Teatri shqiptar ka “vdekur”, ta ngjallim atë

883
Sigal

Konsultë për teatrin shqiptar: Duhet krijuar një model i ri i jetës artistike në Shqipëri

Flasin: ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Robert Ndrenika, Yllka Mujo, Mihallaq Luarasi, Kristaq Skrami, Zamira Kita, Spiro Duni dhe Stefan Çapaliku

Risi

Sipas të gjithë pjesëmarrësve në konsultë-bisedën që zhvilloi ministrja Kumbaro dje me drejtues të teatrove shqiptare, me regjisorë, aktorë, kritikë arti, gazetarë, një gjë doli në pah: Është hera e parë që një ministër Kulture zhvillon një bisedë të hapur, një bisedë miqësore, një bisedë për të shfaqur vetëm problemet dhe për të nxjerrë në pah mangësitë kryesore, që teatri shqiptar të dalë nga kriza dhe të risi nivelin artistik, për të rritur modelin e jetës artistike në interes të spektatorit.

 Theksi i ministres Kumbaro

Dje ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, organizoi një takim konsultë me drejtuesit e Teatrit Kombëtar, Teatrit të Komedisë, aktorë, regjisorë, skenaristë dhe përfaqësues të medias, për problemet, shqetësimet dhe detyrat që i dalin në të ardhmen Teatrit Kombëtar. Midis shumë pjesëmarrësve unë do të veçoja “Nderin e Kombit” aktorin Robert Ndrenika, regjisorin e talentuar’ Mjeshtër i Madh” Mihallaq Luarasi,  Drejtorin e Teatrit Kombëtar, z. Kristaq Skrami, Drejtorin e Teatrit të Komedisë z.Kastriot Çipi, Drejtoren e Teatrit të Korçës, znj. Zamira Kita, regjisorin Spiro Duni, aktoren e talentuar Yllka Mujo, si dhe aktorët Araben Dehremi, Olta Dako, kritikun Stefan Çapaliku, etj.. Në fjalën e saj ministrja theksoi se, e organizova këtë takim në formë konsulte, me drejtuesit kryesorë të teatrove, aktorë, regjisorë, krijues të artit si dhe kritikë, për të parë gjendjen aktuale të teatrit shqiptar, problemet kryesore, defektet, ku çalojnë punët, propagandimin e anëve pozitive si dhe marrjen e masave për ta çuar teatrin shqiptar më përpara. Unë dua të dëgjoj mendimet tuaja, diskutimet tuaja, ato çka juve ju shqetësojnë, pasi duke qenë në krye të kësaj pune, duke qenë profesionistë dhe i keni ndjekur në vijimësi problemet e teatrit mund të arrijmë në konkluzione të përbashkëta për përmirësimin e gjendjes. Sipas  ministres Kumbaro, aktualisht ne duhet të krijojmë  një model të ri të jetës artistike në Shqipëri. Dhe në këtë jetë artistike, teatri zë vendin kryesor.  Sot teatri ka nevojë për ndryshim, ku duhet një reformë e thellë. Pra reforma duhet të konsistojë në këtë ndryshim rrënjësor. Sipas ministres ndryshim nuk do të thotë heqjen apo zëvendësimin e një zëvendësministri, drejtori, të një aktori, apo të një regjisori. Jo! Ndryshim do të thotë ndryshim në mentalitet, ndryshim në themel të mënyrës së funksionimit të drejtimit dhe të punës në përditshmëri, ndryshim në interes të  problemit, pra për të pasur një jetë artistike cilësore, për të kënaqur shijet artistike të popullit dhe për të rritur në një shkallë më të lartë nivelin e teatrit tonë. Teatri ka vlera edukimi, dhe si të tillë duhet ta shfrytëzojmë. Pra theksoi, Kumbaro, ne duhet të bëjmë reformë në cilësi, por deri më sot e kemi pasur të vështirë t’i afrohemi teatrit. Kjo për shumë arsye, pasi janë ngritur barriera artificiale, nuk është bashkërenduar puna midis Ministrisë dhe TK, por dhe se artistët shumë herë janë treguar indiferentë ndaj shumë problemeve. Ne duke qenë bashkë, duke diskutuar, bashkë, duke luftuar bashkë anët negative, mund të punojmë në favor të teatrit, por edhe në favor të spektatorit. Ne do t’i afrohemi teatrit pa paragjykime, me diskutime, konsultime, me ndryshime për të kënaqur shijet e spektatorit, pasi në fund të fundit është ai që na jep notën përfundimtare. Ky lloj menaxhimi, sqaroi Kumbaro nuk duhet të ekzistojë më. Bindja se TK është i paprekshëm nuk duhet të ekzistojë më, mendime dhe mentalitet të tilla, janë të papranueshme në një sistem demokratik. Pra ndryshimi duhet të jetë në mentalitet, në mënyrën e të punuarit, në mënyrën e të menaxhuarit, në mënyrën e bashkëpunimit, në mënyrën e funksionimit të të gjitha levave në TK dhe në teatrot shqiptare në përgjithësi. Pa këtë ndryshim, jeta artistike në vend do të jetë e vakët, shijet artistike të spektatorit nuk do të kënaqen  dhe puna jonë do të shkoj pa lënë gjurmë,- përfundoi ajo.

 Buxheti

Sipas ministres Kumbaro, buxheti i TK-së në Tiranë për vitin 2013 ka qenë 79 milionë e 825 mijë lekë, pra afërisht 80 milionë lekë të reja ( pra 800 milionë lekë të vjetra). Ndër to 78% e shumës ka shkuar vetëm për pagesa dhe sigurime shoqërore të aktorëve, 14 % e shumës për projekte dhe 8% të ndryshme. Në vitin 2013, TK është paraqitur me dy produksione. Aktualisht në TK janë punësuar, definitiv 32 aktorë, ku disa prej tyre kanë dy vjet apo më shumë pa asnjë rol dhe kanë marrë paën e plotë. Të tjerë kanë vetëm me një rol në dy vjet, ku shumica figurantë.

 Diskutime

Pas fjalës së ministres diskutimet ishin tepër interesante. Problematika e teatrit shqiptar, doli se është mjaft e madhe. Askush prej diskutantëve nuk foli për një teatër perfekt në cilësi, por edhe në sasi. Vendi ynë është një vend mesdhetar, ku jeta artistike në verë duhet të rritet, ku numri i shfaqjeve duhet të rritet po ashtu dhe numri i teatrove.

 Kiço Londo, regjisor

 Në këto 20 vjet tranzicion të Shqipërisë, shohim se teatri shqiptar për çdo ditë po bie poshtë e më poshtë si në cilësi edhe në sasi. Çdo qeveri që vjen, premton reformë, pro reforma nuk konsiston në cilësi, në mënyrën e funksionimit, por në zëvendësimin e drejtorëve sipas interesit të partisë në pushtet dhe në dëm të cilësisë së punës dhe cilësisë artistike që nuk e vlerëson spektatorin. Në gjithë këto vite janë hedhur në tregun mediatik katër ligje për teatrin, por asnjëri nuk është vënë në zbatim, në efiçencë. Kultura dhe krijimtaria e dramaturgjisë janë në kufijtë e vdekjes. Sot teatri shqiptar ka mediokritet, është pa vizion, pa hapësira për të talentuarit, pa hapësira për të rinjtë, pa programe të qarta dhe mënyra bashkëveprimi. Kjo është në tërësi por në teatrin Kombëtar në veçanti. Unë po sjell dy shembuj, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Fierit. I pari që financohet nga shteti, i dyti nga Bashkia e qytetit Fier. P.sh në Fier në vitin 1998 jepeshin 120 shfaqje në vit, tashmë janë ulur ndjeshëm, pasi ka rënë dhe buxheti i Bashkisë për kulturën, por megjithatë ky teatër po mbijeton në sajë të vullnetit të kryetarit të Bashkisë, punës së tij të dashuruar me artin. Ndërsa në Teatrin Kombëtar ku ka një buxhet 800 milionë letë të vjetra, numri i premierave ka rënë ndjeshëm. Mund të jepen deri në dy premiera në vit. Po ashtu ka rënë numri i shfaqjeve. Për të shpëtuar TK dhe teatrin shqiptar në përgjithësi ndryshimi është jetik. Teatri nuk duhet të jetë i politizuar.  Sot po shoh se nuk ka ardhur as përfaqësuesi i Teatrit të Metropolit, “Teatri i Tiranës”. Unë mendoj se duhet të ngrihet sistemi teatro shqiptar, ndryshim sistemi do të thotë ndryshim mënyrës së organizimit, mënyrës së punës, mënyrës së menaxhimit, etj.. Mendoj se ka ardhur koha që institucionet kulturore në qytete, të varen nga Ministria e Kulturës dhe jo nga pushteti vendor, ose të kenë varësi kryesore nga kjo ministri. Kurrsesi nuk duhet që drejtorët e teatrove të bashki të ndryshme të zgjidhen nga Kryetari i Bashkisë apo Këshilli Bashkiak. Institucionet e rëndësishme kulturore në çdo qytet duhet të varen nga Ministria e Kulturës. Është një detyrë e kohës për ngritjen e teatrove alternative të mbështetura nga kjo ministri, kjo do t’u japë më shumë hapësirë aktorëve, por do të rrisë dhe gamën e veprimtarive artistike. Ndërsa në fund të fjalës time dua të them që duhet patjetër të funksionojë sistemi i kontratave me aktorët. Kjo do të nxisë interesin për punë, përkushtimin, bën diferencimet në pagesë dhe nivel si dhe i jep një hov të ri jetës artistike në vend.

