Të kuptojmë çrregullimet mendore

1869
Çfarë janë sëmundjet mendore? Specialistët i përkufizojnë çrregullimet mendore si mosfunksionim serioz në mënyrën e të menduarit të dikujt, në kontrollimin e ndjenjave dhe në sjellje. Kjo gjendje shpesh e pengon personin në marrëdhëniet me të tjerët dhe të përballojë sfidat e jetës.
Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri
Shkalla e simptomave mund të ndryshojë për nga kohëzgjatja dhe intensiteti, në varësi të individit dhe të sëmundjes specifike e rrethanave. Mund të preken njerëz të çdo gjinie, moshe, kulture, race, feje ose arsimimi dhe gjendjeje ekonomike. Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri. Me anë të kujdesit të duhur shëndetësor, individët mund të kurohen e të bëjnë jetë normale e me kuptim.
Të kurojmë çrregullimet mendore
Specialistët e shëndetit mendor mund të kurojnë shumë çrregullime mendore. Prandaj, hapi i parë jetësor është të bëjmë një konsultë të hollësishme me një specialist kompetent që ka përvojë në kurimin e sëmundjeve mendore.
Sidoqoftë, kush vuan, do të përfitojë vetëm nëse pranon trajtimin e përshtatshëm. Për këtë mund t’i duhet të mos ngurrojë të flasë me të tjerët për çrregullimin mendor. Trajtimi mund të përfshijë biseda me specialistë të trajnuar të shëndetit mendor që mund ta ndihmojnë të kuptojë sëmundjen, të zgjidhë problemet e jetës së përditshme dhe ta bindin sa e domosdoshme është të mos heqë dorë nga mjekimi. Gjatë konsultave, një familjar ose mik mund të luajë rol jetësor duke i dhënë siguri dhe mbështetje.
Shumë njerëz kanë mësuar t’i përballojnë çrregullimet mendore pasi kanë kuptuar më mirë gjendjen e tyre dhe pasi kanë ndjekur kurën e rekomanduar nga specialistët e shëndetit mendor. Marku, i përmendur në fillim, thotë: «Para se gruaja të diagnostikohej, nuk dinim shumë për sëmundjet mendore. Por kemi mësuar t’i përballojmë me qetësi problemet njëri pas tjetrit e të përshtatemi me situatën tonë. Me kalimin e kohës, kemi nxjerrë dobi nga mbështetja e specialistëve të besueshëm si edhe nga familjarët e miqtë.»
Sigal