Të mëdhenjtë e artit shqiptar në festivalin e Strugës

45
Ra perdja. Pas gjashtë ditë shoqërimi me artistë dhe art, edicioni i dytë i festivalit të teatrove shqiptare, “K’tu fest-2015” në “Poshka Teatër”, përmbylli siparin në mënyrë spektakolare, ashtu siç edhe filloi. Spektatorët dhe pjesëmarrësit, e mbrëmjes së fundit të këtij festivali, duke kaluar nëpër kolonadat e tempujve antik, në sallë, të prirë nga Olsa Poshka e Robert Ndrenika, për të vijuar me ikonën e skenës teatrore dhe kinematografike shqiptare, Tinka Kurti e shoqëruar nga kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, pastaj ikona tjetër e skenës shqiptare, Nderi i Kombit dhe Qytetare Nderi e qytetit të Strugës, Margarita Xhepa, e shoqëruar nga regjisori Ilir Harxhi, Yllka Mujo, e shoqëruar nga drejtori i festivalit Xheladin Poshka, ndërsa pas tyre, vazhdonte kolona e gjatë e personaliteteve të jetës kulturore, shoqërore, me sekretarin shtetëror në Ministrinë e kulturës së RM-së, Behixhudin Shehapi që këtë mbrëmje shoqërohej nga e bija e tij, dhe më pas Enver Petrovci, Bajrush Mjaku, prof.Dr. Josif Papagjoni e shumë të tjerë.

 Si zakonisht gjatë ditëve dhe mbrëmjeve të festivalit, moderatorja e të gjitha aktiviteteve të festivalit, regjisorja Olsa Poshka, duke përshëndetur të pranishmit në këtë mbrëmje përmbyllëse, shprehu një faleminderim për ekipin realizues të festivalit me në krye drejtorin Xheladin Poshka, personalitetet e skenës, Robert Ndrenik, Tinka Kurti, Nderi i Kombit dhe Qytetare Nderi e qytetit të Strugës, Margarita Xhepa, Yllka Mujo, Enver Petrovci, Bajrush Mjaku, të gjitha trupat teatrore pjesëmarrëse në këtë festival, spektatorët dhe qytetarin e parë të Strugës, kryetarin Ziadin Sela. Ajo poashtu në mënyrë të veçantë përshëndeti sekretarin shtetëror në Ministrinë e kulturës së RM-së, Behuxhedin Shehapi etj. Gjatë një përshkrimi të ditëve të festivalit “K’tu Fest”, Olsa Poshka mes tjerash theksoi se këtë vit, në edicionin e dytë të festivalit të teatrove, ka pasë dyfish më shumë shfaqje se vitin e kaluar, edhe pse nuk ka pasë dyfish mjete materiale më shumë. “Megjithate, vitin e kaluar në këtë skenë na u premtua se Festivali do të mbështetet institucionalisht, dhe tani kemi mbështetjen mbase të pamjaftuar nga Ministria e Kulturës së RM-së”. Ndaj, ajo e ftoi Behixhudin Shehapin për një fjalë rasti i cili pasi përshëndeti emrat e mëdhenj të kulturës mbarëshqiptare, ndër të tjera tha: “Kam qënë i befasuar këndshëm vitin e kaluar për këtë event kulturor në Strugë, dhe kam premtuar se ky festival do të mbështetet nga Ministria. Këtë e kemi arritur edhe pse ndoshta me mjete të pamjaftueshme, por rëndësi ka që ky festival ka hyrë në listën e festivaleve të Ministrisë dhe shpresoj se me këtë ecuri ky festival do të bëhet festivali me prestigjioz i këtij lloji”. Në vazhdim, Behixhudin Shehapi shtoi: “Ate që premtojmë duhet ta realizojmë, sepse nëse nuk e realizojmë atëhere duhet të skuqemi, të turpërohemi, ndaj uroj që ky festival të vazhdojë rrugën e vet, sepse është festival i veçantë, me shumë karakteristika të veçanta dhe pa klishe”-përfundoi Behixhudin Shehapi. 

Më pas, në skenë u ngjit Yllka Mujo, për të zhvilluar një bisedë rasti para spektatorëve, bisedë të cilën Yllka Mujo e tipizoi dhe e karakterizoi se edhe ky festival është “vazhdimi i ëndrrës së saj…” Poashtu përshëndeti edhe Robert Ndrenika, rreth të cilit me shumë humor dhe dashuri u thurrën edhe “thashë e thënat”, të cilat i Madhi Robert Ndrenika i ndau bashkë me struganët gjatë ditëve të qëndrimit të tij në ditët e festivalit në Strugë. Para se të përmbyllet kjo mbrëmje e fundit e festivalit, në programin e paraditës, u shfaq edhe dokumentari i regjisorit Ilir Harxhi, “2 Kohë”, dokumentar që përshkruante përjetimet e xhirimit të filmit “Koncerti i vitit 1936”, në Libohovë, ku ndër aktorët ishin Robert Ndrenik, Margarita Xhepa etj, disa prej të cilëve nuk jetojnë më, duke evokuar kujtime nga takimet e atëhershme dhe takimet e vizitës që i kanë bërë Libohovës gjatë xhirimit të dokumentarit. Ndërkaq në mbrëmje, në përmbyllje të festivalit, në skenë u ngjitën dy aktorë të mirënjohur të humorit të skenës dhe të ekranit, Romir Zalla dhe Marin Orhanasi, me perfomansën e tyre, “stand up” komedinë, “Aktor Made in Albania”. 
Krejtësisht në fund, në skenë u ngjit edhe kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, i cili ka dhënë një mbështetje të fuqishme për realizimin e këtij festivali dhe bashkërisht me Olsa Poshkën e deklaruar të mbyllur edicionin e dytë të festivalit “K’tu Fest Strugë 2015” me fjalët: “Mirë u pafshim në “K’tu Fest 2016” dhe ahengu mund të fillojë, aheng që zgjatëte deri në orët e vona të natës me muzikë live.