 Zamira Kita, Drejtore e teatrit “Andon Zako Çajupi, Korçë

 Kam shtatë vjet drejtore e Teatrit të Korçës dhe është hera e parë që një ministre na mbledh në këtë mënyrë. Ne si teatër një ndër detyrimet, sigurimin e 10% të të ardhurave nga biletat e kemi siguruar. Detyrë e jona si drejtues mbetet vënia në skenë e shfaqjeve komerciale, me nivel artistik, cilësore që të kënaqë shijet artistike të spektatorit. Edhe unë jam e mendimit kalimin në punë të aktorëve me kontrata. Edhe tek unë ka disa aktorë që për një vit nuk kanë luajtur një rol dhe kanë marrë pagesën e plotë. Pse do thoni ju nuk luajnë? Sepse nuk mi pëlqejnë regjisorët. Por ata janë definitiv, për shumë arsye unë s’mund t’i heq dot. Kështu teatri nuk mund të përparojë. Detyra kryesore është gjallërimi i jetës artistike të qytetit, format dhe mënyrat duhen gjetur.

 Kristaq Skrami, Drejtor i TK-së

 Znj. ministre, ju falënderoj për këtë tryezë. Them se ka shumë thashetheme për TK-në. Kur më pyetët që n.q.s s’do të ishit drejtor, por do konkurronit për këtë vend si do vepronit? E para unë them që nuk duhet të ketë një TK, por disa teatro të përafërta me të. Një drejtues duhet të paraqesë programin e punës. Në rend të ditës duhet të jetë kontrata e punës dhe jo emërime definitive. Në punën tonë kemi pasur rezultate dhe ato nuk mohohen. Kemi sjellë në TK, regjisorë të huaj nga më të afirmuarit. Kemi afruar shumë të rinj. Unë reformën nuk e shoh tek shkurtimet, pasi 32 aktorë nuk janë shumë, por tek mënyra e funksionimit, mënyra e aktivizimit.  Ndoshta në këtë pikë nuk kemi funksionuar mirë.  (Ndërhyn ministrja Kumbaro: Vetëm vitin e fundit emëruat dy aktorë, të cilët nuk u aktivizuan)

 Mihallaq Luarasi, regjisor

 Po dëgjoj shumë diskutime, por unë shtroj pyetje, a do flasim njëherë sinqerisht, apo do ngremë probleme duke qenë pjesë e fajit si njeri dhe tjetri, Bibla thotë: “shkaktarët e kaosit nuk na shpëtojnë dot nga kaosi”. Ndër ta janë dhe disa drejtues që folën, që kanë qenë drejtues. Sot teatri shqiptar është në krizë, për të mos thënë në pikën kritike të vdekjes. Ne duhet ta shpëtojmë atë, ndaj dhe jemi mbledhur sot. Dikur në atë regjim, që mos ardhtë kurrë jepnim më shumë se pesë premiera në vit dhe salla mbushej plot çdo ditë. Madje dhe pse jepnim shfaqje 6 ditë në javë. Sot ka dhe krizë frekuentimi, pasi sallat nuk mbushen dhe pse jepen 2 shfaqje në javë.. Problemet janë të shumta, organizative, bashkëpunimi, regjisoriale, autoriale, etj… Hajde të gjejmë rrugën e shpëtimit me frymë të re, me frymë idesh, modelesh, frymë përparimi dhe jo me miqësira, apo mërira.

