dervishit të njohur Xhafer Aliaj që kishte shërbyer në teqenë e Rabies, por disa muaj para masakrës ishte bërë pjesë e formacioneve të luftëtarëve antifashistë. U takuam me Përparimin dhe disa banorë të tjerë. Na thanë se do të vinin atje shumë njerëz nga Ninëshi dhe fshatra të tjerë të Mallakastrës. Ngjitëm maloren e shkëmbit të koçit dhe po i afroheshim Levanit të Tepelenës. Në lagjen Bregaj të Levanit, pranë lisit të shenjtë, kishte dalë e na priste Medin Çaushi. Medini, pasardhës i denjë i disa brezave bektashinjsh gjithashtu nipi i Baba Neki Caushi dhe stërnip i klerikut dhe Patriotit të mirënjohur Baba Medin Gllava (Çaushi) e përjetonte fuqishëm ngjarjen.. Medini vazhdoi bisedën duke na thënë se pas kapitullimit të fashizmit, në shtëpitë e Levanit si dhe të fshatrave të tjerë të trevës, janë strehuar shumë italianë. Kreshnik Hashorva u shpreh: “Fashistët vranë e masakruan njerëzit tanë, kurse ne pajimet e tyre të luftës i kthyem në vazo lulesh; ky qëndrim i pashembullt tregon shpirtin e madh të shqiptarit!”  . Pa humbur kohë vijojmë rrugën për në Rabije, por herë mbas here na duhej të ndalonim për të takuar njerëz të njohur e të panjohur, që megjithëse merreshin me punët e tyre, mendjen e kishin te takimi përkujtimor i së nesërmes…

NË RABIJE

Në rrugën ende të parrahur nga makinat me disa malore dhe kthesa të forta, punën më të vështirë e kishte  Gjergji, drejtuesi i automjetit. Pasi u kaluan pjesët më të vështira dolëm në kodrën përballë teqesë … Viktor Kaza, bektashi i palodhur, është bërë ëngjëlli mbrojtës i territorit të teqese. Viktori banon në shtëpinë e ngritur në truallin e të parëve të vet në afërsi të teqesë. Kur e pyesim se si ka arritur të bëjë tyrben e re të Baba Ali Horosanit (themelusi i teqesë) dhe punë të tjera me shpenzimet e veta na përgjigjet duke tretur shikimin te tyrbetë e teqesë: “Më është bërë mbarë dhe mbarë do bëhet gjithmonë se e kanë bërë mbarë këta shenjtorë”!

Më 22 korrik, pa rënë mirë dielli i mëngjesit lëndinat e bukura të mjedisit rreth teqesë po e humbnin qetësinë e zakonshme. Nga të gjitha rrugët që lidheshin me Rabijen, Levanin, Allkomemaj, Gllavën, dhe fshatrat e tjerë për rreth filluan të vijnë njerëzit të organizuar me miq e shokë me familjet e tyre. Ishin mes njerëzve edhe pasardhësit e të rënëve; nipërit e Baba Abazit (Abazi i ri me të vëllanë), dervish Barjamit (Fetahu) e shumë të tjerë. Shumë prej tyre me kurbanët e taksur për këtë ditë të shënuar… Në hyrje të memorialit, në krah të lisave shekullor pamë Izet Kapllanin, i cili është një nga të mbijetuarit e asaj masakre. Megjithëse ka mbushur më shumë se një shekull, Ai bashkë me fëmijët, nipër e mbesa vjen aty në çdo përvjetor e dëshmon për të rënët e pavdekshëm. Mes njerëzve janë përfaqësuesit e Prefekturës Gjirokastër së bashku me të zgjedhurit e bashkive bashkive Memaliaj e Tepelenë. Me vlerësim e adhurim të veçantë pritet Haxhi Dede Edmond Brahimi i shoqëruar nga shumë klerikë dhe i rrethuar nga disa të pranishëm që kishin qenë aty pranë po vinte në këmbë drejt memorialit të të rënëve. Ishte krijuar një mjedis hyjnor; mes klerikëve të nderua na  dukej se po shikonim  dhe martirët e paharruar! Pasi u këndua hymni kombëtar, në takimin solemn fjalën përshëndetëse e mbajti Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimi. Ai vlerësoi lart sakrificat e bëra dhe kontributin atdhetar të martirëve të teqesë së Rabies. Ato fjalë të ngrohta u pritën me shumë respekt nga të pranishmit, të cilët shprehën edhe mirënjohjen e thellë për organizimin e kësaj veprimtarie.  Folën gjithashtu përfaqësuesit e pushtetit vendor: kryetari i bashkisë Memaliaj Durim Roshi dhe sekretarja e këshillit Liljana Salaj, kryetari i bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi, përfaqsuesi i Komitetit Kombëtar të Veteranëve,  Shkëlqim Guçe,  Prof. Dr. Shyqiri Hysi dhe  disa të pranishëm. thanë fjalët e zemrës edhe Abazi e Fetahu. Të gjithë shprehën nderimin e thellë për martirët e rënë në Rabije; në Qerbelanë e Shqipërisë!

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi