Tek Sofra e Shqipes-Prizren 2014, buçitën këngët dhe gazmoi humori i pastër shqiptar

793
Sigal

Kjo sofër u organizua nga TV “Blue Sky” i cili po prezantohet si një vatër e kulturës kombëtare

Pas suksesit që “Blue Sky” me stafin e tij arriti për dy vite me radhë në organizimin e “Sofrës së Shqipes” për festat e fundvitit: të parën në qytetin e Shkodrës dhe të dytën në qytetin e Ulqinit, këtë radhë Shqipja e kësaj sofre fluturoi drejt Prizrenit.

N’at Prizren, n’at t’bukurin vend, n’at’ qytet të historisë dhe të zambakëve të bardhë Shqipja hapi krahët e saj për të mirëpritur edhe njëherë në këtë sofër tradicionale vëllezër e motra nga të gjitha trevat shqiptare. “Sofra e Shqipes”, kështu është titulluar ky eveniment, ashtu si vetë Shqipja që mbledhë pranë bijtë e vet edhe kësaj here mblodhi rreth saj shqiptarët, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por ngado që jetojnë e punojnë. “Sofra e Shqipes”, u shtrua në “LUXORY PALACE” dhe ishte për një natë sofra e gjithë shqiptarëve dhe, ashtu siç është traditë në raste festash, buçitën këngët e bukura popullore dhe gazmoi humori i pastër shqiptar. Këtë sofër e nderuan me pjesëmarrjen e tyre këngëtarët më të mirë të skenës shqiptare nga Shkodra, “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, mbretëresha e këngës popullore shkodrane Vjoleta Zefi dhe si gjithmonë e freskët si lulet e pranverës këngëtarja Alma Velaj. Prishtina, “Mjeshtrja e Madhe” Shkurte Fejza e shoqëruar nga Naxhije Fejza motra e saj dhe nga vajza Gresa Behluli, Vlora, Rovena Ibrahimi, Tirana, Elisabeta Marku dhe Eli Malaj, Tuzi, Nikoll Nikprelaj, Çamëria, Enkelejda e Hysni Alushi, Ulqini, Gëzim Salaj, Gjakova, legjenda e këngës kosovare Ismet Peja, Mitrovica, Gazmend Kelmendi, Malësia e Madhe, Skënder Xhafa dhe Vida Kunora, Puka Anjeza Ndoj, Treva e Dukagjinit u përfaqësua nga Gofile Papleka, Ndue Shytani, Fran Kodra, Pëllumb Vrinca dhe Gëzim Zefi , Diaspora Lap Logu, në “Luxory Palace” vetëm me “Blue Sky music” aty ku muzika buron nga shpirti, shoqëruar nga orkestra e këtij televizioni.

 Humor e hajgare sollën në këtë sofër të begatë humoristët e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës me pjesëmarrjen e aktorëve të mirënjohur të humorit shkodran si: Drande Xhai, Muhamet Çekini, Anton Krosaj, Bendis Druni si dhe grupi “Gaz e maraz” Qazim Çela dhe Gac Kodrina.

   Siç thotë një fjalë e vjetër popullore “Burra të mirë zen sofra boll” dhe këto burra, gra, vajza e djem u ulen në këtë sofër të gjithë të barabartë, siç i ka hije një sofre shqiptare. TV “Blue Sky” i ftoi me kënaqësi që të vinin në këtë festë të madhe, të bëheshin pjesë e kësaj sofre bujare, të uleshin dhe të shijojnë në një natë magjike mikpritjen dhe kulinarinë tradicionale të Prizrenit, këngën e bukur shqiptare, gazin dhe harenë që sjell humori, por mbi të gjitha atë që sjellin gjithmonë sofrat mikpritëse, takimin dhe çmalljen mes vëllezërish, motrash, miqsh e shokësh.

Pas interpretimit të himnit të TV “Blue Sky” moderatorja e mirënjohur e këtij televizioni Adelajda Tukiqi, drejtuese e këtij spektakli, pasi falënderoi Presidentin e TV “Blue Sky” z.Gëzim Brahusha i cili i kishte besuar drejtimin e këtij spektakli, uroi mysafirët pjesëmarrës, si dhe bëri një përshkrim të përmbledhur për punën me mjaft profesionalizëm dhe sukseset e njëpasnjëshme të këtij televizioni, duke vijuar më pas me prezantimin e programit. I pari që u ngjit në skenën e improvizuar me aq shije për këtë mbrëmje ishte legjenda e këngës kosovare Ismet Peja, i cili përmes emocioneve të moshës së thyer para se të këndonte, falënderoi organizatorët e kësaj mbrëmje magjike, duke ia lënë radhën më pas “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili, i cili bëri publikun të ngrihej në këmbë dhe të gjithë e shoqëruan duke kënduar së bashku. Interpretimi dhe performanca para publikut, forca brenda tij për të prekur zemrat e të gjithëve nuk shteron. Ai vjen gjithnjë me risi dhe i pa lodhur, për të vazhduar pasionin që e udhëhoqi përgjatë gjithë jetës së tij. Bujar Qamili është këngëtar, showmen me kuptimin e plotë të fjalës, një artist i mirëfilltë ku artin e ka ushqimin e shpirtit dhe atë që e mban gjallë. Pas këngës “Qejfi bahet me shkodranë” që tashmë është bërë pjesë në repertorin popullor për festa e gëzime, ai solli edhe këngë të tjera shumë të dashura për publikun, duke u ndjekur më pas nga interpretimet brilante të shumë e shumë këngëtarëve të ftuar në këtë sofër. Humori i gërshetuar me këngë e valle i dhanë akoma më shumë gjallëri kësaj sofre madhështore. Sofra qëndroi e shtruar deri në orët e para të mëngjesit, pa i rënë për asnjë çast ritmi dhe gjallëria, sepse këtë ritëm e gjallëri nuk ia jepnin vetëm këngëtarët e humoristët, por të gjithë të pranishmit që ishin pjesë e kësaj sofre. Natyrisht kjo sofër shqiptare mori vlerësime nga personalitete të ndryshme që ishin të ftuar aty, të cilët nëpërmjet intervistave që iu morëm, shprehën lëvdatat dhe emocionet që përjetuan në këtë natë magjike.      

   Drejtori i “LUXORY PALACE” z. Armend Berisha tha se e kishte pritur me kënaqësi ofertën nga Presidenti i TV “Blue Sky” z. Gëzim Brahusha për të organizuar në lokalin e tij “Sofrën e Shqipes”, duke u ndjerë i privilegjuar nga kjo ofertë, pasi një aktivitet i tillë nuk ishte organizuar asnjëherë në qytetin e Prizrenit.

   Stafi ynë, tha ai, u përkushtua shumë me qëllim që gjithçka të ishte në funksion të mbarëvajtjes së këtij evenimenti të pa harruar jo vetëm në lokalin tonë, por për të gjithë qytetarët e Prizrenit. Janë mysafirët ata që na dhuruan bukurinë e kësaj nate së bashku me këngëtarët më të mirë që morën pjesë sonte, si dhe humoristët e shkëlqyer shkodranë. Jam shumë i lumtur që përveç qytetarëve tanë, mysafirët e vërtetë ishin nga Shkodra, Kukësi, Puka, Vlora, Tirana dhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.

 Jemi me Presidentin e TV “Blue Sky” z. Gëzim Brahusha: Z. Gëzim, pas një rrugëtimi të gjatë “Sofra e Shqipes” të cilën ju e organizoni për tre vite me radhë, a mund të na thoni si e keni vlerësuar pjesëmarrjen e mysafirëve, këngëtarëve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare si dhe humoristëve të mëdhenj shkodranë? A keni hasur vështirësi në organizimin e këtyre sofrave? “Ju falënderoj për intervistën, nuk dua të zgjatem në vështirësitë e organizimit, por menjëherë dua të falënderoj të gjithë mysafirët nga Kosova dhe Shqipëria, dua të falënderoj të gjithë këngëtarët dhe humoristët pjesëmarrës pa përjashtim, për vlerësimin e këtij aktiviteti, duke treguar gatishmërinë dhe vlerat e tyre artistike, vlera të cilat TV ynë do ti pasqyrojë gjithmonë. Natyrisht, ashtu siç më pyetët ju për organizimin, siç ndodh në këto raste, dikush mund të bëhet edhe pengesë, por pjesëmarrja dhe vlerësimi i publikut ka qenë përgjigja më e mirë për ta. Edhe një herë dua të falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit dhe ato që kontribuuan për këtë sofër kaq të madhe shqiptare, ku u përfaqësuan me dinjitet Shkodra, Prishtina, Tuzi, Gjakova, Ulqini, Tirana, Vlora, Çamëria, Mitrovica, Malësia e Madhe, Malësia e Pukës, d.m.th. të gjitha trevat shqiptare, si dhe Diaspora, kishin këngëtarët e tyre”.

Jemi me legjendën e këngës popullore mbarë shqiptare Ismet Peja.

Unë iu drejtova ashtu siç e thërrasin kosovarët: Baca Ismet, si e vlerësoni këtë mbrëmje kaq të madhe?

  Ishte një mbrëmje e pa paharrueshme, ku janë mbledhur të gjithë ata që kanë kontribuar dhe kontribuojnë me vite për këngën gjithëshqiptare.

Jam tejet i kënaqur që si legjendë e këngës gjithëshqiptare mora pjesë në këtë eveniment të iniciuar nga z. Gëzim Brahusha, drejtor i TV “Blue Sky” të cilin e përshëndes dhe i dëshiroj çdo të mirë dhe punë të mbarë e suksese.

  Z. Nikoll, si e pritët ftesën nga TV “Blue Sky” për të marrë pjesë në “Sofrën e Shqipes”, iu drejtova këngëtarit Nikollë Nikprelaj nga Tuzi.

   “Me erdhi mirë që mu bë ftesa për të marrë pjesë ne “Sofrën e Shqipes” . Unë si këngëtar, gjeografikisht i përkas kësaj treve edhe pse ndoshta jam më shumë prezent në skenat Kosovare. Unë çdo ditë e më shumë po paraqitem para publikut të Shqipërisë për çka jam shumë i interesuar. Unë jam malësor dhe si malësor përpiqem kudo ta përfaqësoj melosin tonë kaq të pasur dhe kaq të bukur.

   “Sofra e Shqipes” u organizua bukur. Bukurinë e kësaj sofre e sollën yjet e këngës mbarëshqiptare siç ishin Ismet Peja, Bujar Qamili, Shkurte Fejza etj. Ideja që çdo vit të mbahet në vende të ndryshme kjo sofër gjithashtu me duket një gjetje interesante, aq më tepër që u mbajt në Prizrenin e bukur”.

   Vitin e kaluar ju përfaqësuat denjësisht Trevën e Tuzit në festivalin e këngës popullore qytetare organizuar nga RTSH.

   “Po. Vitin e kaluar mora suksesshëm pjesë në festivalin e këngës popullore në RTSH. Atje u paraqita me një këngë të kompozitorit Edmond Zhulali dhe me një këngë popullore me titull “Po martohet malësori”.

 Me çfarë këngësh u paraqitët sonte?

   “Sonte u paraqita me një këngë të vjetër shkodrane “Karajfil të zgjodha” dhe një këngë të re nga Edmond Zhulali me tekst timin “Dashuri që nuk mbaron”. Edhe ky tekst bën fjalë për një bukuroshe shkodrane”.

Si e ndjetë veten mes kolegëve tuaj në këtë natë magjike?

 “Si u ndjeva? Gjithmonë ndjehem mirë aty ku ka artistë të mëdhenj. Shpresoj që edhe të tjerë këngëtarë që ishin pjesëmarrës në këtë sofër të bëhen të mëdhenj. Këngëtari bëhet i madh vetëm nëse punon shumë, kultivon artin e pastër dhe bën përpjekje të bëjë një fizionomi të veten përmes interpretimit sa më origjinal dhe të veçantë. Uroj që edhe “Blue Sky” të ecë përpara me një program të pastër origjinal ashtu siç i ka hije një Shkodre, e cila njihet si vatër kulture në gjithë kombin tonë”.

 Në mes këngëtarëve dhe mysafirëve, tentova t’i marrë një opinion edhe këngëtares nga Çamëria Enkelejda Alushi-Arifi: Si e pritët ftesën nga Tv “Blue Sky” për të marrë pjesë në këtë sofër?

“Të them të drejtën ftesën e prita me kënaqësinë më të madhe. Më erdhi shumë mirë dhe u ndjeva e nderuar nga ftesa që më bëri z. Brahusha. Më në fund edhe Çamëria do të përfaqësohej nga unë dhe Hysniu. E cili Shqiptar nuk do të donte të ulej në “Sofrën e Shqipes”.

 Është hera e parë që ju merrni pjesë në këtë eveniment?

 “Po, është hera e parë që unë jam pjesë e kësaj ngjarje të madhe dhe të them të drejtën e shijova shumë bukurinë dhe kënaqësinë e të qënit pjesë e këtij spektakli mbarëkombëtar, që bashkon artistë nga të gjitha viset tona. Siç e thashë edhe më herët për mua ishte më shumë se magjike kjo natë, sepse u ndjeva shumë mirë mes kolegësh artistë të të gjitha viseve, gjë që ndodh rrallë të jemi të gjithë bashkë, sepse secili është i zënë me aktivitetet e tij profesionale dhe sofra na bashkoi”.

   Si e vlerësoni ju këtë natë magjike, cili ishte momenti më i bukur për ju?

   “Momenti më i bukur për mua ishte kur gjatë përformimit tonë u ngritën të gjithë pa përjashtim e na rrethuan duke vallëzuar në ritmet e bukura të këngëve çame.

 Nuk më respektuan e nderuan vetëm mua dhe Hysniun, ata të gjithë pa përjashtim respektuan dhe nderuan tërë Çamërinë, e cila më shumë se kurrë ishte pjesë e asaj “Sofre Shqiptare”. Edhe një herë dëshiroj të falënderoj z. Gëzim Brahusha, TV “Blue Sky” për ftesën dhe të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe kolegët artistë për pritjen fantastike që na bënë atë mbrëmje”.

   Nuk kishte si të mungonte edhe ikona e këngës shqiptare e madhja Shkurte Fejza, të cilës nxitova t’i marrë edhe asaj opinioni për këtë sofër madhështore shqiptare.

   Znj Shkurte, atmosfera e festimit të 40 vjetorit të karrierës tuaj para disa ditësh vazhdon të jetë akoma e ngrohtë. Ju jeni e vetmja këngëtare kosovare që jeni dekoruar nga dy Presidentë, i Shqipërisë dhe e Kosovës me titullin “Mjeshtre e Madhe” dhe “Medalje Presidenciale e Meritave”.

   Së pari, e filluam bisedën me këngëtaren e madhe Shkurte Fejza, ju falënderoj që gjetët kohë të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj në këtë eveniment kaq të madh, së dyti desha t’ju pyes si e pritët ftesën nga Presidenti i TV “Blue Sky” z. Gëzim Brahusha për të qenë e pranishme sonte në këtë sofër madhështore?

   “Është e vërtetë që ende unë jam në atmosferën e gëzueshme, ku po i korri sukseset e 40 vjetorit. Kjo më bën të ndjehem e relaksuar, pasi nuk e kam më ngarkesën e organizimit, tash po e shoh se ishte bukur, tash po e shoh se më kanë nderuar miq nga të gjitha trojet shqiptare, miq nga Diaspora dhe lum ai që ka miq, sepse pa miq e dashamir nuk ka kuptim as jeta. Pikërisht ky motiv ka ndikuar që unë të jem këtu, sepse Gëzimin, Presidentin e TV e kemi mik dhe më ka pëlqyer organizimi që vazhdimisht e bën për sofrën shqiptare, më ka pëlqyer se janë artistë nga të gjitha trevat  shqiptare dhe jam ndjerë e privilegjuar në mesin e këtyre artistëve.       Atmosfera po më pëlqen shumë, do kisha thënë lum ai që po e shijon dhe më vjen keq për ata që nuk kanë pasur mundësi për që të vijnë që ta shijojnë. Më vjen mirë që u kënduan këngë shumë të bukura nga këngëtarë të ndryshëm duke përfaqësuar denjësisht vendet e tyre nga vijnë, këngë të vjetra dhe të reja, gjë e cila po më pëlqen shumë”.

   Krahas suksesit të padiskutueshëm që ju keni gjithmonë në çdo eveniment, sonte u vu re edhe pjesëmarrja e motrës dhe vajzës tuaj. Ju lutem na thoni diçka rreth përformancës së tyre.