 Spiro Duni-regjisor

Për mua TK fillon tek oborri, tek ai roja në kabinë, tek lulishtja, tek ambientet pastaj shkojmë në sallë tek artistët. Para ca ditësh takova Reshat Arbanën “Nderi i Kombit” një artist i madh që ka qenë pjesë e TK-së. Kur po dilnim nga oborri, ai më tha:- “këtu nuk bie erë teatër”. Pra nuk ka respekt, për aktorin, për regjisorin, nuk ka mënyrë bashkëpunimi. Pra në këtë teatër nuk ka kulturë theksoi Arbana. Në një vend që përhap, propagandon kulturë nuk ka kulturë. Kjo fjalë më vrau, por është e vërtetë.  Ai e kishte fjalën që tek ambienti, respekti, mënyra e komunikimit etj.. Për mua të 32 aktorët e teatrit duhet të jenë në funksion të teatrit. Ai që nuk ka rol, as figurant, të merret me shoqërimin e spektatorit, tek biletaria, tek regjistrimi i spektatorëve të rregullt, të merren adresat e tyre, tu dërgohen dhe biletat në shtëpi, apo ndonjëherë falas. Reformë do të thotë ligj, respektimi i ligjit, respektim i rregullave. Përmirësim, ecje para. Këto janë rregullat dhe normat e reformës. Ne duhet të punojmë për një bord të fuqishëm teatror, ku të piqet mendimi racional për një teatër bashkëkohor, për një teatër, të nivelit europian. Jam për një ndryshim të statusit të teatrove, për një status me bazë kontratën, për një teatër me program dhe me pagesë sipas punës, rolit, kontratës dhe aftësive.

 Robert Ndrenika, “Mjeshtër i Madh”

Drejtori ka përgjegjësinë dhe rëndësinë e tij të padiskutueshme në Teatrin Kombëtar.  Për të ecur punët mirë, ne s’kemi pse bëjmë ndonjë hata të madhe, mjafton të shikojmë eksperiencën e teatrove kombëtar të fqinjëve, qoftë të Beogradit, Zabgrebit, Maqedonisë apo dhe të Greqisë. Mendoj se, drejtori të mos zgjidhet nga Ministria por nga vetë komuniteti. Komuniteti ynë e di  se ku janë hallet, ku janë shqetësimet, ku janë hallkat e dobëta, ku janë barrierat. Ne e dimë se ku pikon Teatri Kombëtar. Drejtori i TK-së nuk duhet të ketë të bëjë me asnjë parti politike qoftë PS qoftë PD. Arti nuk duhet të njohë politikë. Nuk ka artistë të PD-së apo të PS-së pavarësisht se, dikush mund të ketë preferenca në vetvete.  Drejtori duhet të jetë një nikoqir i mirë. Ai duhet të dijë që kur jepen shfaqje, kur bëhen pagesa, kur ndahen role, kur bëhen turne, përcakton se sa i takon gjithkujt edhe në pagesë. TK duhet të japë shfaqje me peshë, pasi këtu spektatori është i kualifikuar dhe i njohur me botën. Mundësia është për çdo gjë, por me kontroll, me vizion, dhe ide. Mbi të gjitha duhet të ketë plan. Sa shfaqje premierë në vit. Sa shfaqje në tërë vitin?

 Ndërhyn ministrja: “Qëllimi është që si t’i menaxhojmë paratë sot, që të kërkojmë më shumë nesër”.

