Te “çmendur” pas hekurave, nga Ahmet Zogu te Ilir Meta

1200
Sigal

Mbreti i shqiptarëve ka qenë i pasionuar pas peshëngritjes, ashtu si Kryetari i LSI-së

Sot, do të nisë në Shqipëri, Kampionati Europian e Peshëngritjes me pjesëmarrjen e mbi 400 sportistëve nga 35 vende të ndryshme të kontinentit. Shqipëria merr pjesë me 12 sportistë, dy femra dhe dhjetë meshkuj. Kjo është hera e parë që, vendi ynë organizon një event të përmasave të tilla. Federata Shqiptare e Peshëngritjes është themeluar në vitin 1949 nga Rexhep Ramaj dhe Luigj Shala, por përpara kësaj date, një foto e rrallë e koleksionit “Marubi” bën lajm. Rexhep Ramaj dhe Luigj Shala konsiderohen si themeluesit e peshëngritjes shqiptare në vitin 1949, duke e vendosur këtë sport në shina të forta dhe rezultate të larta, bazuar në traditat dhe karakterin e fortë të shqiptarëve. Shqipëria ka nxjerrë emra të mëdhenj në peshëngritje: Ymer Pampuri, Përparim Feruni, Gudar Beqiraj, Vasil Hoço, Hysen Cenaj janë emrat e mëdhenj të viteve 1970-1980. Muharrem Berisha, Mirjan Hakani, Aleksandër Kondo, Erlin Nikolla, Fatmir Bushi, Arben Kokonozi, Agron Haxhihyseni, Adem Toska fituan fituar medalje në Europë, përfshirë kampionatet europiane, ballkanike apo Lojërat Mesdhetare. Në brezin e dytë mund të rreshtohen Piro Dhima, Luan Shabani, Viktor Mitro, Agim Xhelili, Robert Daka dhe Lefter Koka. Në brezin e katërt, ai në fillim të viteve 1990, pas ndryshimeve në Shqipëri, janë Ilir Suli, Ilir Kafarani janë më të spikaturit e këtij brezi. Brezi i pestë përfaqësohet me peshëngritësit Erkand Qerimaj, Gert Trasha, Theoharis Trasha, Taulant Çerepi, Ervis Tabaku, Arjan Bershanaj, Andri Haxhihyseni, Fetije Kasaj, Romela Begaj, ndërsa më të rinjtë janë Daniel Godelli, Xhulio Prroni, Hysen Pulaku, etj. Duhet përmendur fakti se, disa nga peshëngritësit shqiptarë kanë garuar për Greqinë. Pirro Dimas (apo më saktë, shqiptari Piro Dhima) me 3 medalje të arta olimpike e 1 bronzi, ai është olimpisti më i mirë i të gjitha kohërave në sportin e peshëngritjes.  Viktor Mitro, Luan Shabani, Agron Xhelili janë dhe shtangistët që i dhanë medalje Greqisë, pavarësisht se ishin formuar si sportistë në Shqipëri.

 SKËNDERBEU

Në revistën për peshëngritjen që publikon Federata Europiane e Peshëngritjes, flitet edhe se heroi i Shqipërisë, Skënderbeu, duke vënë theksin se ai ishte një i pasionuar i madh i shtangës, kuptohet jo kësaj që njohim sot, por i ngritjes së hekurave. Duhet thënë se, stërvitja e fortë e karakteri fizik ishte shndërruar në një normë në ushtrinë shqiptare, kjo dhe në sensin e përgatitjes fizike.

AHMET ZOGU

Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu (1928-1939) ka qene i pasionuar pas peshëngritjes. Një foto e madhe e Zogut (lindi, më 8 tetor 1895, vdiq më 9 prill 1961), që ngri një shtangë artizanale në plazhin e Durrësit është botërisht publike. Ahmet Zogu e ka ushtruar sportin e peshëngritjes, por këtë më tepër e ka bërë më tepër si një ushtrim gjimnastikor, për të mbajtur trupin në formë.

