Takimi i OSBE – Debat për diktaturën, Kumbaro u përgjigjet kritikëve të “Shtëpisë me gjethe”

544
Prezenca e OSBE në Tiranë ka zhvilluar një takim me institucione dhe organizata të shoqërisë civile me temë trajtimin e së kaluarës totalitare. Gjatë takimit nuk kanë munguar kritikat e debatet në lidhje me projektin e Ministrisë së Kulturës për kthimin në Muze të Shtëpisë së Gjetheve.

Trajtimi i së kaluarës totalitare ka nxitur debate gjatë një takimi që prezenca e OSBE në Tiranë ka zhvilluar me institucione e organizata të shoqërisë civile për vendet e kujtesës.

Ambasadori, Bernd Borchardt, tha se angazhimi për të trajtuar të kaluarën do të garantojë të ardhmen demokratike të Shqipërisë.

Bernd Borchardt: Aktualisht mund të shohim kalimin nga heshtja në një angazhim aktiv me të shkuarën në fusha të ndryshme. Kjo është inkurajuese, pasi do të garantojë të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Kjo mund të arrihet vetëm kur të jenë trajtuar shkeljet e mëparshme të të drejtave të njeriut dhe krimet dhe pasi të jetë mbajtur një diskutim publik për të shkuarën e vështirë.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u ndal të projekti për muzealizimin e Shtëpisë me Gjethe, për të cilën tha se janë bërë shumë kritika.

Mirela Kumbaro: Reagimet ndaj këtij projekti kanë qenë si më poshtë: Ata që nuk pranojnë të diskutojnë fare dhe e kritikojnë këtë projekt sido që të jetë. Madje as që duan të dëgjojnë qoftë edhe për ta kritikuar në mënyrë më objektive. E hedhin poshtë se kësisoj është një argument më shumë për të batërdisur gjithçka bën kjo qeveri por kjo është pjesë e të përditshmes.

Kritikat nuk munguan nga Agron Tufa dhe Bilal Kola, të cilët kërkuan më tepër vëmendje për ruajtjen e kampeve dhe burgjeve të internimit, e kjo të mos bëhet për show politik.

Agron Tufa: Të përqëndrohemi tek thelbi dëshmues mësëpari pa rrëshkitur në përqëndrimin estetik.

Bilal Kola: Jam i sigurtë, nëse do të ishte qasja për ta bërë Shqipërinë Muze me idenë e saktësimit të fakteve historike nuk është ndonjë kosto e madhe. U siguroj që nuk ka lidhje fare me aspektin financiar, ka thesht me qasjen nëse e shikon minimalisht si pjesë të showt.

Kjo kërkesë u parashtrua edhe nga përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile.
Sigal