Të zgjuarit janë bashkë në këtë botë

1709
Sigal

Lirika të zgjedhura nga Ismail Kadare

 

____________

NJË VAJZË

 

Duke të puthur, pa të dashur

Në shpirt ai ty të plagoi

Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,

si vrasës tinëz shkoi

 

Krenar që ty “të shtiu në dorë”

Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.

Pranë gotës së birrës për ty folën

në park, të dielave ata.

 

Dhe ti e vetme mbete, bosh

mbenë sytë e ty në net bilbilash

Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi

Një katastrofë automobilash.

 

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës

Ata me sy të ndjekin pas

Pataj me bërryl i bien shokut

“E sheh filanen? E ka pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin

T’arrish tek shoqja sa më shpejt

Të përsërisësh fjalët standart:

“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

 

Të dyja t’ulura pranë radios

Do ndizni heshtur një cigare

tek supi i saj, nën fjalë lajmesh

një çast dremitja do të t’marrë

 

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër

M’e gjerë, m’e bukur dhe më e re

Atje në sfond fabrikash, njerëzit

Nga këmbët s’do të të venë re.

 

Atje ku t’ecësh midis turmash

Në një grup djemsh, ndoshta midis

Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:

“E sheh filanen? Ishim miq…”

 

 

 

_______________

TI DHE HËNA

 

Kësaj nate me hënë të vjeshtës

Dola fushës të bredh kuturu.

Retë shtohen me vrap pa reshtur,

Hëna duket aty-këtu.

 

Porsi vetë mendimet e mia

Po më shtyhen ndër mënd më shpesh

dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti

si kjo hënë që duket mes resh.

 

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët

do të mbeten pa të, kurse ti

në ëndërrimet e mia pa jetë

perëndim s’do të kesh kurrsesi.

 

_______

MALL

 

Ca pika shiu ranë mbi qelq

Për ty unë befas ndjeva mall.

Jetojmë të dy në të njejtin qytet

Dhe rrallë shihemi, sa rrallë…

 

Dhe mu duk pak e cuditshme

Si erdhi kjo vjeshtë, ky mëngjes,

Qiejt e ngrysur pa lejlekë,

Dhe shirat pa ylber në mes.

 

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit

Seç m’u kujtua sot për dreq:

“Të zgjuarit janë bashkë në këtë botë

Kurse të fjeturit janë veç”.

 

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq

Që dot s’po zgjohemi ne vallë?…

Ca pika shiu ranë mbi qelq

Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

 

 

Në parkun që

mbuluan fletët

Në parkun q’ë mbuluan fletët

Të dy ne ecim qetësisht,

Pas shijes saj ka shtruar vjeshta

Qilim të verdhë natyrisht.

 

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë

Ju fanit një muzg i vonë

Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët

Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

 

Nga vagabondët me cigare

Ti mos u tremb e dashur kot

Imazhin tënd as dinosaurët

Shekuj më parë s’e shtypën dot.

 

Që ti të vije kaq e bukur

Me këta flokë, me këtë hap

Toka të egrën klimë e zbuti

Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

 

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe

Të ndodhte ndryshe s’kish se si.

U desh të zhdukeshin përbindshat

Që te kjo botë të vije ti…

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej

Si të harroj unë dalngadalë,

Si vdes tek unë kujtimi yt

Si vdesin flokët dhe gjithçka.

 

Tani kërkoj unë posht’ e lart

Një vend ku ty të të lëshoj.

Një strofë a notë a një brilant

Ku të të le, të puth, të shkoj.

 

Në s’të pranoftë asnjë varr

Asnjë mermer a morg-kristal.

Mos duhet vall’ prap të të mbart

Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

 

Në s’gjetsha hon ku të të hedh

Të gjej një fushë a një lulnajë

Ku butësisht porsi polen

Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

 

Të të mashtroj ndoshta kështu

Dhe të të puth e t’ik pa kthim

Dhe nuk do të dimë as ne, askush

Harrim ish ky, a s’ish harrim.

 

________

PRITJA

 

Telefoni po merr një sy gjumë para ardhjes sate

Abazhuret varen të heshtur mbi pritjen

Perbindëshat mbi qilimin e dhomës dremitin të qetë

 

Ora kaloi

Ti u vonove

Drita e abazhureve u bë e keqe

Si i vrarë telefoni ka rënë përmbys e s’merr frymë

Tani përbindëshat filluan të lëvizin

Ja, po zgjohen me leshra të kërleshura mbi qilim

 

Ti do vish patjetër të qetësosh gjithçka

 

Ti qave

Ti qave dhe me the me zë të ulet

Se unë të trajtoja si prostitutë.

Athere lotëve të tu s’ua vura veshin

Të desha, pa ditur se të desha.

 

Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva

Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,

Athere kuptova ç’kisha humbur,

Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

 

Më rrëzëllinte si smerald mërzitja,

Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…

Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja

Sepse secila m’e bukur se tjetra qe.

 

Se ish i tillë ky koleksion bizhush

Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,

Që njëqindfish etjen për jeten shtonte,

Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.