ILIR META

Krytari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një prej politikanëve të rëndësishëm në vend, Ilir Meta, ka ushtruar sportin e peshëngritjes në rininë e tij. Meta, i cili më parë dhe ka qenë kryeministër (1999-2002), ka qenë peshëngritës, fillimisht me Tiranën, e më pas me te Dinamo e Partizani, për një periudhë të shkurtër. Pavarësisht se nuk ka pasur ndonjë rezultat, ka qenë një sportist i pasionuar.

 Emrat e mëdhenj

 YMER PAMPURI

Ymer Pampuri mund të konsiderohet edhe si peshëngritësi i parë i madh i shqiptar. Pampuri, në Lojërat Olimpike të Munihut (1972) vendosi një rekord olimpik duke ngritur, më 29 gusht të vitit 1972, 127.5 kg, duke qenë njëherësh edhe kampioni i parë shqiptar i botës, përsa i përket peshëngritjes.

 ILIR SULI

Ilirjan Suli është peshëngritësi shqiptar që ka mundur të arrijë rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike. Suli, i cili garoi në peshën deri në 77 kg, me 355 kg të ngritura në dygarësh, zuri vendin e pestë në Lojërat Olimpike të Sidnejit në vitin 2002.

 ROMELA BEGAJ

Kur Romela Begaj përfundoi garën e saj në Lojërat Olimpike të Pekinit (2008), shqiptarja e bukur, fotografët e gjithë botës fiksuan përjetësisht në celuloid një rrotullim të saj tipik për një gjimnaste. Së bashku edhe me Fetije Kasajn, formojnë një dyshe, që pa e ekzagjeruar aspak, do të mbeten në historinë femërore të shtangës shqiptare.

  Dhjetë transferimet që ndryshuan futbollin

 Transferimet e yjeve të futbollit, atyre që kushtojnë miliona euro kanë ndryshuar dhe ndikuar në zhvillimin e futbollit, por dhe në merkaton botërore, ky kulmin e transferimit më të shtrenjtë vazhdon ta mbajë Kristiano Ronaldo, me 94 milionë euro, kur sulmuesi portugez u transferua nga Mançester Junaitid të Reali i Madridit në vitin 2009. Revista e famshme “Ëorld Soccer” ka hartuar një listë me 10 transferimet që ndryshuan futbollin në harkun e 50 viteve të fundit.

 1. Pele

Nga “pensioni” te Nju Jork Kozmos, 1975

 Pele mbahet si një nga lojtarët më të mëdhenj në botë dhe besnik i përjetshëm i klubit të tij brazilian, Santos, për të cilin kishte luajtur qysh në moshën 17-vjeçare. Ai u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 1972, por në vitin 1975 ai iu rikthye futbollit duke u aktivizuar te Kozmosi ku përfitoi 3 milionë dollarë, duke ndihmuar ekipin – që në gjirin e tij kishte edhe legjenda të tilla si Franc Bekenbauer dhe Karlos Alberto – në fitimin e North American Soccer League në vitin 1977.

 2. Johan Krujf

Nga Ajaksi te Barcelona, 1973

 Pasi e udhëhoqi Ajaksin në fitimin e Kupës së Kampioneve për tre vjet rresht, Krujfi nënshkroi për Barcelonën, duke iu bashkuar dhe njëherë tjetër mentorit të tij, Rinus Mishels. Transferimi kapi shifrën e 922.330 sterlinave, prej të cilave Krujfi mori gjysmën, dhe në sezonin e parë të tij ndihmoi Barcelonën të fitonte kampionatin e parë spanjoll, La Liga, qysh nga viti 1960.

  3. Kevin Kigan

Nga Liverpuli te Hamburgu, 1977

 Pasi ndihmoi Liverpulin të fitonte Kupën e parë të Kampioneve në vitin 1977, Kigan u bë lojtari i parë yll anglez që vendosi të luante në Bundesligë. I mbiquajtur “miu i fuqishëm” nga tifozët, ai e përfundoi sezonin si Lojtari më i mirë europian i vitit, një sukses që e përsëriti edhe vitin pasardhës, të shoqëruar edhe me titullin e parë të Hamburgut në Bundesligë pas një mungese prej 19 vitesh.

