Takimi i poetit Ali Asllani me Kryeministrin Mehmet Shehu në Vajzë

823
Gëzim Llojdia
Biseda me Piro Rexhepin / Ja historia e parë për Ali Asllanin, siç ma ka rrëfyer Q. Meminaj më 30 maj ’98 në fshatin Vajzë
1. Për të shkuar në katundin Vajzë të qarkut Vlorë është një rrugë e vetme, që përshkon e ndan mes përmes zemrën ose shpirtin e Labërisë. Kjo rrugë ka si një zanafillë gati të hershme, kohën kur erdhi ose më qartësisht kur mbërriti dita për t’u bërë rruga. Kthehu në të majtë të spitalit, që gjendet nën kodrat që dikur kishin vërtet ullinj, prandaj thuhej se spitali i Vlorës ishte tek kodrat me ullinj, ndërkaq atje qetësia dhe pemët e paqes tashmë janë të zhdukur ose më mirë u prenë u dogjën u shkatërruan gjitha. Kështu, që në të majtë të spitalit të duhet të ecësh për t’u ngjitur në rrugën e fshatit Babicë.

2. Në rrugën e një fshati, që ka emër femre ose më shkoqur quhet, Vajzë. Këtu flitet, se ka lerë Ali Asllani. Një mekam për tre dervishë qëndron me derë të hapur. Një karburant dhe qendra e fshatit na ftojnë të pimë diçka. Në këto anë rakia është ajo me të cilin qerasen njerëzia apo mysafirë. Rakia nxirret nga rrushi, është e fortë, e pastër si qelibari dhe të bie në kokë. Pini, na thotë i zoti i këtij klubi të vogël, është ilaç. Përtej është busti i heroit Perlat Rexhepi. Aty ka qenë dhe do të jetë, më shprehen banorët.

Keni dëgjuar për Ali Asllanin? Ali Asllani të mrekullon në atë radhitje fjalësh, figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rininë e përhershme të vargut, me finesën estetike e sensualitetin e thellë. Intuita e tij poetike i kapërcen kufijtë e një përpunimi të zakonshëm të ligjërimit artistik, ku shfaqet një harmonizim i rrallë për tingëllimin kuptimor, i ngritur mbi themelet e atij leksikor e fonetik. Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës, duke nxjerrë në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë e vargut. Me një dorë prej mjeshtri endi poezi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve, ekspresivitetin e fjalës e vargut, të strofave, e të krejt poezive të veta. Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë, atë poezi plot dritë e hije, plot kontraste e antiteza. Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore, që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes atë forcë që: sikur një gur stërrall/në gji zjarrin e ka ngjall/qoftë në lum e qoft në det/zjarr i tija nuk humbet! Ky është vargu i tij, me rrezatim drithërues që, sa të bën për vete, aq edhe të degdis tutje, atje ku përqafohet me jetën, puthet me pëllumbeshën, shullëhet me guguftunë…nusëron me stil të vjetër, po të ndjek me zjarr të ri”, duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e vendlindjes .Këtu morri nektarin e poezisë,përthithi e beri të vetin mençurin e vargëzimit, ndjeshmërinë e mendimit poetik, psikologjinë, si dhe reflekset e botës shpirtërore, të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore, e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan: Poezi e një poeti, jo, jo këng ‘eterniteti…..

– Po ku ka lindur poeti lirik, diplomati i shquar dhe kryetari i bashkisë së Vlorës Ali Asllani? Ja historia e parë për Ali Asllanin, siç ma ka rrëfyer Q. Meminaj disa vite më parë: 