 Stefan Çapaliku

Teatri është çështje nderi, dinjiteti. Por ky teatër po na turpëron. Nuk mund të quhet Teatër Kombëtar. Reformë nuk do të thotë shkurtime nga puna, por si të rivëmë në punë aktorët, si të vemi pjesë më të mira, si të organizojmë punën për nivel të lartë artistik. Ne sot nuk kemi nevojë të shpikim, pasi shpikjet i kanë bërë të tjerët më parë. Ne kemi nevojë të zbatojmë eksperiencat më të përparuara që kanë dhënë rezultat. Ka dy mënyra për funksionimin e teatrove, njëra është ajo angleze me kontrata një deri dy- vjeçare, tjetra është ajo gjermane me kompani permanente. T’i studiojmë këto dy lloj teatrosh, funksionimin e tyre dhe të zgjedhim më të mirën për vendin tonë.

  Yllka Mujo, aktore

 Unë do të futem në probleme konkrete. Zonja Ministre, po afron stina e dimrit dhe TK nuk ka ngrohje. Duhet të vijmë me batanije në teatër, edhe ne si aktorë edhe spektatorët. Teatër, ku nuk ka qendër zëri të bëjë lajmërimet për aktorët. Në monizëm këto ishin perfekte (mos të merret për nostalgji aspak). Në gjithë godinën i sheh muret me vrima, ku hyn dhe zhurma nga jashtë. Por është dhe një problem tjetër. Ne nuk kemi tapet në anekset sa del nga skena. Kjo bën që të dëgjohen takat tona deri tek spektatori. Kështu humb dëgjueshmëria. Teatri ka qenë dhe duhet të mbetet tempull i kulturës. Duhet të bëjmë hapa para, por jo në vend apo të kthehemi mbrapa, pasi spektatori vjen të marrë kulturë, shije artistike. Ndaj drejtori duhet të jetë apolitik. Një administrator i mirë, jo detyrimisht aktor. Sot nuk mund t’i flasësh askujt për detyrat që ka pasi futemi në skenë me skenën të papastër. Pra mungon kritika në hapësirat tona. Secili duhet të respektojë punën e vet, mirëmbajtësi skenës, të mbajë skenën, aktori të luajë mirë, ndriçimi të ruaj ndriçimin, etj… Ndërsa pagesa të bëhet sipas rolit, interpretimit, vlerave, jo të gjithë njëlloj. Nuk duhet të ketë kurrë aktorë që nuk dalin në skenë dhe të paguhen. Gjithashtu, t’u hapet dritë jeshile dhe të rinjve.

 Një shqetësim real

Në këtë konsultë-bisedë u diskutuan shumë gjëra, por ajo që u la në heshtje ishte, drama shqiptare, komedia shqiptare. E ngrita jo pa të drejtë këtë shqetësim pasi pashë se, qoftë ministrja Kumbaro, qoftë drejtuesit tjerë qoftë regjisorët, as e vunë ujët në zjarr për këtë çështje kaq delikate. Në vitin 2013 në TK nuk u vu asnjë dramë shqipe, asnjë komedi e autorëve shqiptarë. Të dashur drejtues të TK-së apo të teatrove në qytete të tjera. E nderuar zonja ministre. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është drama shqipe, komedia shqipe, autorët shqiptarë. TK në radhë të parë duhet të flasë shqip. Ky teatër është Teatri Kombëtar, i kombit tonë, i gjuhës tonë, i kulturës sonë të mirëfilltë. Përparësi duhet të marrin vlerat tona, temat tona, krijimet tona, pastaj ato të huaja. Ose ndryshe mos e quani Teatër Kombëtar Shqiptar, por Teatri Ndërkombëtar i Tiranës. Kombi ka një gjuhë, ka një identitet, ka një kulturë të vetën dhe ato gjenden tek krijuesit tanë në gjuhën e bukur të Naimit. Nuk do të ketë kurrë Teatër Kombëtar pa dramat apo komeditë që shkruhen në gjuhën shqipe. Dramaturgët apo komedianët tanë duhet të nxiten, stimulohen, të mbahen afër si vlera. Ata e kanë mbajtur gjallë TK për vite të tëra dhe rezultate kanë qenë të pamendueshme. Mjafton të kujtojmë komedinë “Pallati 176”. Asnjë komedi e huaj nuk ka pasur këtë sukses.