 4. Diego Maradona

Nga Barcelona te Napoli, 1984

 Pas dy vitesh jo shumë të lumtura, Maradona u largua nga Barcelona. Pas një periudhe hepatiti dhe një këmbe të thyer, dukej se transferimi i tij ishte i dështuar kur presidenti i klubit katalanas Josep Lluis Nunez, kishte kërkuar ta largonte nga “Kamp Nou”. Për një shumë rekord prej 6.9 milionë sterlinash, Maradona nëshkroi për Napolin e Serisë A. Ai u prezantua në praninë e 80 mijë napolitanëve. Brenda tre vitesh, Maradona e udhëhoqi Napolin të fitonte trofeun e parë.

 5. Zhan-Mark Bosman

Nga Liezh te Dunkirk, 1990

Transferimi që ndryshoi gjithçka në botën e futbollit. Sulmuesi ishte jashtë kontrate së tij, hodhi poshtë një ofertë të Liezhit dhe kishte rënë dakord të bashkohej me Dunkirk. Të dyja klubet kishin rënë dakord për një shumë të paracaktuar transferimi, por Dunkirk hoqi dorë kur Liezh kishte vendosur një shumë më të madhe. Bosman e paditi Liezhin dhe Federatën Belge të Futbollit në Gjykatën Europiane dhe fitoi, duke u përcaktuar dhe rregulli, se nëse një lojtar është jashtë kontrate ai do të jetë i lirë të ndryshojë klubin. Kjo u mundëson tani lojtarëve të paguajnë në mënyrë që të jenë të lirë nga kontratat e tyre.

 6. Roberto Baxho

Nga Fiorentina te Juventusi, 1990

 “Dashuria” e tifozëve “vlollcë” i mërziti shumë ata, kur ai u bashkua me Juventusin, që sapo e kishte mundur Fiorentinën në finalen e Kupës së UEFA, për një shumë rekord prej 8 milionë sterlinash. Baxhio tha se “ishte i detyruar ta pranonte transferimin”, por u shkaktoi fansave të Fiorentinës të rebelimin. Kur të dyja skuadrat u përballën në pranverë në Firence, Baxho refuzoi të gjuante një penallti për Juventusin. Ai më pas u zëvendësua, e më pas hodhi në qafë një shall të Fiorentinës dhe e puthi atë, duke u përcjellë më me entuziazëm nga tifozët vendas.

 7. Ronaldo

Nga Barcelona te Interi, 1997

 Pas një marrëveshjeje midis dy klubeve dhe menaxherit të lojtarit, Ronaldo nënshkroi për Interi për një shumë rekord prej 19.5 milionë sterlina. Brazilani pati një impakt të menjëhershëm te zikaltërit, që e përfunduan kampionatin në vendin e dytë dhe duke ndihmuar Interin të fitonte Kupën UEFA.

 8. Lionel Mesi

Nga Njuell Old Boy te Barcelona, 2000

 Lionel Mesi nënshkroi me Barcelonën pasi ajo u tregua e gatshme të paguante faturat shëndetësore për shkak të mungesës së hormoneve të rritjes të djaloshit, kur ai ishte vetëm 11 vjeç. Në atë kohë klubi argjentinas River Plate nuk pranoi të paguante 800 dollarë në muaj për trajtimin e tij financiar. Barcelona e pa duke luajtur dhe tregoi interesim për të. Ai u transferua në Barcelonë me gjithë familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Historia e Mesit më pas është e njohur për të gjithë.

 9. Zinedin Zidan

Nga Juventusi te Reali i Madridit, 2001

 Shifra e 40 milionë sterlinave për një transferim lojtari u thye, kur Zinedin Zidan u transferua te Reali i Madridit. Presidenti Perez firmosi një çek me 9 milionë sterlina më shumë se sa ai kishte paguar për Luis Figon 12 muaj më parë. Nëse në vitin 1996 rekordi ishte 15 milionë sterlina, në vitin 2001 ai u vendos në 46 milionë sterlina.

 10. Kristiano Ronaldo

Nga Mançester Junaitid te Reali i Madridit, 2009

 Ylli portugez mban rekordin si lojtari më i shtrenjtë në planet kur ai u transferua në shumën e 80 milionë eurove nga Mançester Junaitid te Reali i Madridit. Mbi 80 mijë persona ishin të pranishëm në prezantimin e tij, por në vitin e tij të parë Kristiano nuk fitoi asnjë trofe në Madrid.