   “Po, ne jemi familje që të gjithë kanë kënduar, duke u nisur prej vetes time, por edhe prindërit e mi kanë kënduar, duke vazhduar edhe me shtatë motrat e mia, të cilat sa herë mblidhemi krijojmë atmosferë, pasi në familjen time është një traditë që të këndohet. Më së shumti këtë e dëshmon motra ime Naxhija edhe Gresa, vajza ime për të cilat ju them të drejtën se kur dalin ata të këndojnë, unë jam shumë e lumtur, sepse kanë zë shumë të bukur.  Së fundmi më lejoni që të përshëndes përzemërsisht të gjithë adhuruesit e mi kudo që ndodhen”.

   Jemi me këngëtaren nga Vlora, Rovena Ibrahimi. Ju lutem, iu drejtova asaj, na tregoni si e pritët ftesën për të qenë e pranishme në “Sofrën e Shqipes” në qytetin e bukur të Prizrenit?

   “Në radhë të parë dua të përshëndes organizatorët e këtij spektakli siç është TV “Blue Sky” i cili meriton një duartrokitje të madhe, sepse përveç një sofre të zakonshme që mund të bëhej në prag të vitit të ri, ka bërë një përzgjedhje shumë të bukur midis trevave të ndryshme shqiptare. Kemi folklor shumë të bukur, kemi melodi të ndryshme popullore, flasim të gjithë shqip. Kjo ishte gjëja më e bukur që mua më pëlqeu. Ndjehem shumë e vlerësuar, sepse të jesh përkrah emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare, ato emra që kanë bërë epokë në muzikë nuk është pak. Të jesh në mes Ismet Pejës, Shkurte Fejzës, Bujar Qamilit dhe gjithë këngëtarët me radhë, ishte një vlerësim shumë i madh. Pra është një vlerësim akoma më i mirë sepse unë vij në Prizren mbas çmimit të parë të festivalit “Zambaku i Prizrenit” dhe të rikthehesha përsëri në Prizren, në këtë sofër kaq të bukur, do të thotë një festë e dytë për mua”.

   Si e ndjetë veten sonte në këtë eveniment?

   “Sigurisht që u ndjeva shumë mirë, fjalët e para i thashë se unë jam një vlonjate, e para që marr çmim në Prizren. Ç’ mund të them tjetër veçse një falënderim, jo vetëm Prizrenit për këtë mikpritje që bën gjithmonë me të gjithë artistët, por faleminderit edhe TV “Blue Sky”, stafit të tij, që bëri këtë organizim kaq të bukur me kaq zgjedhje domethënëse në qytetin e Prizrenit”.

   Për t’i marrë opinionin edhe “Mjeshtrit të madh” Bujar Qamili e pata më të lehtë, pasi me të, të nesërmen udhëtova për në Shkodër, prandaj po e lë edhe në mbyllje të shkrimit.

   Biseda ishte interesante, pasi atë e bëmë në makinë gjatë rrugës së kthimit. Bujari herë shikonte rrugën dhe herë mua dhe e filloi bisedën me humor: Tash e gjete Zan me më marrë në intervistë? Po ndalemi në Kukës, pimë një kafe edhe po bëjmë muhabet.

Ashtu bëmë edhe opinioni i Bujarit ishte Ky: “Ishte një spektakël që ndryshoi nga dy vitet e tjera. Me shkathtësinë dhe talentin e tij, z. Gëzim Brahusha me stafin e tij kishte vendosur që kësaj here ky eveniment të organizohej në një nga qytetet më të bukur të Kosovës, siç është Prizreni. Unë jam shumë i kënaqur që mora pjesë në këtë sofër të madhe, ku u takova dhe u përshëndeta me kolegë dhe miq të mi, të cilët kisha kohë pa i takuar. Përsa i përket spektaklit, ai ishte i realizuar me një regji spektakolare që nuk ke se çfarë t’i shtosh, sepse deri në orët e para të mëngjesit, mysafirët nuk lëviznin nga ai ambient i mrekullueshëm, pasi atmosfera ishte në kulmin e saj dhe këtë e bënte të tillë repertori i mirëfilltë shqiptarë”. Shfaqja e sofrës fluturoi e gëzuar dhe krenare mbi qiellin e Prizrenit për t’i lënë vendin sofrës së radhës, që vitin e ardhshëm të shtrohet në një qytet tjetër shqiptar, për të mbledhur përsëri bijtë e bijat e veta, ashtu siç i ka hije një nëne fisnike.

     Nga RAMAZAN ÇEKA

   Nëntor 2014