Nga një bisedë me Piro Rexhepin i biri i Rexhep Sulejmanit bisedë e bërë në 30 maj ’98 në fshatin Vajzë:” Me Ali Asllanin, nuk kishim lidhje gjaku, por babai im e donte aq shumë, sa që e konsideronte njësoj si vëlla, është shprehur P. Rexhepi. Kur u nda nga jeta baba im, (R. Sulejmani), xha Aliu, (poeti Ali Asllani) ndenji në shtëpinë tonë, plot 40 ditë dhe priti ngushëllimet, si vëllai i tij. Por një ditë, duke molloisur historinë P. Rexhepi, jemi ndodhur shumë ngushtë, sepse na lajmëruan nga lartë, pra nga Kryeministria, që të dilnim jashtë nga shtëpia dhe dhoma ku priteshin ngushëllimet, mbasi në familjen tonë, do të vinte Kryeministri Mehmet Shehu, për të ngushëlluar. Isha N/kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Dolëm të gjithë nga dhoma dhe po bisedonim, se kush ishte ai burrë që t’i thoshte edhe Ali Asllanit, të dilte nga shtëpia. Nga autoriteti, që ai kish, nuk e merrte njeri guximin, por më në fund disa miq më detyruan mua, që t’ia thosha. Më vinte shumë rëndë, por s’kisha çfarë të bëja. Ju afrova dhe i thashë se duhet të dalin të gjithë nga dhoma, mbasi vjen Kryeministri për ngushëllim dhe është duke ardhur i thashë. Po, më tha bëni ashtu siç ju kanë thënë, bile shpejt dhe pa zhurmë, kurse unë vetëm do të qëndroj këtu, të pres ngushëllimet, se më ka vdekur vëllai. Asnjë fjalë nuk kisha mundësi t’i thosha xha Aliut, dola dhe unë jashtë por gjithmonë me merak,s epse nuk u zbatua, një urdhër i rëndësishëm. Megjithatë kur erdhi Kryeministri, kaloi tek ne që ishin radhitur në oborr siç prisnin në fshat njerëzinë në kësoll, na përshëndeti me kokë dhe pa bërë zë, u fut në dhomë duke i dhënë dorën ftohtë Xha Aliut (Ali Asllanit). Sa ndenji aty Kryeministri, bisedoi vetëm me Xha Alinë, dhe me asnjë nga ne nuk këmbeu fjalë, e me që i pëlqeu biseda ndenji rreth 1 orë e 30 minuta. E thashë, që kur erdhi i dha dorën ftohtë Xha Aliut, (poeti Ali Asllani) por ama, kur iku, ai e rroku në qafë dhe e shtrëngoi fort. Të them të drejtën, më tregonte ai, na shkriu gjaku, megjithëse dita-ditës prisja të më fliste dhe të më jepte ndonjë masë të rëndë. Mbas disa ditësh Kryeministri foli në raport, kryetarët e Komiteteve Ekzekutivë, meqë Kryetari i Tiranës, nuk ndodhej aty, në mbledhje shkova unë. Gjithnjë mendja më thoshte, se kur të raportoja do të më thotë diçka për atë ditë, por ai nuk ma përmendi fare. Mbasi mbaruam të gjithë filloi të na jepte porosi, se si ne duhet të kontrollojmë dhe të ndjekim zbatimin e detyrave. “Juve, na tha, nuk kini arritur akoma t’i bëni mirë detyrat tuaja ashtu siç i bënte në atë kohë, Ali Asllani, kur ishte Kryetar i Bashkisë në qytetin e Vlorës.

-Kur do të arrini edhe ju që t’i kryeni detyrat ashtu siç i kryente ai? 
Vetëm atëherë më doli frika dhe kur mbaruam mbledhjen shkova menjëherë në shtëpi dhe iu thashë pjesëtarëve të tjerë të familjes, që të mos kenë merak, sepse ajo punë u mbyll, “mbasi Kryeministri e kish vlerësuar, aq shumë, atë bisedë me Ali Asllanin, sa që na tha edhe neve të punojmë ashtu si punonte ai”. Pra, arti i të drejtuarit, që kish Ali Asllani, u pëlqente të gjithëve. Pavarësisht se Mehmet Shehu, kryeministri i asaj kohe, me shokët e tij, e konsideronin Ali Asllanin intelektual borgjez dhe pa vizion të qartë dhe të mirë, për rendin e ri shoqëror që ata e donin aq shumë, artin e tij të të drejtuarit, e pëlqenin dhe ia kishin nevojën.

3. Aktualisht fshati i sotëm Vajzë me shtëpi një pjesë të reja, me punë të mëdha. Nikoqiret kanë zbukuruar oborret kanë fshirë baltërat anës avllive dhe duket se ndrin fshati nga një pamje e tillë. Duke lënë pas Vajzën për të shkuar tek shpella, një baxho në katin e dytë dhe poshtë është shpellë me gurë të kuq. 

Një poezi e Ali Asllanit për fshatin Vajze:
”Ne krye te fshatit ka një deli krua/ujë i tija akull derdhet në përrua/dhe në krahun tjetër varet nga një mal/një përrua i rreptë me uturimë e valë/Mu në mes të tyre bregu Allatoj/dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoj/fshati i babagjyshit fshati më i mirë/nga ata që thuhen Labëri e lirë?/Aty ndën shkallë blegërin shelegu/aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku/rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle/nën rrap,në hije pleqtë qajnë halle/Lahure qëndisur bedene-bedene/seç i paska hije asaj protoene/asaj protoene me një furk në sqetull/që e ther e që e gris me sy e me vetull/andej disa koce shkojnë në krua/këtej bagëtia varet në përrua/me kërrabë në dorë një djalosh/përmbi sy kësulën,vërshëllim përposh…..

Poeti Ali Asllani në përshkrimin e tij ndoshta e ka pasur fjalën për shpellën e bletës: “Në katundin Vajzë të Vlorës,më tej bregut Allatoj/kur nise për në Ploçë, më të djathtë, rrëzë përrojt, ka pas qen një shpellë e madhe/dhe mbi sup të saj Beuni, rreth me pyje plot sorkadhe/shpella quhej shpellë e bletës, me një maj si thikë e prehur, ledhe- ledhe, hoje-hoje mjalti kish në gjinë e saj fshehur…..
Sigal